F A Q E T

Montag, 21. April 2014

Fadil Curri - Letërsia dhe lufta në Kosovë

FRANCEZJA NATALI VUAJTI SI SHQIPTARET

* Arben Kondi: "TMERRI"(roman), "Ilar", Tiranë 2012, faqe 267

Libër letrar që e kam lexuar pas luftës së fundit të Kosovës dhe që më ka lënë përshtypje, është romani i Arben Kondit, shkrimtar me prejardhje çame, "Tmerri". Tema e tij është lufta e Kosovës(1997-1999). Interesant librin e bën kompleksiteti i personazheve, skajshmër
isht antipodë për pikëpamjet dhe shpirtërat e tyre; në njërën anë përndjekësit, në tjetrën të përndjekurit; në njërën të armatosurit, në tjetrën duarboshët; në njërën tërësisht të lirët, në tjetrën skllavët bashkëkohorë.

Protagoniste e romanit është francezja Natali, e fejuar si studente me kolegun e tij serb nga Universiteti i Strasburgut, martuar në Nish(Serbi), nga e cila lidhje është edhe djali Ivi. Kryeheroina e librit është viktimë e dashurisë mashtruese e një eksperti ushtarak serb, Zllatko, i cili pas shpërthimit të luftës në Kosovë, e detyron gruan e tij, Natali, bashkë me të birin parashkollor, Iv, të shkojnë në Kosovë, fillimisht në Gjilan, pastaj në Prishtinë e përfundimisht në Gjakovë. I mungon vullneti gruas të shkojë në ambientet e luftës, por familja e bën të veten, me shpresë se do të mbijetojë mënxyrat. Por, vështirësitë e jetës në luftë ishin të papërballueshme, sa edhe të jetë në lavjerësin ndërmjet karakterit njerëzor dhe atij sadist. Natali e zgjedh karakterin e parë, pra atë njerëzor.

Natali e përjeton egërsinë shovene të Zllatkos, burrit të saj, i cili u vu në shërbim gjakësor të soldateskës serbe, duke u shprehur se duhet shfarosur shqiptarët. Vazhdimisht egërsia e tij formësohet edhe me imoralitet sadist dhe këtë e vërente Natali, bile nisi te kuptojë se burri i saj është ndër më meritorët për vrasjen masive të shqiptarëve, përdhunimin e grave dhe dhënien e urdhërave për shfarosje. Këto vepra e bënin më të pabesë Zllatkon te Natali, e ftohën familjarisht dhe e tendosën të mendojë se si të shpëtojë fëmija Iv që të mos përjetojë rrethanat çnjerëzore. Kulmin e të ligave të Zllatkos e përjetoi kur në bodrumin e hotelit "Pashtrik" të Gjakovës e pa atë duke e dhunuar një vajzë të re shqiptare. Nga ky çast Natali vendosi të ndahet nga Zllatko, me këtë edhe nga rrethanat e pështira që i përjetonte, përkundër kërcënimeve të tij të mos provonte të ikte Natali, sepse do të kishte pasoja.

Rrethi personazhor i këtij libri në fillim është tejet i ngushtë, nga Zllatko e Natali dhe fëmija epizodik, por pastaj nis të zgjerohet. Në hotelin e Gjakovës Natali njihet me kroaten Zvjetllana, gruan e drejtorit te Radio Gjakovës, me të cilën e bisedojnë edhe masakrën e fshatit Mejë. Kroatja e kupton dhe i ndihmon shumë Natalisë, e këshillon edhe si të ikë natën pasi u fikën dritat dhe nisi bombardimi NATO-s, bile edhe para i jep për rrugë. Në saje të saj Natali me djalin Iv ik nga hoterli dhe i bashkangjitet varganit të ikësve shqiptarë nga Kosova për në Shqipëri, prej këndej në Francë. Gjatë rrugës në turmë me shqiptarët sheh e dëgjon skena trishtuese, si para syve ia marrin gruan burrit, ia vrasin edhe atë; ua vrasin vajzën para prindërve, kur ajo refuzon t' ua kënaqë epshet paramilitarëve serbë.

Vështirësitë e udhëtimit i përjeton bashkë me djalin e saj. Natali vë në kokë edhe shaminë shqiptare që të mos dallohet e të kapet nga burri i saj që e kërkonte nëpër kolona, vuan si çdo shqiptare tjetër. Rrënqethës ishte rrëfimi i mësueses se frengjishtes, së cilës ia kishin vrarë djalin e vetëm dhe vajzat, por e edhe për burrin nuk dinte gjë. Liria, si quhej kjo mësuese, ishte ngushëllimi i vetëm i Natalisë, bile edhe shpëtimtarja e vetme e saj, kur nuk kishte as dy metra burri i saj e përpak ta zbulonte. Si shumë femra shqiptare, edhe Natali e përjetoi fatkeqësinë morale, kur në postbllokun e fuindit, para se të shkelnin në Shqipëri, paramilitarët serbe e dhunuan seksualisht dhe ia prenë flokët, duke pandehur se është shqiptare. Sidoqoftë, fati e deshi që të shpëtojë nga vdekja, si shumë bashkudhëtare të saj.

Francezja Natali është personazh shumë metaforik. Sygjerimin e punonjëses së bibliotekës universitare në Strasburg që të hiqte dorë nga serbi Zllatko, duke e ditur se të gjithë fqinjtë po vuanin nga ta, e përjetoi në praktikë. Pas ardhjes në luftë, ishte ndërmjet dy koncepteve (jo)qytetëruese; ai i serbit sadist serb, Zllatko, i cili edhe dashurinë e mbante me mashtrim e hipokrizi, më vonë edhe me kërcënime jetësore dhe, koncepti tjetër ishte i djalit Iv, të cilin nuk donte ta edukionte me urrejtje e luftë, me gjak e kënaqësi mbi vujatjet e të tjerëve. Natali iu përkushtua konceptit të qytetërimit, jo atij serboballkanik, ndonëse e pësoi keq dhe ka mundur të përjetojë vdekjen. Në këtë galeri personazhesh shkrimtari krijon dy karaktere antipode të një botë me heronj e antiheronj. Në bllokun e heronjve, s' do mend në ballë është Natali dhe djali i saj, fqinja e hotelit, kroatja Zvjetllana dhe burri i saj, Sllobo, drejtor i përmbajtur i Radio-Gjakiovës dhe turma shqiptare e të dëbuarve nga Kosova. Në taborrin armiqësor janë Zllatko, paramiltarët, gazetari Prentiq dhe ushtarë e policë dhunues e vrasës. Është interesant personazhi i Millutinit, shofer i Zllatkos, i cili në fillim ishte i bindur, por më vonë sikur zhbindet, sa në rrethanën kur ka mundësi ta zë Natalinë, hiqet se nuk e sheh dhe nuk e lajmëron te shefi i tij, pra burri i Natalisë. Sigurisht që edhe Millutinit iu është mërzitur jeta amorale dhe gjakpirëse e soldateskës serbe.

Personazhet e këtij romani rrymojnë dhe evoluojnë shpesh kundërthënshëm. Bie fjala, deri sa në fillim Zllatkoja ishte engjëllor për Natalinë, shkallë-shkallë peshon kah karakteri negativ, përshtatur qëllimit gjenocidal të shtetit serb të Sllobodan Millosheviqit. Kundërpamje e këtij personazhi është shoferi i tij, Millutini, i cili në fund evoluon me ndërgjegjësim e moralizim, duke mos e zbuluar Natalinë. Zvjetllana përfaqëson femrën stabile, e cila, ndonëse kroater e martuar me një serb, e dënon krimin ndaj shqiptarëve dhe e ndihmon pa farë interesi Natalinë, bile rrezikon për të. Edhe burri i saj gazetar, Sllobo, ngase nuk është projektues i krimeve si gazetari gjakovar Prentiq, është nën hijen e vartësve të tij. Por, kryepersonazhi Natali është shembull se si duhet kërkuar shtigjet e shpëtimit nga e keqja edhe kur janë të padukshme e të pashpresa. Profili i saj dëshmon se me guxim, dije e përkushtim mund të arrihet e paarritshmja. Simbolikisht shikuar, Natali është sakrificë e së ardhmes së djalit Iv dhe shkarkim nga mentaliteti prepotent militarist i serbëve. Metaforë tjetër që rrezaton nga figura letrare e Natalisë është se hipokrizia serbe përballë besimit të verbër francez e gjunjëzohet nga përdëftimi faktik e faktologjik. Sepse, gjithë atë propagandë poshtëriuese që e kishte lexuar e dëgjuar për shqiptarët në Francë, rezultoi e pavërtetë.

Nëna Natali është në purgatorin real; në njërën anë është ferri i burrit mashtrues, serbit Zllatko, kurse në anën tjetër është parajsa e fëmijës Iv. E zgjedh dhe sakrifikoin për këtë të fundit bashkë me djalin Iv, në saje të flijimeve vetanake, ndihmës dhe zemërgjerëisë shqiptare. Natali është shqiptare e natyralizuar për aq kohë sa ishte në varganin e të dëbuarve, personazh-fabulë, mit-legjendë reale. Ora e fëmija e shqoërojnë, sikur shërbehen ndërsjellshëm me Natalinë, trimërohen. Kjo figurë femre është kronikë mbresëlënëse e luftës së Kosovës për lexuesit, është histori që prore njom kujtesën edukative. Natali nuk është fantazmë, por fantazi që këndell shpresën e njeriut.

Romani "Tmerri" është kronikë e letrarizuar e një lufte jo të largët. Me një redaktim gjuhësor më të përkujdesshëm me heqjen e disa fjalëve të tepërta brenda tekstit dhe përfundimin më realist të romanit, do të shërbente si brumë dramatizimi e filmëzimi, riqenësimi në shumë kërshëri artistike, mungesë që stagnon letrarizimin e dokumentares dhe faktologjikes te kultura shqiptare, veçanërisht në riprodhimin e tematikës së luftës letërsi e art përgjithësisht.
 
Shkruar nga Fadil Curri, Prishtinë
Krijues dhe studiues i letërsisë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen