F A Q E T

Freitag, 3. Oktober 2014

Adem Demaçi

Adem Demaçi
Jeta dhe vepra e Adem Demaçit
Dekadat e shkrimtarit
më të lexuar në Kosovë

Përgatiti: Rrahim Sadiku

Kanë thënë se i mjerë është ai popull që i duhet të luftojë, por edhe më i mjerë është ai popull të cilit i duhet të luftojë e nuk ka bijë e bija që luftojnë për të. Shqiptarëve, gjatë pothuaj të gjitha periudhave historike, iu desh të luftojnë dhe patën gjithnjë luftëtarë të denjë, të gatshëm gjithmonë të sakrifikohen për atdhe e për liri. Ndër këta luftëtarë, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, ishte Adem Demaçi. Ai formoi organizatë ҫlirimtare dhe i tha jo pushtet jugosllav e hegjemonizmit serb që nga mesi i viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, kur asimilimi e shfarosja e shqiptarëve ishin projekt shetëror jugosllav. Ai e ktheu përmbys këtë projekt e plan veprimi konkret të pushtuesit, duke kërkuar liri për shqiptarët e të drejtë për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Dhe kjo nismë u përqafua gjërësisht nga shqiptarët e robëruar dhe u thellua e u bë qëllim kombëtar, që rezultoi me lirinë e Kosovës e me thellimin e synimit të të gjithë shqiptarëve drejt një shteti të vetëm.
Adem Demaҫi u lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor e të mesëm, kurse studimet i vazhdoi në Beograd, ku njohu edhe më thellë shovinizmin serb dhe synimet e tij, prandaj studioi më të rëndësishmën për atë kohë: rrugën e lirisë për popullin e tij. U burgos e nuk u dorëzua, vuajti e u trimërua, ishte në vetmi e kishte gjithë shqiptarët dhe opinionin përparimtar ndërkombëtar me vete. Adem Demaçit për herë të parë burgose më 19 nëntor 1958 nga UDB-ja jugosllave. Për angazhimin e tij politik e për pikëpamjet e drejta kombëtare e njerëzore që reflektonte, Adem Demaçi vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë. Ai doli nga burgu kur po shpërbëhej shteti jugosllav dhe kjo i dha edhe më shumë hov lëvizjes shqiptare në trojet e okupuara. Ai e vazhdoi menjëherë aktivitetin politik, kulturor e krijues. Me të drejtë ai tek ne edhe në botë quhet Nelson Mandela i Evropës. Adem Demaçi gjatë viteve 1990 - 1995 udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) në Kosovës dhe nxori në dritë shumë nga krimet shekullore serbe të bëra ndaj shqiptarëve. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Zhvilloi edhe shumë e shumë aktivitete, brenda e jashtë trojeve shqiptare, që ndikuan për përhapjen e të vërtetës për shqiptarët në mbarë botën. Realisht me jetën dhe veprën e vet Demaçi është institucion shqiptar e botëror; një njeri-simbol, një trim i paepur; një mendje që ka mundur grilat dhe vetminë e burgut. Ai ishte dhe mbetet një idealist i llojit të vet, një politikan i papërsëritshëm si në kërkesa, ashtu edhe në realizime. Adem Demaçi për shumëçka është simbol i shqiptarisë, sinonim i etje dhe sakrificave liridashëse; është njeri i cili për së gjalli ka hyrë lirshëm në pjesën më të shenjtë të historisë kombëtare shqiptare.



Letrari Adem Demaҫi

Edhe shkrimtari Adem Demaҫi përjeton fatrin e politikanit Adem Demaҫi. Ai burgoset njëkohësisht me veprën e tij dhe bashkë me të e përjeton edhe diellin e lirisë. Dashur e pa dashur, burgosësit e Demaҫit ishin të detyruar ta mbyllnin në burgun e vet edhe veprën e tij. Por, ashtu si nuk mundën të burgosnin idetë e Demaҫit, ashtu nuk ia falën dot harresës krijimtarinë e tij, sepse mu ndalesa zyrtare e pushtuesit bëri që Demaҫi të ishte shkrimtari më i lexuar, për disa dekada, në Kosovë. Edhe pse ai në shkrime ishte rezervuar nga tonet bombastike e nga militantizmi i dukshëm, këto lexuesit e etur për një botë shqiptare ndryshe, mu ato tone i ndjenin,i shijonin dhe i plasonin tutje. Ndodhi kjo sepse ai frymëzimin dhe synimin për të krijuar shqip i mori nga gjendja tejet e rëndë e popullit të tij në atë kohë. Demaçi, që me rrëfimet e parapërvetësoi lexuesin shqiptar të asaj kohe, pasifare lirshëm e bënte të dukshëm një realitet mizor, duke lënë të kuptohej se po nuk do të ndodhnin ndryshime, lëngata do të ishte e pashërueshme. Këto ide e kërkesa i shohim më së miri te tregimi “Kur Zoti harron”, i cili ngjall mllef kundër pushtetuesit, po edhe mëshirë e ndjenjv humane për skamnorët, të hedhurit tej nga pushteti, të vobektit deri në palcë dhe kjo, shoqëruar nga dashuria e thellë njerëzore, nxit njerëzit që të ushqehen me etjen për shpagim. Mu tek kjo etje Demaçi ndërton filozofinë e tij kryengritëse, duke i bërë përshkrime të thella realitetit të padurueshëm; duke e përshkruar nëpërkëmbjen e njeriut të drejtë nga pushteti brutal e çnjerëzor, ku për shqiptarin nuk bëhet fjalë të ketë as të drejtat më elementare për ekzistencë.
Arrestimi dhe dënimi i parë, kur e dënuan me pesë vjet burg, bëri që rrëfimet e tij nëpër gazeta e revista dhe romani “Gjarpinjtë e gjakut” të ktheheshin në vepra të mitizuara dhe me shumë interes për lexuesit shqiptarë të kohës. Dhe kjo nuk ishte vetëm ndikim politik, por edhe artistik, sepse romani “Gjarpinjtë e gjakut” i imponohet lexuesit me ide, me mesazhe historike e të aktualitetit; ai vjen si një dokument shumëdimensional artistik, që përsërit kërkesat dhe etjet e brezave. Roman del si zë zhurmues i asaj kohe dhe identifikohet me shpirtin e etur kombëtar për ikje nga prapambeturia e zakonte e egra;me synimet për emancipim dhe përparim nacional; me dëshirën për ikje nga fati tragji e nga padrejtësitë historike. Prandaj mund të themi lirisht se proza e Adem Demaçit, e asaj kohe, sjell shqiptarin e transformuar nga brenda, po të ndrydhur nga jashtë, tek i cili historia, miti, legjenda, përvoja, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja ngjallin si kurrë më parë etjen për liri e për shtet kombëtar. Kjo prani artistike e nëntekstit të thellë, kombëtar e përparimtar, ndikon për leximin masiv, madje dorë pas dore, të veprave të Demaҫit. Kjo edhe për faktin se autoru aty ka vënë në dukje ngjarje nga jeta e përditshme, duke ballafaquar të kundërtat, që nxjerrin në dukje mundësinë e ardhjes së njv bote ndryshe. Një metordë e këtillë e shtrimit të temave, e motiveve dhe e porosive na del e fuqishme edhe tek përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron”.
Tek shkrimet e mëvonshme Demaҫi synon të mos jetë shkrimtar njëtrajtshëm, por kërkues, hulumtues dhe sjellës i formave dhe ideleve të reja. Këto synime e kërkesa që ka ai ndaj vetes dalin sidomos te romanet “Libër për Vet Mohimin” dhe “Heli e Mimoza”, ku forma e përmbajtja janë të reja, ku dominon sensi meditativ e psikologjik; ku bëhet analizë dhe sintezë e ngjarjeve të një periudhe të caktuar, përmes personazheve që bartin idetë e autorit, që shpesh na japinj përshtypjen se janë vet autori. Heronjtë kryesor të këtyre dy romaneve, Vet Mohimi dhe Azem Zeqiri (një intelektual shqiptar të cilin nuk e ka thyer burgu 27 vjeçar) na sjellin përpara njeriun që e kupton kohën, që sakrifikon për kohën e popullin e tij, po që në esencë ka mbetur i fortë, i qëndrueshëm, i çelikosur me ide humaniste e kombëtare.
Edhe në romanin “Dashuria kuantike e Filanit” Demaҫi ka sintetizuar pjesë të filozofisë së tij për jetën, për të vërtetën e realitetin, duke nxjerrë në dukej filozofinë e tij autentike për botën shpirtërore e intelektuale, që dalin më të thella e më bindëse të gëshetuara me përvojën jetësore të fituar burgjeve, por dhe në atë që është e nuk liri.
Të theksojmë se veprën e Demaçit, shikuar në tërësi, e përshkon përvoja e madhe dhe e papërsëritshme e një autori simbol, e një simboli që shpesh shndërrohet në personazh, e një persnazhi që shpesh sikur kacafytet me autorin. Kjo vjen ngase ai në veprën e vet ka përmbledhur rrjedhat e gjata të qenies së një populli e të gërshetimit të fatit të tij me fatin e të tjerëve, në kohë e në hapësirë. Këtë fat e ato fatkeqësi që e përcjellin, ai i ka mbarështuar në veprën e vet nganbjëherë si ngjarje nga jeta e përditshme, të sintetizuara në rrjedhat e kohës e të hapura në hapësirëm përmes ligjeve të jetës, të lidhuar me rregulla e ndodhi universale, përmes ballafaqimit të të kundërtave.
Kjo shumësi veprash dhe vlera që ngërthejnë ato, ka bërë që me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Lidhja e Shkrimtarëme të Kosovës, të dalë në dritë kompleti i veprave të Adem Demaçi, në të cilin janë përfshirë shtatë romane, një dramë, një përmbledhje me tregime dhe një me poezi.

Aden Demaçi ndërroj jetë në Prishtinë, më 16 korrik 2018.


Thanë për Adem Demaçin

Nermin Vlora: Ndonëse Adem Demaçi ishte 28 vjet në burg, ai e ndiente veten të lirë, megjithëse i lidhur në zinxhir. Shpirti i tij kishte mësuar të dërgonte mendimin e tij njerëzve të lirë, dashamirës të mosdhunës e të paqes.

Imzot Nikë Prelaj: A e keni parë ju Krishtin ndonjëherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi, është Krishti vet! Çka ka bërë Krishti më tepër se ky burrë?

Ibrahim Rugova: Adem Demaçi është letrar i harmonisë shqiptare e njerëzore, humanist i madh. Sot, gati të gjithë, jemi bërë protagonistë të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut”.

Ismail Kadare: Ju, i dashur Adem, jeni shembull për të gjithë intelektualët shqiptarë e evropian. Ju jeni shembull i lirisë, për të cilën sot flitet aq shumë, e për të cilën, për fat të keq, bëhet aq pak.

Rexhep Qosja: Adem Demaçin e krahasojnë me liderin jugafrikan Nelson Mendelen. Ky krahasim nuk më pëlqen, sepse është i padrejtë për Adem Demaçin.

Medlin Olbrajt: Adem Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar. Demaçi më tha – ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë!

Riçard Holbruk: E di mirë që Adem Demaçi është përfaqësues i UÇK-së në Prishtinë, por as unë, as ambasadori Hill nuk mund të merremi vesh me të për asgjë. Jeni të njoftuar se sa kam provuar të bëjë punë me të, por me Demaçin, thënë troç, ne nuk mund të merremi vesh!

Kofi Anan: Shqiptarët duhet të jenë krenarë me një njeri, siç është Adem Demaçi.


Veprat e botuara të Adem Demaçit:
  • Fërkime,
  • Gjarpijtë e gjakut,
  • Libër për Vet Mohimin,
  • Heli e Mimoza,
  • Nëna Shegë e pesë gocat,
  • Shkrumbnajë e dashur,
  • Dashuria kuantike e Filanit,
  • Alb Prometeu,
  • Politika dhe Pushka
  • Tung vargu im.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen