F A Q E T

Samstag, 6. September 2014

Kryeministrat e shtetit shqiptar (II)

 
SHTATË KRYEMINISTRA TË VRARË
 
Shtatë kryeministra në historinë e shtetit shqiptar janë vrarë. Ata janë Ismail Qemali i helmuar,  Esad Pashë Toptani i vrarë në atentat, Hasan Prishtina i vrarë në atentat, Xhaferr Ypi i vrarë nga bombardimi, Idhomeno Kosturi (në foto) i vrarë në atentat, Kostaq Kota vdekur në burgun e Burrelit nga torturat, Maliq Bushati i pushkatuar si armik.
 
 
DHJETË KRYEMINISTRA TË DENUAR ME VDEKJE
 
Mes shumë kryeministrave shqiptarë, dhjetë prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Bicakciu, Kostaq Kotta, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine. Numrin më të madh e kanë kryeministrat që kanë qeverisur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që regjimi komunist i shpalli kriminelë lufte dhe i dënoi me vdekje në mungesë duke pretenduar që fuqitë e mëdha do ti dorëzonin. Mes dhjetë të dënuarve me dënim kapital janë ekzekutuar dy prej tyre: Maliq Bushati u pushkatua dhe Kostaq Kota vdiq në burg nga torturat. Ndërkohë Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë dënuar njëri-tjetrin me vdekje pas kryengrityjes së vitit 1924 kur Noli erdhi në pushtet dhe në dhjetor të atij vitit kur Zogu erdhi sërish në pushtet.
 
 
TRE KRYEMINISTRA TË DËNUAR ME BURG
 
Janë tre kryeministra pas vitit 1990 që janë dënuar dhe kanë bërë burg. Adil Çarçani dënua me 15 vjet, por bëri 3 vjet, i dënuar për abuzime me pushtetin gjatë regjimit komunist, Fatos Nano u dënua dhe bëri 4 vjet burg për abuzime me ndihmat italiane dhe Vilson Ahmeti bëri 2 vjet burg i dënuar për skandalin “Arsidi”.



NJË ISH KRYEMINISTRI I ËSHTË ZHDUKUR VARRI

Eqrem Bej Libohova është ish Kryeministri shqiptre që ka vdekur dhe është varrosur në Romë të Italisë, por i është zhdukur varri!

Freitag, 5. September 2014

Kryeministrat e shtetit shqiptar (I)

ISMAIL QEMALI
Qëndroi në detyrë nga 4 dhjetori 1912 deri më 22 janar 1914.
 
TURHAN PASHE PËRMETI
Ka qenë dy herë kryeministër: 15 mars 1914 – 20 maj 1914 dhe 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920
 
ESAD PASHË TOPTANI
Qëndroi në detyrë nga 5 tetori 1914 deri në 27 janar 1916.
 
SULEJMAN DELVINA
Qëndroi në detyrë nga 30 janari 1920 deri më 14 nëntor 1920.
 
ILIAZ VRIONI
Ka qenë tre herë kryeministër: 11 korrik – 16 tetor 1921, 27 maj 1924 – 10 qershor 1924 dhe 24 dhjetor 1924 – 5 janar 1925.
 
OMER PASHË VRIONI
Dhjetor 1921 - Janar 1922
 
PANDELI EVANGJELI
Ka qenë katër herë kryeministër: 16 tetori 1921 – 6 dhjetor 1921, 6 mars 1930 – 11 prill 1931, 20 prill 1931 – 7 dhjetor 1932 dhe 11 janar 1933 – 16 tetor 1935
 
QAZIM KOCULI
Qëndroi kryeministër vetëm 1 ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmjen e 6 dhjetorit 1921. 
 
HASAN PRISHTINA
Qëndroi si kryeministër vetëm 5 ditë: 7 dhjetor – 12 dhjetor 1921.
 
IDHOMENO KOSTURI
Qëndroi kryeministër 12 ditë: 12 dhjetor 1921 – 24 dhjetor 1921. 
 
XHAFERR YPI
Qëndroi kryeministër nga data 24 dhjetor 1921 deri më 26 dhjetor 1922. 
 
AHMET ZOGU
Ka qene 7 herë kryeministër, nga këto dy mandatet e para ekzekutues dhe 5 mandatet e tjera si president me fuqi ekzekutuese: 2 dhjetor 1922 – 25 shkurt 1924, 6–31 janar 1925, 1 shkurt 1925 – 23 shtator 1925, 28 shtator 1925 – 10 shkurt 1927, 12 shkurt 1927 – 21 tetor 1927, 24 tetor 1927 – 10 maj 1928, 11 maj 1928 – 1 shtator 1928. 
 
SHEFQET VERLACI
Ishte dy herë kryeministër. Herën e parë qëndroi në detyrë 58 ditë, nga 30 marsi 1924 deri më 27 maj 1924 dhe herën e dytë nga 12 prill 1939 deri më 3 dhjetor 1941. 
 
FAN NOLI
Qëndroi si kryeministër nga 16 qershori deri më 24 dhjetor 1924.
 
MEHDI FRASHËRI
Ka qenë kryeministër nga 21 tetori 1935 deri më 7 nëntor 1936.
 
KOSTAQ KOTTA
Ka qenë kryeministër nga 9 nëntori 1936 deri më 7 prill 1939. 
 
MUSTAFA KRUJA
Ka qenë kryeministër nga 3 dhjetori 1941 deri më 4 janar 1943.
 
EKREM LIBOHOVA
Ka qenë dy herë kryeministër. Herën e parë 24 ditë, nga 18 janari deri më 11 shkurt 1943 dhe herën e dytë nga 11 maji 1943 deri më 10 shtator 1943. 
 
MALIQ BUSHATI
Ka qenë kryeministër nga 12 shkurti 1943 deri më 28 prill 1943. 
 
REXHEP MITROVICA
Ka qenë kryeministër nga 5 nëntori 1943 e deri më 16 qershor 1944. 
 
FIQIRI DINE
Ka qenë kryeministër nga 18 korriku deri më 28 gusht 1944.
 
IBRAHIM BIÇAKÇIU
Ka qenë kryeministër nga 6 shtatori deri më 25 tetor 1944. 
 
ENVER HOXHA
Ka qenë 10 vjet kryeministër pa ndërprerje me 8 mandate: 23 tetor 1944 – 21 mars 1946, 2 tetor 1948 – 21 nëntor 1948, 23 nëntor 1948 – 16 nëntor 1949, 17 nëntor 1949 – 4 korrik 1950, 5 korrik 1950 – 5 shtator 1951, 6 shtator 1951 – 9 prill 1952, 10 prill 1952 – 31 korrik 1953, 1 gusht 1953 – 19 korrik 1954.
 
MEHMET SHEHU
Ka qenë 27 vjet kryeministër pa ndërprerje me 7 mandate: 1954 – 1958, 22 qershor 1958 – 16 korrik 1962, 1962 - 1966, 14 shtator 1966 – 18 nëntor 1970, 19 nëntor 1970 – 28 tetor 1974, 1974 – 1978, 27 dhjetor 1978 – 18 dhjetor 1981. 
 
ADIL ÇARÇANI
Ka qenë vjet 11 vjet kryeministër pa ndërprerje me 3 mandate: 15 janar 1982 – 23 nëntor 1982, 23 nëntor 1982 – 19 shkurt 1987, 20 shkurt 1987 – 21 shkurt 1991. 
 
FATOS NANO
Ka qenë 4 herë kryeministër: 22 shkurt 1991 – 10 maj 1991, 11 maj – 4 qershor 1991, 25 korrik 1997 – 23 prill 1998, 29 korrik 2002 – 1 shtator 2005. 
 
YLLI BUFI
Ka qenë kryeministër nga 11 qershori 1991 deri më 6 dhjetor 1991. 
 
VILSON AHMETI
Ka qenë kryeministër nga 18 dhjetori 1991 deri më 13 prill 1992. 
 
ALEKSANDER MEKSI
Ka qenë 5 vjet pa ndërprerje kryeministër me dy mandate: 13 prill 1992 – 10 korrik 1996 dhe 11 korrik 1996 – 1 mars 1997. 
 
BASHKIM FINO
Ka qenë kryeministër prej 11 marsit 1997 deri më 24 korrik 1997. 
 
PANDELI MAJKO
Ka qenë dy herë kryeministër me dy mandate: 2 tetor 1998 – 25 tetor 1999 dhe 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002. 
 
ILIR META
Ka qenë dy herë kryeministër me dy mandate: 28 nëntor 1999 – 6 shtator 2001 dhe 6 shtator 2001 – 29 janar 2002. 
 
SALI BERISHA
Ka qenë 8 vjet kryeministër pa ndërprerje me dy mandate: nga 2005 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013. 
 
EDI RAMA
Më 12 shtator nisi mandatin e parë si kryeministër.

Montag, 1. September 2014

Çasje specifike ndaj autorit dhe veprës letrare

Monografi shkencore
e ҫasjeve specifike ndaj autorit
dhe veprës letrare
  • Dr. Sc. Faik Shkodra “Visore letrare (vepra të Fran Ukcamës)”, monografi kritike dhe analitike, “Shkëndija”, Prishtinë, 2014
 
Shkruan Rrahim Sadiku
 
Viteve të fundit, në letrat shqipe, po shtohet numri i studimeve monografike për autorë e vepra, të cilat ishin shumë të pakëta në numër e ishin bërë vetëm për disa autorë të caktuar, prandaj mungesa e të cilave ishte mjaft e ndjeshme. Marrja serioze me studime të këtilla dhe synimi për të na e pasqyruar shumëdimensionalisht një autor, një vepër apo një rrjedhë letrare, ka bërë që këto vepra të jenë të mirëpritura nga lexuesit e sidomos nga studiuesit e kësaj lëmie, pasi studime të këtilla i mundësojnë kritikut, në radhë të parë, të flas për autorin e për veprën e tij pa kufizim dhe përimtësisht. Si të këtilla, këto vepra e demantojnë praktikisht thënien hipotetike të Roland Barthit për “vdekjen e autorit” dhe tregojnë se vepra e autori gjallërojnë e jetojnë së bashku,kudo e kurdo, në kohë e në hapësirë. Këtë bashkëjetesë e këtë lidhje të pandashme midis autorit e veprës së tij na e nxjerr me sukses në dritë edhe studiuesi i palodhshëm, Dr. Sc. Faik Shkodra në këtë vepër monografike e studimore, kushtuar veprës dhe jetës së krijuesit Fran Ukcama, me përvojë pothuaj pesëdhjetëvjeҫare në fushën e krijimtarisë letrare (i lindur në Betoshë të Nikaj-Mërturit, afër Tropojës, më 1946), duke nxjerrë në dritë afinitetin krijues të këtij autori, vlerat artistike e estetike që sjell ai në krijimet e tij, temat e motivet me të cilat merret, figurshmërinë me të cilën shërbehet dhe aspekte të tjera, universale e personale, që dalin nga krijimtaria e gjatë dhe e shumanshme e Franit.
 
Dr. Sc. Faik Shkodra, gjatë hartimit të kësaj vepre, krijimtarinë e Fran Ukcamës e ka parë, ndjerë dhe mbarështruar nga shumë aspekte, duke u munduar të mos i shpëtojë as edhe një vogëlsi e saj pa u nxjerrë në dritë. Veprën e këtij autori ai e ka shikuar nga shumë prizma, duke e trajtuar si objekt dhe si subjekt të studimit të tij; si burim jetësor e si pasuri letrare; si prodhim të një kohe e si vazhdimësi të traditave krijuese shqiptare; si frymëzim të pastër krijues e si histori shpirtërore e imagjinative; si ushqim për shpirtin e si art që synon të pavdekshmën. Për ta arritur këtë ai ka arritur të praktikojë me sukses gërshetimin e metodës lexim-studim-mendim kritik, e cila më bindshëm, më pranueshëm dhe më thellësisht e vë në zbatim lidhjen lexues-vepër letrare. Kjo metodë mundëson që të kalohet dallimi i ndjeshëm, por i padukshëm që krijohet midis kritikës së ftohtë letrare, që sikur e shndërron mendimin kritik në shkencë ekzakte dhe kritikës që merr shumë nga vepra që ka për objekt studimi, duke u shndërruar kështu nga mendim i jashtëm për veprën letrare, në pjesë përbërëse të kësaj vepre.
 
Gjatë leximit të këtij studimi të Faik Shkodrës, hasim shumë mendime kritike, estetike e teorike, tejet të qëlluara, që ka ai për krijimin letrar si tërësi, por edhe për zhanre të ndryshme letrare, në veҫanti. Kur analizon poezinë e Ukcamës, Faiku i përkushtohet pasqyrimit të saj nga aspekti ndjenjor, nga lirizmi që buron nga ajo dhe nga pasuria e figurshmërisë me të cilën shërbehet autori. Kur analizon romanet e Franit, Faiku i shikon ato nga aspekti i temës, kohës, rrëfimit, shtrirjes historike e gjeografike që kanë ata, duke u kushtuar vëmendje të madhe e të vazhdueshme personazheve, si bartës të ngjarjes e si karaktere. Me mjete tërësisht të ndryshme shërbehet ai kur flet për shkrime dhe interesime të zhanreve të tjera, të cilat i ka marrë për shqyrtim. Kjo metodë studimi, që nuk e ndan mendimin kritik në një anë dhe veprën letrare në anën tjetër, po i njëson dhe shtron për leximin njëkohësisht ato, është treguar si mundësi shumë më e qëlluar për të arritur krijimin e një ure lidhëse, gjithnjë të kërkuar, midis lexuesit e veprës letrare, sepse sqaron e nuk dikton norma e shablone për brendinë, formën dhe porosinë e krijimtarisë letrare. Duke qenë e këtillë, kritika studimore e Faik Shkodrës bëhet moderne, aktuale dhe hap vizione për kritikët e ardhshëm.
 
Zhanret e shumta krijuese, me të cilat merret Fran Ukcama, i kanë mundësuar studiuesit të veprës së tij të nxjerr më lehtë në dritë pikëpamjet e veta për artin dhe jetën, për realen dhe imagjinaren, për formën dhe për përmbajtjen, për tekstin e për nëntekstin, për shpirtin krijues e personazhin që intrigon. Këto Faiku i arrin duke ndjekur rrugën analitike, gjatë përshkrimit kritik të krijimeve të Ukcamës, po shpesh kalon edhe në ҫasje sintetike studimore, ashtu që vepra e cila na pasqyrohet, të shikohet nga më shumë aspekte e të krahasohet edhe me krijime simotra të autorëve tanë e të huaj. Janë këto vepra që marrin frymë si prozë e si poezi, si realitet i pasqyruar përmes imagjinatës; si imagjinatë që e ka bazën në realitet, i cili shkon, të shumtën, vizavi me jetësoren, historinë e me botën që na rrethon. Njihemi këtu me krijime që na shpien edhe më tej se realja jetësore, sepse autori, gjatë hulumtimeve të bëra, na e shpalon edhe të padukshmën, edhe të dëshiruarën, edhe shpresën e ëndrrën. Njihemi kështu me një botë të krijuar nga thellësia e shpirtit, të ushqyer nga mbamendja e njohuritë e gjëra dhe të dimensionuar si dashuri, si mundësi e si nevojë. Të lë përshtypje gjerësia e interesimeve që autori nxjerr nga vepra e Ukcamës, lidhja me historinë aktuale e me të kaluarën, ajo fuqia shpirtërore që i shoqëron ato; ajo delikatesa artistike e stoikja artistike që gërshetohen thellë e bindshëm si art. Mu këto e shtyjnë Dr. Faikun të konstatojë se shkrimtarët janë të dashur dhe të nderuar në gjirin e popullit nga gjiri i të cilit kanë dalë; të dashur për lexuesit e veprave të tyre dhe të denjë për të ҫmuar e vlerësuar gjurmën që lënë ata, në kohë e në hapësirë, me krijimet e veta. Ky konstatim forcohet me thënien e autorit: “Ҫdo vepër letrare hartohet mbi ngjarjet e kohës dhe krijuesi me përvojë në procesin e krijimtarisë letrare e me imagjinatën krijuese, ndërton boshtin thelbësor të veprës, shkrin dhe gërsheton një mori faktorësh “material e shpirtërorë, gnoseologjikë, substancialë e formalë”. (f.147) Kur flet për ndryshimet që ndodhin vazhdimisht brenda dhe jashtë krijuesit, si ndjekja e kërkesave dhe gjurmëve të kohës, Faiku konstaton: “Kështu ngjet me krijuesin tonë të afirmuar, Fran Ukcamën, i cili objektivisht është ndër shkrimtarët më të lexuar dhe ndër artistët e fjalës së shkruar më për zemër për lexuesit e vegjël.” (f.52) Duhet të themi se autori shpesh e ka hetuar se krijimet e Fran Ukcamës shpesh përshkohet nga didaktizmi,po që te ky krijues na vjen si vlerë, si dukuri dhe si zgjidhje.
 
Studimin monografik për veprën e Ukcamës autori e fillon me veprën “Kulla në qerpik të diellit”, përmbledhje poezish, e cila sipas tij shënon arritjet kulminante të këtij krijuesi në fushën e poezisë. Për të arritur që të na mundësojë të komunikojmë me këto krijime, Shkodra bën përimtimin e motiveve, llojet e vargjeve, figurshmërisë e gjetjeve artistike, që të gjitha së bashku na mundësojnë të kemi një pasqyrë të plotë për artin poetik të Fran Ukcamës. Kurse veprës “Postieri i zemrave”, roman për fëmijë, ai i qaset nga aspekti i temës, rrëfimit e karaktereve të personazheve, duke na mundësuar që të tërë veprën ta shohim përmes përshkrimeve historike, gjeokrafike, etinike, etike, kulturore e të traditës. Një studim me peshë është ai për veprën “Vjosana bija e delfinit”, gjithashtu roman për fëmijë, në të cilin më shumë përshtypje na lë Vjosana, si symbol i vuajtjes, i sakrificës, i dhembjes e i mirësisë njerëzore. Ajo na pasqyrohet edhe si simbol qëndrese, shprese e bukurie. Dallohen nga autori këtu qasjet risimtare të autorit, që janë si një udhëtimin e gërshetuar midis kohës, imagjinatës e realitetit historik. Dimensioni letrar dhe përkushtimi i krijuesit për të nxjerrë në dritë ide, mendime, ndodhi e mundësi, që shohin secilën gjë ndryshe e secilin segment të jetës nga një dritë tjetër. Nisur nga kjo, Faiku këtë krijues e krahason përkushtinin e Fran Ukcamës ndaj krijimtarisë imagjinative me punën e bletës. Ky vlerësim na bëhet më i dukshëm tek studimi për librin “Zemra shkruan kartolina”, përmbledhje poezish për fëmijë, brenda së cilës, sipas autorit, jeton artistikisht një botë e madhe shpirtërore e fëmijëve, me shumë synime, etje dëshira. Analiza e poezive të kësaj përmbledhje bëhet e thellë dhe me përkushtim, me fjalor të pasur, me shkrehje shkencore, duke e afruar kështu lexuesin edhe më shumë me krijimtarinë e Ukcamës në përgjithësi.
Faik Shkodra shpesh analizon si të veҫanta pikëpamjet e Fran Ukcamës për shumë ngjarje, dukuri e ndodhi për ngjarje brenda kombit e në gjithë globin. Shohim se tek ai ka një interesim dhe inspirim të thellë e të vazhdueshëm për ngjarjet e viteve të fundit në Kosovë, për gjendjen e kombit shqiptar, për mërgimin si dukuri e si realitet dhe shohim se për të gjitha këto përkushtimi krijues i Fran është i thellë, I përjetuar shpirtërisht dhe i lidhur ngusht me besimin se e kaluar nuk do të harrohet, se ajo do të jetë mësim i vazhdueshëm për gjeneratat e reja, të cilat do të krijojnë një jetë më të këndshme e një mundësi zhvillimi krejt ndryshe. Kjo na bën që shpesh të ballafaqohemi me antitezat: histori – padrejtës - krenari, qëndresë – fitore, pësim – mësim, mërgimi – atdhedashuri, njohja – ardhmëri, po nuk mungojnë as dënimi i humbjeve, klithma për viktimizimin e shqiptarëve, nga të cilat rritet shpresa e ardhmërisë dhe dinamika e jetës. Ukcama nuk i do Shqiptarët të huaj në trollin e tyre, të ndarë, të vrarë e të etur për të arritur ditën dhe dritën e bashkimit, por të dinjitetshëm e zot në truallin e tyre e krijuesë të ardhmërisë së tyre.
 
Fëmijët, kudo janë ata, po sidomos prania e madhe e fëmijëve shqiptarë në diasporë, ku ballafaqohen me pengesa, mentalitete e kërkesa të ndryshme, janë preokupim i vazhdueshëm i trajtimit në romanet e Fran Ukcamës. Trajtimi i gjërë dhe i gjithanshëm i kësaj teme dhe thellësia e njohjes së saj, nga Faik Shkodra vlerësohet si një nga arritjet më të mëdha krijuese të Franit. Në këtë mes del edhe delikuenca e të miturëve, si dukuri e përhapur në botën modern, e cila lë pasoja të mëdha për të ardhmen. Në shumësinë e personazheve që analizon Faiku, shpesh na del në dukje bota e krimit, vuajtja e varfëria dhe kjo krijon parametra të rinj krijimi, për të arritur deri te shndërrimi i tyre në dimensionin artistik. Këtë e hetojmë më së miri tek shkrimi për librin “Zemra e nënës shegë e plasur”, roman për fëmijë, i cili fuqimisht e bën reale maksimën: ”Nëna të mban nëntë muaj në bark e tërë jetën në shpirt” (f. 138). Na jepen të mëdha e tejet të dukshme dashuria e pamasë amtare dhe zemra e nënës, e cila jeton me fëmijën e për fëmijën. Autori heton se ky krijues e shndërron në lapidary pavdekësie figurën e nënës. Kjo temë pak a shumë trajtohet edhe te romani “Bobi i biznesmen beut” dhe aty na del në dukje specifika e fëmijërisë pa fëmijëri, e prindëve pa mundësi përkujdesjeje për ata që i kanë sjellë në jetë, se kontradiktave që sjellin ndryshimet shoqërore. Shfaqet aty besimi i autorit tek fuqia e artit, i cili stimulon mendjen e shpirtin dhe largon ligësinë e urrejtjen. Kjo fuqi lidhet ngusht me rolin edukativ dhe arsimor që ka arti, gjë që, sipas autorit, shihet shumë dallueshëm në veprën e Fran Ukcamës. Dr. Faiku i vë në spikamë, si vlera e si arritje të vewanta poezitë e Ukcamës kushtuar Festës së Abetares, me të cilën lidhen tridhjetë e gjashtë rrëfime nga më të ndryshmet, një tregim për një shkronjë, që nuk janë diwka e re si temë, po që sjellin shumë risi, si përmbajtje. Ai thekson se secili prej tyre na vjen ndryshe, me ngjarjen e vet, me realitetin artistik që përmbanë dhe me synimet për ta parë e bërë më ndryshe botën e fëmijëve, perms njohjeve e diturive të fituara. Kurse shkrimin për librin “Kështjella e kujtesës” autori na e sjell si dëshmi për aftësinë e Fran Ukcamës që të merret me eseun, tregimin, skicën, historinë, kujdesën kombëtare e me dukuri të tjera që janë preokupim i gjeneratës së tij e sidomos i gjeneratës më të re.
 
“Baca i Muzeqesë dhe Dardani i Reҫakut”, romani më i ri për fëmijë i Fran Ukcamës, analizohet nga autori gjithanshmërisht, sidomos figura brilante e Sali Krasniqit, një burri të traditës së mirëfilltë shqiptare, përmes të cilit vihen bindshëm në dukje sakrifica, humanzimi, si forcë shpirtërore e si dukuri të një populli. Njihemi këtu me shumë aspekte të konvertimit moral, shpirtëror, kombëtar të personazheve, përmes të cilave arrihet më i fuqishëm tipizimi i tyre dhe nxjerra në dritë e shkakut dhe e pasojave të shumë ndodhive e dukurive. Autori shpesh përimtëson përshkrimin brenda romanit, me ҫka na mundëson të shohim si të filmuar ecurinë e zhvillimit të fabulës në roman, duke nisur nga fjalitë e para e deri te kulmimi me vepër. Krakteristike, sipas autorit, në këtë roman mbetet qasja ndaj Kosovës, qoftë si histori, qoftë si dhembje e si krenari. Takojmë shpesh aty krenaroinë e të qenit shqiptar dhe etjen për bashkimin e kombit; dëshirën e pafundme për zhvillimin dhe rritën e tij drejt së ardhmes e etjen për bashkërenditjen e shqiptarëve me popujt tjerë, ndër më të zhvilluarit, të botës së qytetëruar.
 
Në përfundim të veprës kemi jetëshkimin e shkurtër të krijuesit dhe Faik Shkodra na njofton më nga afër me Fran Ukcamën. Ne mësojmë se ai është autor i mbi tridhjetë veprave letrare, të botuara, po edhe i shumë dramave për fëmijë e shkrimeve të tjera. Dhe shton: “Janë bërë më shumë se një decenie që intensivisht ndjek punën krijuese letrare të poetit e shkrimtarit tashmë të afirmuar gjithandej trojeve shqiptare, Fran Ukcama, nga qyteti i Fierit.” (f.91) Kur flet më nga afër për poezinë për fëmijë të Fran Ukcamës, në shumë aspekte na del se ai mbetet kultivues i poezisë sipas traditës së letërsisë sonë për fëmijë, por duke u marrë me tema e motive plotësisht të reja. Këto të dhëna shoqërohen edhe me informacionin që jepet edhe për veprat e Ukcamës që nuk ka mundur t’i analizojë, vlerësojë e pasqyrojë autori.
 
Duke e përfunduar këtë shkrim, më duhet të theksoj se Dr. Sc. Faik Shkodra, në këtë vepër i përkushtohet hulumtimit të gjithanshëm, mendimit vetanak shkencor, thellësisë së tij njohëse e vlerësuese, prandaj edhe nuk bëhet rob i citimeve e i konstatimeve të të tjerëve, kurse qasjet krahasuese janë vënë plotësisht në shërbim të kërkesave që i ka ky studim.