F A Q E T

Dienstag, 13. Mai 2014

Zyrafete Manaj


Zyrafete Kryeziu - Manaj, u lind në vitin 1958, në Therandë (Suharekë) të Kosovës. Aty i kreu me nota të mira, shkollën fllore e të mesme. Më tej, i ndoqi studimet e larta, në Prishtinë. Shërbeu me përkushtim në shkollën e vendlindjes dhe në ato të Gllarevës (Klinë) e Gadimes (Lipjan). Por ishte periudha e pushtimit të egër serb dhe vëzhgohej me kujdes çdo ndjenjë atdhetare e rinisë shqiptare, për liri e pavarës. Njëra nga vajzat trime, ishte edhe Zyrafetja dhe prandaj regjimi i huaj e ndoqi hap pas hapi, deri sa, më 1982, e arrestoi, kur ishte në orën e mësimit me nxënësit dhe e burgosi këtë përhapëse sypatrembur të fjalës shqipe. 
Përveç qendrimit trimëror pas hekurave, atje vazhdoi ta shprehte dufin e urrejtjes kundër regjimit serb, në poezitë që shkroi. Sigurisht, ato arriti t’i botojë ato vetëm më pas, në revistën “Kosovarja”. Ndërsa përmbledhja e parë e saj me poezi ishte, me titullin kuptimplotë, “Loti i tronditur”(Tiranë, 2001). Është e kuptueshme se përmbajtja kryesore e poezive të saj ishte atdhedashuria, trishtimi për vuajtjet e popullit kosovar nën regjimin serb, por edhe qendresa e vendosur ndaj tij.
Libri i dytë i saj është , Vasha e valëve” (Prizren, 2010)
Libri i tretë i saj, është "Mbi uraganin e dhembjeve". Kurse, libri i katërt, "Aty ku prehen dashuritë" është në procesin e botimit.
( Shkëputur nga një shkrim më i gjatë i Murat Gecajt)



ATY KU PREHEN DASHURITË
(Poezi nga libri më i ri që pritet të botohet deri kah mesi i muajit maj)


DET I LUMTURISË

Më fal të drejtën
Të luaj me tingullin e zërit tënd
Të piqem në rrezen e dashurisë
Të prehem me dehjen e qeshjes sate
Në qiellin e syrit tënd
Det i lumturisë

Ma fal të drejtën
E një puthje
Të djegur në vatrën e zjarrit prush
Të freskohet kjo ndjenjë e gulçueshme
Që ndrydhet në pashët e zemrës pa fund

Ma fal të drejtën e zemrës sate
T'i rrokje malli timbrin që thyen
Më fal shkëlqimin e portretit tënd
Që vargjet m’i fal në timen këngë

 
NATA RRI ZGJUAR

E preka errësirën
Unë e ti zgjuar bashkë
Orët i numërojmë pa hile
Në heshtje sa shumë fjalë

Bjer Ti, të fle unë
Ëndrrën ta lidhim nyje në kohë
T'ia falim dëshirat e bardha
Sikur dikur

Syrit ia kënda ta puth qepallën
Unë ty ballin e bulëzuar
Ta mbështjell me natën time zgjuar
Ta var në arterie zemre
Portretin tënd

 
SHI VERE

Në prushin e zemrës
Digjet ëndrra
Ky shi që bie
I fal njomësi

Të purpurta ditët
Ato rinie
Eh!
Seç më ngjallin nostalgjinë

Me rrudha balli
Rrugët numëroj
Kujtimin e mat me dritën e hënës
Tek bliri i gjelbër
Nën atë aromë
Aty thyhen prangat e një kohe të nëmur

Në bri i rrinim fontanës plakë
Me lojë dashurie freskinë ia vidhnim
Nuk e di sot pse koha me ndjek?!
Apo ky shi më zgjoi mallin

 
SYTË KAH DIELLI

Kur aromë
U vodh atë ditë
Erës iu fal
Në horizonte u shpërnda
Dielli qeshi tinëzisht
Tokës iu fal

Eh…!
Lulebozhure Kosove
Kapërthyer në petale
Triumfin a e vërejte
Apo diellit iu fale
Në hapësirë

Sytë kah dielli ishin

 
NË MËNYRËN E VET

Bartur
Nëpër krah ditësh
Në kohën
Që gëlltitet nga pritja
Si meteori në lojën e vet
Tinëz shkrep
Zhduket
Fiksimi mbetet
Rrugë pa fund
Si dashuri e parë
S’e mbulon dot harresa
Mbështjellë
Me dregëz kohe
Ruhet si një kujtim
Në agimet pa fund
Në mungesë
Pesha e vret

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen