F A Q E T

Dienstag, 26. August 2014

Janaq Pani

Janaq Pani

Janaq Pani ka lindur në Qeparo të Himares me 23 dhjetor 1941. Ka kryer shkollen 7 vjecare (ashtu ishte sistemi shkollor i kohës) në fshatin e lindjes, shkollën e mesme të përgjithëshme në Vlorë, mandej ka kryer një kurs një vjeçar specializimi për gjeolog në Tiranë. Ka ushtruar profesionin e gjeologut nga viti 1960 e deri ne vitin 1992, vit kur doli në pension të parakohshëm dhe ka punuar për 9 vjet në rrethet Tropojë e Kukës, mandej në rrethet Gjirokastër e Vlorë.
Me krijimtari letrare është angazhuar qysh në vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe e ka orjentuar krijimtarinë në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, kryesisht vjersha e poema e pak prozë të shkurter. Në 35 vitet e fundit ka publikuar ne Shqipëri mbi 25 tituj librash për fëmijë e në konkurse letrare të ndryshme është vlerësuar me çmime letrare.
Jeton bashkë me familjen në Toronto, Kanada.


Poezi nga Janaq Pani


POEMTH

1

Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.

Nisën të tre fluturimin
mençurisht shpallën kushtrimin
për lirinë e arsimimin.

Nga një nënë të tre lindnë
zemrat prush e shkëndi synë
për atdheun veten shkrinë.


2

Kush i mbledh e bën Kuvend
gegë e toskë në Prizren
me qëndresë kush i ushqen?

Kush prish pasuri me arkë
kush e shkrep fjalën me flakë
mbi Sulltanë e mbi Bismarkë?

Cilin ndjek Porta e Lartë
me afije ditë e natë
t'i burgosë fjalën e zjarrtë?

Shqipes kush ia rriti namin
kush me gjoks përball tufanin
kush në zemra lind luanin
Mic Sokolat e Sulejmanin?

Është Abdyli fjalë-shpatë
zemërzjarrti, oratori
ylber mbi malet e lartë
me një dritë meteori.


3

E kujt fjala i ka hije
ëndrrat kush i ngjit në yje
kush flet Gjuhë Perëndie?

Kush harxhoi penë e kartë
pena, kujt i kullon mjaltë
kush e mbjell fjalën e artë?


Zemra brenda kujt ia ndjeu
rrugën kush na i rrëfeu
të rilindim si Anteu?

Kush këndoi me mall biri
në çdo vatër, e kush hyri
si një zemër brenda gjiri?

Me durim, e kush ka nisë
në çdo gjoks të djalërisë
të mbjellë farën e lirisë?

Kush për atdhedashurinë
bëri verem mushkërinë
për të marrë pavdekësinë?

Kush u shtri në shtrat të këngës
kush u mboll në luk të zemrës
gur zmeraldi te loti i Nënës?

Kush u bë simbol i besës
kush shkurtoi ditët e tija
e kush qe bariu i shpresës
të mos humbë Shqipëria?

Në Stamboll, kush vetëm fill
larg atdheut sytë i mbyll
dhe në qiell lind si yll?

Kush një jetë si qiri
shqipen mbyllur në qeli
e çburgosi me poezi
i dha dritërim të ri?

Sogjetari që shpërndan
dritën si një flakadan
është Qiriu Naimjan.


4

E kë lodh malli te gjiri
e kujt dritë i bënte syri
kush kish përkushtim prej biri?

Kush mendoi për Shqipërinë
kush lëvroi diturinë
e në Perëndim mban synë?

Kujt në shpirt iu mblodhën dallgët
kush u tret në dhe të largët
për t'ia zbutë atdheut plagët?

Cilin brenga e mundoi
kush të ardhmen ëndërroi
e me shkronja t'arta shkroi?

Kë kërrusi mall i pritjes
kush shkeli shtigjet e ngjitjes
nismëtar i përtëritjes?

Kush kometë në qiell mbeti
kush kishte mendje Profeti
e në shpirt dallgë tërmeti?

Qe Samiu mendje - deti.

+ + +

Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.

Abdyl, Naim e Sami
zemra kurrë s'iu ka ndarë
gdhendur ju në histori
për atdheun Tre Pishtarë.



KËSHTU I KE DHËNË SHPIRT

Hidh ca male në një hartë
Në midis shpalos luginat,
Pishat, bredhat kryelartë
Manushaqet, trëndelinat.

Fushat gjer te deti zgjati,
Me kaskada i bën lumenjtë
Dhe shqiponjėn pėr sė larti
Që mbron çerdhen mbi shkëmbenjtë.

Të gjithë njerëzit i skalit
Me tipare burrërore,
Kështu i ke dhënë shpirt
Mbi glob tokës Arbërore.



O TOKA MËMË
ME SHPIRT TË DUA

O toka atë, o toka nënë
Të parët tanë na kanë lënë.

Na lanë fushat, pyjet, buronjat
Dhe majëmalet ku rri shqiponja.

Na lanë nderin, na lanë besën
Dhe burrërinë edhe qëndresën.

Na lanë shkronjat, gjuhën amtare
Që nisin rrugën në abetare.

E shtrenjtë je gjithmonë për mua
O toka mëmë, me shpirt të dua.



PËR SHQIPËRINË
JETËN SHKRIU

( Naim Frashërit )

Gjeti penë e gjeti kartë
Kish dhe fjalëzën e artë
Kishte zemërzën e artë.

Për Shqipërinë jetën shkriu
Veç në këmbë si qiriu
Ndaj dhe manushaqja mbiu.

I këndoi trimërisë
Bagëtisë e Bujqësisë
Ky baba i vjershërisë,
Nder e nur i bukurisė.

Ju fėmijë të gjithë e dini
Është poeti i madh Naimi.



NË DITËLINDJEN E ELONËS

Vogëlushja jonë Elonë
ditëlindjen po feston.

Uron mami, uron babi,
gjithë fëmijët e pallatit.

Vijnë shokët, shoqet vijnë,
mbushin plot me gaz shtëpinë.

Në një gojë të gjithë i thonë:
" Njëqind vjeçe u bëfsh Elonë!"

Sot dhe lulja e shqiponjës
duket se i thotė Elonës:
"Çfarë kërkon të të dhuroj?
Ja, një gjethe po e shtoj!

Si më shtohet mua blerimi
ty, Elonë, t'u shtoftë gëzimi!"



VJEN E MË SHFAQET
NJË YLL
( Për mbesën Joanë)

Se ç'më ngjan një çupë e bukur
Herë zog
E herë flutur,
Herë si yll i këputur.

Dhe sa herë sytë i mbyll
Vjen e më shfaqet ky yll
Brenda syrit më bën dritë
Pa më zbret nga lartësitë
M'i sjell pranë Perënditë
Kjo e mira e florinjtë.

I malluar krahët hap
Këtë yll dua ta kap,
Ta mbaj butë në pëllëmbë
Ëmbël t'i këndoj një këngë
Ta hedh hopa nëpër duar
Ta shtrëngoj në kraharuar
Unë gjyshi i malluar,
Këtë yll me rrezatime
Që i ngjan Joanës time.



FOTOGRAFIA

Uuu, moj mami, sa çudi
bëj me babin dhe me ty,
sa herë dal fotografi
po më luteni të dy:

"Shpirt i vogël, pa qesh pak
aparati kur bën traaak!..."

Mami, moj, lodheni kot,
i kurdisur nuk qesh dot.

Kur po shoh Tomin e Xherin
si po ndjekin njeri-tjetrin,
pa kuptuar hedhin grepin
fët e fët gazin ma nxjerrin.

Atë çast me zemër qesh
më shkon goja vesh më vesh.
Atë çast moj mami, ti
traaak, më nxirr fotografi.



NË DARDANI

O gjysh, unë në Dardani
Nuk kam shkuar ndonjëherë,
Malli që më djeg në gji
Ndonjë ditë do më shpjerë.
Brenda në Prizren të Besës
Do ndjek gjurmë trimërie,
Si ata që dhanë jetën
E vunë kurora lavdie.
Te kullë e Jasharëve djegur
Më flet zemra:"Çun qëndro!
Në se nuk je zemërhekur
Nuk shndërrohesh dot hero!" 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen