F A Q E T

Samstag, 27. Dezember 2014

Antropoqebapa tirone

Nga Xhemal AHMETI

«Ne në Shqipëri  jemi të ndryshëm nga shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë, nuk kemi qebap, qofte, kajmak (...) Shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni kanë më shumë të përbashkëta me njerëz të tjerë nga ish-Jugosllavia, tha Armanda Hysa, antropologe e  njohur nga Shqipëria», kështu portali nga Maqedonia «Republika».

E para habi: Antropologe nga Shqipëria? E dyta; Qebapi, qoftja, kajmaku si elemente përcaktuese për të konstatuar dallueshmërinë apo pikëtakimet determinuese rreth të përbashkëtave të kulturave të veçanta ballkanike? E treta: Fakti të kesh jetuar, të jesh rritur në Kosovë e Maqedoni me oriz, pilaf, pite, patate, mish e pasul e pa qebapë, ajvar e kajmak të irriton.

Në rrjetet sociale shpërtheu debati. Më shumë ad hominem se sa përmbajtësor. Në profilin e saj të facebook-it reagoi autorja duke ngulur këmbë në versionin e saj të rrëfimit, por duke sjellë po ashtu intervistën e para një viti ne gazetën maqedonase »Utrinski Vesnik«. Portali nga Maqedonia e paska lexuar një vit më vonë për ta plasuar si lajm akut aktual. E zakonshme.

U vumë në gjueti për të siguruar informacione rreth autores. 


MIKROHISTORIA - Duke kërkuar arkivave të Londrës e perëndimit ndonjë punim të antropologes dhe ekspertes «së shquar» mbi nacionalizmin i gjetëm ato kryesisht në Tiranë, Shkup dhe një të përbashkët të shkruar me masterin (në kohën e publikimeve) e etnologjisë, të shkolluar në Beograd dhe të angazhuar në Universitetin maqedonas »Kirili dhe Metodi», Ljupço Risteski.

Punimi, ku Hysa krahas Risteskit është ko-autore me titullin «Strategies for creating the Macedonian state and nation and rival projects between 1991 and 2012» dhe që është i botuar në përmbledhjen e rusologut pak të perceptuar dhe autorit të studimeve postsovjetike Pål Kolstø nga Universiteti i Oslos, mëton të dëshmojë elementet konstruktuese të kulturës dhe identitetit të popullit maqedonas.  Lartë poshtë gjetëm edhe tekste tjera publicistike të zonjës Hysa  si «Pazari i Çairit të Shkupit» por pa asnjë relevancë shkencore. Disertacioni i saj, doktoratura e Hysës na shpaloi burimin e hendikepeve shkencore dhe dëshminë se nga na erdhi pandehja assesi të mos jetë e formuar shkollave të «Social Anthropology»-së apo «Etnologjisë» perëndimore.

Armanda Kodra (Hysa) ka doktoruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës në temën «Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX» të mentoruar nga Prof. Afërdita Onuzi, e njohur si specialiste e artizanaleve dhe koreografisë shqiptare. Metodën e kërkimit (7-21) të disertacionit e popullojnë etnografët shqiptarë si Rrok Zojzi (ky si referenca absolute), Abedin Çaushi e ndonjë tjetër të asistuar nga etnogeografi i njohur serb Jovan Cvijić i shek 19, Ivan Čolovič, Tihomir Djordjević.

Përveç Cvijić-it të njohur nëpërmjet veprës së tij „Fenomeni i kartsëve“ (Vjenë: 1893) dhe informacioneve rreth historisë kulturore të Ballkanit, asnjë tjetër nga të cituarit e zonjës Hysa nuk janë antropologë, etnologë në kuptimin shkencor të termit. Madje as etnografë nuk janë. Si Hysa edhe pararendësit e saj të epokës së socializmit real kanë bërë mikrohistori, pra nuk janë marrë me proceset cezuruese brenda historisë së Shqipërisë, por kanë hulumtuar segmente të veçanta si: sokaqet; pazaret; vjeshjet nga krahina në krahinë; zhvillimi i kuzhinës në krahinën e Matit; ndikimi i pazarit (jo ekonomisë se nuk ka ekzistuar) në kulturë (?!) e të ngjashme.

Prandaj metoda shkencore e zonjës Hysa dhe gjithë  tjerëve «antropologë ballkanikë» nuk ndërtohet mbi universalisht të njohurit që nga Franz Boas, Paul Radin, Leo Frobenius, Emile Durkheim, Marcel Mauss, Claude Levi Strauss, James Frazer, Bronislaw Malinowski, Leo Frobenius e deri tek të postmodernës si Victor Turner, Mary Douglas, Eric Volf, Ernest Gellner, Clifford Geertz, Christian Giordano e shumë të tjerë që kanë prodhuar veprat kryesore (si metodë shkencore poashtu) të Antropologjisë, por mbi kuaziteoritë e modifikuara të historianëve mbi etnologjinë. E pateoritë e atyre që ne përmendëm lartë s’ka as etnologji, respektivisht antropologji, por vetëm etnografi socrealiste. Çka është kjo? 

MINIHISTORIA E NJË SHKENCE Etnologjia është shkencë që hulumton popujt e huaj dhe krahason ato mbi një mijë grupe etnike të popujve indigjenë. Para diskreditimit të antropologjisë fizike gjatë kohës së nazizmit kjo shkencë i ka ndarë zonat kulturore të botës në primitive (pa shkrim) dhe popuj me kultura të mëdha; në kultura margjinale dhe komplekse; në ndarjen e botës në katër pesë kategori zhvillimi, në tribali dhe shoqëri e të ngjashme. Nga vitet e shtatëdhjeta nuk përdoren më këto klasifikime, çka solli drejtimet në fjalë në një krizë ekzistence. Për të mbijetuar hovin e kapi versioni britanik i «Social Anthropologie», duke kërkuar kulturat e margjinalizuara brenda shoqërive postmoderne (pra duke kërkuar ishujt e „primitivëve“ dhe të paasimilueshmëve brenda); pakicat religjioze, emigracioni, subkulturat e të ndryshme. Në këtë fazë mbijetimi të Antropologjisë, ajo ka rëndë shpesh në konflikt të ashpër me shkencat politike, historinë e kohës (Zeitgeschichte – Fahu përdor historinë më të re si brum për t'i bërë diagnozë së tashmes), sociologjinë sepse "pa kompetencë" merrej me tema të tyre si: nacionalizmi, fashizmi, kombi e të drejtimit.

Nga ana tjetër në modë u shfaqën »Antropologjia historike« (Jakob Tanner: 2008), »Filozofia e kulturës« (Ralf Konersmann: 2010), «Teoritë kulturo-shkencore të kujtesës« (Nicolas Pethes: 2008) dhe të tjera, të nxitura nga çifti gjerman Aleida dhe Jan Assman, respektivisht nga teoritë e tyre mbi «transformimin dhe format e kujtesës në shkrim, kujtesë, identitet politik në kulturat e djeshme dhe të sotme (1990-1999). Sot sikur të ketë rënë një ujdi ndër katedrat akademike të "Etno – dhe Socionatropogjisë" që të përdoret propozimi i etnologut amerikan Clifford James Geertz, konkretisht: përshkrimin e sistemeve kulturore siç e perceptojnë veten pa i vlerësuar, pa iu dhënë stampën e përkatësisë si deri vonë nga etnologët etnocentrikë dhe ata që ndanin kulturat në primitive dhe të larta. 

E si funksionon etnologjia në Shqipëri?

ETNOGRAFËT E TIRONËS - Në Shqipëri nuk ka pasur e as ka Etnologji në kuptimin definicional të botës. Nuk ka shkencëtar shqiptar që ka studiuar popujt dhe kulturat tjera as "primitive" as "komplekse" e madje as veten historikisht nuk ka mundur të evaluojë e ndriçojë si duhet. Kjo ndoshta edhe për shkak të izolimit.

Çka ka pasur është disiplina e "etnografëve", të cilët nuk kanë përshkruar grupet e margjinalizuara, por siç thamë kanë përshkruar ritet, zakonet, zejet, artizanatet dhe segmentet tjera materiale të kulturës shqiptare në kuadër të historisë të ideologjizuar zyrtare shqiptare. Një lloj asistence për makrohistorinë. I tillë është edhe "specializimi" i Aramanda Hysës me pazaret e shekullit të 19 të Korçës, Dibrës e gjetiu.

Domosdo se në këtë tip hulumtimi nuk të ndihmon as Herderi, as Geertzi, e të tjerët por Jovan Cvijiç (jo me punimin e njohur ndërkombëtarisht) me studimet e tij mbi katundet serbe, sepse është gati i vetmi model që dikur depërtoi në etnologji jo si metodë por si databankë për t'iu afruar natyrës së ballkanasave.

T'iu kthehemi tani "Bit pazarit" të Armanda Hysës dhe hipotezës së saj se shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës u përngjajnë për shkak të qebapëve, qofteve dhe kajmakut më tepër popujve jugosllavë se shqiptarëve të Shqipërisë.

Dallimet janë. Por kjo hipotezë është diletante. Këtë konstatim mund ta japë vetëm ndonjë që s'ka lidhje me historinë e rajoneve të caktuara dhe flet nga ndonjë qebaptore ku e ka ulur kolegu i saj Risteski. Pse? Sepse qebapët, qoftet nuk janë pjesë kulturore e kuzhinës shqiptare, por mall për popujt tjerë të Jugosllavisë. Janë shqiptarët e Pollogut ata që gjithandej Jugosllavisë së Titos hapën qebaptoret, ëmbëltoret me bakllava e tollumba, byrektoret, duke sjellë atë lloj gatimi në Bosnjë, Kroaci, Serbi, Slloveni ashtu siç sollën bukëpjekësit kosovarë furrat e para moderne këtyre vendeve (përpos atyre shtetërore) dhe ata të Maqedonisë siç sollën nga Italia makinat e para për kafe italiane dhe akullore adriatikut e gjithandej.

Të gjitha këto specialitete mirëpo nuk janë kuzhina e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës sepse atje tradicionalisht mbizotëron orizi, patatja, prodhimet nga mielli, si pitet, lakrorët, fasulja me salcë gullashi hungarez e shumë të tjera. Qebapët janë prodhim nga koha semikapitaliste jugosllave kryesisht për jugosllavët e "kobasicave" (salsiçeve), për tregun e atjeshëm.

Parasë gjithash mirëpo siç do të shante Malinowski dhe gjithë etnologët nuk bëhen krahasime të tilla "antropologjike" pa e fiksuar elementin (në këtë rast tregun, apo pazarin e Hysas) si pjesë konstante të një terrësia, identiteti apo operimi social.
Armanda Hysa qenka me bursë në një kolegj britanik (fellowship). Shpresojmë të mësojë atje diçka elementare për të mos e quajtur veten eksperte të nacionalizmit, si antropologe pasi sipas doktoraturës as etnografe socrealiste nuk del.

Disertacion që nuk meriton as diplomën e bachelorit – në kushtet e sotme – e lere më diçka tjetër.

__________

Shkrim i huazuar nga gazeta Zëri

Montag, 15. Dezember 2014

Prijësi i karvanit

Tregim nga Muharrem BLAKAJ 

        E prisja karvanin të Kroi i Zanave. Kishte kohë që kisha zënë vend në atë lëndinë të bukur. Herë pas here freskohesha me ujin e ftohët akull të kroit, që ishte në anën perëndimore të lëndinës. Pastaj largohesha buzë greminës duke kundruar rrugën gjarpërore. Asgjë nuk dalloja. I merakosur kthehesha prapë të kroi. 
       Kisha dëgjuar nga pleqtë se për t’ju bashkangjitur karvanit nuk ishte punë e lehtë. Duhej të ishe i kalitur sepse rrugën e karvanit nuk e dikton moti. Atë nuk e ndalon as dimri e acari, as vapa e thatësira, as shiu e furtuna. Nuk e ndalojnë dot as hajdutët e cubat. Karvani ecë. Vazhdon! 
       Dita ishte thyer. Rrezet e diellit, pjerrtas binin mbi lëndinë. Kroin e kishte marrë hija. Nuk isha aspak i mërzitur për pritjen e gjatë. Disi kisha një brengë në shpirt! Ca re dyshimi me silleshin vërdallë mbi kokë. Kisha frikë se mos i kishte ndodhur diç e keqe karvanit. Kisha dëgjuar se shumë karvanë e kishin pësuar nga cubat, bile në pikë të ditës. E dija se po ju ranë në gjurmë ata do ta shkatërrojnë karvanin, dhe si gjithnjë në shënjestër të tyre ishte prijësi. Megjithatë unë do të prisja, fundja, nëse ndodhë diç, unë do ta marr vesh nga lajmëtaret.
       Pasi u ngrys, mu kujtua se gjatë gjithë ditës nuk kisha ngrënë. Mora strajcën e ushqimeve që ma kishte përgatitur nëna para se të nisesha për rrugë. Ajo, po thuaj nuk kishte fjetur gjithë natën duke gatuar bukën e misrit dhe duke i mbështjellë ushqimet e bylmyeshme që do të mi jepte me vete. Ishte kohë e një skamje të rëndë ndaj kishte vite që ne, nuk kishim mundur të rezervonin ushqime të majshme. Ajo i thyente gishtat duke u sjellë rreth magjes, edhe pse e dinte se ajo e shkretë ishte fare bosh dhe, herë pas here, hapte kapakun me shpresë se do të gjente ndonjë grusht miell të grunjtë në fundin e saj për të gatuar pite. E dëshpëruar e mbyllte prapë. S’ka mbet asnjë fije miell, thoshte e dëshpëruar dhe kthehej nga unë sikur ajo vet të ishte fajtore duke me thënë: Me vjen turp more bir! T’i bashkohesh karvanit e të mos kesh të paktën një drekë ta hani së bashku me shokët, hej e mjera unë, e mjera!
       I shtrirë mbi kurriz vështroja kupën e qiellit. Yjet, si një prushanë e madhe xixëllonin të heshtur. Tutje mbi buzët e maleve të thata, kishte nxjerrë faqen hëna e plotë. Rrezet e saj të arta derdheshin mbi lëndinë. Diku thellë, i strukur në zgavrën e tij, dëgjohej hukama e hutinit. Nga kodrinat për rreth dëgjoheshin të lehura qenesh. Kurse lartë nga gryka e Lugut të Madh vinte ulërima e ujqërve. Ulërimë ujqish në verë?! Ishte e mundur, apo me bëjnë veshët? Ulërima përsëritej, por dukej se ishte e shurdhët, e largët, e humbur dhe disi e pa frikshme. Pa mbaruar ajo jehonë, dëgjova një zë që vinte nga larg. Vinte i dallgëzuar, valë-valë duke mbushur me hare lëndinën e bukur dhe lehtë zhdukej tutje në lajthishte. Karvani, mendova dhe vrik u ngrita në këmbë. Po, po! Karvani është. Ai nuk ndalon as natën! Kjo është një natë e bukur, e pa trazuar, ndaj duhet udhëtuar, duhet grabitur sa pa arritur furtuna. Për karvanin furtunë ka në çdo kohë, edhe në verë!…
       Kur mugëtira e mëngjesit u teh, dhe yjet regëtonin në të gdhirë, e në kupën e qiellit shndriste fort ylli i karvanit, kënga u përsërit, por tani shumë afër. Këndon prijësi i karvanit, thash me vete. Ia njoh zërin unë. Këtë zë e kanë vetëm prijësit e mëdhenj. O zot, sa bukur këndon!

Sa fort me mundon vetmia, o nënë,
E vatër braktisa një ditë,
Në vendlindje e di është vjeshtë, tani e vonë,
Të presin të korrat e brengat.

        Ishin afruar fare pranë. Ishte hera e parë që takohesha në një karvan kaq të madh, kaq të organizuar dhe kaq të pasur. E shikoja prijësin nga afër. Ishte i ri. Kishte shtat të hedhur, e sy skifteri me një shikim të mprehët, por të qeshur dhe të dashur. Me shikoi me admirim, dhe pastaj ngriti dorën e djathtë lartë për t’ju dhënë shenjë të tjerëve që të ndalonin. 
       „E dija që me prisje! – tha duke zgjatur dorën nga unë, dhe vazhdoi: – ke pritur gjatë?“
Isha i hutuar. Unë do të bëhesha pjesëtar i denjë i karvanit në shtegtimin e tij të gjatë, por që me priste vet prijësi i tij, nuk me kishte shkuar mendja. Unë isha vetëm një pjesë e bishtit të karvanit. Prijësi e dinte për mua, siç e dinte edhe për të gjithë të tjerët që tani më ishin në mesin e karvanit që i printe ai. Ai ishte i njoftuar edhe për ata që do ti ngjiteshin karvanit në ditët e ardhshme. Ai i di të gjitha. Prandaj është edhe prijës. Po nuk qe në gjendje t’ju prij, t’ju ndihmoi, t’ju jap këshilla, pastaj t’i kontrollojë gjymtyrët e karvanit, t’i nuhat rrugët, shtigjet nga duhet të kaloj karvani, pastaj shokët… nuk do t’i kishin thënë prijës!
       „Jo, nuk kam pritur gjatë, im zot! – u përgjigja unë qetë.
       „Kam dëgjuar se nuk je i vetëm? – tha ai duke vështruar rreth e qark lëndinën e bukur e të mbuluar paq nga rrezet e arta të hënës.
       „Tani me vete kam vetëm mushkën time tekanjoze, por të Guri i Gjarprit do të na bashkohen edhe shokët. Ne jemi të papërgatitur për rrugë të gjata e të mundimshme, im zot!
       „Gjatë rrugëtimit, edhe më shumë do të kaliteni!“ – tha ai me buzë në gaz.
       „Po, im zot. Koha na kalitë!
       Prijësin e karvanit e kisha menduar krejt ndryshe, disi të madh, kryelartë, me shikimin e humbur tutje në horizont, me zë të trashë dhe fjalë të shkurtra urdhëruese, të veshur bukur, dhe kaluar! Kisha menduar se kur do t’i shfaqesha unë, ai as që do të me shikonte, por do të jepte shenjë që vartësit e tij të merreshin me mua dhe me mushkën time tekanjoze. Çudi! Ai, ishte i thjeshtë, i qetë, zemërmirë! 
       U nisëm. Unë isha gati i fundit. Pas meje vinin edhe tjerë, të rinj, që prijësi i karvanit nuk kishte pasur mundësi të takohej me ta. Unë isha i lumtur që me ishte dhënë rasti të jem pjesëtarë i karvanit dhe të merrja pjesë në rrugëtimin e gjatë, që nga ku ishim ne, nuk i shihej fundi rrugëtimit tonë. Prijësi kishte thënë se edhe nëse i ndodhë diç e keqe karvanit, rrugëtimi nuk do të ndalet kurrë deri sa të ndodhemi në cak. Nuk ka rëndësi se cili nga ne do ta ketë fatin të arrijë i pari në oazën e blertë e të bereqetshme, por, lumë si ai që e pret atë ditë! Ajo do të jetë një ditë e bukur, e shndritshme, e bardhë si vet jeta e atyre që do ta përjetojnë! E po, helbete kisha menduar unë! Prijësi e di se ajo është dita më e bukur e njerëzimit, është dita më e lumtur, më e ngrohët dhe më e dashur… o burra, ta ndjekim pas!
       Rruga ishte zik zake dhe kalonte nëpër rrëvina malore. Kalonte buzë shkrepave të thepisur e të mprehtë si dhëmbë kuçedre, pastaj gjarpëronte në mes të maleve të dendura që as rrezet e diellit me vite, decenie e shekuj nuk kishin depërtuar dot, dhe prapë dilte nga ato gryka malesh për tu futur buzë lumenjve të turbullt e të shurdhët që, nuk donin t’ia dinin as hapave tanë por as këngës melankolike që e këndonte pa ndërprerje prijësi ynë i shenjtë. Dhe, me këngën e kushtrimit në gojë zbritnim poshtë, tutje, buzë shpellave të mëdha e të frikshme që ashtu, me gryka të hapura që dukeshin si gojë përbindëshi, ta fusnin tmerrin në palcë. Nga thellësia e tyre e errët si nata, dukej se ishin përgatitur me kohë grackat, kurthet, tradhtitë, pabesitë dhe shëmtitë më të mëdha që i njeh bota kundër karvanit tonë!
        Prijësi nuk dukej më që këtej. Ishte larguar aq shumë sa vetëm zërin ia dëgjoja kur fliste, jepte ndonjë urdhër, apo kur ia merrte këngës në duet me të vëllanë. 
       „Shshshsh!… po këndon prijësi! – tha një burrë i çalë që kishte kohë që e shikoja kur kalonte pranë meje. – hidhi hapat qetë e mos bëjë zhurmë! – me tha – dua t’ia dëgjoj fjalët se ç’thotë prijësi ynë. Kënga e tij është kushtrim, me kupton? Kushtrim!“
       „Mendon se do të kemi mot të keq?“ – pyeta unë kureshtar.
       „Jo vetëm mot të keq, por do të kemi edhe sulme nga cubat, bishat e egra… unë ju trembëm dhelprave. Ato janë tinëzare, të pabesa, dinake!“
       „Jo, jo. Pse janë tinëzare unë nuk dyshoj fare. Por, nuk e besoj se ka kaçik dhelpra të matet me prijësin tonë.“
       „Hajde kokë hajde! Po ku ke parë ti që dhelpra të kacafytet me luanin? Jo i dashur, as ajo nuk është aq budallaqe. Ajo sulmon ndonjë gjel në fundin e karvanit!… me kupton tani? Ne jemi të lidhur si hallkat e zinxhirit!…“
       U drodha i tëri nga fjalët e të çalit. Ishte hera e parë që nga koha që ju kisha bashkangjitur karvanit të dëgjoja fjalë të tilla. Ai fliste nga përvoja e tij e gjatë e të qenit pjesëtar i karvanit. Gjatë peripecive ai kishte humbur këmbën, por nuk ndahej dot nga karvani. Sa njerëz të fortë, mendova! 
       Kur isha fëmijë, kisha dëgjuar për një sulm kundër karvanit. Ishte sulmuar nga cubat, thoshin. Gjatë përleshjeve karvani ishte shkapërderdhë. Dikush ishte zënë peng, dikush kishte gjetur strehë të njerëzit e fisit, por kishte edhe të tillë që kishin humbur pa gjurmë. 
Re të zeza vinin nga veriu. Diku të fshehur prapa shkrepave dëgjohej e venitur uturima e ujqërve. Grykat e shpellave ishin errur edhe më. Uji i përrenjve ishte turbulluar dukshëm. Do të kthjellohet porsa të fillojë rrufeja dhe shtrëngata, tha befas i çali. Sa e çuditshme me ishte dukur ky fenomen. Unë e dija se kur të fillon shtrëngata uji turbullohet edhe më, kurse ky thotë se do të kthjellohet!?… çudi! As zogjtë të fshehur në gem nuk pipëtinin. Dhe duhia po afronte me një erë të lehtë. 
       „Kjo është era që frynë para breshëri – tha i çali, – Do të kemi furtunë dhe breshër… shshsh!… prapë këndon prijësi i karvanit. Ai të jep zemër. Qëndroni o buuurraaaaa!“ – thirri i çali me sa fuçi që pati. Jehona e zërit të tij u përplas faqeve të malit duke marrë si revansh të tatëpjetën grykave, pllajave, lëndinave, krojeve shpellave duke i shqetësuar edhe zanat e malit! Pas jehonës së zërit të tij prapë vazhdoi kënga e prijësit. Tani ajo vinte e afërt, e dashur, shpresëdhënëse, si kurrë më parë:

Kthehu shpejt m’ke pas thënë
Se brengat m’kan molisur
Të presin shokët dhe një varr nën bli
Porositë e babai tënd.

       Ai këndon, thash me vete, dhe shikimin e hodha nga burri i çalë. Zëri i tij e mposhtë furtunën, e mposhtë acarin, i mposhtë ujqit dhëmbëmprehtë dhe dhelprat dinake… dhe ai zë shndërrohet në kushtrim, në ushtimë vigane si e dalë nga dheu duke i trembur cubat… duke i shpërndarë retë e zeza. Sa vjen, dhe ai zë behët më i fortë, më tingëllues, më jehues, më depërtues, duke çarë errësirën e natës dhe duke depërtuar në kohëra. Tani dëgjohet i pastër. Është një zë i dashur, i pritur me shekuj, tamam zë burri, zë prijësi…

Të presin shokët dhe një varr nën bli
Porositë e babai tënd…

(Janar 2001)

Mittwoch, 3. Dezember 2014

Skënder Drini

Skënder Drini është lindur më 1935 në Voskopojë të Korçës në një familje atdhetare. Ka kryer Universitetin e Tiranës dhe ka punuar si mësues në rrethet Tropojë, Burrel e në Shkodër në vitet 1954-1982. Botimet e tij të para, edhe pse për jetën e botën e fëmijëve, zgjuan interes dhe treguan se në skenën e letërsisë shqiptare po vinte një zë i veçantë. Më pas, botimet e tjera, vëllimet me tregimet e veçanërisht romanet, qenë një befasi. Lexuesit e vëmendshëm e kritika panë në këto vepra një stil e ngjyrim emocional të veçantë, se si ndërthureshin harmonikisht tek ai shkrimtari, historiani, filozofi,analisti e politologu, një shkrimtar potent që sillte me art e kulturë realitete të ndryshme historike e bashkëkohëse, të mbështjella me një tis filozofik e frazë ekspresive që të bënte për vete. Me këtë bagazh veprash që pushtuan libraritë e bibliotekat shqiptare, sidomos në harkun kohor të viteve '70-80 të shekullit të kaluar, ai "iu imponua" Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, e cila nga viti 1982-1991 e nxori shkrimtar në profesion të lirë, pra duke i krijuar kushte më të mira krijuese.  
Në vitet 1992-1997 është diplomat në Turqi, sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Ankara, ku dhe ka një pauz në botime. 
Në vitin 1997 kthehet sërish në Shkodër, drejtor i Televizionit „Shkodra TV1, nga viti 1999 analist politik për çështjet e Evropës Juglindore, të Ballkanit dhe të problemeve shqiptare në gazetat "Koha jonë", "Sot", "Shekulli", etj.  
Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shkodrës. Është poliglot. Zotëron mjaft mirë italishten, frëngjishten e turqishten dhe komunikon në anglisht, serbokroatisht dhe rusisht. Shkrimtari Skender Drini është Laurat i Çmimit të Republikës së Shqipërisë.


Veprat

Letersi per fëmijë
  • Tregimet e së shtunës - tregime - 1965
  • Do të luajmë pas luftës - tregime - 1967
  • Tregime për botën tonë - tregime - 1967
  • Kompania e katërt - roman (Botimi I '73) - 1967
  • Tregime të zgjedhura për fëmijë - tregime - 1977

Tregime

  • Kumbimet e reja të pyjeve - 1972
  • Tregimet e veriut - 1977
  • Rruga e njeriut - 1990
  • I racconti del Nord ( Tregimet e Veriut) perkthimi Pavlina Nasca, Bari , Itali, 2007

Romane

  • Shqipja e kreshtave tona (Vol.I) - 1967
  • Shqipja e kreshtave tona (Vol.II) - 1970
  • Shqipja e kreshtave tona - Prishtinë, 1970
  • Kënga e dritës - 1970
  • Njeriu gjigant - 1973
  • Shembja e idhujve - 1975
  • Midis dy kohëve - 1978
  • Vraje tradhtinë - 1978
  • Kirurgët - 1984
  • Bajram Curri - Biografi e letrarizuar - 1984
  • Tanush Martini - 1990
  • Ishulli i qetë - Prishtine, 1996
  • Shfytyrimi - EuroRilindja, 1996
  • Eklipsi i hënës - 1998
  • Kthim në vetvete - Publicistikë analitike
  • Shekulli i Kosovës - 2000
  • Përballje - 2002
  • Nata është grua - 2004
  • Korbi - shtëpia botuese "Globus R"-Tiranë, 2007
  • Sonambul - shtëpia botuese "Ilar" -Tiranë, 2008
  • Parajsa e gjenive - shtëpia botuese "Ilar" -Tiranë 2009 
  • Planeti i lodhur - 2012



Një tregim nga shkrimtari Skënder Drini

K o r b i
Plaku kishte shaluar karrigen dhe me duart e mbështetura në shpinë të saj fiksonte me një përqëndrim të madh korbin që kishte përpara. E bënte shpesh këtë gjë dhe kjo ishte një mënyrë e tij për të hyrë në një marrëdhënie të veçantë, sepse çdo gjë përcaktohej nga ai shpend i madh që rrinte si i përgjumur në atë kafazin me derë të hapur.Marrëdhënia e tyre ishte e veçantë, sepse sundonte korbi: e vështronte kur donte ai ose harrohej në një heshtje të gjatë mospërfillëse, ose i kthente shpinën si një njeri i zemëruar dhe i fyer, siç po ndodhte tani. Po pse të ishte zemëruar? Nuk e kuptonte, sepse korbi këtë gjë e bënte shpesh edhe kot së koti. Kur bënte kështu, gjithnjë kishte ndjerë frikë, kishte ndjerë diçka që i afrohej atmosferës që krijon vdekja. Ishte një korb madhështor, ndoshta dy herë më i madh se gjithë  raca e tij. Ishte një përjashtim i natyrës dhe ndoshta një gabim i saj. Këtë të dytën plaku e mendonte kur ia kthente shpinën si tani. Kishte raste që mendonte se korbi e shpërfillte dhe e nënvleftësonte. Kështu duhej të ishte përderisa i rrinte gjatë me shpinën të kthyer dhe nuk tundej nga ky pozicion derisa t’i tekej dhe t'i kthehej me atë britmën ngjethëse: Albert! Shpina e kthyer ishte tepër e rëndë edhe sikur të mos ishte fyerje, sepse nuk ishte aq i bindur të kishte arritur deri në atë shkallë inteligjence ai shpend. Po ndodhte prej kohësh diçka e çuditshme në lidhje me fyerjen: atë që ndiente për vetveten, ngaqë nuk ia kishte dalë kurrsesi të çante në jetë, ia vishte korbit.
            Korbi u kthye. Si një oshënar, si një murg që matet kur hedh hapin, si një kardinal që përgatitet për një meshë solemne. I mungonte një copë pelerinë e kuqe për të gjasuar kardinalin, por kjo nuk kishte rëndësi, se plotësonte imagjinata e Albertit. Gjithçka që i mungonte atij korbi e plotësonte ai.
            Korbi u kthye ngadalë, aq ngadalë sa atij po i bëhej se edhe koha po kaq ngathët bënte përpara. Ai ishte i bindur që korbi ishte koha! A nuk shkruhej në atë kartelën poshtë kafazit që ai ishte 1000 vjeç? E kishte shkruar ai dhe kjo i kishte bërë përshtypje të madhe gjithkujt. Po a ishte me të vërtetë 1000 vjeç? Nëse ishte koha, ai mund të ishte edhe më shumë…Ishte i bindur që korbi ishte koha, sepse nuk shihte asnjë ndryshim tek ai dhe kjo nuk ndodhte tjetërkund veçse në kohë. Vetëm koha nuk ndryshonte. Korbi ishte sterrë i zi dhe nuk kishte një pupël të bardhë që të tregonte një moshë që po thyhej. Kishte dalë me të nëpër sheshe, kishte ndodhur të dilte nëpër sheshe si ata vetmitarët e cirkut për një kafshatë bukë, por moshën e shpendit nuk e kishte shkruar për të spekulluar apo për të tërhequr kalimtarët. Thjesht e kishte shkruar se kështu i qe shkrepur në mendje dhe me kalimin e viteve ishte bindur se kishte shkruar të vërtetën. Të dy kishin mbushur gati një çerek shekulli bashkëjetesë, po si kishte qenë jeta e atij korbi në ato 975 vjet që mbeteshin? Pak a shumë i binte që të kishte lindur në shekullin e dhjetë dhe, meqenëse Australia u popullua shumë vonë, i binte të kishte lindur në një botë kafshësh, se në atë kontinent jetonin vetëm një grusht aborigjenësh.Po si kishte qenë ajo kohë dhe ajo jetë?Besonte se kishte qenë një jetë ku njeriu dhe kafsha ndanin pothuaj të njëjtin fat, që kishte të bënte me luftën për ekzistencë. Më tej ai besonte se nuk kishte menduar asgjë për të qenë, sepse përvoja e tij e hidhur e kishte bindur se në çdo kohë nuk kishte tjetër veçse një luftë për ekzistencë.Kishte pak shkollë, por intuita e shtynte të fantazonte që të gjitha gjallesat ishin të vetmet kundërshtare të kohës dhe sa më gjatë që të jetonin, aq më shumë e kundërshtonin kohën! Pra, sipas tij koha kishte interes  të kishte përballë krijesa jetëshkurtra siç ishin njerëzit dhe nuk kishte interes të kishte përballë krijesa jetëgjata siç mund të ishte korbi. Kohës nuk i duheshin dokumente të gjallë.Ajo kërkonte të rridhte me një harresë të plotë, ku nuk do të kishte asnjë fillim asnjë fund, siç ndodhte në planetet e tjerë. Në tokë kishte ndodhur një çudi dhe kjo çudi kishte të bënte që nga shfaqja e njëqelizorëve e deri te njeriu. Ai mendonte kështu dhe fantazonte kështu, sepse në 25 vitet e fundit, nga 35 që kishte kaluar në mërgim, kishte jetuar krejt vetëm në mes të prerive të Australisë. Krejt vetëm, nëse do të përjashtohej korbi.Po çfarë kishte sot ai kështu? Përpëliste sytë dhe sikur i vinte gjumë. Ai nuk e kishte parë të flinte. Në 25 vjet nuk e kishte parë të flinte, po ndoshta edhe në kaq vjet nuk kishte marrë vesh si flinte. Ai duhet të ishte i gëzuar që  Alberti ishte kthyer sërish në punë, po sikur nuk e manifestonte këtë. Apo nuk donte të mbahej në të madh që e kishte kthyer ai? Sidoqoftë, me ata kapakët e syve që përpëliteshin ngathët, tregonte një shenjë mërzie. A mos po plakej më në fund? Ndodhte që Alberti ta kishte zili për këtë. Edhe tani sikur ndiente njëfarë zilie. Shihte veten padashur në atë pasqyrën e madhe pas kafazit, pastaj shihte korbin.Me njerëzit mund ta pranonte rrënimin e tij, se ishte një rrënim paralel, po nuk mund ta pranonte me korbin. Për herë të parë mendoi që koha dhe natyra ishin më shumë dashamirëse ndaj gjallesave të tjera se sa ndaj njeriut.
            Korbi bëri një hap të ngathët përpara. Ishte një lëvizje sikur të kapërcente diçka. Këmba e tij mbeti pezull pak më gjatë se sa mund t’i duhej një krijese tjetër për të hedhur një hap. Ndoshta kjo tregonte që ishte i pavendosur nëse duhej ta hidhte atë hap. Po, kështu ndodhte gjithnjë! Gjithnjë ishte i pavendosur? E uli këmbën. Kur e ulte këmbën kishte diçka despotike, diçka të rëndë dhe mistike . Pas kësaj ai sikur ndiente një oshëtimë, një si gjëmë, që e krahasonte për çudi me atë tingullin buçitës që nxjerrin ato tepsitë gjigande të varura në tempujt budistë.
            Qendroi në pragun e kafazit. Gjithnjë me krahët e mëdhenj të mbledhur, si të ngjitur pas trupit. Kohët e fundit nuk e kishte parë t’i hapte krahët. Po merrte fund, apo kishte hequr dorë nga qielli? Alberti mendoi me njëfarë gëzimi që ai kishte hequr dorë nga qielli për hatër të tij. Kjo mund të ishte e vërtetë, po të mendoje që ai korb kishte hequr dorë nga shumë gjëra për hatër të tij. Të gjithë korbat jetonin në tufë, ndërsa ai kishte mbetur vetmitar, i lidhur pas atij njeriu.Pastaj nuk ishte dëgjuar ndonjëherë që një korb ta ndërronte hapësirën me një kthinë të mbyllur, siç kishte bërë ai shpend.
            Krejt papritur i ktheu sërish shpinën, pastaj u drejtua pak nga pak duke sfiduar atë këndin 90 gradë që përftonte zakonisht trupi i një shpendi kundrejt tokës.Këndi 90 gradë është i njeriut! Kur bënte kështu, ngjante me një mazhordom që kishte veshur një frak të rëndë. Kur rrinte kështu, përballë tij, korbi merrte pamjen kërcënuese të një kobre. Por kjo ndodhte rrallë.Mbante disa sekonda, se ai nuk mund të qëndronte gjatë ashtu drejt si qiri , nuk mund të thyente të gjitha ligjet e llojit të vet. Po pse po sillej në këtë mënyrë? Ata kishin një javë pa u parë, qëkur pronari i hotelit e kishte nxjerrë nga puna Albertin. Kjo mund të ishte thjesht një tekë e tij, se korbi kishte plot teka të tilla dhe ai ishte mësuar me shumë prej tyre, po me atë shpinën e kthyer nuk mund të mësohej. Ishte një fyerje. Ai nuk kishte hequr dorë asnjëherë nga ideja që ishte fyerje, megjithëse ky mendim e frikësonte. Si mund t’ia vishte një shpendi zakonet e njeriut? Mos po çmendej? Edhe kjo kishte mundësi, nën atë vetminë e plotë ku kishte jetuar për shumë vjet dhe ku qe takuar me korbin.
            Në gjashtëdhjetepesën theu kufirin për t’u hedhur në Greqi, po nuk pati fat, se e qëlluan rojet dhe i gjymtuan këmbën. U end për disa kohë nëpër spitale dhe nepër azile emigrantësh në Greqi dhe Itali, pastaj një ditë u fut gjysmë klandestin në një anije mallrash dhe përfundoi në Australi. Ishte dyzet vjeç dhe po rrinte në këtë vend të largët pasi kishte bërë shumë vite burg në vend të tij. Këmba e gjymtuar ishte dokumenti më demaskues që mund të mendohej dhe nga kjo ishte e pamundur të gjente punë. Kishte jetuar për ca kohë në asistencë, por edhe kësaj i kish ardhur fundi perpara një kërcënimi për riatdhesim. Riatdhesim për të do të thoshte riburgim, prandaj përpara kësaj ai mund të pranonte çdo alternativë të dëshpëruar. Diçka e tillë ishte edhe mundësia për të punuar në një fermë kuajsh që rriteshin në natyrë gjysmë të egër dhe, me sa kishte kuptuar, përfundonin në një fabrikë sallami. Ai kishte për detyrë të mbante pastër një hangar gjysmë të rrënuar, se me kuajt merrej vetëm në darkë, kur u hidhte tërshërë dhe u hapte ujin. Përveç hangarit stallë dhe një helike ere që nxirrte ujë në mënyrë mekanike nuk kishte asnjë  ndërtim tjetër, po të mos përmendje udhën e hekurt, ku kalonin dy trena në ditë. Kaq mund të shihej në atë vend, nëse nuk do të harroje atë xhipsin e vjetër, që i sillte ushqime një herë në muaj, një herë në dyzet ditë. Kaq mund të shihte me dhjetra e dhjetra kilometra, sa kishte mundur të ecte. Ishte një vend pothuajse i shkretë, ku gëlonin kaktuse të rrallë dhe gjëmbaçë të tjerë, përmes të të cilëve lëvrinin kangurë të vegjël kalimtarë. Bari aty ishte aq i rrallë, sa nuk e kuptonte me se ushqeheshin kuajt. Megjithatë ky vend ishte një nga ato çuditë e planetit, ashtu siç mund të jetë çudi një tokë që është nën pushtetin e krikeve, atyre rrëkeve të vogla të Australisë që vijnë me potere të madhe dhe që po ashtu i përpin dheu si të mos kishin ekzistuar kurrë. Ruante orarin e trenave në mbrëmje dhe në mëngjes. Afrohej te shinat ku përshkohej në pak sekonda një film me xhirim të shpejtë. Nuk kishte qenë e mundur të fiksonte një fytyrë njeriu në ato dritare të trenit. Po pse duhej t’i fiksonte? Njerëzit e panjohur nuk mund të ishin tjetër veçse një film me xhirim të shpejtë. Ai vinte aty për të bindur veten që ishte ende një pjesë e kësaj bote dhe se mërgimi ishte i përkohshëm. Treni largohej duke lënë pas një uturimë që shkimej avash  avash, ashtu siç shuhej edhe shpresa e tij se mund të largohej nga ky vend. Po gjithsesi ai nuk ishte në burg dhe aty kishte ardhur me dëshirë. Po a mund të shpërfillet jeta e njeriut kur bëhet burgu një pikë krahasimi? Nuk kishte besuar se mund të dilte nga burgu, po kishte dalë. Kështu do të dilte edhe që aty. Po kjo shpresë i shuhej kur vinte pronari me atë xhipsin e vjetër. Ai ishte njeri me një personalitet të dobët që mundohej të plotësonte me fjalë të ashpra mangësitë e natyrës së tij. Përsëriste në çdo kohë që ishte një pasardhës piratësh dhe se kishte pasur tre të varur në direkë anijesh nga fisi i tij. Pra atij s’mund t’ia hidhte askush! U hidhte një sy të shpejtë  stallave dhe përsëriste për të njëmijtën herë që do t’i ndreqte shpejt, pastaj numëronte kuajt. Numëronte nga njëshi deri në dyzet, që ishte pothuaj një numër stabël pas skartimesh dhe në fund se si e drejtonte gishtin nga Alberti, kur kishte mbaruar së numëruari kuajt. Ky i fundit merrte vesh vetëm pak fjalë në atë gjuhë, por nuk dihet pse qe i bindur që kali i dyzetenjëtë ishte Alberti. Me kohë pronari hoqi dorë nga anglishtja, sepse tjetri mezi kishte mësuar vëtëm disa numra dhe filloi t’i fliste me mjë italishte saksone për emigrantët që riatdhesonte qeveria, sepse ishin pa leje qëndrimi. Alberti buzëqeshte. Kot mundohej t’i fuste frikën që të rrinte aty, se nuk kishte ku të shkonte. Këmba e gjymtuar ishte mallkimi i tij. E tërhiqte pothuaj zvarrë si  një pjesë të huaj. Shpesh mendonte që do të ishte më mirë të mos e kishte dhe në vend të saj të kishte një patericë. Pronari i thoshte diçka edhe për këmbën, me siguri i tregonte edhe një pengesë të re, po që nuk arrinte ta kuptonte. Pastaj pronari largohej duke përsëritur se shpejt do të ndërronte gjithçka aty, po Alberti e dinte që nuk do të shpenzonte asgjë, sepse donte të nxirrte një fitim pa shpenzuar asnjë dollar.
            Dita kalonte disi. Dita ishte rrëke djerse dhe erë baglash. Pastaj vinte mbrëmja shumë shpejt, një mbrëmje e këputur si me thikë nga drita në errësirë. Aty nuk kishte një muzg të vërtetë, sepse ai humbiste përnjëherësh së bashku me siluetat e kuajve që ktheheshin në stallë, përzihej me ta duke krijuar një pamje ku sundonte haluçinacioni dhe deformimi i figurës. Kuajt, në atë vrapim të çmendur, ishin zgjatime gjymtyrësh, qafash, kokash; ishin një zili e vërtetë për Mark Shagallin.Kishte qenë e pamundur të vendoste një lidhje me ato kafshë. Kuajt e pranonin sa u hidhte për të ngrënë, pastaj turreshin brenda. Ai nuk kishte arritur t’i prekte asnjëherë me dorë. Kur zgjaste dorën, ngriheshin në këmbët e pasme dhe merrnin pamjen e një egërsie të vërtetë. Ktheheshin aty se kishte tërshërë, krunde dhe ujë. Sidomos ujë. Nata fillonte me një erë të thatë që vishte dritaret në pluhur. Gjithçka fillon dhe pushon një çast, për të rifilluar prapë, po era aty niste në mbrëmje dhe pushonte ne ag të ditës. Kishte një zhurmë të çuditshme, të lehtë dhe të pandërprerë që të krijonte përshtypjen se jashtë po harbohej një zgjua gjigand bletësh. Në këtë kohë ai ishte i mbyllur brenda se nuk guxonte të dilte nga era. Por kur e bënte këtë në të rrallë, shihte një qiell të zymtë dhe me pak yje. Shihte yjet më të fortë, drita e të cilëve arrinte të përshkohej përmes pluhurit. Nata ishte e frikshme, po ai nuk kishte frikë. Njerëzit që nuk kanë çfarë të humbasin nuk kanë frikë. I kishin lënë një çifte për të zbuar dingot, po ajo më shumë i hynte në punë kur vonohej pronari dhe atij i duhej të vriste një kangur për t’u ushqyer. Edhe konservat që i vinin nga Sidnei ishin me mish kanguri. Një mall i dobët, një mall për qentë. Nata ishte një litar i pafund kujtimesh që e tërhiqte në thellësi të frikshme pa arritur kurrë fundin. Ishte një litar plot nyje të forta dhe më e forta mes tyre ishte nyja e burgut. Ishte përpjekur ta harronte, megjithëse e dinte se ishte larguar vetëm fizikisht nga burgu. Shpirtin e kishte prapë aty si një fantazmë të braktisur. Ishte e çuditshme që shpirti i tij nuk lidhej me torturën, po me disa imtësi që shumëkush nuk mund t’i llogariste. Lidhej me zërin e gardianit që nuk mund të ishte krejt ironik kur i thoshte: “Ngrehu kont, se të presin vepra të mëdha!” Lidhej me gërvishjen e derës së hekurt që gërryente menteshat e rënda. Deri këtu gjithçka ishte e rëdomtë, por e jashtëzakonshmja kishte të bënte me faktin që nuk kishin të drejtë t’i vajisnin ato dyer. Shpirti i tij lidhej me Burdullën, atë policin e trashë që afrohej te hekurat dhe kërkonte nga të burgosurit t’i kruanin kokën. Lidhej me Thimin që kontrollonte postën dhe ironizonte familjarët e të burgosurve. Ai ishte një aktor i madh për të përsëritur dënesat e një nëne dhe përmallimin e një gruaje. Nxirrte në shesh me një mënyrë të natyrshme mikrosekretet familjare të të burgosurve, duke i pëshpëritur ato vesh më vesh dhe duke e ngritur përdhosjen në një art të vërtetë. Ishte i bindur që pas kësaj do të vinin përherë e më pak letra në burg dhe nuk do të qorronte sytë për të deshifruar kaligrafinë e shtrëmbër të fshatarëve. Atij nuk i vinin letra. Nuk kishin nga t’i vinin. Ishte rritur në një shtëpi fëmijësh. Ishte jetim.
            Këto imtësi kujtonte dhe plot të tjera si këto e përpiqej t’u rrinte sa më larg ngjarjeve me një gjëmë kozmike. Gjëmë kozmike? Ç’është kjo shpikje shkrimtarësh? Kishte parë ta mbysnin të burgosurin në gropën e fekaleve dhe kozmosit nuk i qe dridhur një qerpik.
            Në mëngjes shihte një gjurmë shpendi përpara derës së tij. Ishte një gjurmë e madhe, si e një grabitqari të qiellit, një gjurmë në reliev të thellë nga pluhuri i natës. Një si gravurë e derdhur në plumb. Gjurma shtyhej rreth pesëmbëdhjetë hapa nga dera e tij dhe përfundonte aty ku shpendi kishte rrahur krahët për ta vazhduar rrugën në qiell. E kishte ruajtur, po nuk kishte arritur ta shihte. Siç dukej ai vinte natën dhe ikte pa zbardhur. Po çfarë kërkonte aty? Në atë vend përshkoheshin vetëm tufa të stërmëdha zogjsh të vegjë. Aq të mëdha sa errësonin diellin. Po kjo zgjaste vetëm pak çaste, pastaj gjithë ditën nuk shihej një shpend i gjallë, po të përjashtoje ata fajkojtë e rrallë që endeshin shumë lart në qiell. Ai kishte vënë çarqe me mish kanguri, po mishi zhdukej dhe në çark nuk mbetej asgjë. Sigurisht që duhej të ishte një shpend tepër finok përderisa i shpëtonte çarkut.Erdhi pronari një ditë dhe harroi aty një gjysmë shishe me xhin. Ai ia zgjaste shishen sa herë vinte aty, po Alberti nuk donte. Po atë ditë e piu atë gjysmë shisheje, e piu pothuaj me një frymë dhe pas kësaj nuk ishte më në vete. Doli jashtë duke iu marrë këmbët dhe arriti ashtu deri tek shinat e trenit. Aty u shemb krejtësisht i dehur. Ndenji gjatë në atë gjendje, apo më saktë ndenji derisa ndjeu disa të therura të forta në ballë. I hapi sytë dhe besoi që ishte nata ajo që e pengonte të shihte. Pastaj ndjeu një peshë në gjoks dhe dyshoi të kishte diçka në zemër. Kishte dëgjuar që anomalitë e zemrës nisnin me këtë peshë në gjoks. Lëvizi krahun dhe me këtë lëvizje largoi peshën nga gjoksi. Pau që kishte larguar një korb. E kuptoi që korbi i kishte penguar shikimin me trup. U ngjeth. Korbi me siguri kishte dashur t’i hante sytë. Kështu ndodhte me kufomat që në shumicën e rasteve gjendeshin pa sy.
Korbi kishte qëndruar krejt pranë tij dhe nuk luante. E trembi me zemërim, po korbi nuk u shqetësua. Atëherë pau që kishte të bënte me një korb tepër të madh dhe ndoshta me një përjashtim të gjithë racës së tij. Fërkoi ballin që i dhimbte dhe i bëri duart me gjak. Po pse e kishte goditur aq fort në ball ai korb, kur mund t’i nxirrte fare mirë sytë? Në atë çast dëgjoi sirenën e trenit dhe pas pak vështroi lokomotivën që dilte pas kaktuseve. U drithërua. A mos kish dashur t’i shpëtonte jetën ky korb? Gjithsesi pa çukitjen e tij lokomotiva do ta kishte ndarë më dysh. Zgjati krahun nga korbi dhe sesi ndjeu që ishte barabar me të, sesi ndjeu që nuk kishte pushtet mbi të. Për një çast kishte mbaruar pushteti i njeriut mbi një qenie pa ndërgjegje. Ai mendoi që kjo nuk po ndodhte për ndonjë cilësi të veçantë të korbit por vetëm se i detyrohej diçka atij.
Pau që nuk mund ta largonte dhe as që mund ta afronte. Ndoshta ndodhte ngaqë mund të ishte hera e parë që ishte pranë një njeriu. Për korbin ky njeri mund të ishte një shpend shumë herë më i madh se ai, por kjo nuk e fikësonte. Nuk frikësohej nga kangurët që ishin shumë herë më të mëdhenj. Po a i merrte edhe kangurët për shpendë? E kishte kokën të turbullt dhe po mendonte budallallëqe. Si mund të dinte çfarë kishte në kokë ai korb?
U ngrit dhe zuri të ecte duke kthyer kokën herë pas here. Pas tij ecte edhe korbi pa e ndryshuar distancën që i ndante. Kishte një hap parade, kishte diçka nga shkolla e vjetër e ushtrive perandorake dhe kjo do të qe krejt e saktë, po të kishte trompeta dhe fanfara. Ngulte mirë aty ku shkelte, duke u bindur që shkelte në tokë të vet dhe ky ndoshta ishte avantazhi kundrejt Albertit. Alberti nuk ishte në tokë të vet. Ai qëndroi duke u kujtuar për gjurmët që linte pas korbit. Ishin po ato që kishte parë çdo mëngjes përpara derës. Pra korbi po e ndiqte prej kohësh dhe nuk ishte rastësi ndodhja e tij tek shinat e trenit.
Hyri në dhomë. Ishte i bindur që do të hynte edhe korbi, por priti që ai të dyshonte, të hezitonte ndopak. Po nuk ndodhi asgjë nga këto. Shpendi u fut me pushtet të madh, drejtoi trupin avash  avash dhe e pa drejt në sy. Albertit iu duk se ai hyri aty me një milion vjet histori të racës së vet dhe u tremb. Për vete ishte një njeri pa histori, ishte një jetim dhe kjo ishte arsyeja, sipas tij, që po përplasej kështu në jetë. Të paktën ishte njëra nga arsyet... Një milion vjet histori ishin një pushtet i madh dhe ai e pat frikë këtë pushtet. Me se mund ta përballonte atë korb që rrinte aty i ngrefosur si një kasnec i vdekjes? Ishte kaq i zi... Kaq e zezë ishte vetëm ngjyra e vdekjes... Nuk e vrau mendjen të arsyetonte që s’mund ti sillte vdekjen dikush që posa e kishte shpëtuar nga vdekja. Rrëmbeu çiften dhe ia drejtoi korbit. E kishte poshtëruar, fyer dhe nënshtruar tëtë jetën saqë kjo nuk mbante më.
Korbi nuk u trazua fare. E pau tjetrin drejt në sy. Në atë çast, po të ishin të dy qenie me ndërgjegje, mund të ishte zhvilluar ky dialog:
-Më duhet të të vras!
-Do më vrasësh se do të më hash?
-Thjesht do të të vras...
-Kjo nuk është e mundur!- u çudit korbi, sepse vrasja në natyrë kishte të bënte vetëm me luftën për ekzistencë. Korbit iu duk krejt anormale krijesa që kishte përpara. Çfarë race ishte ajo që vriste kot së koti?
-Nuk mund të më vrasësh, sepse ne jemi njëlloj: vetëm ti dhe vetëm unë...
-Si mund të jesh vetëm me gjithë ato tufa korbash? Vetëm korbat nuk shfarosen...
-Kanë ikur!
-Të kishe ikur edhe ti!
-Nuk mund të iki! Ky është vendi im...
-Qenke një korb patriot...- tha Alberti me njëfarë ironie, duke e ndjerë veten edhe më të fyer, ngaqë  korbi nuk pranonte të linte vendin e vet, ndërsa ai ia kishte mbathur. Po a e dinte ky djall korbi se çfarë ishte diktatura?
Korbi iu përgjigj që diktatura ishte kondori i madh i shkretëtirës, ishte vdekja!
-Qenke edhe i zgjuar...- bëlbëzoi Alberti.
-Jam i zgjuar, sepse jam njëmijë vjeç...
Alberti uli çiften. E kishin mbuluar djersët.
-Djall...- pëshpëriti duke vendosur çiften.
-Djall!- dëgjoi pas shpinës së tij.
U kthye shumë i tronditur duke hedhur një vështrim rreth e rrotull.
-Djall!- përsëriti korbi me zë të çjerrë.
-Ti flitke? Ti flitke?- u tremb Alberti.
Korbi u spraps, rrahi krahët dhe u zhduk.
Të nesërmen lëshoi kuajt dhe pau për korbin, por ai nuk dukej. Ishin zhdukur edhe ato gjurmët e zakonshme përpara derës së tij. Bëri një xhiro rreth stallës, pastaj deshi ta linte atë punë, kur krejt papritur dëgjoi një krrau-krrau përshëndetëse nga maja e helikës së erës. Korbi zbriti me krahë të ndehur dhe qëndroi para këmbëve të tij. Sytë i vezullonin me një dritë të butë. Lëvizte kokën papushim dhe dukej i kënaqur.
-Djall!- thirri Alberti me shpresën se do të dëgjonte të njëjtën fjalë, po korbi as që ia vari.
-Djall!...- pëshpëriti Alberti, po korbi i ktheu shpinën dhe u fut brenda si në shtëpinë e vet.
Alberti e mbante mend korbin nga përrallat e fëminisë si lakmitar të madh dhe tinëzar të madh, por këtë nuk e vërtetoi dot aty brenda. Aty brenda kishte mbeturina konservash dhe ushqime të tjera, po korbi as që ua hodhi sytë.
Alberti mbante mend gjithashtu për prirjen e korbave për t’u dhënë pas gjërave të shkëlqyera dhe arturinave. Ishte një përrallë se si qe pasuruar një vajzë e varfër nga vëthët dhe unazat e arta që i sillte një korb.
-Albert...- pëshpëriti emrin e vet Alberti.
-Albert! Albert! Albert!- shqiptoi korbi.
Alberti u gëzua dhe tha plot fjalë të tjera, po korbi arriti të përsëriste vetëm fjalën “masakër”.
-Masakër!- tha edhe një herë korbi duke e dhënë fjalën me një “rr” të fortë në fund.
Alberti i hodhi një copë mish. Korbi e kullufiti ngathët dhe krejt pa interes. E dinte që korbat ishin hamës të mëdhenj dhe të pabesë,po ky këtu kishte një vëmendje të dobët ndaj ushqimit. Alberti mendoi që nuk kishte si të ishte ndryshe përderisa ai ishte 1000 vjeç! Tani ai ishte i bindur që korbi kishte këtë moshë dhe herë- herë përpiqej të kuptonte si kishte qenë kjo botë kur kish lindur. Australia as që njihej. Këtë e dinte. Evropën e mbulonte një terr i plotë në shekullin dhjetë, ndërsa për pjesën tjetër të botës nuk dinte asgjë. I mësoi korbit ato pak fjalë që dinte në anglisht. Fjalën “hell”e përsëriste me kënaqësi, ndërsa e kundërta e ferrit nuk i pëlqente. Më kot rrekej Alberti duke përsëritur “heaven”, po korbi i kthente shpinën.
Shfaqja e korbit ia ndryshoi disi jetën deri në atë masë, sa herë- herë kishte përshtypjen se aty po jetonte vetë i dytë dhe vetë i dyti ishte më e lehtë për ta përballuar atë vend. Kështu iku mjaft kohë sa ndodhi ajo që pritej të ndodhte prej kohësh. Kuajt nuk u kthyen. Nuk erdhën as natën tjetër dhe u detyrua t’i kërkonte dhjetra milje larg. Kuajt nuk ishin askund. Ishin zhdukur.Do të ishte zhdukur edhe ai kur kthehej, do të kish humbur në atë gjysmëshkretëtirë, po të mos ishte korbi që i korrigjonte udhën. Me sa dukej ishte më i zoti se korbi i Noes. Noe kish nisur korbin të parin për të gjetur tokë, po ai nuk kishte gjetur. Kështu thoshte bibla.
Pronari ishte i bindur që tufa e tij kishte rënë pre e gjahtarëve të kuajve të egër, por megjithatë gjithë fajin ia hodhi Albertit. I tha që do ta çonte në gjyq, që do ta fuste në burg. Nuk i dha rrogën e muajit dhe iku pa e marrë me vete. Alberti mendoi që duhej të nisej menjëherë sa nuk ishin mbuluar gjurmët e makinës së pronarit. Mori disa shishe plastike me ujë, disa ushqime në një trastë dhe u nis. Po ku ishte korbi? Ai kishte vënë re që korbi zhdukej kur vinte pronari. Priti, po nuk mund të priste gjatë. Ishte i bindur se po të ishte ai korbi që njihte, do t’i vinte pas. Dhe kështu ndodhi. Dëgjoi një “krrau” të zgjatur, të dhimbshme pas krahëve e pastaj korbi i doli përpara këmbëve. Bëri një hap, por korbi vetëm sa u spraps dhe nuk i lëshoi udhë. Kështu disa herë. Ky ishte kulmi.Nuk donte ta linte të ikte. Atij i erdhi të qante aty. T’ia jepte kujës. Si ishte e mundur që në tërë jetën e kishte dashur vetëm një korb? Apo e kishin dashur dhe ai nuk e kishte marrë vesh? U ul dhe e përkëdheli korbin. Herë të tjera korbi nuk e kishte lënë ta prekte. Me sa duket kjo ishte një ndarje, ishte fundi. Nuk ishte ndarë nga ndonjë i afërm në jetë, se nuk kishte të afërm. Aty mësoi se çfarë ishte ndarja. Po ndahej me një të fisit të tij, të gjirisë së tij që, fillonte prej njëmijë vjetësh dhe një milion vjetësh...
E mënjanoi korbin dhe u nis, po korbi nuk iu nda.
-Do të vish me mua?
Përgjigjja ishte një “krrauuu” e stërzgjatur.
-Po ti sikur je patriot? Ti nuk e braktis atdheun...
Hell!- tha korbi. Ferr...
A mos donte të thoshte ai që tani atdheu i tij ishte kthyer në ferr?
Vështroi korbin me ngulm. Ai ishte një zbulim piramidash. Kurrë nuk do të arrinte ta deshifronte deri në fund.
U nis duke i hedhur edhe një vështrim tjetër asaj që po linte pas. Sa kishte ndenjur aty? Tani kjo nuk qe e rëndësishme, sepse i dukej si tri ditë. Nuk do të ishin të rëndësishme as vitet që do të rrinte në Sidnei, deri në atë ditën që përfitoi nga një vendim i qeverisë për të kthyer falas në vendlindje emigrantët pa leje qëndrimi. Në kryeqytet ai befasua nga një ndërtesë shumëkatëshe. Hoteli “Kent”. Po i kujt ishte ky hoteli “Kent”? I thanë që ishte i Jani Papajanit. Po kush ishte ky Jani Papajani? Jani Papajani ishte ai burri me mustaqe që po fliste me atë kamarierin... Iu afrua dhe i kërkoi punë. I kërkoi punë duke i përmendur emrin me shumë mirësjellje: zoti Papajani...
-Nuk mund të marr të moshuar, po lëre që s’kam punë- u përgjigj Papajani duke i hedhur një gjysmë vështrimi.
Kishte bërë një budallallëk. Ai tjetri kishte përmendur moshën. Po iskur ta dinte për atë këmbën e gjymtuar?
-Unë mund të bëj një reklamë të jashtëzakonshme për ju!- tha, megjithatë Alberti.
-Reklamë? Çfarë reklame?
-Kam këtë që flet- tha Alberti, duke i treguar korbin në kafaz.
-Flet? Pa ta shohim...- u gjallërua Papajani.
Korbin nuk pati burrë ta bënte të fliste. Pesë minuta, dhjetë që ishin sa një shekull për Papajanin dhe sa një vdekje për Albertin.
-Përralla!- tha Papajani dhe i ktheu shpinën.
Po pikërisht në atë çast, pikërisht në atë çast, korbi e thirri në emër. E thirri butë, me një zë miklues dhe joshës: Papajani...
Pronari u kthye i befasuar dhe mendja e tij prej biznesmeni vendosi ta merrte në punë në të dhjetën e sokondës. Pak ditë përpara ishte përuruar hoteli “Sheraton” dhe kishte pasur rrjedhje klientësh. Korbin e vendosën në një sallon të vogël që kishte vetëm katër tavolina dhe ishte një separé për VIP- at e kryeqytetit. Mosha e tij bëri përshtypje të madhe. Njëmijë vjeç? Po a ishte e mundur? Mundet! Ai ishte kaq i madh, kaq krenar, kaq madhështor... Po kur do të fliste ai? E pritën gjatë, ndërsa hanin bukë dhe bënin shaka të rënda me njëri- tjetrin. Mes tyre binte në sy pronari i naftës, bos Mihali, një tip gazmor, që e kishte filluar nga hiçi dhe ishte gdhirë milioner. Nuk e thërrisnin me emër, sepse atë e përkëdhelte emri “bos”.
-Na e hodhe me korbin, o Papajani- tha bosi,  duke vështruar shtrembër Albertin që rrinte në këmbë pranë kafazit të korbit.
-E ka me të tekur...- u përgjigj Papajani, që atë çast kishte dëshirë ta zbonte me shqelma Albertin.
-Ai me të tekur e ka , po nuk e kam unë!- vazhdoi bosi me një ton të irrituar, po pastaj ndërroi menjëherë. Tha dikush diça pikante dhe plasi gazi, po si gjithnjë pas gjërave pikante vinte zbatica dhe këtë zbaticë kishte pritur korbi për të thirrur tri herë: Bos! Bos! Bos!
Bosi rrahu shuplakat me triumf. Ai u ngrit me një copë mishi në pirun dhe e pyeti Albertin nëse e hante mishin.
-E ha,por... Por nga dora ime...- u gjet ngushtë Alberti.
Ditët dhe netët që pasuan korbi u bë një llafazan i klasit të parë. Përmendte emrat e të gjithëve, pa e dalluar se i kujt ishte emri.Vetëm bosin e dallonte. Kur i thërriste emrin, kthehej nga ai si një akademik me togë të zezë. Kishte nisur edhe të përshëndeste, por vetëm bosin: Mirëmëngjes bos! Mirëmbrëma bos! Nganjëherë i ngatërronte këto dhe e vinte mëngjesin në mbrëmje dhe mbrëmjen në mëngjes dhe kjo ndodhte, sepse aty kishte gjithë kohën dritë. Korbit i mungonte errësira për të bërë ndryshimin. Papajani ishte në qiellin e shtatë nga suksesi. Edhe Alberti ishte diku në qiell, po kuptohet shumë më poshtë.
Megjithatë lumturia me pronarët nuk është shumë e gjatë.Ndodhi një ngatërresë në hotel dhe ata ia veshën korbit. Pronari i tha ta linte punën pa  menduar gjatë. Tjetri nuk u mbrojt. Nuk dinte të mbrohej. E mori disi natyrshëm, sepse shkelmi i dëbimit kishte qenë diçka e natyrshme për të. Deshi të merrte korbin, por e penguan bodiguardët. Njëri prej tyre i vuri edhe dorën në gjoks. Ky ishte atdheu në ditën e shtatëmbëdhjetë të tij... Iku kokulur, sepse nuk mund ta kundërshtonte atdheun as në ditën e shtatëmbëdhjetë të tij as në ditën e tij të fundit... Po si mund të ndahej nga korbi? Që të ndaheshin, duhejtë vdiste njëri prej tyre: ose ai ose korbi! Nuk mund të mendonte tjetër veç kësaj. Nuk mund të mendonte se mund të kthehej një ditë prapë aty. Nuk mund ta imagjinonte që korbi do të kyçte sqepin dhe as do të fliste as do të hante. Nuk mund ta nendonte që bosi do ta detyronte Papajanin ta merrte sërish në punë! Bosi i kishte thënë që ai ishte një hajvan e gjysmë! Si nuk e kuptonte që korbi po ngordhte për të zotin?
Fshiu faqet. I kishin rrjedhur sytë dhe nuk e kishte kuptua. Pleqëri... Për një çast ai e krahasoi korbin me një hidalg të vërtetë të mesjetës, që u kthente shpinën lotëve të mirënjohjes, apo të trishtimit...Dhe ishte më e pakta që mendoi, sepse në atë çast mund ta ngrinte korbin në një hyjni. Mos po e tepëronte? Po a nuk ishte një kohë që shumëçka mund të zinte vendin e një hyjnie? Po ç’jetë ishte kjo? Ç’djall kohe ishte, kur të kthente sërish në jetë një korb?

Shkodër, maj 2006 


Mittwoch, 26. November 2014

Kremtim dinjitoz i përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Nga SHKA "17 Shkurti" e Badenit të Austrisë

KËNGË, VALLE DHE POEZI 
PËR FESTËN E FLAMURIT  
DHE TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Më 22 nëntor 2014, në organizim të SHKA “17 Shkurti” , në Baden të Austrisë u kremtuar denjësisht Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë. Atë ditë, në Baden kishin ardhur për të kremtuar bashkarisht bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme të Europës dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Bashkë me anëtarët e zellshëm të Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “17 Shkurti”, kishin ardhur për te kremtuar edhe pëfaqesusesit e ambasadave të dy shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Këtë manifestim e kishin nderuar me praninë e tyre edhe Ushtruesi i detyrërs së Ambasadorit të Kosovës z. Blerim Cani, kryetari i Aleancës Kuq e Zi  z. Krshnik Spahiu, Atasheu Ushtarak i Shqipërise në Austri z. Dedë Prenkaj, Atasheu Policor i Kosovës në Austri z. Bekim Halilaj, pëfaqësuesi i Ministrisë së Diaspores të Republikës së Kosovës z. Zgjim Gashi, përfaqësusei për inegrim i qytetit të Badenit z Peter Ramberger, këngëtari i mirënjohur z. Arif Vladi, aktori i njohur Fatmir Spahiu apo Orhan Bobaj i serialit “Kafeneja jonë”, piktori Gazmend Freitag, shkrimtari kurd Mehmet Zeki Metin, poetet Haxhi Muhaxheri dhe Haxhi Morina e të tjerë.

Pas intonimit të hymnit kombetarë, në skenë doli moderatorja e talentuar Kaltrina Durmishi, e cila ndër të tjera tha: “Është një nder i veqantë edhe për mua që më është besuar drejtimi i kësaj ngjarje të rendësishme, prandaj shfrytezoj rastin qe në emer të SHKA „17 Shkurti“ dhe ne emrin tim personal të ju përshëndesë dhe të ju uroj Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqiperisë. Gëzuar!
Kjo sallë e bukur e Qytetit të bukur Baden nuk e ze dot krenarinë, mallin dhe dashurin qe kemi per Flamurin me shkabën dykrenare dhe atdheun tonë të shenjtë, Shqiperinë.
Njëherësh, duhet falënderuar anëtarët e zellshëm të kësaj shoqerie, të gjithë ata që me ditë të tëra e kalojnë kohën e lirë nepër salla ushtrimesh, në mënyrë që këtu para jush të paraqitën në mënyrë te dinjitetshme dhe të sjellin emocione të veqanta, duke shprehur kësisoj dashurinë e madhe për Kombin dhe Kulturen tone. Puna e tyre serioze ka bërë që keta anetar dhe kjo shoqeri, kudo qe janë paraqitur, ne koncerte dhe festivale, kanë paraqitur fuqishëm vlerat e bukura shpirtërore dhe artistike të popullit tonë.”

Mëpastaj fjala iu dha kryetarit të shoqërisë, z.Tahir Turkaj. Ai, pasi përshendeti të pranishmit dhe i falenderoj ata për pjesmarrjën,tha se 28 Nentori ishte dhe mbetet festa me e dashur dhe dita më e lumtur e jetës, sepse në ketë ditë të shenjtë u shpall mëvetësia e Shqipërisë, e shtetit për krijimin e të cilit u bën shumë përpjekje dhe sakrifica. Prandaj, ne që nga mengjesi jemi në këmbë duke bërë gjithçka është e mundshme që jut të ndjeheni sa më mire dhe të kënaqeni sa më shumë. Ndaj, duke ju dëshiruar disponim të kënshëm, po e p e prfundoj me vargjet e Fishtës sonë të madh dhe mesazhin e tyre te qartë: “Sa t’kam frymë me ligjerua / Dhe sa gjall në jetë unë jam / Kurr Shqypni s’kam me t’harrue / Edhe n’varr me t’permen kam!”.

Po ashtu, më fjalë rasti u paraqiten edhe perfaqesues diplomatik e politik dhe mysafirë të tjerë, si: Blerim Cani, Dedë Prenkaj, Bekim Halilaj, Kreshnik Spahiu, Zgjim Gashi, Peter Ramberger, Fatmir Spahiu etj. Kurse piktori Gazmend Freitag ia dhuroj publikisht krytarit të SHKA “17 Shkuri” z. Tahir Turkaj, një portret që ia kishte bërë me shumë mjeshtri. 


Program i pasur artistik 

Anëtarët e SHKA “17 Shkurti” kishin përgatitur për të pranishmit një program shumë të pasur e të larmishën kulturorë dhe artistik, me këgë e valle dhe recitime. Falë punës së vyer të koreografës z. Diellza Turkaj, valltaret e kësaj shoqërie u paraqitën me sukses të lakmueshëm para të pranishmive. Puna e sukseshme e koreografës u dëshmua veçanarisht në  “Vallja e lirisë” dhe “Baresha”. Ishin këto dy valle të pëgatitura mjeshtërisht dhe krijuan emocione të publiku dhe u mirëpritë me duartrokitje frenetike. Ishin djemt sypetrita e vajzat sokolesha me veshje kombëtare, që e pushtuan skenën dhe me fluturimet e tyre të lehta dëshmuan se dine ta lozin dhe e duan vallën shqiptare.

Me mjaft sukses u paraqitën edhe këngët e interpretuara nga grupi i burrave të përbërë nga Valdet Imeri, Afrim Rukolli, Artan Imeri dhe Tahir Turkaj. Po ashtu, paraqitje te bukur me kenget e saja bëri edhe kengetarja Naxhije Nuredini. Por ajo që vlenë të vlersohet është paraqitja mjaft e sukseshme e voglusheve Jonida dhe Adea Aliaj që, me potencën e zërit dhe lëvizjet artistike në skenë, dëshmuan se janë emra që premtojnë.

Mëpastaj u paraqit këngetari dhe artisti i mirënjohur Arif Vladi, i cili kishte ardhur nga Belgjika enkas për ta nderuar këtë manifestim. Këngët e tij epike dhe forma e lartë artistike e interpretimit bënë që ai gjatë gjithë kohës të shoqërohej me duartrokitje nga publiku. Sekëndejmi, në funksion të manifestimit ishin edhe këngët e kënduara nga Nikollë Gjini dhe muzika e bërë nga Hamdi Hyseni.


Kosova, Shqipëria dhe Çamëria.

Njëra ndër pjesët e sukseshme të programit artistik që kishte pëgatitur organizatori ishte padyshim edhe paraqitja e dinjitetshme dhe shumë e simpatike e tri voglusheve që deklamuan poezi të zgjedhura të poetit Haxhi Muhaxheri. Ato te veshura me pedantëri me veshje kombëtare, jo vetëm që arritën të përcjellin fuqishëm mesazhin e poezive, por krijuan emocione në sallë.

E para ishte Anjeza Turkaj që recitoj mjaft bukur poezinë “Kosova”. Në vazhdim Liza Idrizaj shkëlqeu me poezinë “Shqipëria”, kurse poezinë e tretë me titull “Çamëria” e solli fuqishëm për të pranishmit Agnesa Hasi.

Përfshirja dhe paraqitja e poezive në ketë manifestim ishte befasi e këndshme edhe për vet autorin Haxhi Muhaxheri, që ishte zyrtarisht i ftuar për të marrë pjesë si mysafir. Ai me ketë rast tha se vërtetë ndjehej i nderuar dhe njëkohësisht edhe i lumtur që ka njerëz fisnik që e duan poezinë dhe i nderojnë krijuesit letrar.

 
Ata që ndihmuan për mbajtjën e manifestimit

Të organizosh dhe të mbash një manifestim kulturor në mërgim, veç faktit qe kërkohet të kesh vullnet te mirë dhe duhet bërë shumë mund, nevojitën edhe mjete material. E dihet se shoqeritë dhe shoqatat kulturore nuk kanë ndonjë fond të lakmueshëm dhe rrall herë pëkrahen nga institucionet shtetrore. Por, SHKA “17 Shkurti” ia ka arritur të organizoj dhe të mbajë me sukses manifestimi falë ndihmës dhe bujarisë së treguar nga njerëzit e vullnetit të mire dhedonatoret.

Kesaj radhe kontributin e tyre e kane dhenë firma IAT e vëllezërve Basri dhe Esat Miftaraj, Firma Blakaj Fenster & Türen, me pronar z. Ylli Blakaj, Loshaj Bau me pronar z. Flamur Loshaj, Emini Fenster &Türen GmbH me pronar z. Isamedin Emini, Merkur Versicherung nga z. Musa Elshani, Loshi Reisen, Maloku Reisen, Luli Reisen, Bici Com dhe Alba Copy me pronar z. Gjevat Balaj. Realizimin e manifestimit e kanë ndihmuar edhe miqtë e shoqërisë Mete Lajqi, Lulzim Podrimqaku, Zenun Gashi, Arben Suhogerlla etj.

(h. m.)