F A Q E T

Samstag, 12. Juli 2014

Rexhep Shahu

Rexhep Shahu

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike, kurse Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, ka punuar zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi e keshilltar per mediat e marredheniet publike në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.
Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite si kryeredaktor edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë. Është aktualisht prej tre vitesh botues dhe kryeredaktor i Illz, reviste letrare e Tiranës.
Rexhep Shahu ka botuar klëto libra : “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi me bashkeautoresi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011; “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012; “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 dhe “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014; Sytë e Lirisë, monografi, Tiranë 2014; Ku ishe ti Hero, Tiranë, 2015; Kjo verë mërzie, Tiranë 2016; Shkrimtarët për Havzi Nelën – shpirti i lirë i Lumës , Tiranë 2018, përgatitë; Havzi Nela , Shtatë Fletore, Tiranë 2018, përgatitë.
Rexhep Shahu është botues, president i "Klubi i Poezisë", me qendër në Tiranë.


Poezi nga Rexhep Shahu


NGA DRITARJA IME
NË MAJË TË PIKËLLIMËS

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Vështroj si zog përmbi botë.
Me dritën e syve të mi
Shkruaj melodinë e përmallshme 
Të një kënge të trishtë që s’e njoh.

Lexoj luftrat e humbura të të parëve të mi
Luftra të përgjakshme ku secili
Prej tyre edhe pse ish ushtar i vetëm 
Sillej si ushtri.

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Shoh luftrat e sotme të bashkohësve të mi
Luftra të egra që bëjmë me veten, 
Mburrjet neveritëse të humbësve
Dhe mashtrimin që humbjet i shet si fitore.



LEHJA E QENVE

Si nuk u kujtua kush për festivalin e lehjes 
Në qytetin tonë qenëshumë
Qen që lehin e s’të hanë, 
Qen që s’lehin e të hanë tinëz.

Festivali i lehjes do t’ia shtonte dinjitetin qytetit
Që lehjet muzikë i ka në sfond ditë e natë.

Lehja askujt s’i prish punë, 
Liria jonë është liri e lehjes.



KUR T’MË SHOHËSH PA SY

Kur të shohësh bosh gropat ku duhej të ishin sytë e mi
Gropat e zeza pa sy, 
Pafund të frikshme, 
Mos mallko kot korbat. 

Kur t’më shohësh pa buzë
(Mbeti në buzë të nxira tuli i buzëve të mia).
Kur të shohësh dhëmbët e mi të ndryshkur
Që duken sikur qeshin për botën,
Mos mallko të qeshurën,
Mos mallko borën.

Kur t’më shohësh pa zemër,
Kur t’ma shohësh bosh zgavrën e kraharorit 
Pa shpretkë e mushkëri,
Mos i mallko zotat.

Zotat do të thonë më vonë,
Se frymuan dikur në tokë
Do hije,
Që ngjanin si njerëz
Dhe hanin njerëz.



SI TA SHKRUAJ HARRIMIN 

Si ta shkruaj se të kam harruar, kur nuk shoh letër të bardhë, 
Por veç fytyrën tënde derdhë nga sytë e mi.
Lapsi nuk vlen për të shkruar, filloj me gishta
Të shkruaj buzët e tua, të prek hundën tënde
Të puth nishanin tënd dhe ti gudulisesh.

Si të shkruaj se të kam harruar a dua të të harroj
Kur harrohem në ty dhe s’kam kohë për gjë tjetër,
Kur pamja jote ka zënë sytë e mi gjithë kohën
Si tani kur të shkruaj letër.

Më thuaj si ta shkruaj harrimin e vetës time në ty.




HISTORINË E SHPIRTIT TIM 

Historinë e shpirtit tim unë mund ta shkruaj 
Vetëm me ty, vetëm mbi ty e në ty. 
Nuk gjeta kurrë pergamenë tjetër,
Letër tjetër, rrasë guri a tokë tjetër, 
Ku të mbjell veten e ëndrrën ta rris.

Nuk gjeta kurrë liri as burg pa ty gjysma ime,
S’e pashë kurrë veten sa jam, si jam,
Pse jam, përveçse në sytë e tu
Të pafund që kanë zënë brenda
Gjithë qiejt e dimrave e detet e verës bashkë.

Historinë e shpirtit tim unë mund ta shkruaj
Vetëm në çastet e marrëzisë së thellë,
Teksa rend me buzë si rreth botës, rreth gjinjve të tu,
Teksa vizatoj me duar gjurmë të papërkthyeshme
Nëpër barkun tend, strehë e zotave. 



PO BËHEM MBRËMJE 

Dalëngadalë
Po bëhem mbrëmje,
S’kam më sy,
Por dy male mjegulle.
Brenda syve dy kalorës pa kuaj zvarriten
Dhe një diell i shuar që kush e di kur ka vdekë.

Dalëngadalë po bëhem ikje,
S’kam më këmbë,
Por dy kaproj vetmie.
Në brirë kaprojsh është ngatërrue pylli, 
Nuk di nga mund të dilet.

Dalëngadalë po bëhem dhimbje,
S’kam më duar,
Por dy mjellma malli.
Në krahët e tyre do ta mbaj qiellin
Dhe botën që është veç prej ajri.



UNË E DI BIJË 

Unë e di bijë
Askund nuk jam i pacënueshëm 
Si në mbretërinë e dashurisë tënde,
Askund nuk jam më i sigurtë dhe mbret i vërtetë
Sa në planetin tënd të dashurisë,
Askund nuk jam më njerzor, bijë
Sa nën vështrimin e ëmbël të syve të kujdesit tend,
Askund nuk jam më ngrohtë se në zemrën tënde.

Në netët e errta të jetës
Duart e tua më mbështjellin fytyrën, 
Ma ngrenë kokën të shoh yjet që vallëzojnë në qiell
Dhe në sytë e tu.

Në ditët e trishta kur dimri më ngrin, 
Duart e tua mbështjellin fytyrën time, 
E kthejnë nga dielli
Dhe unë ngatërroj diellin me ty.

Unë e di, bijë, 
Kur qesh ti, kur qeshin sytë e tu
Qesh rruga, qeshin vëllezërit e tu krenarë për ty 
Qeshin orenditë, pikturat, librat, pemët, oborri, lulet 
Qesh shiu kur bie, po, betohem qesh shiu kur qesh ti.

Unë jam i bekuar, më i bekuari i zotave në jetë

Qeshja jote bijë është zemra ime. 



TI KURRË NUK MUND TË JESH MË E BUKUR

Me mollzat e gishtave pikturoj në fytyrën tënde
Gjithë ëndrrat e mia. 
Me dritën që buron nga sytë e mi kur të shoh,
Vizatoj udhët që kalova dhe udhët që më presin.
Kur ti buzëqesh tek më sheh sa pikturoj
Bëhem kanibal për buzët e tua që i thith,
Derisa ti më gudulis që ta ndërpres.
Kur ti më vështron ashtu thellë,
Unë hesht dhe zhytem në sytë e tu.

Teksa lundroj si në lumenj, në fytyrën tënde
Dhe shoh vetën të pikturuar aty, 
Ti më dukesh më e bukur se kurrë,
Fillimi dhe fundi i botës është në ty,
Fillimi dhe fundi i çdo horizonti dhe mendimi,
Verimi e dimërimi.

Unë që s’kam besuar në zot asnjëherë, 
Të shpall në heshtje e me zë zotin tim të vërtetë,
Zot që të besoj dhe të falem,
Zot që të shoh e të prek,
Zot që më jep besim e jetë, 
Dhe nuk ka kund tjetër zot në asnjë qiell,
Zot i vetëm i imi je ti.
Unë e shoh teksa pikturoj me gishtërinjtë e mi
Ëndrrën për jetën në fytyrën tënde.

Me mollzat e gishtave rrëshqas nëpër fytyrën tënde,
Lehtas e dridhshëm si flutura mbi lule
Qiejve s’ua gjej dot fundin,
As deteve që i shoh bashkë në sytë e tu.

Ti kurrë nuk ke qenë më e bukur 
Se kur unë pikturoj në ty, në fytyrën tënde
Sigurinë time, vrasjen e frikës dhe përkëdhel shpresën.

Kurrë nuk mund të jesh më e bukur 
Se kur ta pi lotin e gëzimit në burim të cepi i syrit,
Lotin e sigurisë së burrit që njom rrënjët e paqes
Dhe mëkon fuqinë për jetën. 

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur unë shkruaj në ty
Në fytyrën tënde me gishtërinjtë e mi
Fjalët e pashkruara që s’i thotë asnjë gjuhë.

Ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur
Se në çastet kur ta marr kokën në duar,
I ngazëllyer çmendem e harroj të flas,
Të vështroj e të puth të vështroj e thërras.



VIJ PATJETËR 

Gjithmonë do të kthehem te ti,
Vonoj, por vij patjetër.

Si mall, si thinjë, si rudhë
Si lot i pavënë re, si harresë,
Si dorë që dridhet
A udhë që s’shkilet.

Edhe kur vonoj e s’vij
Vij patjetër! 



NË MOTET QË DO TË VIJNË

Heronjtë heshtin. Ç’kishin për të bërë e bënë,
Gjithnjë do vdesin për Atdhe.

Trimat që ikën nga lufta
Kërkojnë statuja trimërie.

Që njerzit të kenë një vend më shumë 
Ku të bëjnë shurrën në motet që do të vijnë.



E KA FAJIN VETË, AJO KURVË

E ndjej shollën e këpucëve tuaja
Mbi eshtrat e mia që kërcasin prej dhimbjes,
E ndjej por s’kam fuqi të thërras,
S’kam kujt t’i thërras,
As pse t’i thërras,
Askush në qytetin tonë nuk të gjendet pranë,
Nuk bëhet me ty kur ke nevojë.

Të gjithë të bëjnë fajtor
Dhe thonë në kor, e ka fajin vetë kjo kurvë!

E ndjej gëlbazën kur pështyni mbi mua,
E shoh kënaqësinë tuaj, kur pështyni gëlbazë
Mbi fytyrën time,
Kur kruani fytin si gjiriz i papastruar kurrë,
Ju njerëz gjirize mbi gjirizin e madh të qytetit tonë
Ku mbretërojnë minjtë.

Ju minj, mbretër të qytetit
Që thërrisni në kor: “Vetë e ka fajin ajo kuuurvë”!
___

Nga libri "Qyteti i Lutjeve"

1 Kommentar:

  1. Faleminderit Dr DAWN që më ndihmove të kthej të dashurin tim me magjinë tënde të dashurisë, jam shumë i emocionuar që po jetojmë të lumtur së bashku tani me të vërtetë magjia jote e dashurisë është 100% garanci dhe nuk ka efekte anësore. Shikuesit atje, nëse po kaloni probleme në marrëdhënie, ju këshilloj të kontaktoni Dr DAWN për magjinë e tij të dashurisë. Ju siguroj se magjia e tij e dashurisë mund të rregullojë marrëdhënien e prishur dhe problemin e kotësisë sa hap e mbyll sytë. Këtu është emaili i tij i detajeve: dawnacuna314@gmail.com ose WhatsApp: +2349046229159

    AntwortenLöschen