F A Q E T

Samstag, 22. Juni 2013

A e shpëton arti shpirtin nga mëkati?(11)

ARTI ËSHTË NEUTRALIZUESI
I LIGËSIVE
DHE VESEVE NJERËZORE

Vullnet MATO

Jo më kot ka mbetur një thënie qysh nga kohët e lashta, nëse të zë nata në rrugë duke pasur para me vete dhe je i rrezikuar nga hajdutët, trokit pa merak në shtëpinë e ndonjë artisti, sepse vetëm aty mund të kalosh natën i sigurt...

Arti është një lloj neutralizuesi i të gjitha ligë...sive dhe veseve që e rrethojnë njeriun dhe e joshin të ndikohet për t’i përvetësuar ato. Brumosja e njeriut me art, qysh në hershmërinë e jetës së tij, ka bërë që edhe mes binjakëve, me prirje të kundërta, të ndryshojnë tërësisht bota e tyre shpirtërore dhe sjelljet në shoqëri. Njëri të marri drejtimin e pozitivitetit jetësor dhe tjetri të shkojë drejt negacioneve.

Arti ka vetinë, ta zbutë shpirtin e njeriut, në dimensione të tilla ndjeshmërie, që ai të preket e të lotojë edhe për një zog të rënë në baltë nga foleja. Ka shumë raste sinjifikative që tregojnë se artisti nuk e drejton armën për të vrarë tjetrin. Pushkini humbi në duel, vetem se iu drodh dora, në kohën kur do të shtinte mbi kundërshtarin e tij të mirënjohur. Madje artistët nuk shtinë dot as kundër egërsirave në gjah, apo të therin vetë gjeldetin e Vitit të Ri.

Mund të duket e çuditshme, por mua m’u mbushën sytë me lot para ca ditësh, kur në një klub të Dajtit, pronari i restorantit theri para syve tanë një kec të njomë. Keci tjetër, duke parë përpëlitjet e gjakosura të tij, filloi të vërriste e t’i pikonin lot nga sytë, që më tronditën aq shumë shpirtërisht, sa i thashë kasapit më mirë të mos e kisha parë këtë fatkeqësi të dhimbshme që janë të destinuara të pësojnë bagëtitë.

Besoj me kaq është e kuptueshme dhe e faktuar mëse qartësisht, se si e transformon dhe e drejton arti në kahjen e mirësisë shpirtin e njeriut.

Fakete Rexha: Fletoret e rinisë

Fakete REXHA

FLETORET E RINISË

Lindemi. Pas disa muajve fillojnë dhëmbët e parë. Fillim viti të dytë ngritemi në këmbë. Nisim të hamë vetë me dorën, grushtin tonë. Dikur edhe të vishemi e zhvishemi. Rritemi. Shumë shpejtë. Cdo ditë duke na ndryshuar ngjyra syve, flokëve. Shtati. Trupi. Pastaj, dita e parë e shkollës. Canta me libra, fletore, lapsa e ngjyra. Frika nga shkolla i bie e madhe moshës sonë të vogël. Mësuesi...drejtori...nxënësit më të mëdhenj. Vite më vonë lekundjet e para të shpirtit. Sytë përlotur në dritaren me hënë. Zemra lëkundet në ëndrra. Dashuria e parë. Shpirti kënaqet me të pame të syrit. E këputet kushedi saherë. Moshës sonë të brishtë, të butë si fildishi.

Njëzetë vite më tepër se kaq. Secili nesh shumëçka prej mendjeje ka hequr. E qeshemi me shumëçka tjetër. Saherë shetitemi nëpër marrëzirat tona. Castet. Djallëzitë. Sherret e vogla të kohës sa ishim të vegjël. Dhe, gjërat që mbeten të kujtohen me mall. Kur hapim fletoret e shkollës. Ditarët intim. Leksikonet. Aty ku brenda kopertinave kemi mbyllur ëndrrat. Shprehur me fjalët që kurrë s'u thanë. Thellë ndry qosheve të zemrës. Të strukura. Të ndrydhura. Të gërvishura. Të pathënat. Fshehtësitë tona të jetës. Moshës sonë të njomë. Ende mirë të pjekur.

Koha e cigareve te para. Pijeve. Kafeneve. Shoqërimeve. Tinzisht takimeve. Puthje, prekje, dridhje, pritje, iluzione. S'ka orë në botë më ngadale që ecën. As s'ka në botë orë më shpejtë që kapërdinë kohën. E dashuritë fshehurazi. Kohë e dridhjeve të bukura, të skuqura, pasprovuara kurrë deri atëherë. Më shumë se ne fliste gjaku nga turpi padashur që na kërcente fytyrës. Ishim të paprishur. Ngaqë vetëm ashtu na mësonin. E ne bindeshim. Sepse ishim të bindur. Se vetëm si të tillë ishim të pranueshëm. Ndaj, ndodhte shpeshherë të pësonim. Nga naiviteti kur më së paku ishim të tilla. Shkaku i sinqeritetit naivitetin s'linim kund pa e marrë me vete. Ngado që shkonim. Qoftë madje edhe kur dilnim me nëna. Qoftë fshehurazi kur dilnim me shoqe. Të tilla ishim. Njëlloj naive e të sinqerta. Por, të mbrojtura nga të gjithë. Familja. Miqët. Të njohurit. Të pastër kishim prejardhjen. Gjakun. Shëndetin. Të ardhmen poaq të kthjellët. Pasqyrë. S'planifikonim familjen. Por, lindnim e vdisnim natyrshëm. E, për aq sa jetonim ishim të lumtur. Të pangarkuar. Vdekjen e qanim si humbjen e më të dashurit. Pa marrë parasysh edhe vdekjen e më të largtit të zemrës njëlloj e përjetonim. Varroseshim pa pare të nesërmen ose po atë ditë.
 

Në atë periodë të uvertyrave të fshehta të dashurisë. Kurrë s'kishim rast t'i shihnim prindërit të përqafuar. As na përqafonin. Përveq për ditëlindje. Ose kur binim të sëmurë. Ishte kështu deri moshë puberteti. Pastaj, na privonin edhe nga kjo privilegjë. Sepse fillonte koha e dridhjeve të shpirtit nga ëndrrat e bukura që i shihnim duke fjetur në të njëjtën dhomë. Vëllezër. Motra. Prindër. Sëbashku të mëdhenj e të vegjël. Nënkresave të veqanta që i lagnim secili natës pavarësisht. Dhe, mëngët e ndotura ne manzheta ditën, sakur fshinim hundët e sytë kur ktheheshim nga shkolla të mërzitur. Të dashurit tanë kur i shihnim me vajza tjera.
 

Ishte ajo kohë-kohë garash. Verniku i pangjyrë i thonjve. Ngase çdotjetër i ngjyrshëm ishte për gra e nëna dhe vajzat "kurva". Kremat, lapsat e makiazhit të lehtë gati të padukshëm. Brisku i vogël për kthimin e çepallave. Fustanet. Corapet e holla që na zdirgjeshin rrugës. Që të gjitha këto gjëra të nënave tona. Bashkë me këpucët më të mëdha se këmba. Ua mbushnim majat me pambuk për ti bërë tamam për këmbe. Meqë ishim shumë. E s'kishte para për të gjithë. Papritur që rriteshim njekohësisht. Siç ishim lindur, njëri pas tjetrit. S'ishin vetëm parat, por edhe prodhimet e modës së fundit që s'arrinin gati kurrë deri tek ne. Prandaj kishim shumë shoqe e shokë me të cilët luanim. Gjithnjë në ta duke krijuar përfytyrimin e njeriut të ëndrrave. Njeriut të jetës. E imagjinonim si më të bukurin...më të gjatin...më të pasurin...me këtë e atë lloj vështrimi...ngjyre të syve...flokëve... mënyrën e ecjes...lëvizjes. Na mjaftonte një bluzë, një palë këpucë, një frizurë në atë që të na ishte i dashur. Eshte koha më e arsyeshme e jetës. Koha kur më së paku ka arsye e mëshirë. Keqardhje aq më pak. Prishim gjërat që duhet ruajtur, ruajmë gjithë ç'duhet zhdukur. Mendojmë shumë për gjërat që kalojnë shpejtë. Harrojmë ato që duhet mbajtur mend. Mbrëmjeve s'bënim tjetër veq ëndrronim. Sikur të ishim princat e princeshat e përrallave. Ndoshta edhe neve na ndodhë, mendonim ne, si personazheve të përrallave. Fati i bukur. Mrekullia. Netëve binim e zgjoheshim me pagjumësinë e kaltër në sy. Mbretëreshë na dukej vetja. Me hënën në ballë e kurorën në sy. Shetiteshim dhomës me fustanin e gjatë prej perloni të bardhë, të tejdukshëm, që na i bënte të dukshme gjymtyrët e trupit.

Shikoheshim në pasqyrën e madhe, ose në mungesë të saj në dritaren sall natë. Dritares kurrë s'ia ulnim perden. Ditën as natën. Mendonim duke pozuar. Tamam sikur t'ishim para syve të dashnorëve tanë. Vështrimit miop që shtrihej gjithëandej nëpër dhomë. Luanim lojën pa duar, pa gojë, pasqyrës o dritares. Mbrëmjeve tona, dhomës ku s'kishte gjumë as ne, as krevati. Oh, se ç'mbrëmje të bukura, të bardha që ishin. Poaq torturuese mbrëmjet tona të vetmuara. Veq me zhurmat tona të zemrës si muzikë e qetë që orkestronte në ne. Dirigjonte me shtriqje të shprehurit artistik të dashurisë sonë. Mes lojës dhe lëvizjeve ku megjithëate ndodhte e tëra deri në nuancat më të holla. Kënaqeshim duke vështruar hijet, murit të mbrëmjeve tona. Asokohe, kur nata të gjithë i përkëdhelte në gjumë.
 

Ja pra, në këtë mënyrë i mbushnim fletoret tona të rinisë pas viteve të 70-ta. Shkruar me gjakun, lotët e plagosjeve të para. Koha në to radhitur deri në detajet më të vogla. Shkruar me afshin, shpresat, ëndrrat e para. Për dashurinë nga dashuria. Herë e parë e zeza mbi të bardhën. Lindja dhe vdekja e dashurisë. Atypëraty. Gjërat në kokën tonë poashtu, më tragjike seç ishin në të vërtetë. Sapo marrim krahët e fluturojmë nga gëzimi,sakaq rrëzohemi përtoke deri në thyeqafje prej dëshpërimi. Rrebelohemi. Me çdo kusht përpiqemi ti bindim të rriturit se nuk kanë të drejtë dhe se koha e tyre epokë tjetër është. Adhurojmë vetvetën. Në mungesë të njeriut tjetër mbyllemi vetëm. Dhomës bëjmë dashuri me vetminë cullake. Lojë, prekje ekstremiteteve tona. Lëkura lazdrohet nga ëmbëlsia. Skelet dëshirash thurim duke ushqyer ëndrrat me xhelozi. Gufojme, shpejtë rrëmbehemi, shfryejm marazin pa zgjedhur momentin. Më pas shpërthejmë në vaj e mbyllemi në vuajtje. Si të kishte ngjarë fundi i gjithëçkaje në jetën tonë. Ditët lindin e erren mbi fletoret tona. Të vetmit dëshmitarë të gjallë të netëve gjatë të ciloave zbrazemi me dufin e zemrës nga dashuria, për dashurinë.
 

Në njerën nga fletoret tona të kësollojshme dikush kishte shkruar:
"Prej qindra ditëve sa ishim bashkë, vetëm njëra, e vetmja që kurrë s'më harrohet. Nata e parë e jona. Ishim shtrirë të dy. Dhoma 208 hotelit të madh të kryeqendrës. Dëgjova zemrën e tij në faqen time, në tëmth, në kokë. Rrihte pa ndonjë ritëm të caktuar. Pa pushim, pa ndërprerje. Vetëm rrihte. Ai m'i lëmonte flokët. Puthte gishtrinjt e këmbës, të duarve, që pushonin qetë krahut të tij të djathtë. Pas pak tërhoqa mbulesën deri tek vetullat. Ai zbriti teposhtë. U fut brenda si në një tendë të bardhë sateni. Më puthi gjatë...gjatë. Gjithëkah trupit. Pastaj doli prapë mbi mbulesë. E, prapë gjatë kohë u puthëm. Ishte herë e parë që unë po flija kështu. Kisha ditëlindjen. Më të bukurën dhuratë mora nga ai. Fustanin me lule barbaroze në sfondin e bardhë. Me pullat e imëta nga lartëposhtë., krejtë të bardha sedefe. Porositur në një shtëpi mode në Zagreb. E vara në varëse, derës së dollapit përballë krevatit në dhomë. I varur prej aty ku ishte vështroi gjithë pasditen si një spektator, edhe tërë natën e ditës së djeshme. I vetmi dëshmitar për gjithë ç'ndodhi në dhomë. Para se të dilnim prej aty e vesha të nesërmen fustanin që s'më kishte të neserme. Kurrë më asnjë të neserme të tillë. Paksa i madh e i gjerë më binte meqë qesh dobësuar për një ditë e një natë sa fjetëm n'hotel. Por, megjithatë shumë bukur më rrinte.
 

Pas afro tridhjetë vjet provova në tavan ta zbrazja kutinë e pajës që ma pati falur nëna. Harresa kishte dërmuar shumëçka brenda kutisë së brejtur nga insektet e teja. E edhe fustanin. Përveq gjësendeve tjera të gjalla, gjeta edhe një fletore. Veq sa se kishte përpirë myku nga lagështia, bashkë me një poezi që ia kisha pas kushtuar:


 YLLIT QË M'A THEU DRITAREN

Trëndafil i egër me fleta tu hapa e të rash në buzë.
Ngadalë. Frikshëm. Dhembshëm. Gjembi yt bojëametisti
drejtë në zemër më shpoi. Me shkumë derdhi polenin.
I përgjakur pastaj, si njeri i vogël nënkresës u lëshua
si i plagosur. Pa shpirt. Si i vdekuri i lirë. Mjerisht, për
gjithë ç'ndodhi unë asgjë s'po kuptoja. Kisha mjegullë sytë.
Ishte veq një çast. Ajo veq një natë. Por, ti i paharruar
mbetesh. Për të gjitha kohërat.


Eh, sa e sa ditë të kësollojshme e mbrëmje mbylleshin. Mbrenda kopertinave të fletoreve tona. Asokohe fshehnim e ruanim sall frikë ato nëpër fletore. Ndërsa nënat tona ende vazhdonin të na ushqenin mendjen se kemi lindur për të qene si njerez. Si nëna shumë më vonë. Derisa brenda kopertinave të fletoreve njeriu si kafsha. Modeli. Përkatësia më e veqantë. Më e mrekullueshme. Ngase vetëm në fletore kujtojme se kemi lindur për të dashuruar. E, dashurojmë nga frika e të qenit të palumtur.

Turizmi në Shqipëri

Turizmi në Shqipëri,
në vendin e kontrasteve

Shqipëria, e mbyllur për dekada të tëra, dhe e hapur vetëm 20 vitet e fundit, po tenton që ta promovojë veten si një destinacion turistik. Por nuk është një vend i njohur dhe as një destinacion për turistët, edhe pse numri i vizitorëve po rritet

Nga Gaby Ochsenbein, swissinfo.ch

“Shqipëria nuk është akoma në radar, por me bregdetin e mrekullueshëm, historinë e saj, rrënojat e vjetra, malet dhe natyrën e virgjër, ka një potencial të madh,” thotë Alexander Wittwer, ambasador i Zvicrës në Shqipëri që prej janarit të vitit 2013.

Shqipëria mund të ketë potencial, por ka edhe një reputacion të keq: shpesh për të bëhet lidhja me korrupsionin, krimin dhe gjakmarrjen. Nuk është çudi që për momentin nuk përfshihet mes destinacioneve turistike të agjencive zvicerane Kuoni dhe Hotelplan.

Kur pyesim pse, thonë se ka pak kërkesa. Megjithatë numri i zviceranëve që vizitojnë Shqipërinë është rritur nga 6 mijë në vitin 2005 në 40 mijë vitin e shkuar.

Rritjen më të madhe të vizitorëve e kanë vendet fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por turistët nga Greqia, Italia, Gjermania, Polonia dhe vendet e tjera, vijnë zakonisht në grupe. Me raste ndonjë kroçierë ndalon në rivierën shqiptare. Udhëtarët individualë janë shumë të pakët, edhe pse kompania e guidave, Lonely Planet, e ka cilësuar Shqipërinë si destinacionin kryesor për vitin 2011.


Gropa të rrezikshme dhe njerëz të këndshëm

Kushdo që do të eksplorojë vendin përmes transportit publik, duhet të ketë shumë durim, por mëson shumë për njerëzit që jetojnë aty. Ka shumë pak linja hekurudhore dhe trenat janë shumë të avashtë. Ka një rrjet të gjerë autobusësh dhe furgonësh, por nuk ka një orar të lëvizjes së tyre. Edhe shoferët duhet të përballen me rrugë me gropa, veçanërisht në fshat. Madje edhe trotuaret janë të mbushura me rreziqe, kanale të hapura dhe ndërtime që vazhdojnë.

Por probleme të tilla harrohen menjëherë sapo përballesh me njerëzit e këndshëm, të gatshëm për ndihmë dhe kuriozë, që janë shumë të gëzuar kur flasin me të huaj. Mund të takosh bujq, peshkatarë dhe të moshuar. Ushqimi është i mirë dhe i lirë, hotelet janë të pastra dhe të lira, ndërsa lumenjtë dhe malet janë magjike.


Mercedes-a dhe beton

Diçka që i bie në sy çdo vizitori në Shqipëri është numri i madh i makinave Mercedes, që janë të pranishme në çdo fshat e qytet. Është e pamundur që të mos mendosh se kush e përballon mbajtjen e një makine të tillë të shtrenjtë në një nga vendet më të varfra në Europë, dhe sa prej tyre janë të vjedhura.

Diçka tjetër që nuk mund të mos bjerë në sy është edhe numri i bunkerëve prej betoni, që gjenden kudo. Regjimi i dikurshëm i pati ngritur për të mbrojtur vendin nga ndonjë pushtim i huaj. Këto relikte të kohës së Luftës së Ftohtë gjenden në plazhe, male ose mes shtëpive. Sërish ka qindra- mijëra.

Ka shumë beton sot në Shqipëri. Duket sikur është një vend gjigand në ndërtim. Rrugët po ndërtohen kudo, ndërkohë që shtëpitë shfaqen ngado. Jo të gjitha megjithatë përfundojnë për shkak se ose mbarojnë paratë, ose qeveria ndalon punimet e paligjshme. Si rezultat, panorama është shformuar nga shpërthimi i ndërtimeve të shëmtuara të panumërta.

Natyra po ashtu është e mbushur me plehra të hedhur në pikat turistike. Qese plastike dhe plehra të çdo lloji gjenden në lumenj, në fusha, në oborret e pasme të shtëpive. Dhe nëse era është në drejtimin e kundërta, era e keqe nga djegia e plehrave i detyron turistët që të mbyllin dritaret e hotelit.


Një biznes në ndërtim

Agjencia e turizmit është akoma në proces ndërtimi, pranon një zëdhënës i qeverisë, Enton Derraj. Për dy vite ai ka qenë këshilltar pranë Ministrisë së Turizmit.

“Problemi më i madh që kemi është menaxhimi i mbetjeve. Të gjithë të huajt e përmendin këtë. Po punojmë për sistemin e depozitimit të mbetjeve dhe çdo vit bëjmë fushatë kundër hedhjes së plehrave. Në thelb nuk ka lidhje me sistemin ose infrastrukturën, por me mentalitetin. Do duhet kohë që njerëzit të ndërgjegjësohen për këtë,”.

Për të promovuar veten si një destinacion turistik, gjatë viteve të shkuara vendi ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike, duke ndërtuar rrugë, ujësjellësa dhe qendra shëndetësore. Në disa raste ka marrë ndihmë nga jashtë.

Dy vjet më parë është miratuar një ligj për planifikimin hapësinor, në mënyrë që të ndalohen ndërtimet e paligjshme në zonat bregdetare. Projektet e mëdha si resortet turistike duhet të marrin miratimin e një këshilli kombëtar.

“Ne duam që të shmangim ndërtimin e të gjithë bregdetit, siç ka ndodhur në Mal të Zi,” thotë Derraj.


Jo turizëm në masë

Derraj thotë se Shqipëria nuk interesohet për turizmin masiv.
“Është e vërtetë që ne duam të zhvillojmë turizmin bregdetar, por jo si në Spanjë dhe në Greqi, por duke pasur në konsideratë ambientin”, thotë ai.

Strategjia e re synon që të promovojë turizmin malor, agroturizmin dhe turet kulturore.
Për të huajt ka qenë e mundur që të udhëtojnë në Shqipëri vetëm 20 vitet e fundit. Megjithatë nuk ka të dhëna për turizmin, përveç hyrje- daljeve. Në këtë mënyrë nuk dihet nëse këta vizitorë janë turistë apo biznesmenë.

Nuk ka statistika as për netët e kaluara në hotel.
“Për shkak të taksave, hotelet nuk duan të bashkëpunojnë për mbledhjen e të dhënave,” thotë Derraj. “Meqë ato duhet të investojnë akoma, ne nuk po u bëjmë presion. Jemi relativisht tolerantë”./ep


Turistët e huaj në Shqipëri

Vendi/2005/2012
Zvicra: 6150/42,546
Kosova: 336,322/1,708,743
Maqedonia: 141,160/399,281
Greqia: 47,776/225,175
Mali i Zi: 105,636/186,536
Italia: 62,520/147,018
Britania: 33,163/78,593
Gjermania: 23,391/70,060
SHBA: 30,108/58,621
Franca: 9984/30,128
Austria: 6230/22,562

Burimi: GAZETATEMA.NET, 3 qershor 2013

Mbretëria e Arbërisë

Mbretëria e Arbërisë në Dokumentet Papnore
në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV



Mbretëria e Arbërisë duket se ka qenë shumë më komplekse sesa njihej deri më sot, sidomos përsa i përket rolit rajonal të kësaj mbretërie dhe pranisë së saj si formacion politik në arenën ndërkombëtare.
 Nga DR. ETLEVA LALA

 Sigurisht që nuk kanë munguar studiuesit që janë marrë me Mbretërinë e Arbërisë, me karakterin, funksionimin, rolin dhe rëndësinë e saj,1) por mësa duket, një studiues i shek. XIV e ka të pamundur të vazhdojë punën e tij kërkimore pa u ndalur në mënyrë të veçantë tek ky formacion politik, për të ndriçuar ndonjë aspekt të veçantë të kësaj mbretërie. Fjala është veçanërsht për ndriçimin më të plotë të rrethanave historiko-politike, socio-religjioze në të cilat jetonte populli shqiptar në shekullin XIV.

Në këtë studim do të përqëndrohemi kryesisht tek marrëdhëniet e Mbretërisë së Arbërisë me Papatin në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV, i cili në këtë kohë ishte pushteti qendror i mesjetës evropiano-perëndimore, marrëdhënie këto që deri tani nuk janë marrë në analizë.

Është tashmë i njohur fakti që Mbretëria e Arbërisë u shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt 1272, nga Karli I Anzhu2). Në fakt, termi Regnum Albaniae (Mbretëria e Arbërisë) kishte filluar të përdorej që më herët, dhe konkretisht që në vitin 1267 në kancelarinë anzhuine.3) Në vitin 1272, Mbretëria e Arbërisë, iu servir shqiptarëve si pasardhëse e natyrshme e Principatës së Arbërit. Medievisti shqiptar Pëllumb Xhufi vë në dukje se, pavarësisht se Anzhuinët e servirin atë si pasardhëse të Principatës së Arbërit, Mbretëria e Arbërisë nuk kishte asnjë lloj lidhjeje historike, e aq më pak vazhdimësi me Principatën e Arbërit, jo vetëm përsa i përket rrethanave në të cilat u krijuan secila, si qëllimeve të cilave duhet t'u shërbenin, ashtu edhe për sa i përket funksionit të secilës dhe mënyrës se si u receptuan ato nga shqiptarët.4) Ducellier është i mendimit se kjo mbretëri ishte një structure politique artificielle … régime d'occupation militaire, tout y a été fait par la guerre et pour la guerre.5)

Megjithatë, ajo ishte një mbretëri, un royaume distinct du royaume de Naples,6) dhe si e tillë kishte mjetet dhe organet e veta administrative, të cilat ishin përqëndruar në kryeqytetin e mbretërisë që ishte Durrësi. Përsa i përket rëndësisë që pati kjo mbretëri në arenën ndërkombëtare, pak rëndësi ka nëse ajo vetë ishte strukturë artificiale apo formacion politik organik. Rëndësia kryesore që ky fenomen pati për trojet shqiptare është statusi që forcat politike vendore fituan nga kjo shpallje mbretërie, një status ky mbretërie mesjetare, i cili nuk mund të ishte i përkohshëm, por i gjithëhershëm, pavarsisht nga jetëgjatësia e Anzhuinëve në territoret shqiptare, dhe pavarësisht nëse kishte gjithmonë një mbret apo jo. Një herë e shpallur, mbretëria mesjetare nuk mund të shpërbehej më.
Regnum Albaniae u shpall zyrtarisht në vitin 1272, megjithatë dokumentet e para papnore në të cilat përmendet ky formacion politik me këtë emër, datojnë nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XIV, dhe pikërisht nga viti 1317. Njëri prej këtyre dokumenteve është nga maji i këtij viti7) dhe tjetri nga shtatori i po këtij viti.8) Dokumenti i majit me siguri që është shkruar pikërisht në kohën kur në Selinë Papnore kanë arritur sinjalet e para për persekutimet që mbretërit serbë kishin filluar që t'u shkaktonin katolikëve në territoret shqiptare. Për një fenomen të tillë flet qartë bula papnore e shtatorit të vitit 1317, në të cilën bëhet e njohur se me datë 17 shtator të vitit 1317, Ndreu, ipeshkvi katolik i Krujës, ishtë dëbuar me dhunë nga posti i tij.9)
Bulat e shumta papnore që datojnë nga viti 1317 deri në vitin 1320, në të cilat pothuajse gjithmonë përmendet Regnum Albaniae, direkt apo indirekt të gjitha kanë lidhje me një kryengritje që po përgatitej kundër sundimit serb, sundim ky që po u shkaktonte shumë vuajtje katolikëve të territoreve shqiptare që ishin pushtuar nga mbretërit serbë.
Në vitin 1319 do të ndeshemi me shumë bula papnore në të cilat adresohet Regnum Albaniae, dhe të gjitha këto bula janë në kontekstin e një kryqëzate. Më 17 qershor 1319, Papa Gjoni XXII, filloi përpilimin e një plani për kryqëzatë kundër mbretit Serb. Në fakt, përpilimi i këtij plani deri tani është menduar dhe interpretuar si ide e Anzhuinëve, dhe konkretisht e Filipit, princit të Tarentit,10) i cili nëpërmjet një letre duket se i kishte parashtruar Papës Gjoni XXII, gjendjen e keqe të katolikëve shqiptarë nën sundimin e mbretërve serbë, dhe i kishte kërkuar Atij që t'i mbronte ata me ndihmën e një koalicioni.11) Kësaj letre Papa i ktheu përgjigje më 12 maj 1319,(12) duke e siguruar që ishte i gatshëm për çfarëdo lloj iniciative. Papa shtonte me këtë rast se të gatshëm njëlloj ishin edhe Karli I Roberti, mbreti i Hungarisë (1308-1342), si dhe Mladeni II, bani i Kroacisë dhe Bosnjës.13) Megjithatë, mund të themi pa frikë që Papa Gjoni XXII, së paku që nga viti 1317 e njihte mirë gjendjen e katolikëve në territoret shqiptare, siç kemi parë nga bula që kishte lidhje me Ndreun e Krujës, kështu që nga ky këndvështrim ai nuk mësoi asgjë të re nga letra e Filipit, përveç faktit që Filipi vetë e njihte tepër vonë gjendjen e keqe të katolikëve të Mbretërisë së Arbërisë. Ndoshta ky është shkaku pse Papa Gjoni XXII u drejtohet vetë shqiptarëve për të marrë përsipër kryqëzatën kundër serbëve.

Më 17 qershor 1319 Papa Gjoni XXII u dërgoi letra Muzakajve14): Mentul Muzakës, kontit të Këlcyrës, Ndre Muzakës, marshallit të Mbretërisë së Arbërisë (regni Albaniae marescalco), Theodor Muzakës, protosevastor-it të Mbretërisë së Arbërisë, të cilët i kishin pronat e tyre në jug të Shqipërisë së sotme; princërve të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut:15) Guljelm Blinishtit, protosevaston, Guljelm Aranitit, protholegaturo, Kalgjon (Calojohanni) Blinishtit, Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të Mbretërisë së Arbërisë (ceterisque baronibus regni Albaniae), si dhe Ladislavit, kontit të Mbretërisë së Arbërisë,16) duke i vënë në dijeni që Ai ishte i informuar për vuajtjet e tyre nën tiraninë e rëndë të mbretit të Serbisë (sub gravi tirannide illius regis perfidi Rascie nedum scismatici et religionis christiane totaliter inimici).17)

Një dokument i tillë, që në rrethana të caktuara mund të ishte shprehje e një interesi formal të një autoriteti qendror me autoritetet lokale, shoqërohet me një interesim dhe përkushtim të veçantë të Papës Gjoni XXII për zgjidhjen e problemeve në "periferi", siç ishte Mbretëria e Arbërisë përsa i përket kriterit "kufi me botën bizantine." Ky interes dhe përkushtim vihet re në caktimin e një mënyre më të gjallë komunikimi midis fisnikëve lokalë dhe Selisë së Shenjtë, mënyrë kjo që u mishërua në caktimin e një personi në këmbë të tij, person ky që do të jepte udhëzime (oraculo vive vocis) me autoritetin e plotë të pontifikatit të lartë. Vlerësimi dhe besimi i lartë i Papës Gjoni XXII tek forcat lokale shprehet hapur kur personi i kontaktit për një çështje kaq delikate dhe të rëndësishme zgjidhet një vendas, siç është Ndreu, ipeshkvi i Krujës.

Po t'i referohemi mënyrës sesi Papati u drejtohet forcave politike shqiptare, vëmë re që ky autoritet ishte i mirëinformuar, jo vetëm për forcat politike të Mbretërisë së Arbërit, por edhe për marrëdhëniet e tyre dhe për distancat gjeografike që ishin midis tyre. Nuk është rastësi që Papa u drejtohet atyre në grupe: në një letër Muzakajve, në një tjetër Blinishtëve, Aranitëve, Matrangëve, dhe në një tjetër Ladislav Jonimës (Radislaut Gonomes), kontit të Dioklesë dhe të Arbërisë bregdetare, me pothuajse të njëjtat fjalë, të njëjtat udhëzime, dhe u sugjeron të njëjtin person-kontakti me rol udhëheqës: Ndreun, Ipeshkvin e Krujës. Ky lloj grupimi i forcave politike në dokumentin papnor, të shtyn të mendosh që në radhë të parë Papa Gjon XXII nxiste bashkimin e këtyre forcave, si forca politike, dhe në këtë kontekst Ndreu i Krujës kishte edhe një mision indirekt përveç atij të udhëheqjes së kryqëzatës në fjalë: atë të bashkimit të forcave politike të Mbretërisë së Arbërit.

Në botimin e ri të Historisë së Shqipërisë bulat papnore interpretohen sikur fisnikët shqiptarë ishin të ritit ortodoks dhe gjithë letërkëmbimi i tyre me Papën shpjegohet sikur ata donin të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katoliçizmin për interesa politike, duke u ndarë edhe kishërisht nga pushtuesit serbë.18) Dokumentet origjinale nuk lënë të kuptosh një gjë të tillë. Papa Gjoni XXII u drejtohet atyre si "dilecti filii"19) dhe një adresim i tillë nuk u bëhej kurrë atyre që nuk ishin tashmë katolikë të devotshëm.20) Një adresim i tillë i bëhet madje edhe Ladislavit,21) i cili nga emri është konkluduar se duhet të jetë sllav dhe i ritit lindor.22) Është pikërisht emri i tij ai që i ka ngatërruar shumë studiues seriozë që të mos e quajnë atë katolik. Fakti që Papa i drejtohet atij si "dilectus filius" duke e konsideruar atë katolik të devotshëm, nuk duhet të na çudisë, sepse dihet tashmë që Dioklea ishte nën ndikimin e princeshës katolike, gruas franceze të mbretit Stefan I Urosh, Helenës, dhe ajo kishte vazhduar një aktivitet të dendur katolik,23) dhe një korrespondencë mjaft të gjallë me Papatin në lidhje me çështjet e besimit.

Stefan Dragutini, i cili sundoi i vetëm për një periudhë të shkurtër (në vitet 1276-1282), pasi ndau tokat nën sundimin e tij në tri pjesë (midis dy bijve dhe gruas së tij Helenës), Helenës i la pronat e bregdetit që nga jugu i Dubrovnikut deri në Shkodër, toka këto që për një kohë të gjatë u njohën si pronat e nënës mbretëreshë (domina regina mater). Në brendësi të vendit i la Plavën (pranë Gucisë) në Limin verior dhe kështjellën Brnjaci në pjesën e sipërme të Ibrit.24) Në këtë mënyrë Helena e kishte tërë Dioklenë nën sundimin e saj të plotë dhe sigurisht që vazhdoi aktivitetin e saj pro interesave katolike në këto territore, duke i lënë Papatit dorë të lirë përsa u përket çështjeve religjioze, gjë që përligjte më vonë edhe planet politike që Papati përgatiste kundër skizmatikëve në këto zona. Në këtë kuadër, nuk ka pse të jetë çudi që një "sllav"25) nga zona e Dioklesë të jetë katolik i devotshëm dhe një ndër forcat kryesore politike të Mbretërisë së Arbërisë, që në thelb ishte një mbretëri katolike.

Edhe sikur Ladislaus të ishte vërtetë sllav, kjo nuk do të përbënte asnjë kundërargument përsa kemi pohuar më sipër, që Papati dëshironte të forconte identitetin lokal të Mbretërisë së Arbërisë. Duke pasur parasysh që në mesjetë nuk ekzistonte koncepti komb, pra as kriteret që përbëjnë një komb, siç është gjuha, zakonet dhe kultura e përbashkët si mjet identiteti kombëtar, dhe hapësira e përbashkët gjeografike, mbretëritë nuk bazoheshin në të tilla kritere që janë moderne për nga konceptimi. Mbretëria e Arbërisë, që ishte një formacion politik i mbështetur kryesisht mbi kriterin "fe katolike" mund të ketë qenë shtrirë deri në jug të Dubrovnikut, ku ishin pronat e Helenës, Nënës Mbretëreshë dhe ku duhet të ketë sunduar Ladislav Jonima, konti i Dioklesë dhe i Arbërisë bregdetare. Megjithatë, këto kufij veriorë janë të diskutueshëm dhe nuk mund të përcaktohen me siguri, përderisa kemi një ndërthurje të elementeve katolikë e sllavo-ortodoksë, që kanë bashkëjetuar. Kjo bashkëjetesë ka qenë paqësore deri në momentin kur mbretërit serbë filluan politikat persekutuese ndaj katolikëve, duke futur elementet e para të fanatizmit fetar në shoqërinë mesjetare Ballkano-perëndimore.

Nuk ndodh shpesh që Papati t'u drejtohet me emër dhe me titull secilit prej fisnikëve të një mbretërie. Rasti më i zakonshëm është që Papa u drejtohet me bulë mbretit dhe fisnikëve në përgjithësi, pa përmendur emrat e fisnikëve. Me këtë akt, Papa Gjon XXII dëshironte njëkohësisht të tregonte që ai e njihte Mbretërinë e Arbërisë me këta kufij, dhe si forcë politike udhëheqëse të saj, këta fisnikë, më shumë se një mbret cilidoqoftë qoftë ai.26) Zyrtarisht shqiptarët njihnin si zot Filipin e Tarentit, të birin e Karlit II Anzhu, por ai nuk adresohet dhe mesa duket as nuk njihet si mbret i shqiptarëve në kancelarinë papnore, ndoshta për shkak të vëllait, Robertit, mbretit të Napolit. Kështu, në një dokument papnor të 12 majit 1319, ku Papa Gjoni XXII i drejtohet Filipit, ai e quan atë "Dilecto filio nobili viro Philippo clarae memoriae regis Siciliae filio, principi Tarentino,27) por asgjë më shumë se kaq, përsa i përket lidhjes së tij me Regnum Albaniae,28) pra pa e njohur atë si mbret të Arbërisë, në një kohë që normalisht është e detyrueshme për kancelarët papnore t'i drejtohen adresantit të tyre me të gjithë titujt që ai zotëron.

Një fakt tjetër që flet në favor të një Mbretërie të Arbërisë si një mbretëri e ndryshme nga Mbretëria anzhuine e Arbërisë në sytë e papatit, janë territoret që përfshin Mbretëria e Arbërisë nëë fundin të viteve 20 të shekulli XIV. Duke u nisur nga këto dokumente papnore që kanë si qëllim që të arrijnë t'i bashkojnë të gjitha forcat politike shqiptare, Shuflaj ka arritur të përcaktojë thelbin e Shqipërisë etnike të mesjetës. Si kufi jugor studiuesi kroat ka marrë territoret që posedonte Mentul Muzaka që shkonin deri në Këlcyrë,29) si lindorë territoret e Ohrit dhe të Dibrës, ku shtrinin sundimin e tyre Matrangët dhe si veriorë territoret e Blinishtëve që posedonin Mirditën deri në Ulqin dhe Danjë. Do të ishte më e saktë nëse këto territore t'i konsideronim si territoret apo kujfijt e Mbretërisë së Arbërisë - formacion politik, dhe jo si territoret e Shqipërisë etnike që shtriheshin shumë më gjerë se kaq. Duke qenë një mbretëri me karakter katolik,30) në këtë formacion politik nuk janë përshirë territoret shqiptare që ishin të ritit bizantino-ortodoks.
Në vazhdim po paraqesim kufijtë e ngushtë të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë për të përqasur kështu dy fazat e jetës së kësaj mbretërie: asaj anzhuine dhe asaj me karakter të mirëfilltë lokal, siç e njeh papati në bulat papnore të vitit 1319.

Sipas studimeve të Carabellese, Mbretëria e Arbërisë, e krijuar nga Karli I Anzhu (1272), shtrihej nga Malet e Karaburunit deri në Grykëderdhjen e Drinit, nga gjiri i Vlorës deri në Lezhë, dhe me kufij shumë të papërcaktuar në brendësinë malore.31) Anzhuinët e kishin projektuar dhe e ndërtuan atë si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike.32) Fisnikëve shqiptarë u ishte premtuar që do të mbroheshin nga çdo lloj armiku, do t'u ruhej autonomia dhe do të luanin rol parësor.33) Megjithatë atyre jo vetëm që nuk iu njohën aspiratat politike, por për t'i detyruar që t'i qëndronin besnikë Karlit të parë Anzhu, u morën dhe u mbajtën edhe robër.34) Në një situatë të tillë - këtu në fakt nuk janë përmendur aspektet e tjera të regjimit të rreptë shfrytëzues të Anzhuinëve, si taksat e detyrimet që i imponoheshin popullsisë vendase në mënyre arbitrare - popullsisë dhe fisnikërisë vendase nuk i mbetej tjetër veçse t'i kundërvihej këtij sundimi.35)

Forcë tërheqëse e këtij orientimi të ri kundërvënës të aristokracisë shqiptare ishin bërë ata fisnikë që nuk ishin përfshirë në Mbretërinë e Arbërisë kur ajo u krijua, gjë që ata e kishin dëshiruar me shumë forcë, me shpresën që do të mbroheshin nga sulmet serbe që i kërcënonin vazhdimisht. Të tillë kishin qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës36) dhe asaj të Beratit. Me këta fisnikë qenë bashkuar edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur si vasalë të mbretit Karl I, të cilët ky i fundit i quajti "tradhëtarët e mi" (proditores nostros).37) Të tillë fisnikë ishin Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj. Pas kësaj "Mbretëria (Anzhuine) e Arbërisë" u reduktua në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës.38) Për shkak të Vesprit Sicilian,39) anzhuinët e humbën fare për ca kohë Mbretërinë e Arbërisë, të cilën e ripushtuan bizantinët (1282).40) Si pasojë e marrëdhënieve të tilla të Anzhuinëve me forcat politike vendase, Mbretëria anzhuine e Arbërisë, në vend që të zgjerohej, u reduktua tashmë që në vitin 1292 vetëm në qytetin e Durrësit dhe në ca territore rreth tij.41)

Duke qenë të sulmuar nga mbreti serb Stefan Uroshi II Milutini, që kishte ardhur deri në vijën Mat-Ohër, në vitet '90 të shekullit XIII, shqiptarët filluan t'i rimarrin në konsideratë ndihmat që mund t'u ofronin anzhuinët në neutralizimin e tensioneve me fqinjët sulmues. Në këtë kuadër, në shtator 1304, bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matranga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishti, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karl II Anzhu, i cili bashkë me Karlin II u konfirmoi qytetarëve të Durrësit dhe fisnikëve shqiptarë, të gjitha privilegjet që u kishte dhënë më parë Karli I. Për më tepër, në vitin 1305, Karli II u dha shumë privilegje të tjera ekonomike qyteteve të Adriatikut.42) Megjithatë, kur erdhi puna për të vendosur pushtet real në Durrës dhe në Mbretërinë e Arbërisë, anzhuinët e Napolit u panë dhe u trajtuan si armiq nga fisnikëria vendase. Studiuesi i dinastisë Anzhuine, Andreas Kiessewetter konkludon që Mbretëria e re anzhuine e Arbërisë nuk arriti më që të shtrihej përtej mureve rrethuese të Durrësit, dhe Filipi I nuk pretendoi kurrë që të quhej Mbret i Arbërisë, por përdori vetëm titullin Zot i Mbretërisë së Arbërisë (Dominus Regni Albaniae).

Për shkak të marrëdhënieve jo të mira me vendasit (shqiptarët), anzhuinët e Napolit arritën deri aty sa në vitin 1311 të mendonin t'i ndërronin zotërimet e tyre me Sicilinë e Frederikut të Aragonës.44) Por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, pasi mori vesh që në Durrës dhe në "Mbretërinë e Arbërisë" ishte e vështirë të vendosësh një pushtet real nga jashtë, nuk e pranoi ofertën e Anzhuinëve, megjithëse e dinte që këto territore "ishin shumë të pasura e bujare".45)

Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime midis anzhuinëve dhe shqiptarëve vendas, nuk mund të ishte kurrsesi e vërtetë që të gjithë territoret që Papati ia njeh Mbretërisë së Arbërisë në bulat papnore të vitit 1319 të ishin territore të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë. Konkluzioni i natyrshëm i gjithë kësaj është që Papa Gjoni XXII e shikonte Mbretërinë e Arbërisë si një mbretëri me karakter kryesisht lokalo-vendor. Në rrethanat e një rreziku të madh jo vetëm për elementin katolik në territoret shqiptare, por edhe për katolikët në Gadishullin Apenin, që vinte nga Serbët ortodoksë e bashkuar me perandorët bizantinë, Papati ishte i interesuar të forconte identitetin dhe karakterin lokalo-vendor të kësaj mbretërie, si mbretëri e bazuar në fenë katolike.

Një konkluzion i tillë, në pamje të parë na bën të mendojmë që marrëdhëniet e Papatit me anzhuinët në përgjithësi nuk qëndronin më në lartësinë e dikurshme46) gjatë pontifikatit të Gjonit XXII, megjithëse kjo nuk do të thotë që këto marrëdhënie ishin të këqija. Mbretëria e Anzhuinëve ishte krijuar si feud pontifikal dhe ishte quajtur krahu shekullor i kishës në Itali. Gjithsesi kjo nuk e pengonte Papatin të synonte të vendoste marrëdhënie aktive me vetë forcat lokale për të zgjidhur me efikasitet problemin shqetësues. Ky lloj pragmatizmi i Selisë Papnore gjatë shekullit XIV nuk ishte pa precedencë.

Kishte shpesh raste të ngjashme kur Papati në vend që të vepronte indirekt nëpërmjet një mbreti formal, vendoste marrëdhënie direkte me fisnikët më të pushtetshëm të vendit për një zgjidhje të shpejtë të problemeve. Shpesh Selia papnore ishte shumë më tepër e informuar mbi forcat reale udhëheqëse në një vend, sesa ç'mund të mendohet, dhe shumë më e shpejtë në veprim sesa ç'do të ishte normale për një pushtet qendror me përmasat që Papati kishte në mesjetë.47)
Megjithatë, mund të flitet edhe për marrëdhënieve jo të mira të Papës Gjoni XXII me Mbretërinë e Sicilisë, hipotezë kjo e ngritur dhe e argumentuar nga studiuesi i mirënjohur Gennaro Maria Monti. Synimet armiqësore të Papës Gjoni XXII ndaj anzhuinëve, sipas Montit, u shpalosën kur Ai tentoi të formonte një mbretëri laike vasale të Kishës në Italinë Veriore. Megjithëse kjo përpjekje dështoi për shkak të kundërshtimit të të gjithë forcave të tjera të gadishullit Italik,48) ajo shënoi kulmin e krizës së Mbretërisë Anzhuine, e cila, sipas Montit, shënoi edhe fillimin e degradimit të kësaj mbretërie.49) Dështimin e Anzhuinëve dhe të Mbretërisë së Sicilisë, Monti e shpjegon në një kontekst më të gjerë se kaq.

Ai e përshkruan atë si rrjedhojë të pamundësisë së Mbretërisë së Sicilisë për të zgjeruar pushtetin e saj. Ky pushtet me kalimin e kohës u ngushtua akoma më shumë në territorin midis detit dhe Shtetit të Kishës me të cilat kufizohej. Anzhuinët nuk guxonin të preknin territoret tokësore me të cilat kufizoheshin, për shkak të lidhjes fetare dhe politike me Papatin, ndaj dhe e vetmja rrugë për zgjerim i kishte mbetur deti; por edhe ky drejtim vetëm në ato raste kur territoret përtej detit ishin zotërime të largëta dhe jo-organike si dhe pak të mbrojtura dhe pa kufij territorialë për të mos u përplasur me armiq të pushtetshëm.50)

Vërtetë që para se të shpallej nga Karli I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë edhe mund të quhej një "zotërim jo-organik, pak i mbrojtur, pa kufij territorialë të përcaktuar qartë", në këndvështrimin e perëndimorëve katolikë, po të mbajmë parasysh që, pas ndarjes së krishtërimit në Bizant dhe në kishë katolike perëndimore, territoret shqiptare ishin të paorganizuara. Megjithatë rrethanat kishin ndryshuar në fillimin e shekullit XIV. Rënia e Konstantinopojës (1204) dhe sidomos vendosja e regjimit Anzhuin në brigjet juglindore të Adriatikut, kishin ndikuar pozitivisht në konsolidimin e katolicizmit në territoret shqiptare, dhe me këtë konsolidim ishte forcuar ndikimi i papatit në vend, dhe ishte rritur vetëndërgjegjësimi lokal, qoftë në pikëpamje religjioze e sociale-kulturore, qoftë në pikëpamje politike.

Lidhja direkte e Papatit me forcat politike të Mbretërisë së Arbërisë, e krijuar nëpërmjet klerikëve, kishte nxjerrë në pah qëllimet e përbashkëta të tyre përsa i përket situatës në kufijtë me serbët skizmatikë. Si forcat politike shqiptare, ashtu edhe Papati e perceptonin rrezikshmërinë e serbëve dhe bizantinëve me pothuajse të njejtat shqetësime. Nëse forcat politike ishin kryesisht të interesuara për pronat e tyre, Papati ishte i interesuar për kishën e tij në vend. Anzhuinët ishin shumë larg forcave politike të Mbretërisë së Arbërisë dhe shumë larg Papatit, përsa i përket këtyre qëllimeve dhe këtyre perceptimeve, gjë që do ta shpjegojmë në vazhdim. Prandaj do të ishte shumë logjike që Papati, duke u nisur nga specifikat e zonës, ta konsideronte Mbretërinë e Arbërisë si krahun shekullar të tij dhe madje jo vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës, por kryesisht për çështjet shpirtërore në Ballkan.

Anzhuinët, që nuk u pritën mirë nga shqiptarët, më sa duket kishin humbur edhe besimin e Papës Gjoni XXII, për shkak të lidhjeve që ata kishin krijuar dhe ushqyer me serbët skizmatikë dhe me bullgarët.51) Se çfarë pozicioni do të mbanin anzhuinët në çështjet delikatë të shqiptarëve, këtë ata e kishin bërë të qartë që në të famshmin "Privilegj" të Pal Gropës më 18 maj 1273. Në këtë privilegj të dhënë nga Karlit I Anzhu shkruhet që Pal Gropa duhet të kënaqej me ca fshatra në veri të Ohrit (Casalia Radicis maioris et Radicis minoris nec non Cobochetes, Zuadigoriza, Sirclani et Craye, Zessizan sitam in valle de Ebu), të cilat nuk kishin ndonjë vlerë kushedi se çfarë (nec excedunt valorem annuum quadrigentorum yperperorum), si dhe më kryesorja, nuk preknin interesat imediate as të serbëve dhe as të grekëve (dummodo non sint de pertinentiis regni nostri Albanie, neque regni Servie, nec terrarum datarum in dotem per quondam Michaelem despotum quondam Elene filie sue uxori quondam Manfridi olim principis Tarentini).52) Kjo sprovë u bëri të qartë shqiptarëve se anzhuinët nuk do të ishin në anën e tyre në këto mosmarrëveshje/konflikte me fqinjët ambiciozë.53)

Që anzhuinët do të ishin të mefshtë për të qenë krahu shekullar i Papatit në Ballkan në fillim të shekullit XIV, këtë ata e treguan me qëndrimin e tyre ndaj problemeve të lindura nga mësymjet e serbëve skizmatikë mbi katolikët shqiptarë. Filipi i Tarantit kishte pasur dhe vazhdoi që të kishte marrëdhënie të mira me mbretërit serbë, gjë që më vonë u shoqërua me plane të guximshme të mbretërve serbë duke u mbështetur tek anzhuinët. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323, Uroshi II, u orvat madje që t'i thellonte marrëdhëniet me anzhuinët e Napolit, duke synuar që t'i shndërronin ato në lidhje më të ngushta familjare. Për këtë ai kërkoi për grua vajzën e Filipit të Tarentit, dhe kaq shumë u besua në këtë lidhje sa klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane, lojra këto që serbët i luanin tashmë prej kohësh me kishën katolike. Në këtë mënyrë Uroshi shpresonte të mbrohej nga hungarezët dhe nga aleancat e ndryshme që po krijoshin kundër serbëve.54)

Është pikërisht kjo mungesë harmonie në pikësynimet e Papatit dhe të anzhuinëve, që pengoi realizimin me sukses të kryqëzatës së planifikuar për të cilën u bëhet thirrje fisnikëve shqiptarë në vitin 1319. Duke qenë një mbretëri e krijuar për luftë, Mbretëria Anzhuine e Sicilisë ishte e domosdoshme për fushatat e Papatit, kështu që mungesa e vullnetit të saj nuk mund të zëvendësohej me asnjë tjetër nga Papati. Kryqëzata në fjalë, në fakt nuk u realizua kurrë. Arsyet për këtë duhen kërkuar, së pari, në problemet organizative dhe politike që Papati pati jo vetëm me anzhuinët, por edhe me forcat politike perëndimore.55) Papati e shmangu kryqezatën ngaqë Uroshi II, mbreti i Serbisë, me mjeshtëri diplomatike i premtoi Papës se do të pranonte besimin katolik bashkë me popullin e tij, gjë që sigurisht nuk e bëri kurrë.56) Pas paqes me perëndimin, në vitin 1319, ai bashkë me gruan e tij Simonën, vajzën e perandorit bizantin Andronikut II dhe me djalin Konstantin, ndërtoi një altar prej argjendi për kishën e Shën Nikollës së Barit, me mbishkrime latine.57)

Nëse i referohemi studiuesit të mirënjohur të historisë së sllavëve, në lidhje me tekstin e mbishkrimit: "zot i të gjithë tokave nga deti Adriatik deri në lumin e madh të Danubit"58), atëherë loja që serbët luajnë me Papatin dhe me vetë anzhuinët duhet të ishte shumë fyese për anzhuinët nëse ata do të ishin seriozë në qëllimet e tyre.59) Me anë të kësaj deklarate anzhuinët, krahu shekullar i Papati, u njohu skizmatikëve serbë, supremacinë në territoret që së paku formalisht duhet të ishin të tyret (të Anzhuinëve). Një strategji e tillë e mbretërve serbë për të shfrytëzuar situatat për të luajtur me Papatin dhe me fuqitë perëndimore kur ata ishin në mosmarrëveshje me njëri tjetrin, do të përdorej vazhdimisht gjatë shekullit XIV, sidomos kur shumë kryqëzata planifikoheshin kundër tyre, për shkak të politikave persekutuese që zbatonin ndaj katolikëve.60) Të tilla plane për kryqëzata ku në fakt forcat politike shqiptare vendosen në qendë,r regjistrohen në vitin 1331, 1336 dhe në vitet '50 të shekullit XIV. Është gjithmonë e njejta strategji që i shpëton serbët në momentin e fundit kur fushatat e koalicioneve bëhen gati për të filluar.

Për të përfunduar, mund të përsërisim edhe një herë që arsyeja kryesore pse Papati e përkrahte karakterin vendor të Mbretërisë së Arbërisë ishte pikërisht mungesa de facto e një krahu shekullor të vetin, krah ky që të kishte të njejtin qëllim dhe vullnet si Selia e Shenjtë në Ballkanin perëndimor, për të penguar mësymjet e serbëve, jo vetëm mbi katolikët, por edhe mbi popullsinë vendëse.
Edhe nëse me potencialin e saj të kufizuar ushtarak, Mbretëria e Arbërisë nuk do të mund të ngrihej në nivelin e një krahu shekullor, një identitet i fortë katolik dhe lokalo-vendor do t'i ndihmonte shqiptarët për të përballuar më me efektivitet rrezikun nga jashtë të pushtuesve sllavë e bizantinë, të cilët në shekullin XIV ishin një kërcënim serioz për katolicizmin në Ballkan. Në rastin e Mbretërisë së Arbërisë, të cilin Papati e shikonte si kështjellë të katoliçizmit në Ballkan, Selia e Shenjtë ishte i interesuar që forca politike vendore të kishte hapësirë vetëvepruese dhe identitetin e saj, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund t'u rezistonte forcave pushtuese serbe dhe bizantine. Nëse këto forca vendore nuk do të kishin karakter dhe identitet të fortë si forcë politike, ato rrezikonin të shuheshin e të asimiloheshin nga pushtuesit serbë e bizantinë, dhe Papati nuk do të kishte asnjë fitim dhe pothuajse asnjë shans tjetër për të vendosur influencën e tij në Ballkan, gjë që do të ishte një humbje e madhe për politikën e universalizimit të Kishës Katolike Romake.

1)Disa nga studiuesit që janë marrë me Mbretërinë e Arbërisë janë: Émile Léonard, Les Angevins de Naples, Paris, 1954; G. del Giudice, La famiglia di re Manfredi, Napoli 1880; Francesco Carabellese, Carlo d'Angio nei rapporti politici e commerciali con Venezia e l'Oriente, Bari, 1911; Gennaro Maria Monti, Nuovi Studi Angioini, Trani, 1937; po ai, La dominazione napoletana in Albania - Carlo I, d'Angio, primo re degli Albanesi në "Rivista d'Albania" I, 1940; po ai, Ricerche sul Dominio Angioino in Albania, në "Studi Albanesi", vol. V-VI, Roma, 1935-1936; Alain Ducellier, La façade maritime de l'Albanie au moyen âge, Tessaloniki, 1981, f. 230-323; J. Boucart, L'Albanie et les Albanais, Paris, 1921; Pëllumb Xhufi, Shqiptarët përballë Anzhuinëve (1267-1285). "Studime Historike", XLI/1 (1987), f. 199-222. Andreas Kiesewetter, "I principi di Taranto e la Grecia (1294-1373/83", separat nga "Archivio Storico Pugliese", viti LIV, fasc. I-IV, janar-dhjetor 2001.

2) Sipas Donald Nicol si dhe G. M. Montit, ishin "ipeshkvët, kontët, baronët, ushtarët dhe qytetarët" shqiptarë ata që e zgjodhën dhe e pranuan Karlin I Anzhu si mbretin e tyre. Si rrjedhim, Karli u premtoi se do t'i mbronte ata nga armiqtë e tyre dhe do të respektonte privilegjet e vjetra që u ishin dhënë nga perandorët Bizantinë në të kaluarën. Shih: Donald Nicol, The Despotate of Epiros 1267-1479: A Contribution to the History of Greece in the Middle Ages, Londër, New York, New Rochelle, Melbourne, Sydney: Cambridge University Press, 1984, f. 15; G. M. Monti, Mezzogiorno d'Italia nel medioevo: Studi Storici, Bari: Laterza, 1930, f. 80. Për më shumë në lidhje me Karlin I Anzhu e dinastinë e tij, në përgjithësi si një ndër studimet më të fundit e më të plotat ia vlen të konsultohet: Andreas Kiesewetter, Die Anfänge der Regierung König Karls II. Von Anjou (1278-1295): das Königreich Neapel, die Grafschaft Provence und der Mittelmeerraum zu Ausgang des 13. Jahrhunderts, Husum: Matthiesen, 1999. (Historische Studien, vëll. 451).

3)Në kancelarinë anzhuine, termi Regnum Albaniae (Mbretëri e Arbërisë) shfaqet të paktën që prej vitit 1267, ose më saktë, që prej Traktatit të Viterbos, më 27 maj 1267, traktat ky i nënshkruar midis Papës Klementi IV dhe Karlit I Anzhu, dhe që përligjte fushatën ballkanike të Karlit I. Shih: Ludwig Thallóczy - Konstantin Jireček - Milan von Šufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Vëll. I, Vienë: Holzhausen, 1913, [ribotuar nga: DPA - Tiranë dhe Ekskluzive - Prishtinë, 2002], (AA) I, nr. 253; P. Xhufi, Shqiptarët... f. 205.

4)P. Xhufi, Shqiptarët… f. 204

5)A. Ducellier, La Façade, p. 262.

6)Ibid.

7)Dokumenti ruhet në Archivio Segreto Vaticano [ASV], Registri Avignonezi [Reg. Avin.] 2, fol. 183 dhe Registi Vaticani [Reg. Vat.] 63, fol. 363v. Ky dokument përmendet gjithashtu edhe në: AA. I, nr. 633, si dhe si regestë edhe në: G. Mollat, Jean XXII (1316-1334). Lettres communes, un fascicule d'introduction et 16 tomes en 31 fascicules (fascicules 19, 21/2, 23 épuisés) Paris, 1921-1947, nr. 5251 (reg). Është redaktuar nga Guérard, Documents pont. Sur la Gascogne I, nr. 14: "Venerabili fratri Archiepiscopo Auxitanensis salutem. Cum venerabilis fratris nostri Guillelmo de Montegrano episcopo Cunaviensis de Archiepiscopatu Duraseno in Regno Albaniae ex certis causis sic nobis presentia oportuna tibi fraternitati tue per apostolica scripti mandamus quatenus ipsium apostolicam per te vel alium seu alios ex parte nostra perempertoris citare provenires ut infra viginti dierum spatium post citationem huiusmodi se coram nobis personaliter representer. Diem vero citationis et formam et quoquod inde duxeris faciendum nobis per tuas literum seriem continentes studeatis fidelitem intimare. Datum Avinionen."

8)Kjo letër ishte regjistruar në ASV, Reg. Avin. 8 fol. 70 ep. 96 dhe Reg. Vat. 67, fol. 26, ep. 96. Është redaktuar nga Aloysius L. Tăutu, Acta Joannis XXII (1317-1334) e registris vaticanis aliisque fontibus. Fontes Pontificia Commissio ad redigendum Codicem Juris Canonici Orientalis. (Typis Pontificiae Universitatis Gregorianae: 1952), f. 5, nr. 4, por përpara kësaj është përmendur në formë regeste nga G. Mollat, Jean XXII... nr. 5629.

9)Ibid.

10)Filipi, princi i Tarentit (1294-1331) ishte biri i katërt i Karlit II, mbretit të Sicilisë. Ishte martuar me Tamara Dukë Comnenën, vajzën e Nikeforit, dhespotit the Romanias (Bizantit), dhe mori titullin princ i Akaiës në vitin 1304. Për shkak të një martese të dytë me Katerinën, vajzën e Karl de Valois, u bë trashëgimtar potencial i fronit perandorak të Konstantinopojës në vitin 1312, dhe pas kësaj filloi pretendimet për titullin e perandorit. Për më tepër në lidhje me Filipin, princin e Tarenti dhe sundimtarin e Mbretërisë së Arbërisë shih: A. Kiesewetter, Filippo I d'Angiò, imperatore nominale di Costantinopoli. Dizionario Biographico degli Italiani 47 (1997) 717-723; O. Casanova, Il principato di Taranto e gli Angioini (Filippo I - 1280-1332), Taranto, 1908.

11)Letra e Filipit nuk ekziston më, por këtë informacion e marrim vesh nga përgjigjja që Papa Gjoni XXII i jep atij në letrën e regjistruar në ASV, Reg. Vat. 109, fol. 162v, ep. 671. Kjo letër përmendet edhe në AA. I, nr. 648, si dhe nga: Augustin Theiner, Vetera monumenta historica Hungariam sacram illustrantia maximam partem nondum edita ex tabularis Vaticanis de prompta. collecte ac serie chronologica disposita ab Augustino. Roma, Paris, Vindobonae, 1860, vëll. I, f. 830, n. 1263.

12)Ibid.

13)Mladeni II ishte Ban i Kroacisë dhe i Bosnjës deri në vitin 1322. Pas këtij viti ai u dëbua nga mbreti i Hungarisë, për shkak të ambicjeve të tij që preknin interesat e fronit hungarez.

14)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140r, ep. 571. Është dhënë edhe në AA. I, nr. 648, nga A. L. Tăutu, Acta Joanni... nr. 22a; A. Theiner, Mon. Hung. Vëll. I, f. 831 nr. 1264; D. Farlati, Illyricum... f. 64B, dhe një fragment edhe nga Caesaris Baroni, Odorico Raynaldi et Jacopo Laderchii. Annales Ecclesiastici. Vol. XVIII, Paris, Freiburg, 1887, vol. XV, f. 178; për vitet: 1318 & 35.

15)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140-140v, ep. 572, (shënuar si letër sekrete). Përshkruhet pjesërisht nga O. Raynaldi, Ann. Eccl. 1318 & 35, f. 178; përmendet nga D. Farlati, Illyricum... f. 63; dhe jepet edhe nga A. Theiner Mon. Hung. I, f. 831, nr. 1264; si dhe në AA. I, nr. 649:

16)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140v, ep. 573.

17)Ibid.

18)Grup autorësh, Histori e Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, vëll. I, f. 273.

19)Në bulat e përmendura më sipër kemi këto adresime: Dilectis filiis nobilibus viris Mentulo Musatio comiti Clissaniae Andreae Musatio regni Albaniae marescallo et Theodoro Musatio prothosevastori...; Dilectis filijs nobilib[us] viris Guil[e]lmo Bleniste prothosevastoni. Guil[e]lmo Aranite protholegaturo Caloiobani Bleniste comiti Paulo Materango ceterisq[ue] baronibus Regni Albanie...; Dilecto filio nobili viro Bladislao Conome Dioclee et maritime Albanie comiti...; Në lidhje me kuptimin e një adresimi të tillë shih më tej ... Thomas Frenz, Papsturkunden des Mittelalters und der Neuzeit, (Stuttgart, 2000), f. 44-46.

20)Th. Frenz, Papsturkunden... f. 44-46.

21)ASV, Reg. Vat. 109, fol. 140v, ep. 573.

22)Claudine Delacroix-Besnier, Les Ordres mendiants et l'expansion de l'Église latine dans les Balkans. Në: Alle frontiere della Cristianità/ I frati Mendicanti e l'evangelizzazione tra ‘200 e ‘300. Atti del XXVIII Convegno internazionale, Assisi, 12-14 ottobre 2000. Centro Italiano di studi sull'alto Medievo. Spoleto, 2001, f, 245; AA. I, nr. 650, komenti i bërë nga Shuflaj.

23)Elena lavdërohet për oratorinë, për mirësinë, bujarinë, përshpirtshmërinë, dhe mënyrën e paqortueshme të jetesës. Në zonën e Dioklesë, sipas Barletit, ajo rinovoi Drishtin dhe qytete të tjera që kishin qenë shkatërruar nga pushtuesit mongolë. Themeloi kisha dhe manastire katolike në Kotorr, Tivar, Ulqin e Shkodër, dhe në brendësi të vendit themeloi manastirin serb të Gradacit në Ibër. Për nga prejardhja mbretëresha Helenë ishte franceze, dhe me sa shihet nga letrat e Karlit I dhe II Anzhu, ishte kushërirë e tyre Konstantin Jireček, Geschichte der Serben, (Gotha: Friedrich Andreas Perthes A. - G. 1911). Ribotuar në Amsterdam: Verlag Adolf M. Hakkert, 1967, f. 318-319, 328.

24)K. Jireček, Geschichte... f. 328.

25)Nëse Ladislaus ishte apo nuk ishte sllav, kjo në fakt nuk mund dhe nuk duhet të përcaktohet vetëm nga emri i tij. Po të niseshim nga kjo logjikë, vetëm nga emri, si kriter për origjinën, atëherë edhe mbretërit hungarezë, me emrin Ladislaus [Vladisllavi] do na dilnin sllavë.

26)Është për t'u çuditur edhe përshkrimi që Anonimi i Gorkës i bën indirekt marrëdhënieve midis "mbretit" dhe Mbretërisë së Arbërisë në vitin 1308, sepse e cilëson Mbretërinë e Arbërisë si mbretëri pa mbret. Në faqen 26 shkruhet: "partem huius regni cum ciuitate duracena tenet nunc princeps tarentinus filius regis sycilie" dhe në faqen 27 shkruhet: "Dictum Albanie regnum nunc regem nullum habet, sed terra diuiditur per principes terre, qui ipsam regunt et ipsi nulli subsunt." Shih Anonymi Descriptio Europae Orientalis "Imperium Constantinopolitanum, Albaniae, Serbia, Bulgaria, Ruthenia, Ungaria, Polonia, Bohemia" anno MCCCVIII exarata, të edituar nga Dr. Olgierd Górka, (Cracoviae: Academia litterarum Gebethner et Socii, 1916).

27)ASV, Reg. Vat. 109 (Litt. Secr.) fol. 162v ep. 671; AA. I, no. 648; A. Theiner, Mon. Hung. vëll. I, f. 830,
nr. 1263; A. L. Tăutu, Acta Johannis XXII, p. 43, nr. 22.

28)Sovranët e Napolit e kërkonin gjithmonë titullin e mbretërisë dhe këtë titull e kishte edhe Filipi i Tarantit. Në fillim, që nga viti 1304, kur Karli II Anzhu ia dorëzon mbretërinë Filipit të Tarantit, Filipi i Tarantit, e quante veten "despotus," e më vonë që nga viti 1306 e në vijim, e quante veten "Regni Albaniae dominus" (G. M. Monti, Ricerche... f. 6). Megjithatë Filipi nuk e quajti kurrë veten mbret i Arbërit, ndoshta për shkak të vëllait të tij, mbretit Robert të Napolit. Për këtë argument shih A. Kiesewetter. I principi... f. 69.

29)Karl Hopf. Ed. Storia e genealogia della casa Musachia scritta da Giovani Musachio despoto d'Epiro a suoi figli nel 1510. Në: "Chroniques Greco-Romannes inedites ou peu connues". Berlin, 1873, pp. 270-366.

30)Është për t'u tërhequr vëmendja tek mospërmendja e Topiasve në këtë listë të fisnikëve shqiptarë. Mesa duket, Topiasit nuk konsideroheshin si katolikë nga Papati në këtë periudhë.

31)F. Carabellese, Carlo d'Angiò... f. 45. Shih edhe G. M. Monti, "Ricerche… f. 1-22; po ai, Mezzogiorno... f. 80-81.

32)Durrësi ishte menduar si baza kryesore e Karlit I Anzhu edhe për fushatat e tij kundër Konstantinopojës. Për më tepër për politikën e tij orientale shih: George Yver, Le Commerce et les Marchands dans l'Italie mèridionale au XIIIe et au XIVe siècle. (Bibliothèque des Ècole Françaises d'Athènes et de Rome, no. 88), Paris: Librairie des Ècole Françaises d'Athènes et de Rome, 1903, f. 9-23; G. M. Monti, Da Carlo I a Roberto di Angiò: Ricerche e documenti. Trani: Vecchi e C., 1936; L. Boehm, De Karlingis imperator Karolus, princeps et monarcha totius Europae. Zur Orientalpolitik Karls I. Von Anjou, in "Historisches Jahrbuch der Görres-Gesellschaft", LXXXVIII (1968), f. 1-35; P. Herde, Karl I. von Anjou. Berlin, Stuttgart, Köln, Mainz: Verlag W. Kohlhammer, 1979; si dhe S. Borsari, La politica Bizantina di Carlo I d'Angiò dal 1266 al 1271, Archivio Storico per le province napoletane 74, (1955), f. 319.

33)F. Carabellese, Carlo d'Angio… f. 57-58.

34)AA. I, nr. 279, 333, 354; P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213; G. M. Monti, Mezzogiorno… f. 82; G. Yver, Le Commerce... f. 12.

35)P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213.

36) "Privilegji" i Karlit I, për Pal Gropën më datë 18 maj 1273 shënon një moment qëndror në marrëdhëniet shqiptaro-anzhuine. Sipas këtij privilegji, Pal Gropës i duhet të kënaqet me ca fshatra në veri të Ohrit, fshatra këto që nuk përfshihen as në interesat imediate të anzhuinëve, dhe as të serbëve, gjë që tregoi se anzhuinët nuk kishin ndërmend të mbanin anën e shqiptarëve, as kur interesat e këtyre të fundit prekeshin nga serbët. P. Xhufi, Shqiptarët…f. 212. Kur flet për marrëdhëniet e Stefan Dragutinit, mbretit të Serbëve në vitet 1276-1282, Jireček thotë që ai u qëndroi besnik lidhjeve të të atit me Karlin e I Anzhuin, dhe se lojrat e Michaelit me unionin e kishave nuk çudisnin asnjë njeri më, ngaqë Papa Martin IV, u kishte hapur rrugë traktativave me perandorin grek. K. Jireček, Geschichte..., f. 320.

37)AA. I, nr. 396; P. Xhufi, Shqiptarët… f. 213.

38)Shih G. M. Monti, Ricerche... f. 565-568; po ai, La Dominiazione… f. 50-58. P. Xhufi, Shqiptarët… f. 199-222. A. Ducellier, La Façade… f. 230.

39)Më 30 mars të vitit 1282, një turmë njerëzish ishte mbledhur në sheshin e kishës së vjetër të Santo Spirito, në juglindje të mureve të qytetit të Palermos. Njerëzit kishin ardhur nga çdo anë për të dëgjuar shërbesën e Vesprit. Papritur, një bashkëshort i zemëruar theri një ushtar francez që po i ngacmonte gruan. Kjo dha shkas që të gjithë francezët në shesh të shfaroseshin brenda pak minutash, gjë që mbeti në histori me emrin "Vespri Sicilian". Masakra nuk mbaroi me kaq, por në ditët e ardhshme u shtri në të gjithë ishullin. Edhe flota anzhuine u shkatërrua në portin e Mesinës, dhe jo vetëm kaq, por sipas shumë historianëve, kjo ngjarje shënoi fillimin e dekadencës së Anzhuinëve. Shih Kenneth M. Setton, "The Sicilian Vespers and a Century of Angevin Decline (1282-1383)", në: The Papacy and the Levant (1204-1571), vëll. I, Philadelphia: The American Philosophical Society, 1976, f. 140-162.

40)Shih A. Kiesewetter, I principi… f. 61; A. Ducellier, La Façade… f. 230 e vijim. Për rëniën e Vlorës dhe Durrësit nën pushtimin Bizantin në vitin 1284-1286 le të shikohet letra e Marino Sanudos e datës 10 prill 1330, botuar nga: F. Kunstmann, Studien über Marino Sanudo den Aelteren mit einem Anhange seiner ungedruckten Briefe, në: Abhandlungen der historischen Classe der kgl. Bayerischen Akademie der Wissenschaften, vëll. VII, (1855), f. 697-819; për këtë shiko: f. 755-789, nr. 2.

41)Shih G. M. Monti, Ricerche... f. 6; pa ai, Mezzogiorno... f. 80.

42)A. Ducellier, La Façade... f. 329.

43)A. Kiesewetter, "I principi... f. 69.

44)Projekt i 28 prillit të vitit 1311, shih: H. Finke, Acta Aragonensia. Quellen zur deutschen, französischen, spanischen, zur Kirchen- und Kulturgeschichte aus der diplomatischen Korrespondez Jaymes II. (1291-1327), Berlin-Lipsia 1908, vëll. II, f. 704-705, nr. 443. Shih gjithashtu: D. Abulafia, The Aragonese Kingdom (sic!) of Albania. An Angevin Project of 1311-1316, në: "Mediterranean Historical Review" X, (Intercultural Contacts in the Medieval Mediterranean. Studies in Honour of D. Jacoby). Londër, 1955, f. 1-13. Arsyeja kryesore në fakt ishte që anzhuinët të merrnin me çdo kusht ishullin e Sicilisë, që ishte në duart e Frederikut të Aragonës. Shih Norman Housley, The Italian Crusades: The Papal-Angevin Alliance and the Crusades against Christian Lay Pawers, 1254-1343, Oxford: Clarendon Press, 1986, f. 96-97. Shih gjithashtu G. M. Monti "L'Albania e la Guerra di Sicilia: trattative diplomatiche," Nuovi studi angioini.

45)G. M. Monti, Ricerche... f. 14-24.

46)Marrëdhëniet e Papatit me Anzhuinët ishin të mira në shekullin XIII. Shih kapitullin, "Die Beziehungen zu den Päpsten und zum Kardinalskollegium" të A. Kiesewetter në: Die Anfänge... f. 298-337. Interesi i Papatit ndaj territoreve që Anzhuinët kishin pushtuar, ra paksa kur filluan marrëdhëniet intensive të Tij me lindjen e largët, marrëdhënie këto të dëshiruara e të ushqyera nga Il-Khan Arghun i Persisë për të luftuar së bashku selxhukët turq në Azinë e Vogël dhe mamlukët në Egjipt. Për këtë argument shih kapitullin "The Sicilian Vespers and a Century of Angevin Decline (1282-1383)" të studiuestit Keneth M. Setton, në librin e tij The Papacy and the Levant (1204-1571). vëll. I, Philadelphia: The American Philosophical Society, 1976, f. 143-146. Megjithatë, me pushtimin katalan të Dukatës së Athinës në vitin 1311, studiuesi Setton është i mendimit se interesat anzhuine në More u rikonsideruan nga Papa Klementi V në Avinjon, nga Filipi, mbreti i Francës dhe nga Roberti, mbreti i Napolit.

47)Intervistë e bërë nga autorja e këtij shkrimi me Janos Bak. Janar 2004, CEU, Budapest.

48)Lufta midis perandorisë dhe komunave, midis Guelfëve dhe Gibelinëve, midis instinktit latin e konceptimit gjerman. Shih Caggese, Roberto d'Angiò e i suoi tempi, f. 197.

49)Papa Benedikti XII, pasardhës i Gjonit XXII, e konsideron Robertin si një ndër princërit katolikë më të devotshëm të Papatit, por jo më si krahun shekullor të kishës në Itali, siç kishte qenë konsideruar para pontifikatit të Papës Gjoni XXII, gjë që është një humbje shumë e madhe në prestigjin ndërkombëtar të Anzhuinëve. Shih G. M. Monti, Studi di Storia Angioina. Roberto di Angiò e la Crisi del Regno di Sicilia. Estratto dalla Rivista Storica. Fasc. III, 1931. Pinerolo: Unitipografica Pinerolese, 1931, f. 19-21.

50)G. M. Monti, Studi di Storia... f. 22-23: "... D'altra parte, il Regno [di Sicilia] non aveva potuto, come queli altri Stati estendere la propria potenza perchè stretto fra il mare e lo Stato della Chiesa, il cui confine non poteva violare per ragioni religiose e politiche di aderenza al Papato: esso poteva, e tentò, espandersi solo in domini lontani e non organici, popo agevolmente difendibili, senza contiguità territoriale, sì che doveva accadere che all'urto dei nemici sempre più potenti, se il Regno restò intatto per la sua posizione geografica e per la sua omogeneità e grandezza, quei lontani domini dovessero perdersi volta a volta o esser lasciati a sè stessi, perchè non valeva la pena di profondere oro e milizie per difenderli."

51)Karli I kishte shkëmbim ambasadorësh me sovranët serbë dhe bullgarë, si dhe me mbretërinë e Sagarach (sic!). Shih. F. Carabellese, Carlo d'Angio... f. 48. Karli II dhe Roberti kishin raporte më të ngushta me Uroshin, mbretin e Serbisë, i cili i bën dhuratë ikonën e tij të famshme bazilikës së Shën Nikollës së Barit. Bani i Sklavonisë dhe perandori i Bullgarisë marrin madje pensione nga Anzhuinët si dhe martohen me princesha të gjakut mbretëror. Për këtë shih G. M. Monti, Mezzogiorno... f. 93, si dhe G. Yver, Le Commerce... f. 13-17.

52)Shih AA. I, n. 300, f. 86-87.

53)P. Xhufi, Shqiptarët…f. 212.

54)K. Jireček, Geschichte..., vëll. I, f. 359.

55)Për një trajtim më të gjërë të kësaj çështjeje shih: Norman Housley, The Italian Crusades: The Papal-Angevin Alliance and the Crusades against Christian Lay Pawers, 1254-1343. Oxford: Clarendon Press, 1986. Po ai: The Avignon Papacy and the Crusades, 1305-1378, Oxford: Clarendon Press, 1986; Kenneth M. Setton, A history of the Crusades. Wisconsin, 1985, vëllimin III.

56)K. Jireček, Geschichte..., vëll. I, f. 359. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323 Uroshi II, tentoi që të vendoste lidhje miqësie familjare me Anzhuinët e Napolit, duke kërkuar për grua vajzën e Filipit të Tarentit. Me këtë rast klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane. Në këtë mënyrë ai donte të mbrohej nga hungarezët dhe nga aleancat e ndryshme që po krijoshin kundër serbëve. Papa Gjon XXII i besoi dhe dërgoi me misionin që të kryente bashkimin e kishave ipeshkvin e Brindizit, Bertrandi.

57)Për këtë shkruajnë: Mauro Orbini, Il Regno de gli Slavi hoggi corrottamente deti Schiavoni. Pesaro, 1601, f. 255; Vicentije. Makušev, "Istrorièeskia Razyskania o Slavjanah v Albani v Srednie Veka", Varšava, 1871, f. 13, 62; K. Jireček, Geschichte... vëll. I, f. 353.

58)F. Dvornik, Gli Slavi... f. 163.

59)Që Filipi i Tarantit kishte pasur dhe do të vazhdonte të kishte marrëdhënie të mira me mbretërit serbë del qartë edhe nga planet që mbretërit serbë guxojnë të bëjne duke u mbështetur në marrëdhëniet pozitive me të. Gjatë luftës kundër kunatit të të vëllait, Vladislavit, në vitin 1323 Uroshi II, tentoi madje që t'i thellonte marrëdhëniet me anzhuinët e Napolit, duke i kaluar ato në lidhje miqësie familjare. Për këtë kërkoi për grua vajzën e Filipit të Tarentit, dhe kaq shumë u besua në këtë lidhje sa klerikët e tij, fisnikët dhe populli i mbretërisë së Serbisë u treguan të gatshëm që të përfundonin skizmën dhe t'i nënshtroheshin kishës romane, lojra këto që serbët i luanin tashmë prej kohësh me kishën katolike.. K. Jireček, Geschichte... vëll. I, f. 359.

60)Persekutimet e katolikëve na bëhen të ditura edhe nga përshkrimet e udhëtarëve, siç është rasti i Anonymi Descriptio Europae Orientalis së vitit 1308, f. 30: "Ceteri autem eiusdem regni et rex sunt scismatici perfidi et ideo nimium persequuntur dictos katholicos, et permaxime ecclesias latinorum destruunt, disipant, et inuadunt prelatus et captiuant et plura inexquisita mala faciunt."

Burimi: DARDANIA.BIZ

Shqiptarët popull solidar

Shqiptarët
popull
solidar
I.
Shqiptarët si popull nuk kanë lidhje gjenetike me popujt fqinjë, në prekje territoriale të drejtpërdrejtë. Në pemën gjenealogjike të familjes indoeuropiane gjuha e tyre vendoset si degë më vete, ndërmjet greqishtes e latinishtes. Shqipja nuk ka lidhje bijërie (filiacioni) dhe as motërie me ndonjë prej gjuhëve të gjalla të familjes ku bën pjesë. Kjo - lidhja e drejtpërdrejtë burimore me paragjuhën - mund të ishte një shkak vetëveçimi për shqiptarët. Por, megjithëse të tillë, shqiptarët kanë trashëguar një shpirt solidariteti me të tjerët.

"Nënë Tereza e ka dhënë (dedikuar) tërë jetën me plot flijime në të mirë të të varfërve, të të dëbuarve, të të sëmurëve, të atyre që s'kanë strehim dhe janë pa dashuri. Ajo gjithnjë ka dëshmuar fuqinë e miqësisë vëllazërore, duke nxitur kështu zhvillimin e vërtetë njerëzor dhe shoqëror".

           

Papa Gjon Pali II

Kultura tradicionale shqiptare tregon se koncepti i këtij populli për "tjetrin" nuk është armiqësor, siç ndodh rëndom ndër popujt e zonave të nxehta, siç është edhe Ballkani. "Tjetri". Në këtë kulturë nuk është detyrimisht "kundërshtari". Zakonisht "tjetri" në shtresat më të hershme të kulturës shqiptare është një "i ndryshëm nga vetja". Nëse është dalluar "tjetri", kjo ka qenë më shumë një nevojë vetë-identifikimi. Lahutari i këngëve legjendare thotë se kreshniku u foli shokëve "në guhë të vet", thjesht për të konstatuar se ishte ndryshe, ishte një "alter", pa kurrfarë konotacioni ndaj atij që nuk ishte "i vet". Kjo është një dukuri e rrallë në mendësinë ballkanike. Heronjtë kulturorë të botës shqiptare dashurojnë Jevreninë e bukur (vajzën hebreje, siç e thotë emri), Llatinkën e bardhë (vashën romake, latine, po sipas emrit), çikën e Cesarit (kajzerit, mbretit), Beg-zaden e bardhë (vajzën beglereshë prej turqishtes dhe beglereshë prej persishtes). Këta heronj pinë verë me shakuj si të krishterë mëkatarë dhe falin pesë vahtet si muslimanë të denjë. Ata vishen magjarrisht (si hungarezët) dhe flasin arabisht. Aty del jelini (heleni, greku) dhe aty më tej del gumani. Kreshnikët shqiptarë adhurojnë Tanushën e bukur, që është bijë "krajli të Shkjenisë", dhe thonë për të se "gja ma t'bukur n'kët' dynja nuk kish". Kur bardi shqiptar këndon për bukurinë e Tanushës, thotë se e ka parë vetë me sy, "kur kem' pasë besë me krajli", që do të thotë "kur kemi pasë paqe me sllavët".
           

"Tjetri" në traditën shqiptare është aleat (si në ciklin e betejës së Fushë-Kosovës), vëllamë, mik për orë të ligë. Edhe atëherë kur "tjetri" është armiku, antagonisti, siç mund të konkludohet duke parë raportet me serbët, ata janë antagonistë që nuk bien poshtë as nga trimëria dhe bëmat, as nga pronat dhe sarajet.
           

Pikërisht ky koncept për "tjetrin" përbën një prej shpjegimeve etnopsikologjike të solidaritetit që ka shquar historikisht shqiptarët prej lashtësisë. Një ilustrim i shkëlqyer i kësaj cilësie gjinikuese të shqiptarëve është bashkëjetesa e tyre me bashkësinë hebreje, një prej bashkësive më të rrezikuara gjatë dy mijë vjetëve me radhë. Në hapësirën shqiptare janë ruajtur shkrime të shenjta hebreje, duke përfshirë një dorëshkrim të rrallë të "Torah-s", i njohur me emrin "Safar Tora" ose "Sefer Tora", dorëshkrim që u trashëgua brez pas brezi për pesë shekuj me radhë në Vlorë, deri në mesin e viteve '30 të shekullit të 20-të, ndonëse përmbajtja e tij vinte në kundërshtim si me letërsinë ungjillore, ashtu dhe me atë kuranike. ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e dijetarëve dhe rabinëve izraelitë, deri në vitet '30 të shekullit të 20-të, kur u mor prej tyre nga Vlora. Në shekujt e fundmë të mesjetës, kur izraelitët kishin vendosur të ngriheshin në një "rebelim të fshehtë mesianik", shtabi i kryengritjes e udhëhiqte revoltën duke pasur si rezidencë pikërisht Shqipërinë. Studiues të periudhës mesjetare ngulin këmbë se edhe varri i prijësit të kësaj lëvizjeje - Sebatai Zevi - gjendet në rivierën shqiptare.
           

Eshtë vështirë të gjenden raste të tejkalimit të çfarëdo gjurme të antisemitizmit, si tek shqiptarët. Në dekoracionet e xhamisë qendrore të kryeqytetit gjendet i shpërfaqur ylli i Davidit. Një varg kishash të ritit ortodoks, sidomos në qytetet jugore, kanë elementë evidentë të arkitekturës së sinagogave. Në fillim të viteve ’30, kur komisiariati për refugjatët i Lidhjes së Kombeve projektoi një shpërngulje masive të hebrenjve nga vendet europiane për t’i shpëtuar nga rreziku nazist dhe Shqipëria zyrtarisht u ftua të hapë kufijtë e saj për pranimin e refugjatëve të rrezikshëm, qeveria mbretërore e vendit e pranoi pa hezitim propozimin. Presionit të vendeve të bllokut nazifashist për ta refuzuar këtë propozim qeveria iu përgjigj me masa formale (për të hyrë në kufi hebrenjtë duhej të dëshmonin se kishin 200, 300 dhe së fundi 500 franga ari).

Gjatë luftës antifashiste Shqipëria përfaqëson vendin e vetëm në Europë ku asnjë hebrej nuk u denoncua dhe nuk u dënua. Shembuj të këtij solidariteti ka thuajse në të gjitha situatat kritike që kanë kaluar popujt e Ballkanit. Solidariteti në rrezik, si tipar identifikues i shqiptarëve, u shpreh me bashkimin e tyre me fqinjët grekë, derisa u bënë një prej faktorëve të rëndësisë së dorës së parë për fitoren e revolucionit të tyre kombëtar. Kapedanët arvanitë u bënë prijës të revolucionit dhe pastaj edhe përfaqësues të popullit, deri në atë shkallë sa në institucionet e shtetit të ri të Greqisë së pavarur gjuha shqipe ishte një çelës komunikimi. Shqiptarët që morën në ballë rrezikun e luftës për çlirimin e Greqisë sot i kanë portretet në prerjet e monedhës kombëtare helene.
           

Në fillim të këtij shekulli, duke pasur në vëmendje pikërisht këtë gatishmëri të shqiptarëve për bashkim me tjetrin në kohë të ligë, poeti i Rilindjes Kombëtare Andon Zako shkruante: "Mjaft punove për të tjerë,/ o fatkeq,/ Kujto vendin tek ke lerë,/ e tek heq".
Shqiptarët kanë shprehur po atë frymë durimi dhe solidariteti ndëretnik, sa dhe toleranca e tyre e njohur ndërfetare.
           

Solidariteti i një populli vlerësohet veçanërisht në qendrimin ndaj kundërshtarit të mundur. Tek shqiptarët nuk njihet ndëshkimi pas vdekjes dhe armiqësia pas dorëzimit. Edhe armiku më i dhunshëm ka mundur t'i krijojë vetes kushte të sigurisë së mjaftueshme pikërisht duke njohur këtë institucion shpirtëror të shqiptarëve, ndoren dhe dorëzaninë.
Megjithëse kufijtë e Shqipërisë sapo ishin vendosur dhe hapësira e saj u shkel ushtarakisht nga armatat e të dy aleancave kundërshtare, pa përfshirë ato të vendeve fqinje, vendi arriti të ruajë asnjanësinë në vitet e ndërlikuara të Luftës së Parë Botërore, duke mos kursyer, ndërkaq, edhe ndihmën e mundshme për palët e dobëta në konflikt. Kjo periudhë, sidomos koha e luftës ballkanike, i gjeti garnizonet osmane në Berat e Fier në kushte të rrethimit të urisë dhe të kundërshtarit. Sido që kujtimi i dhunës perandorake osmane mbi shqiptarët ishte katërcipërisht i pranishëm, shqiptarët e Myzeqesë nuk ua dorëzuan ushtrive të reja asqerët e Turqisë, dhe ndanë me to ushqimin e tyre të kursyer.
           

Në prag të Luftës së Dytë Botërore një grup vullnetarësh shqiptarë iu bashkuan brigadave internacionaliste në mbrojtje të republikanizmit dhe të antifashistëve francezë. Njëri prej tyre ,Mehmet Shehu, u bë më pas kryeministër i Shqipërisë, kurse një tjetër shkrimtari i shquar Petro Marko, autor i një romani të mirënjohur me titull domethënës "Hasta la Vista", kishte korrespondencë me autorin e romanit "Për kë bien këmbanat", shkrimtarin e famshëm Heminguej.
           

Njëri prej tyre ishte edhe shqiptari kosovar Asim Vokshi i cili përfaqesoi atë pjesë të tokës shqipetare që pritej të fitonte lirinë ne fund të shekullit te njëzetë
Vullnetarët shqiptarë në luftën e Spanjës kishin gazetën e tyre.

Kur ushtritë fashiste që kishin pushtuar Shqipërinë vendosën të sulmojnë tokën greke nga territori shqiptar dhe urdhëruan mobilizimin e rinisë për në luftë, shumica iu shmang rekrutimit dhe ata që u mobilizuan me forcën e armëve dezertuan në masë në frontin e luftës italo-greke.

Megjithëse mund të mbështetej në të drejtën e fitimtarit ndaj palës së dorëzuar, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ushtria partizane shqiptare tejkaloi menjëherë armiqësinë e një lufte të ashpër dhe i ofroi mbrojtje dhe kushte mbijetese ushtrisë së kapitulluar fashiste, duke i dhënë edhe mundësinë e bashkimit në një aleancë në luftën antifashiste. Mijëra e mijëra ushtarë të dëshpëruar të fashizmit, që nuk treguan gatishmëri të luftonin, gjetën strehë në popull, duke u veshur e maskuar si vendësit, dhe kështu i shpëtuan ndëshkimit që u kishte rezervuar ushtria naziste. Në dokumentet e komandës naziste paraqitet shqetësimi që njësitë e saj nuk arritën të gjejnë „fashistë dezertorë“ në Shqipëri. Me gjithë peshën e krimeve që rëndonte mbi ta, shqiptarët ekzorcuan urrejtjen dhe u bënë vend në vatra. Eshtë e njohur sjellja dinjitoze e komandës partizane ndaj armatës së gjeneral Azzi-t, kur, e gjendur në malet e Dibrës, në kushtet e braktisjes nga qendra, mund të priste gjithçka, që lidhej me pozitën e saj, tashmë e zënë rob.
           

Ushtria partizane çlirimtare shqiptare nuk i ndërpreu veprimet e saj luftarake edhe pas çlirimit të plotë të Shqipërisë. Ajo mbajti peshën e vet të përfillshme në luftën antifashiste për lirinë e fqinjëve veriorë. Pavarësisht se marrëdhëniet ndërshtetërore më pas morën karakter konfliktuoz, kur më shumë e kur më pak, kësaj sakrifice vullnetare të shqiptarëve i është njohur vlera e saj.
           

Shqipëria e viteve të para të pasluftës antifashiste vuri në rrezik integritetin e saj duke e mbajtur hapur për disa vite me radhë kufirin jugor për ushtritë e dëshpëruara të Greqisë, ku vazhdonte lufta civile për formën e qeverisjes dhe karakterin e sistemit politik. Në viset jugore të Shqipërisë gjenin strehë në kohë zbatice partizanët e EAM-it, të cilët, pasi rimëkëmbeshin në këtë anë të kufirit, riktheheshin për të vazhduar veprimtarinë e tyre në Greqi. Shqipëria ndau rrezikun me popullin grek, që po kalonte orë dramatike, në kohën e një indiference të pashpjegueshme që u pa edhe prej shtetesh të fuqishëm.

Bota i pa për së afërmi, jo pa çudi, përmasat e vërteta të solidaritetit të shqiptarëve, në prag dhe gjatë ndërhyrjes së ushtrive aleate euro-atlantike në ish-federatën jugosllave në pranverë të vitit 1999, kur rreth një milionë shqiptarë të Kosovës, në kushtet e dëbimit masiv nga trojet e tyre, kur ushtria serbe, për të arritur spastrimin etnik dhe boshatisjen demografike të rajonit, kishte vënë në veprim famëkeqin operacion "Patkoi", morën rrugën e jugut, kryesisht të Shqipërisë shtetërore, ku u vendosën, sipas të dhënave të statistikuara, rreth 600 mijë vetë.
Mungese (Kukesi)
           

Megjithëse gjatë gjithë dekadës së fundme ishin kultivuar gjithfarë psikozash të përçarjes së shqiptarëve ndërmjet tyre, deri tek krijimi i një opozicioni mbi baza etnike ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, çasti i vështirë kur çështja shtrohej "për jetë a vdekje" i gjeti shqiptarët solidarë e të vëllazëruar me njëri-tjetrin, deri në atë shkallë sa ndanë së bashku gjithçka që kishin, strehën dhe ushqimin, veshjen dhe kamjen.
           

Gjatë vitit 1999 Shqipëria kapërceu një provë që në kushte normale ishte e papërfytyrueshme. Përgjegjësia që morën përsipër shqiptarët, duke përballuar një shtim të rrufeshëm të popullsisë gati me një të tretën, në kushtet e mungesës së rezervave afatgjatë të ushqimit, të kufizimeve të njohura të furnizimet me ujë dhe energji elektrike, si dhe të pamundësisë për komunikim intensiv, u përcoll me admirim në mjediset perëndimore, ku, edhe në s'thuhej, paralajmërohej e pritej katastrofa humanitare dhe kriza e urisë.
Më shumë se solidariteti "mes vedi", gjatë krizës ballkanike të vitit 1999, tek shqiptarët u shpërfaq një vlerë e hershme europiane, fryma e humanizmit dhe e vlerësimit absolut të jetës, që vjen nga thellësia e shekujve, nga Rilindja Europiane e përvoja e qytetërimit perëndimor, nga kulti bashkëkohës i të drejtave të njeriut dhe filozofia kejnsiane e shtetit social.
           

Të gjitha këto që ndodhën, pritja e mbi 600 mijë të dëbuarve pa krijuar alarm të brendshëm e të jashtëm, siç kishte ngjarë më herët me shpërnguljet e viteve '20, bënë të besohej se nuk kishte qenë një rastësi që pikërisht në hapësirën shqiptare qe lindur një shenjtore e gjallë, Nënë Tereza e Kalkutës, shenjëzim i bamirësisë dhe i solidaritetit në të keqe, shprehje e humanizmit universal, pa dallim race, ngjyre, feje, etnie dhe rajoni. Atë shembull që humanizmi e solidariteti që krijoi Nënë Tereza individualisht e krijuan shqiptarët më 1999 bashkërisht.
           

Këto vlera të larta qytetare, që përjashtojnë si kompleksin e epërsisë, dhe atë të përulësisë së vetes ndaj tjetrit, shqiptarëve u janë shpërblyer në rrjedhat shpesh të dhimbshme të historisë së tyre. Arbëreshët e Italisë, që gjetën mikpritje të pakushtëzuar në fqinjin përtej detit pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe formuan atje ngulimet e tyre të qendrueshme, edhe sot e kësaj dite i këndojnë Moresë, që është shndërruar në një metonimi të atdheut. "E bukura More", që është një mit i këtyre këngëve të vjetra, përfaqëson kujtimin e vendlindjes, por pikërisht ky varg na jep të kuptojmë edhe një mikpritje tjetër bujare, atë të grekëve të Moresë, ku valët e shpërngulura të shqiptarëve qendronin në kalim e sipër.
Janë të pashlyeshme për shqiptarët bujaria dhe mikpritja e popullit turk në disa valë shpërnguljesh të detyruara të tyre, në kuadrin e shkëmbimit të popullatave në rastin e Greqisë dhe në rastin e marrëveshjes për pranimin e "turqve" të ish-mbretërisë jugosllave. Turqia ishte vendi që krijoi hapësirë integrimi për qindra mijë shqiptarë të deportuar nga Çamëria dhe Kosova, duke u bërë për ta një atdhe i dytë.

II.

Shqipëria është një vend në kryqëzim të Perëndimit dhe Lindjes. Kjo pozitë gjeopolitike ka përcaktuar fatin e saj. Në shekullin e 4-t, kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, kufiri e ndau hapësirën shqiptare thuajse mes për mes. Nëpër Shqipëri kanë kaluar pjesa më e madhe e kryqëzatave të Europës kontinentale drejt "tokës së shenjtë" - Jerusalemit, të shoqëruara me vrazhdësi e shkatërrime. Kur krishtërimi u nda administrativisht në dy pjesë, në ritualin roman (perëndimor) dhe atë bizantin (lindor), edhe vija kufizuese e pushtetit të dy kishave, e quajtura "vija e Teodosit", e ndau hapësirën shqiptare në dy pjesë. Shqiptarët, deri në shekullin e 16-të e më vonë, u përpoqën për të arritur statusin e një kishe unite, që bashkonte vartësinë perëndimore me ritualin lindor.
           

Prej fundit të mesjetës e këndej hapësira shqiptare ishte zonë ekuilibri ndërmjet dy perandorive më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Austro-hungareze. Midis këtyre dy perandorive janë nënshkruar disa marrëveshje, të quajtura "kapitulacione", të cilat rregullonin barazinë e ndikimeve, duke i njohur Perëndimit të drejtën e kujdesit për faltoret e të krishterëve, përmes doktrinës "cultus protectorati" - mbrojtja e klerit.
           

Veçoria kryesore sinjifikative e fatit të Shqipërisë është identifikimi me fatin e urës. Kalimet e ndikimeve nga Perëndimi drejt Lindjes dhe anasjelltas kanë lënë gjurmë të shpërfaqura në etnotipin shqiptar. Ura ndërmjet dy qytetërimeve u ka sjellë shqiptarëve favoret e komunikimit dhe rreziqet e nyjes delikate: në kohëra rreziqesh, urat, këto simbole të shkëlqyera të mundimit njerëzor për një botë gjithnjë e më të madhe, janë të parat që provojnë dhimbjen e hedhjes në erë në kohë rreziku.
           

Shqiptarët janë popull me përbërje fetare heterogjene. Nuk ka të dhëna për strukturën e tyre demo-fetare që prej regjistrimit të viteve '30 të shekullit të 20-të. Por dihet se, sipas të dhënave të regjistrimit të fundmë, në pikëpamjen fetare bashkësia muslimane përbën popullatën shumicë. Vetë bashkësia muslimane është e ndarë në dy pjesë: bektashinjtë dhe islamikët. Në Shqipëri bektashizmi është shfaqur në fund të shekullit të 12-të dhe në fillim të shekullit të 13-të. Në vitet '20 të shekullit të kaluar, kur Ataturku ndërmori reformat e ashpra laicizuese të shtetit për krijimin e Turqisë moderne, Shqipëria u bë vendi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Edhe sot selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve gjendet në Tiranë. Pakkush e di se Shqipëria, ky vend i vogël, është seli e një kryeqendre botërore të besimeve. Eshtë interesant të vihet re se edhe gjatë periudhës së ateizmit nuk pati pretendime nga shtete të tjera ku ka bashkësi besimtarësh bektashinj për të marrë rolin e kryeqendrës, e cila në Shqipëri u shua.
           

Karakteristikë dalluese e shqiptarëve është toleranca fetare. Në Shqipëri ka dy fe (krishtërim e muslimanizëm) në një familje ose në një fis (Lurë, veri), ose dy fe në të njëjtin njeri (Shpat, Elbasan), i cili mban dy emra, si i krishterë e si musliman, dhe bën ritet e festat fetare të të dy besimeve. Heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti lindi në një familje ortodokse, ndërroi fenë në oborrin e sulltanit, u bë bektashi (ky ishte kusht për t'u bërë jeniçer), u kthye në Shqipëri dhe mori fenë e babait (ortodoks) dhe kur vdiq la amanet që të varrosej në një katedrale të të krishterëve katolikë (Lezhë). Njëri nga vëllezërit e Gjergj Kastriotit, përkundrazi, kërkoi të varrosej në manastiret e Athosit, një prej vendeve të shenjta të ortodoksisë.
           

Në Shqipëri nuk njihen konfliktet fetare, as në formë episodike. Eshtë krejt normale që një shqiptar, nëse nuk i pëlqen prifti, predikimi apo sjelljet e tij, të braktisë kishën dhe ta kërkojë lidhjen me zotin në xhami. Një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë klasike shqiptare, Pjetër Bogdani, në veprën e tij "Çeta e profetëve", citon krahas njëri-tjetrit Kalvinin dhe Avicenën. Përkthyesi i parë i librit të shenjtë të muslimanëve Kur'an ishte i krishterë (Ilo Mitkë Qafëzezi).
           

Muslimanët shqiptarë festojnë shën Gjergjin e shën Mërinë, një pjesë tjetër shën Nikollën e Krishtlindjet, kurse të krishterët u bëjnë vizita miqësore muslimanëve për festat e tyre karakteristike (Kurban Bajram).
Në një qytet si Shkodra, ku popullsia muslimane është e përzier me të krishterë katolikë dhe ortodoksë, në ditët e ramazanit edhe tregtarët joislamikë ndalonin shitjen e mishit të derrit në dyqanet e tyre.
           

Bashkësia bektashije e Shqipërisë u shpall e pavarur në vitin 1921. Bashkësia islamike vendosi ndarjen nga kalifati dhe kryeqendrën botërore të islamizmit me anë të një kongresi në vitin 1923. Ortodoksët shqiptarë shpallën autoqefalinë e tyre në vitin 1922. Bashkësia katolike nuk e ka ndërmarrë një nismë të tillë, por de facto e ka realizuar, sepse kleri i kishës franceskane ka mbajtur lidhje kryesisht me Austrinë, ndryshe prej jezuitëve dhe domenicienëve që ruajtën lidhjen me Vatikanin.
           

Festat fetare në Shqipëri, qofshin ato të bashkësisë së krishterë, qofshin të bashkësisë muslimane, ruajnë gjurmë të periudhës politeiste mitologjike. Shqiptarët katolikë të viseve veriore ditën e Buzmit pikërisht në ditën e Krishtlindjeve, por duke nënshtresuar në këtë festë edhe kultin e zjarrit. Shën Mëria e muslimanëve përkon me ditën e zanës - Dianës tek latinët - më 23 gusht. Bektashinjtë kanë kultin e Baba Tomorrit, që ngjason me kultin mitologjik të Olimpit grek. Një poet i krishterë i vuri për titull librit të vet emrin e Baba Tomorrit. Paganizmi që shfaqet të dy besimet kryesore, me dy nëndarjet e tyre, është faktor konvergjence. Shqiptarët kanë kultin e natyrës, festojnë ditën e malit apo të bjeshkës, mbajnë edhe sot gjarpërin dhe dhinë si totem (hyjni mbrojtëse), kanë kult për zjarrin, për gurin, për ujin dhe bukën, për udhën dhe mysafirin, për tokën dhe qiellin.
Veçori etnodalluese të shqiptarëve është se, siç thuhet, prodhojnë më shumë histori se sa mund të mbajnë si popull, manifestojnë dëshirë mbi mundësitë për qeverisje. Shqiptarët nuk kanë nisur vetë asnjë luftë, por janë popull luftëtar, për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Hapësira e shqiptarëve i është nënshtruar restriksionit, kurse mbi ata vetë është ushtruar ekspansion. U ka shkuar historia nëpër luftëra, për të ruajtur tipologjinë etnike, dhe kjo ka bërë që gabimisht të karakterizohen si popull që ka genin e luftës në shpirt. Në rrjedhat e historisë, ndryshe nga maqedonasit e vjetër, të cilët u sllavizuan; ndryshe nga trakasit antikë, të cilët u romanizuan; ndryshe nga dalmatët, të cilët pësuan të njëjtin fat, ruajtën tipin e tyre kombëtar.
           

Shqiptarët pëlqejnë miqësi me të mëdhenjtë. Nuk janë të prirur për aleanca të qendrueshme me partnerë të vegjël. Momentalisht në Shqipëri sundon miti i Perëndimit. Në brezin më të ri të studiuesve ekziston, megjithatë, përpjekja për të krijuar mitin e idesë kombëtare.
Pas një shekulli mendësie romantike, që u ruajt edhe në periudhën e komunizmit, shqiptarët kanë kaluar nga etnocentrizmi në eurocentrizëm.
Ndër virtytet e shqiptarëve njihen gjerësisht në botë besnikëria, mbajtja e fjalës së dhënë, kulti i nderit dhe miti i mikut.

           

NËNË TEREZA
OSE "FUQIA E MIQËSISË VËLLAZËRORE"


Në ditën e marrjes së çmimit Nobel, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza tha: "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar dhe lus Zotin që paqja dhe dashuria e Tij të jenë në zemrat tona, në çdo familje".
Mungesa!
Urata e Nënë Terezës për bashkëkombësit e saj është shprehur në një strofë katërshe, në të cilën këshillat e saj paraqiten si amanet moral. Njeriu shqiptar duhet:
"Ku është urrejtja, të sjellë dashuri,
Ku është përçarja, të sjellë bashkim,
Ku është dyshimi, të sjellë besim,
Ku është dëshpërimi, të sjellë shpresë!"
Në vitin 1991 për herë të parë Nënë Tereza kishte edhe pasaportën diplomatike të shtetit shqiptar. Qytetare nderi e SHBA, e Britanisë, e Indisë dhe e disa vendeve të tjera, ajo mbante dekoratat më të rëndësishme të botës së sotme:
- "Pamada Shir" (1962);
- "Ramon Magsysay" (1962);
- "Gjoni XXIII për Paqen" (1972);
- "Samaritani i mirë", Boston (1971);
- Shpërblimi Ndërkombëtar "Xhon Kenedi" në Uashington (1971);
- "Nehru" (1972);
- "Tempelton" (1973);
- "Nëna e të gjithë nënave" (1973);
- "Balzan" (1978);
- Çmimi "Nobel për Paqen" (1979);
- Shpërblimi më i lartë amerikan "Medalja e Lirisë" (1985);
- Shpërblimi më i lartë i Rusisë "Medalja e Paqes" (1988);
- Urdhëri i Skënderbeut
           

Sipas presidentit amerikan Bill Klinton, "Nënë Tereza ka sjellë shpresë dhe dashuri në jetët e miliona jetimëve dhe fëmijëve të braktisur, në të katër anët e botës". Egil Aarvik, Sekretar i Komitetit Nobel për Paqen, duke vlerësuar Nënë Terezën thoshte se "ajo na ka dëshmuar se ç'do të thotë altruizëm, dashuri për të varfrit, vepra më e lartë dhe më bujare njerëzore, dashuria që s'pret asgjë, që beson çdo gjë". Piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra ka shkruar: "Nënë Tereza është shprehja më e bukur e mirësisë, e humanitetit, e bujarisë, e flijimit, e gjithë asaj që mund ta quajmë shërbim në dashuri". Ish-presidenti amerikan Ronald Regan, aktor i njohur i Hollivudit, shprehej: "S'është e mundur të jesh në praninë e një personaliteti siç është Nënë Tereza, dhe të mos jesh optimist. E kemi dëgjuar dhe vështruar në heshtje, me vëmendje dhe dashuri, si heroinë të kohës sonë". Nayanatra Rey, një induist i njohur, mendon se "ajo është nëna e Indisë dhe nëna e mbarë botës, sidomos e botës që vuan, është mrekullia e dashurisë së krishterë për mbarë rruzullin tokësor". Ndërsa presidenti i republikës së Shqipërisë Rexhep Meidani ka bërë këtë vlerësim: "Nënë Tereza ishte simbol i madh i mirësisë universale. Nënë Tereza ishte një qytetare e madhe e botës, rrugët e së cilës ajo i përshkoi gjatë tërë jetës së saj në shërbim të të varfërve, të atyre që kishin nevojë, me përunjësinë e saj prekëse".

Burimi: SHQIPERIA.COM