F A Q E T

Sonntag, 11. Januar 2015

Engjëll I. Berisha - JEMI TË OKUPUAR

Jemi të okupuar. Të okupuar nga sindromi i huaj. E huaja, shumëçka, gjuha, doket, mentaliteti, besimi, pamja, veshja e shumë e shumëçka na kanë okupuar. Nuk ka të bëjë asgjë me diversitetin kulturor, dihet diversiteti çka i shërben shoqërisë, sa është mirë të respektohet dhe sa e pasuron shoqërinë. Askush nuk është kundër diversitetit. 

Vendet e zhvilluara, nuk marrin asgjë nga të vegjlit, as gjuhë, as doke tjera, bile përqeshin. Vendet e varfra, popujt e veg...jël, vrapojnë të marrin gjithçka nga të tjerët. Jemi të okupuar nga gjuha e huaj. Nga kultura e huaj. Nga doket që kanë krijuar mentalitet dhe i tejkalojmë më shumë se ata që na i sollën. I kultivojmë dhe i bëjmë tejet produktive.

Jemi të okupuar nga besimet që krijojnë kultin. Aq të okupuar, sa edhe vetëflijohemi, e që i bie për të huajën. Sociologjia këtë e quan emocion. Emocioni edhe mbjellët. E që i bie, ne ushqehemi nga të mbjellurat e huaja.

Kjo po na hakmerret. Asgjë e keqe të dimë shumë gjuhë, të mësojmë funksionimin e teknologjisë, jeta është e lidhur ngushtë me këtë fakt. Ky zhvillim ka lehtësuar jetën, në mjekësi e në të gjitha lëvizjet tjera. Këto i kanë bërë pikërisht popujt që e duan kombin e vetë, gjuhën e vetë, janë të zgjuar dhe e bëjnë tërë botën të sillet rreth tyre.

Dikush thotë të bojkotojmë ushqimet e Serbisë. Kanë të drejtë, se po e pasurojmë një armik të përbetuar. Por, kemi nevojë të pastrohemi nga shumëçka e që quhet sindrom i huaj. Ushqimet janë jashtëqitje e ditës, të tjerat janë hakmarrje ndaj vetvetes.

A jemi të vetëdijshëm sa shumë kemi nga trashëgimia e jonë? 

Derisa ne nuk dinim të shkruanim, e vërteta historike na tregon se babai i letërsisë serbe, Vuk Karaxhiç, vodhi tërë krijimtarinë popullore te shqiptarët dhe krijojë letërsinë popullore të Serbisë. 


Në komunizëm gara zhvillohej kush integrohet më parë në intenacionalen. Në demokraci, kush merr më shumë nga të huajt, duke e zhdukur të vetën. Këtë e bëjnë popujt e vegjël, popujt që frikohen nga vetvetja, dhe Teki Dervishi thoshte se e kaluara e robëruar na krijojë edhe "shpirtin e robit". Pse amerikanët, françezët, gjermanët etj, nuk marrin asgjë nga ne? Ngase, ne vrapojmë pas tyre. Ne jemi të varfër dhe para të pasurit gjunjëzohemi.

Çka është krenari kombëtare? Është krijimi i virtytit, zhvillimi ekonomik, pasurimi i gjuhës, ruajtja e traditës. Sa, nga këto ne i bëjmë që mos ta duam të huajën? Që të jemi vetvetja! Pyetne veten secili, dhe vrojtoni kush e bën nga tanët. Jepni komente........faktike. Jo mua, por publikut.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen