F A Q E T

Sonntag, 16. Februar 2014

Lindita Doda Hyli - Përballë jetës

Ky tregim ka marrë çmimin e dytë në Konkursin letrar të Manifestimit "Flaka e Janarit" 2014
 
Lindita DODA - Hyli, Burrel, Tiranë

PËTBALLË JETËS

Përse po i them këto fjalë?! Asgjë nuk ka ndodhur. Duhet të mbledh veten. Unë isha në një varrim. As vetë nuk e di se në funeralin e kujt ndodhesha. Në mëngjes erdhën shumë njerëz në shtëpine time. Po me trajtonin si një fëmijë të përkëdhelur. Më lanë sytë, më veshën rroba të zeza dhe më morën me vete. Qëndrova e heshtur gjatë gjithë varrimit, edhe pse doja të pyesja se kush ishte në atë arkivol, për të cilin po derdhesin aq shumë lotë. U përpoqa të hap arkivolin, por të gjithë m'u hodhën përsipër. Vetëm një vrasësi do t'i hidheshin në atë mënyrë. Doja t'u thosha se e bëra atë veprim për të mësuar se kush kishte vdekur, por fjalët më tradhëtuan. Asnjë tingull nuk doli nga goja ime. Nuk më kujtohet se cfarë ndodhi më pas. Mijëra fytyra të përlotura m'u shfaqën përpara syve. Thjesht u zgjova në një divan, me trupin e mbledhur kruspull nga të ftohtit. Lotë të nxehtë binin mbi fytyrën time… Kujt i përkasin këto lotë që as nxehtësia e këtij zjarri s’po i tret ?! Valle, pse po përpiqem ta mohoj?!
Këto fjalë po thoshte Zana atë ditë në përpjekje të kuptonte që njeriu më dashur i jetës së saj ishte larguar përgjithmonë. Në atë moment të përhumbur iu kujtua djali.
-Ky është Dori?! - bërtiti.
Mamaja e saj, që i rrinte gjithmonë në krah ato ditë, iu përgjigj e para.
- Eshtë në dhomen tjetër.
- Ju lutem ma sillni djalin…
Menjëherë dolën nga dhoma dhe u kthyen me Dorin. Ishte dhjetë vjeç. Një djalë që i shquheshin tiparet nga larg; me sy të zinj; buzë që i vizatoheshin konturet aq bukur me një buzeqeshje sikur ia kishte vjedhur të atit. Dukej si i rritur para kohe. Me të hyrë në dhomë, u lëshua në krahë të mëmës…
Zana e shtërngoi fort. Deri në atë moment s’dinte ku ishte. Më pas ia dha të qarit me ngashërim. Djali e përqafoi fort, fort dhe me një buzëqeshje të mekur iu kthye Zanës:
- Mami mos qaj. Më ke mua tani. Jam bërë burrë.
Zana u mblodh kruspull. E shtërngonte në prehër të birin dhe i dukej sikur po merrte ngrohtësi nga një zog i vogël. E shtrëngonte në fort aq fort sa ia ndjente rrahjet e zemrës. Ishin në sinkron me të sajat. Iu duk se në atë përqafim, me hyjnorin në botë, gjeti qetësinë.
Pas kësaj dite do do të fillonte një jetë tjetër për të. E prisnin sfida si grua, si nënë dhe si profesioniste. E donte shumë punën që bënte, profesioni i mësueses i jepte kënaqësi. Vendosi ta sfidonte jetën. Punonte shumë. Ishte kthyer në një robot që vetëm obligime kishte në jetën e saj. Djali dhe puna. Çdo gjë rreth saj kishte pushuar së jetuari.
Përditë shkonte në varreza. I dukej sikur diçka i rëndonte në shpirt. Gjatë këtij rituali ajo shikonte gjithmonë në po të njëjtën orë një burrë rreth moshës së saj. Jetonte në një qytet të madh dhe njerzit pak njiheshin me njëri –tjetrin. Ky njeri i dukej si fytyrë e njohur. Diku e kishte takuar, por jeta ia kishte fshirë nga kujtesa. Kurrë nuk shiheshin në sy gjatë shkëmbimit...
Kishte një natyrë të zymtë. Cigaren s'e hiqte nga buza. Mbante veshur një pallto të errët, ngjyrë që i shkonte me flokët e zesë dhe shpirtin gri. Vështrimin e mbante gjithmonë të përqëndruar në një pikë, atje dukej sikur edhe shpirti i tij ishte ndalur.
Kush ishte ky njeri? Ç'tragjedi do t'i ketë ndodhur? Çfarë e kishte fundosur anijen e tij te lundrimit?! Këto mendime e brenin Zanën sa herë shkëmbehej me të.
Të nesërmen, pas punës, priti që djali të mbaronte detyrat dhe e pyeti:
-Dori, do vemi t'i çojmë lulet babit sot? (Kjo pyetje përsëritej përditë)
-Djali si me përtesë i tha: -Po mami.
Nndalojnë në dyqanin e zakonshëm për të blerë lulet dhe nisen në këmbë drejt rrugës së varrezave. Mbante gjithësej njëzet minuta nga shtëpia. Shkuan pranë varrit të Vullnetit. Djali si zakonisht hipte sipër pllakës së mermerte dhe puthte fotografinë e të atit. Zanës i visheshin sytë me vesën e zakonshme të atij vendi. Bisedonte me Vullnetin, i thoshte ngjarjet e ditës. Ai dukej sikur e vështronte me një buzëqeshje të dhembshur. Në këtë bashkëbisedim me perjetësinë Zana u përhumb dhe më pas vuri re që Dori s’ishte më aty. U çudit. Shikoi përreth… C’të bënte?! Nuk mundej as ta thërriste, se nuk bënte të ngihej zëri në atë vend. E kërkoi me sy dhe e pa diku, dhjetë metra më tutje, tek fliste me dikë. Mbaroi obligimet me lulet, mbylli portën e rrethimit dhe u drejtua drejt djalit.
Dori po bisedonte me burrin që shkëmbeheshin çdo ditë.
-Me kë ke ardhur ketu ? - e pyste burri.
-Me mamin, –u pergjigj Dori.
-Kë keni këtu ? - e pyeti prapë zotëria.
-Kemi babin.
I përkëdheli Dorit flokët me dorën e lirë, se në tjetrën mbante cigaren.
-Babai yt është shumë krenar me ty, qenke djalë flori.
- Faleminderit, - tha djali.
Zana ishte afër tyre.
-Përshëndetje zoteri, - foli Zana me zë të mekur.
-Përshëndetje zonjë, - iu përgjigj burri. Zana ngriti kokën dhe vuri re dy sy të përlotur,
me ca damarë të kuq të theksuar si ata përrenjtë që i fryjnë shirat e pranverës. Kurrë s’kishte parë sy të tillë. U rrek të kërkonte falje për bezdisjen e djalit, ndërkohë lexoi mbi varrin përballë.
Kreshnik Mali, lindi 17.01.1990….dhe s ‘arriti të lexonte më tej. Iu duk sikur data e vdekjes s’ishte shënuar. E mpirë u kthye nga i ai. Deshi ta ngushëllonte…Arriti të bëlbëzonte disa tinguj nguu… Burri e vuri re dhimbjen në sytë e Zanës.
-Faleminderit zonjë…ju duhet të jeni e fortë keni një thesar pranë, - ia kheu burri.
Zana e kuptoi se bëhej fjalë për Dorin. Kërkoi falje, mori Dorin nga dora dhe u nis të kthehej.
-Nuk do të vini ju ? - insistoi Dori. - Burri heshti...
Zana përshëndeti dhe e tërhoqi djalin pas vetes dhe nisin rrugën e kthimit
-Zemer, mos e bezdis më atë xhaxhin..., - e këshilloi Zana.
-Nuk është mirë zemër të shqetësosh njerëzit kur vijnë këtu. Ata vijnë të çmallen me të afërmit.
-Po si të ç’mallen... ata si takojnë dot? - Pyeti Dori.
-Flasin me ta, zemra e mamit..siç flas unë me babin.
Nënë e bir morën rrugën e kthimit. . Rrugës së kthimit po mendonte për njeriun që takuan .Zemra të pushtuara nga akulli mendoi. Megjithatë kishte bindjen se zemra e njeriut është e madhe stinët do ti ndërronte dikur.Sado e akullt të jetë diku në një cep të saj dimri do të kalojë dhe do të ketë vend për celjen e ndonjë luleje pranvere…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen