F A Q E T

Dienstag, 11. November 2014

Plavë e Guci, tokë e harruar.

Nga Fahri Xharra 

Tokat ”lëvizin”, asgjë nuk është e parapërcaktuar që të humbet, asgjë nuk dihet, sepse historia është e gjatë. Dikur tokat i përkisnin astekëve, inkasve dhe atyre maja dhe sot janë të spanjollëve dhe portugezëve. Egjipti i lashtë sot banohet nga arabët. Tokat ”lëvizin”. Tek e fundit mua po më intereson ajo tokë ku dikur frymohej shqip, jetohej shqip dhe shpresohej shqip. Plavë e Gusi-tokë e harruar? Pse? Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë nga edukimi që e merr rinia”, ne po e fatkeqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor. Prapë jo, nuk e thashë atë që doja ta them.


Shpëlarja e trurit, pjesë e botës së civilizuar

“Ju jeni të shpërlarë nga truri”. Shpëlarja e trurit ka qenë pjesë e botës së civilizuar. Gjithmonë ishin dhe ekzistonin ”opiumet për masën e gjerë”. Njerëzit po duan të punojnë pak e më pak e në të njëjtën kohë janë kërkuar shumë e më shumë para. Prindërit po u besojnë që ata merrnin vetë vendime për jetën e tyre. Mësuesit shpjegojnë sa për të shpjeguar. Studentët luftojnë për diploma më shumë sesa për mësim. Dhe fatkeqësisht nuk keni nevojë të brengoseni, sepse jeni të shpëlarë nga truri. Shpëlarja e trurit ka ekzistuar me mijëra vjet edhe para nesh, por termi ”shpëlarje e trurit” si i tillë u ngurtësua rreth viteve të 50-ta. Na është gjithashtu e njohur si ri-edukim, kontroll i të menduarit, propagandë dhe konvertim. Truri i njeriut është i paragatuar që të pranojë kontrollin e jashtëm. Vrojtoni fëmijët! Shikoni, nëse themi diçka, bashkëbiseduesi rebelohet. Vetëm me anën e sistemit të udhëzimeve dhe dënimeve mësohen fëmijët ”të mësohen” dhe ”të sillen si duhet”. Sikur mos të kishte shpëlarje të trurit, ne do të dilnim lakuriq në rrugë, të lëshonim zëra të çuditshëm, do t’i linim dyert hapur apo do të bëheshim të padurueshëm në publik. Ja pra se si punon shpëlarja e trurit. Programimit mendor i duhen elemente themelore.

Së pari “programuesit” i duhet që t`i kufizojë informatat për subjektin. Pastaj e kontrollon sjelljen e subjektit. Dhe, pjesëza përfundimtare është që të fut sasi të dukshme të drojës në subjekt dhe që pastaj të ketë kontroll në mendjen e subjektit (by Ken Poirier – November 2008) ”Gazeta ”Glas Crnogoraca” e Cetinës me 11 Tetor 1912 shkruante: ”Të shtunën më 6, ushtria jonë e mori Plavën dhe me të nesërmen më 7 e mori Gusinë me rrethinë, pa kurrfarë kundërshtimi të Turqisë. Bile ushtarët tanë u pritën nga ata turq me bukë e kripë e..” Dhe pastaj shkruan se shumica e popullatës së asaj ane e pranuan Qeverinë malazeze dhe që të gjithë sillen në mënyrë lojale ndaj këtij pushteti.(?) Duke e pritur me ”bukë e kripë e zemër”, sipas zakoneve të vjetra u tregua nënshtrimi i përgjithshëm i tyre pa kurrfarë rezistence.


Masakrat dhe masat represive mbi popullatën në vitin 1913
 

Gjatë shkurtit të vitit 1913 u dërgua brigada e Beranes nën komandën e Avra Cemoviqit, e cila e filloi masakrat dhe masat represive mbi popullatën, e cila pati pasoja në humbje të mëdha të njerëzve. ”Ardhja e brigadës së përmendur zyrtarisht shpjegohej si nevojë për çarmatosjen e boshnjakëve (atëherë myslimanëve) dhe shqiptarëve” (Autor: Avdo Metjahić, Burimi: Bosnjaci.net) Po lexojmë dhe unë nuk po e kuptoj, asnjë fjalë për shqiptarët. Kush janë këta boshnjakë, këta myslimanë, këta turq? Pjellë e bashkëpunimit të gjatë pravosllav dhe turk për zhbërjen tonë. Metodat e përdorura të dhunës për shpëlarje të trurit, janë të njohura mijëra vjet përpara. Nuk janë turqit dhe pravosllavët të parët që i kanë përdorur ndaj nesh. Por, pasojat për ne ishin të rënda. Paramendoni, një Sanxhak i tërë i thotë vetes boshnjak dhe sikur të gjithë të vetëdijesohen dhe t`i shikojnë vetëm fotot e familjarëve të tyre të viteve 12-13 të shekullit të kaluar, ose sikur të pyesin gjyshërit dhe gjyshet (të cilët nuk flasin dhe nuk dinë serbisht) se kush ishim ne, do të kuptojnë se të gjithë me radhë pa përjashtim ishin dhe janë shqiptarë. Plavë e Gusi – tokë e harruar? Ndoshta, por historisë nuk i dihet. ”Ishte shtatori i vitit 1990, pas një dite zyrtare në fabrikën e tekstilit “Rashka” të Novi Pazarit, e pata një mbrëmje të “suksesshme” në një hotel të madh të atij qyteti. Ishte ende koha kur guxonim të flisnim atë çka mendonim. Ia dhamë vetes një “detyrë”, që sa më shumë të “mbledhim” shqiptarë, apo së paku nga ata që e ndiejnë veten ende shqiptarë, nga personeli i hotelit, kuzhinierët, pastrueset e dhomave, pastrueset në përgjithësi, rojet, nga të gjithë që frymonin në atë mbrëmje në atë hotel. Nuk e teproj se nga të “intervistuarit” na doli një numër shumë i madh i atyre që e dinin veten për ish-shqiptarë, që gjyshërit iu flisnin vetëm shqip, që bartej plisi deri vonë, që ende e dinin ndonjë fjalë në shqipe, por bisedat u zhvilluan aso kohe në serbishte.( Fahri Xharra: Sanxhaku shqiptar?)
 


Migrimet e dhunshme 
të popullatës shqiptare

Në fillimin e shekullit XX, më 1905 u krye regjistrimi i popullsisë në ato anë, të cilat ishin ende ndër Turqi. Në Plavën e Gusinë e kohës jetonin 26 000 banorë. Me pushtimin e kësaj ana nga Mbretëria e Malit të Zi, 1912, dhe pas gjenocidit, zhbërjes dhe kryqimit pravosllav masiv, ai numër u zvogëlua shumë, për gjysmën e popullsisë. Edhe pas dy vjet okupimi, kur filloi Lufta e Parë Botërore solli me vete tmerre, katastrofa dhe zhdukje të banorëve. Me kapitullimin e Austro¬-Hungarisë u formua mbretëria SKS-së, e cila e zëvendësoi okupatorin e parë, erdhën serbo-malazezët me një shpirt të njëjtë dhe me qëllime të njëjta: zhbërjen e ”turqve” si i quanin boshnjakët si dhe shqiptarëve katolikë. Regjistrimi i ri në Mbretërinë SKS tregonte që në ato anë ishin vetëm 6000 banorë, as një e katërta e regjistrimit të 1905-s. Por kush ishin dhe kush mbetën nga ata banorë? Shqiptarë, të gjorët. Shpëlarja e trurit- zakonisht metodat përdoren në atë mënyrë që viktimat nuk mund ta vërejnë që janë të manipuluara. Statistikat e ndershme do të shënonin që mbi plavas dhe gusias që u zhdukën në vorbullat e luftës, u zhdukën nga migrimet e dhunshme, masakrimet, gjenocidet, por edhe nga uria të cilën e krijuan serbët e malazezët. Popullata myslimane dhe ajo katolike me qëllim u zvogëlua në një të dhjetën. Boshnjakët myslimanë dhe katolikët shqiptarë të kësaj ane me dhunë dërgoheshin në Turqi. Të gjithë këta ishin jashtë ligjit dhe cak i egërsive serbo-malazeze. Kur erdhi Lufta e Dytë, shpresohej në një çlirim shpirti dhe trupi. Në mbrojtje erdhën vendasit që mundoheshin të mbronin popullatën e tyre nga sulmet çetnike, të cilët kryenin sulme shtazarake në Sanxhak dhe në Bosnjë mbi myslimanë. Andro Mugosha (partizan malazez i kohës ) në një takim rasti në vizitën e tij në Plavë më 1947, duke menduar që është i rrethuar vetëm me pravosllav thotë:”Gabimi më i madh i udhëheqjes së lartë të Malit të Zi ka qenë që nuk e kemi dhënë urdhrin e vrasjes së çdo myslimani më të vjetër se 40 vjet, dhe në këtë mënyrë të pastrohet ky vend përfundimisht nga zakone të vjetra të kësaj popullate, dhe të rinjtë t`i kishim futur në rregullin tonë”.

Sipas shënimeve, vetëm në Nju-Jork sot banojnë mbi 20 mijë banorë të komunës së Plavës. Zoti e di se sa plavas dhe gusias janë të shpërndarë nëpër ish-republikat e Jugosllavisë.
 

”Me krenarinë e emrit boshnjak dhe atij islam, ne duhet që t’i rikujtojmë të gjithë ata që vdiqën ose u zhdukën në vitet 1912-1913, banorë të Plavës dhe Gusisë, ata u pushkatuan para syve të botës, jo vetëm burra të pjekur, por edhe gra me fëmijë në ngrykë. Një prej tyre edhe Emin Jakup Feroviç (Feri), të cilit iu nxiorën edhe sytë para pushkatimit, sepse nuk pranoi që të ndërronte fenë dhe kombin. (Bosnjaci.net) ”Shikoni sa larg shkon shpëlarja e trurit? Harrojnë dhe nuk duan të qartësohen në mendjen e tyre se ata ishin shqiptarë, se u viktimizuan historikisht vetëm e vetëm se ishin shqiptarë.


“Vallja me lara”
 

Njëfarë Çedo Qulafiq mbante proces: ”Ndërroheshin herë revolta e masës, e herë triumfi i individëve që ishte si pasojë e pushkatimit të qindra plavasve. Qulafiqi nuk kishte harruar të shënonte edhe këtë: Q ashtuquajtura ”Vallja me lara”. Ata që e kishin pranuar kryqimin pravosllav: çdo grua myslimane duhej ta hiqte ferexhenë dhe dimitë dhe të vishte fund ose fustan. Meshkujt myslimanë në vend të qylahut (qylah, qylaf tr, kapuç fshatarësh – plisi) vendosnin mbi kokë kapuçin malazez dhe ashtu të përzier ata që ishin para pushkatimit (me qylah fxh) dhe të tjerët me kapuç malazez duhet të kërcenin ”vallen e larme”. (Çedo Qulafiq, i sllavizuar, paska qenë i Gusisë fxh). Kontrolli i mendjes është një metodë që të arrihet kontrolli i aksioneve të njeriut, mendimit dhe gjendjes së trurit të tij. Teknikat e përdorura janë në përdorimin e fjalëve apo të gjuhës në mënyrë të përsëritshme, stimulimet vizuale, stimulimet me ushqim , gjumë dhe para. Zakonisht metodat përdoren në atë mënyrë që viktimat nuk mund ta vërejnë që janë të manipuluara. Mandej mund të përdoren edhe indoktrinimi sistematik i bazuar në përsëritjen ose konfuzionin trushpëlarës. Plavë e Gusi-tokë e harruar? Sa është sot rreziku në tokat me vetëdije shqiptare nga shpëlarja e trurit? “Nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vend e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot shqiptarët e Turqisë… Në tërë shtresat e popullsisë, pavarësisht nga niveli shoqëror apo raca dhe në gjithë popullsinë e Republikës Turke, s’ka rëndësi përbërja etnike e saj, të thuash “arnaut” domethënë të kujtosh një emër me peshë të madhe, njerëzore që gëzon një respekt jo të zakonshëm. (“Arnaut”, një emër me peshë të madhe, Dr. Laurant Bica).

A mos është edhe kjo një nxitje për vazhdimin e shpëlarjes së trurit. Zakonisht metodat përdoren në atë mënyrë që viktimat nuk mund ta vërejnë që janë të manipuluara.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen