F A Q E T

Montag, 1. September 2014

Çasje specifike ndaj autorit dhe veprës letrare

Monografi shkencore
e ҫasjeve specifike ndaj autorit
dhe veprës letrare
  • Dr. Sc. Faik Shkodra “Visore letrare (vepra të Fran Ukcamës)”, monografi kritike dhe analitike, “Shkëndija”, Prishtinë, 2014
 
Shkruan Rrahim Sadiku
 
Viteve të fundit, në letrat shqipe, po shtohet numri i studimeve monografike për autorë e vepra, të cilat ishin shumë të pakëta në numër e ishin bërë vetëm për disa autorë të caktuar, prandaj mungesa e të cilave ishte mjaft e ndjeshme. Marrja serioze me studime të këtilla dhe synimi për të na e pasqyruar shumëdimensionalisht një autor, një vepër apo një rrjedhë letrare, ka bërë që këto vepra të jenë të mirëpritura nga lexuesit e sidomos nga studiuesit e kësaj lëmie, pasi studime të këtilla i mundësojnë kritikut, në radhë të parë, të flas për autorin e për veprën e tij pa kufizim dhe përimtësisht. Si të këtilla, këto vepra e demantojnë praktikisht thënien hipotetike të Roland Barthit për “vdekjen e autorit” dhe tregojnë se vepra e autori gjallërojnë e jetojnë së bashku,kudo e kurdo, në kohë e në hapësirë. Këtë bashkëjetesë e këtë lidhje të pandashme midis autorit e veprës së tij na e nxjerr me sukses në dritë edhe studiuesi i palodhshëm, Dr. Sc. Faik Shkodra në këtë vepër monografike e studimore, kushtuar veprës dhe jetës së krijuesit Fran Ukcama, me përvojë pothuaj pesëdhjetëvjeҫare në fushën e krijimtarisë letrare (i lindur në Betoshë të Nikaj-Mërturit, afër Tropojës, më 1946), duke nxjerrë në dritë afinitetin krijues të këtij autori, vlerat artistike e estetike që sjell ai në krijimet e tij, temat e motivet me të cilat merret, figurshmërinë me të cilën shërbehet dhe aspekte të tjera, universale e personale, që dalin nga krijimtaria e gjatë dhe e shumanshme e Franit.
 
Dr. Sc. Faik Shkodra, gjatë hartimit të kësaj vepre, krijimtarinë e Fran Ukcamës e ka parë, ndjerë dhe mbarështruar nga shumë aspekte, duke u munduar të mos i shpëtojë as edhe një vogëlsi e saj pa u nxjerrë në dritë. Veprën e këtij autori ai e ka shikuar nga shumë prizma, duke e trajtuar si objekt dhe si subjekt të studimit të tij; si burim jetësor e si pasuri letrare; si prodhim të një kohe e si vazhdimësi të traditave krijuese shqiptare; si frymëzim të pastër krijues e si histori shpirtërore e imagjinative; si ushqim për shpirtin e si art që synon të pavdekshmën. Për ta arritur këtë ai ka arritur të praktikojë me sukses gërshetimin e metodës lexim-studim-mendim kritik, e cila më bindshëm, më pranueshëm dhe më thellësisht e vë në zbatim lidhjen lexues-vepër letrare. Kjo metodë mundëson që të kalohet dallimi i ndjeshëm, por i padukshëm që krijohet midis kritikës së ftohtë letrare, që sikur e shndërron mendimin kritik në shkencë ekzakte dhe kritikës që merr shumë nga vepra që ka për objekt studimi, duke u shndërruar kështu nga mendim i jashtëm për veprën letrare, në pjesë përbërëse të kësaj vepre.
 
Gjatë leximit të këtij studimi të Faik Shkodrës, hasim shumë mendime kritike, estetike e teorike, tejet të qëlluara, që ka ai për krijimin letrar si tërësi, por edhe për zhanre të ndryshme letrare, në veҫanti. Kur analizon poezinë e Ukcamës, Faiku i përkushtohet pasqyrimit të saj nga aspekti ndjenjor, nga lirizmi që buron nga ajo dhe nga pasuria e figurshmërisë me të cilën shërbehet autori. Kur analizon romanet e Franit, Faiku i shikon ato nga aspekti i temës, kohës, rrëfimit, shtrirjes historike e gjeografike që kanë ata, duke u kushtuar vëmendje të madhe e të vazhdueshme personazheve, si bartës të ngjarjes e si karaktere. Me mjete tërësisht të ndryshme shërbehet ai kur flet për shkrime dhe interesime të zhanreve të tjera, të cilat i ka marrë për shqyrtim. Kjo metodë studimi, që nuk e ndan mendimin kritik në një anë dhe veprën letrare në anën tjetër, po i njëson dhe shtron për leximin njëkohësisht ato, është treguar si mundësi shumë më e qëlluar për të arritur krijimin e një ure lidhëse, gjithnjë të kërkuar, midis lexuesit e veprës letrare, sepse sqaron e nuk dikton norma e shablone për brendinë, formën dhe porosinë e krijimtarisë letrare. Duke qenë e këtillë, kritika studimore e Faik Shkodrës bëhet moderne, aktuale dhe hap vizione për kritikët e ardhshëm.
 
Zhanret e shumta krijuese, me të cilat merret Fran Ukcama, i kanë mundësuar studiuesit të veprës së tij të nxjerr më lehtë në dritë pikëpamjet e veta për artin dhe jetën, për realen dhe imagjinaren, për formën dhe për përmbajtjen, për tekstin e për nëntekstin, për shpirtin krijues e personazhin që intrigon. Këto Faiku i arrin duke ndjekur rrugën analitike, gjatë përshkrimit kritik të krijimeve të Ukcamës, po shpesh kalon edhe në ҫasje sintetike studimore, ashtu që vepra e cila na pasqyrohet, të shikohet nga më shumë aspekte e të krahasohet edhe me krijime simotra të autorëve tanë e të huaj. Janë këto vepra që marrin frymë si prozë e si poezi, si realitet i pasqyruar përmes imagjinatës; si imagjinatë që e ka bazën në realitet, i cili shkon, të shumtën, vizavi me jetësoren, historinë e me botën që na rrethon. Njihemi këtu me krijime që na shpien edhe më tej se realja jetësore, sepse autori, gjatë hulumtimeve të bëra, na e shpalon edhe të padukshmën, edhe të dëshiruarën, edhe shpresën e ëndrrën. Njihemi kështu me një botë të krijuar nga thellësia e shpirtit, të ushqyer nga mbamendja e njohuritë e gjëra dhe të dimensionuar si dashuri, si mundësi e si nevojë. Të lë përshtypje gjerësia e interesimeve që autori nxjerr nga vepra e Ukcamës, lidhja me historinë aktuale e me të kaluarën, ajo fuqia shpirtërore që i shoqëron ato; ajo delikatesa artistike e stoikja artistike që gërshetohen thellë e bindshëm si art. Mu këto e shtyjnë Dr. Faikun të konstatojë se shkrimtarët janë të dashur dhe të nderuar në gjirin e popullit nga gjiri i të cilit kanë dalë; të dashur për lexuesit e veprave të tyre dhe të denjë për të ҫmuar e vlerësuar gjurmën që lënë ata, në kohë e në hapësirë, me krijimet e veta. Ky konstatim forcohet me thënien e autorit: “Ҫdo vepër letrare hartohet mbi ngjarjet e kohës dhe krijuesi me përvojë në procesin e krijimtarisë letrare e me imagjinatën krijuese, ndërton boshtin thelbësor të veprës, shkrin dhe gërsheton një mori faktorësh “material e shpirtërorë, gnoseologjikë, substancialë e formalë”. (f.147) Kur flet për ndryshimet që ndodhin vazhdimisht brenda dhe jashtë krijuesit, si ndjekja e kërkesave dhe gjurmëve të kohës, Faiku konstaton: “Kështu ngjet me krijuesin tonë të afirmuar, Fran Ukcamën, i cili objektivisht është ndër shkrimtarët më të lexuar dhe ndër artistët e fjalës së shkruar më për zemër për lexuesit e vegjël.” (f.52) Duhet të themi se autori shpesh e ka hetuar se krijimet e Fran Ukcamës shpesh përshkohet nga didaktizmi,po që te ky krijues na vjen si vlerë, si dukuri dhe si zgjidhje.
 
Studimin monografik për veprën e Ukcamës autori e fillon me veprën “Kulla në qerpik të diellit”, përmbledhje poezish, e cila sipas tij shënon arritjet kulminante të këtij krijuesi në fushën e poezisë. Për të arritur që të na mundësojë të komunikojmë me këto krijime, Shkodra bën përimtimin e motiveve, llojet e vargjeve, figurshmërisë e gjetjeve artistike, që të gjitha së bashku na mundësojnë të kemi një pasqyrë të plotë për artin poetik të Fran Ukcamës. Kurse veprës “Postieri i zemrave”, roman për fëmijë, ai i qaset nga aspekti i temës, rrëfimit e karaktereve të personazheve, duke na mundësuar që të tërë veprën ta shohim përmes përshkrimeve historike, gjeokrafike, etinike, etike, kulturore e të traditës. Një studim me peshë është ai për veprën “Vjosana bija e delfinit”, gjithashtu roman për fëmijë, në të cilin më shumë përshtypje na lë Vjosana, si symbol i vuajtjes, i sakrificës, i dhembjes e i mirësisë njerëzore. Ajo na pasqyrohet edhe si simbol qëndrese, shprese e bukurie. Dallohen nga autori këtu qasjet risimtare të autorit, që janë si një udhëtimin e gërshetuar midis kohës, imagjinatës e realitetit historik. Dimensioni letrar dhe përkushtimi i krijuesit për të nxjerrë në dritë ide, mendime, ndodhi e mundësi, që shohin secilën gjë ndryshe e secilin segment të jetës nga një dritë tjetër. Nisur nga kjo, Faiku këtë krijues e krahason përkushtinin e Fran Ukcamës ndaj krijimtarisë imagjinative me punën e bletës. Ky vlerësim na bëhet më i dukshëm tek studimi për librin “Zemra shkruan kartolina”, përmbledhje poezish për fëmijë, brenda së cilës, sipas autorit, jeton artistikisht një botë e madhe shpirtërore e fëmijëve, me shumë synime, etje dëshira. Analiza e poezive të kësaj përmbledhje bëhet e thellë dhe me përkushtim, me fjalor të pasur, me shkrehje shkencore, duke e afruar kështu lexuesin edhe më shumë me krijimtarinë e Ukcamës në përgjithësi.
Faik Shkodra shpesh analizon si të veҫanta pikëpamjet e Fran Ukcamës për shumë ngjarje, dukuri e ndodhi për ngjarje brenda kombit e në gjithë globin. Shohim se tek ai ka një interesim dhe inspirim të thellë e të vazhdueshëm për ngjarjet e viteve të fundit në Kosovë, për gjendjen e kombit shqiptar, për mërgimin si dukuri e si realitet dhe shohim se për të gjitha këto përkushtimi krijues i Fran është i thellë, I përjetuar shpirtërisht dhe i lidhur ngusht me besimin se e kaluar nuk do të harrohet, se ajo do të jetë mësim i vazhdueshëm për gjeneratat e reja, të cilat do të krijojnë një jetë më të këndshme e një mundësi zhvillimi krejt ndryshe. Kjo na bën që shpesh të ballafaqohemi me antitezat: histori – padrejtës - krenari, qëndresë – fitore, pësim – mësim, mërgimi – atdhedashuri, njohja – ardhmëri, po nuk mungojnë as dënimi i humbjeve, klithma për viktimizimin e shqiptarëve, nga të cilat rritet shpresa e ardhmërisë dhe dinamika e jetës. Ukcama nuk i do Shqiptarët të huaj në trollin e tyre, të ndarë, të vrarë e të etur për të arritur ditën dhe dritën e bashkimit, por të dinjitetshëm e zot në truallin e tyre e krijuesë të ardhmërisë së tyre.
 
Fëmijët, kudo janë ata, po sidomos prania e madhe e fëmijëve shqiptarë në diasporë, ku ballafaqohen me pengesa, mentalitete e kërkesa të ndryshme, janë preokupim i vazhdueshëm i trajtimit në romanet e Fran Ukcamës. Trajtimi i gjërë dhe i gjithanshëm i kësaj teme dhe thellësia e njohjes së saj, nga Faik Shkodra vlerësohet si një nga arritjet më të mëdha krijuese të Franit. Në këtë mes del edhe delikuenca e të miturëve, si dukuri e përhapur në botën modern, e cila lë pasoja të mëdha për të ardhmen. Në shumësinë e personazheve që analizon Faiku, shpesh na del në dukje bota e krimit, vuajtja e varfëria dhe kjo krijon parametra të rinj krijimi, për të arritur deri te shndërrimi i tyre në dimensionin artistik. Këtë e hetojmë më së miri tek shkrimi për librin “Zemra e nënës shegë e plasur”, roman për fëmijë, i cili fuqimisht e bën reale maksimën: ”Nëna të mban nëntë muaj në bark e tërë jetën në shpirt” (f. 138). Na jepen të mëdha e tejet të dukshme dashuria e pamasë amtare dhe zemra e nënës, e cila jeton me fëmijën e për fëmijën. Autori heton se ky krijues e shndërron në lapidary pavdekësie figurën e nënës. Kjo temë pak a shumë trajtohet edhe te romani “Bobi i biznesmen beut” dhe aty na del në dukje specifika e fëmijërisë pa fëmijëri, e prindëve pa mundësi përkujdesjeje për ata që i kanë sjellë në jetë, se kontradiktave që sjellin ndryshimet shoqërore. Shfaqet aty besimi i autorit tek fuqia e artit, i cili stimulon mendjen e shpirtin dhe largon ligësinë e urrejtjen. Kjo fuqi lidhet ngusht me rolin edukativ dhe arsimor që ka arti, gjë që, sipas autorit, shihet shumë dallueshëm në veprën e Fran Ukcamës. Dr. Faiku i vë në spikamë, si vlera e si arritje të vewanta poezitë e Ukcamës kushtuar Festës së Abetares, me të cilën lidhen tridhjetë e gjashtë rrëfime nga më të ndryshmet, një tregim për një shkronjë, që nuk janë diwka e re si temë, po që sjellin shumë risi, si përmbajtje. Ai thekson se secili prej tyre na vjen ndryshe, me ngjarjen e vet, me realitetin artistik që përmbanë dhe me synimet për ta parë e bërë më ndryshe botën e fëmijëve, perms njohjeve e diturive të fituara. Kurse shkrimin për librin “Kështjella e kujtesës” autori na e sjell si dëshmi për aftësinë e Fran Ukcamës që të merret me eseun, tregimin, skicën, historinë, kujdesën kombëtare e me dukuri të tjera që janë preokupim i gjeneratës së tij e sidomos i gjeneratës më të re.
 
“Baca i Muzeqesë dhe Dardani i Reҫakut”, romani më i ri për fëmijë i Fran Ukcamës, analizohet nga autori gjithanshmërisht, sidomos figura brilante e Sali Krasniqit, një burri të traditës së mirëfilltë shqiptare, përmes të cilit vihen bindshëm në dukje sakrifica, humanzimi, si forcë shpirtërore e si dukuri të një populli. Njihemi këtu me shumë aspekte të konvertimit moral, shpirtëror, kombëtar të personazheve, përmes të cilave arrihet më i fuqishëm tipizimi i tyre dhe nxjerra në dritë e shkakut dhe e pasojave të shumë ndodhive e dukurive. Autori shpesh përimtëson përshkrimin brenda romanit, me ҫka na mundëson të shohim si të filmuar ecurinë e zhvillimit të fabulës në roman, duke nisur nga fjalitë e para e deri te kulmimi me vepër. Krakteristike, sipas autorit, në këtë roman mbetet qasja ndaj Kosovës, qoftë si histori, qoftë si dhembje e si krenari. Takojmë shpesh aty krenaroinë e të qenit shqiptar dhe etjen për bashkimin e kombit; dëshirën e pafundme për zhvillimin dhe rritën e tij drejt së ardhmes e etjen për bashkërenditjen e shqiptarëve me popujt tjerë, ndër më të zhvilluarit, të botës së qytetëruar.
 
Në përfundim të veprës kemi jetëshkimin e shkurtër të krijuesit dhe Faik Shkodra na njofton më nga afër me Fran Ukcamën. Ne mësojmë se ai është autor i mbi tridhjetë veprave letrare, të botuara, po edhe i shumë dramave për fëmijë e shkrimeve të tjera. Dhe shton: “Janë bërë më shumë se një decenie që intensivisht ndjek punën krijuese letrare të poetit e shkrimtarit tashmë të afirmuar gjithandej trojeve shqiptare, Fran Ukcama, nga qyteti i Fierit.” (f.91) Kur flet më nga afër për poezinë për fëmijë të Fran Ukcamës, në shumë aspekte na del se ai mbetet kultivues i poezisë sipas traditës së letërsisë sonë për fëmijë, por duke u marrë me tema e motive plotësisht të reja. Këto të dhëna shoqërohen edhe me informacionin që jepet edhe për veprat e Ukcamës që nuk ka mundur t’i analizojë, vlerësojë e pasqyrojë autori.
 
Duke e përfunduar këtë shkrim, më duhet të theksoj se Dr. Sc. Faik Shkodra, në këtë vepër i përkushtohet hulumtimit të gjithanshëm, mendimit vetanak shkencor, thellësisë së tij njohëse e vlerësuese, prandaj edhe nuk bëhet rob i citimeve e i konstatimeve të të tjerëve, kurse qasjet krahasuese janë vënë plotësisht në shërbim të kërkesave që i ka ky studim.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen