F A Q E T

Donnerstag, 28. November 2013

Luftat ilire – romake


Qëkur u themelua shteti Romës (që më vonë u shndërrua në perandori), pengesë të zhvillimit, po edhe të realizimit të aspiratave pushtuese e dominuese ndaj popujve e vendeve të tjera, e shihte dhe e kishte Ilirinë, shtetet e fiset ilire. Interesat e Romës ngatërroheshin dhe binin ndesh me ato ilire në të gjitha drejtimet: në rrafshin e shtrirjes territoriale, pasi fise ilire kishte në të dy anët e Adriatikut, Jonit e deri thellë në Alpe, Panoni, Thraki e deri në Greqi; në rrafshin e dominimit në det, pasi kapitenët ilirë të anijeve ishin zotërues të Adriatikut e të gjithë Mesdheut; në aspektin ekonomik, sepse hapësira ilire ishte e pasur, e shumëllojshme dhe tejet e nevojshme për Romën e dhënë pas krijimit të reparteve të mëdha ushtarake dhe luksit në të cilin jetonte parësia e këtij shteti. Disa here kishte pasur konflikte midis ushtarëve ilir e romak, po ato kishin qenë të rrepta sidomos në det. Dhe Senati i Romës venndosi të angazhonte gjithë poetncialin ushtarak e poliitik që kishte, për të nënshtruar e pushtuar Ilirinë. Luftat ilire-romake zgjasin pothuaj dy shekuj e gjysmë, po historia njeh tri beteja të mëdha e një kryengritje, gjithëilire, që ndikuan për rënien definitive të Ilirisë dhe që vulosën doninimin romak në Ballkan e në një pjesë të madhe të vendeve të njohura ne atë kohë.

 

Lufta e parë ilire-romake (229 – 228 p.e.s.)

Lufta e parë ilire-romake filloi në vjeshtën a vitit 229 para erës sonë. Flota romake, e përbërë prej 200 anijesh arriti në Korkyrë dhe e pushtoi këtë qytet të rëndësishëm ilir, pasi komandanti i garnizonit ilir, Dhimitër Fari, tradhëtoi dhe u hodh në anën e armiqve. Roma i shkëputi shtetit të ardianëve një pjesë të mirë të territorit dhe vulosi ndarjen e tradhëtinë, duke e emëruar Pinesin, djalin e mitur të Agronit, sundimtar të ligjshëm të mbretërisë ardiane, që si akt trazoi gjithë Ilirinë.
Sipas kushteve të paqes, të cilën ilirët u detyruan ta pranonin, atyre u ndalohej të lundronin përtej Lisit me më tepër se dy anije tregëtare dhe u zotuan t'i paguanin Romës tribut vjetor.


Lufta e dyë ilire-romake (219 – 218 p.e.s.)

Pas vdekjes së mbretëreshës Teuta, Dhimitër Fari mendoi se i erdhi rasti të bëhej sundues i Ilirisë. Ai u martua me Triteutën, të ëmën e Pinesit të vogël dhe u bë tutor i tij. Ai i shtriu sundimin mbi gjithë territorin ilir, që i kishte mbetur Pinesit. Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të Romës, e cila ishte në luftë me galët dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të Kartagjenës, Dhimitër Fari u përpoq të shkëputej prej saj. Për këtë qëllim ai lidhi aleancë me Antigon Dosonin e Maqedonisë, e ndihmoi atë në veprimet e tij në Greqi për rivendojen e epërsisë maqedone në Peloponez dhe filloi luftën për rimëkëmbjen e shtetit të vjetër ardian. Më 220 Dhimitër Fari sulmoi parthinët, pushtoi qytetin e tyre, Dimalin, dhe vendosi këtu një garnizon të fortë ushtarak. Më vonë ai nënshtroi gjithë Ilirinë e jugut deri në Vjosë. Pas këtyre sukseseve Dhimitër Fari u muar vesh me Skerdilaidin, i cili, pas luftës së parë iliro-romake, me sa duket, sundonte i pavarur ndonjë krahinë veriore të shtetit ardian, dhe bashkë me të ndërmori, aty nga fundi i vitit 220, një ekspedite plaçkitëse në brigjet e Greqisë. Romakët nuk u pajtuan me këtë dhe sulmuan. Gjaku ilir u derdh rrëke, qëndresa ishte titanike, por Roma atë kohë po zhvillonte edhe beteja diplomatike e politike, të dukshme e të padukshme dhe Iliria u detyrua të linte edhe toka të tjera nën sundim të romakëve.

 

Lufta e tretë ilire-romake (më 168 p.e.s.)
 

Me ardhjen e mbretit Gent në fron ndikimi romak në Iliri filloi të zbehej dhe ky nisi të quhet "mbret i Ilirëve" (Rex Illyricorum). Edhe pse Genti u gjend përpara turbullirash të brendshme serioze, ai nuk kërkoi ndihmën e romakëve. Gjatë sundimit të Gentit, Shkodra, e cila ishte bërë tani kryeqytet i mbretërisë dhe qytete si Lisi, Rizoni etj. fituan gjallëri ekonomike. Në këtë kohë kontradiktat politike në mes të Romës dhe Maqedonisë. Sukseset e para të ushtrisë maqedone, gjatë luftimeve të vitit 171 në Ilirinë jugore e në luginën e Drinit, bënë që Genti të anonte nga Perseu i cili u zotua t'i jepte Gentit. Me ilirët e maqedonët u bashkua vetëm shteti i Epirit, i cili mori pjesë aktive në luftën kundër Romës. Në vitin 168 Genti filloi veprimet luftarake kundër Romës, por u detyrua të hiqte dorë nga luftimet e të kthehej në Shkodër, kurse flota pësoi dëme në det. Romakët, duke zbatuar parimin e tyre politik "përça e syndo", vazhduan sulmet. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën per herë të fundit në Shkodër, e cila, sipas fjalëve të Tit-Livit, ishte aq e fortifikuar sa nuk mund të merrej lehtë nga romakët. Por kobin e tyre, forcat ilire nuk u mbrojtën në kala, por në fushë të hapët, jashtë mureve të Shkodrës dhe u thyen keq dhe mbreti u detyrua të dorëzohej. Iliria u shkatërrua, sepse pastaj romakët shkatërruan përfundimisht edhe ushtrinë maqedone e nënshtruan edhe Epirin.
Pushtimi romak u shoqërua me plaçkitje e shkatërrime të mëdha. Me lejen e Senatit, konsulli romak Pal Emili grabiti pa mëshirë popullsinë e Epirit dhe arin e argjendin e mbledhur ia ndau ushtrisë. Me urdhërin e tij e shkatërruan deri në themel 70 qytete të Epirit dhe 150.000 njerëz u kthyen në skllevër. Sasira të mëdha ari e argjendi (12 libra ar, 90 libra argjend, 13 mijë denarë dhe 120 mijë argjende të Ilirisë) u grabitën nga thesari i mbretit Gent. Në vitin 167 Genti dhe Perseu, bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër lufte u dërguan në Romë si trofe. Kështu morën fund shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos sundimi romak.

 

Kryengritja e Madhe Ilire (gjatë viteve 6 – 9 të erës sonë)
 

Kryengritja e Madhe Ilire ndodhi gjatë viteve 6 – 9 të erës sonë. Në të, në fillim, morën pjesë Fisi i Desidiatëve, që kishin prijës Baton e Desidiateve dhe Fisi i Breukëve, të cilit i printe Batua i Breukëve. Kjo kryengritje jehoi tek të gjithë ilirët. Kryengritja shpejt u bë gjithilire dhe kryengritësit korrën disa suksese në përleshjet me ushtrinë romake. Kjo bëri që të shtohej numri i luftëtarëve dhe ilirët formuan një ushtri që numëronte 200 mijë këmbësorë e 9 mijë kalorës. Luftime u zhvilluan afër Dalmacisë dhë ne drejtim të Maqedonisë e në brendi të vendit, kudo kishte koloni romake. Kryengritësit ilirë depërtuan edhe në Itali. Kjo e shtyri perandorin Oktavian Augusiti të merrete vet përsipër shuarjen e kësaj kryengritje. Romakët sulmuan nga veriu e nga Maqedonia dhe arritën te Panonia, por u detyruan të tërhiqeshin, por romakët kishin punuar edhe nën dhe dhe gjenerali Tiberi bëri për vete Baton e Breukëve. Keshtu lindi përҫarja dhe Batua i Desidiatëve u tërhoq me forcat e veta në Dalmaci, ku zhvilloi beteja të rrepta. Batua i Desidiateve u detyrua të dorëzohej në kështjellën Andetri (Muqi i sotëm në veri të Spilit). Gjatë këtyre ndeshjeve u shquan edhe gratë ilire, që luftuan trimërisht, duke mos dashur të bëheshin skllavëresha të romakëve.
Hakmarrja e romakëve ishte e pashembullt dhe qytete e krahina të tëra ilire u shkatërruan, popullsia u vra, vendi u dogj dhe u plaҫkit pa mëshirë. Një historian romak shkroi se udhëtari, kur kalon nëpër Iliri pas kësaj, udhëton me javë me kalë e nuk sheh një vendbanim të qëndrojë në këmbë. Dhe, që nga ajo kohë e deri te dundjet slave (shek. VI e VII të erës sonë), Iliria nuk u mëkëmbë dot. Pjesa më e madhe e popullsisë së mbetur, u asimilua me kohë, kurse mbijetoi Fisi i Albanëve, shqiptarët e sotëm.


Përgatiti për "Ora shqiptare", Rrahim Sadiku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen