F A Q E T

Freitag, 23. Januar 2015

Shaban Binaku

Shaban Binaku (1851-1910) ishte trim e mendimtar i rrallë, bir i Malësisë kreshnike dhe luftëtar e prijës i paepur shumëvjeçar i betejave më të ndritshme shqiptare. Ai, si për jetën e bujshme ashtu edhe për veprën e tij historike do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e Kombit. I tillë do të përshkruhej edhe nga pleqtë e kohës, si dhe ata që e njohën më për së afërmi, këtë burrë të përmendur, nga ata që me kohë e kuptuan rëndësinë e vërtetë të luftës për liri. Ishin motet, kur në Malësinë e heronjve të kësaj treve kreshnike, midis kullave të bardha të Bujanit, shkëlqente si yll i pashuar polar, kulla-kala e Binak Alisë, në të cilën u lind e u rrit Shaban Binaku.

Ai erdhi në jetë më 1851, në Bujanin e historisë, si djali më i ri i Binak Alisë së Krasniqes së madhe të Malësisë së mirë, siç do ta quante me krenari Binak Alia. Ndërsa u nda përgjithnjë nga jeta, i kapur me tradhti, për t’u dënuar me vdekje dhe ekzekutuar me varje në litar, nga organet pushtuese xhonturke, më 27 nëntor të vitit 1910, në Pazar të Gjakovës.


Dy varre historike 

Tash e mbi një shekull më parë, vetëm pak hapa larg Urës së Tabakëve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë dy varre historike, binjake dhe të ndërtuara pothuajse ngjitur me njëra-tjetrën, ashtu siç e patën edhe vetë heronjtë jetën, të pandarë asnjëherë, deri në rënien e tyre heroike.

Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha ecën një jetë të tërë së bashku, në çdo tubim e përpjekje kombëtare, kudo që i thirri zëri i Atdheut. Ata ditën të flisnin burrërisht në kuvende e të udhëhiqnin shumë beteja, si dhe të luftonin trimërisht si kreshnikët e motit, në ballë të çdo lufte për liri.

Pikërisht këta dy burra legjendarë të Malësisë, u kapën me tradhti nga xhonturqit dhe dënuan me varje, nga organet pushtuese osmane. Ndaj, që nga ekzekutimi i tyre në fund-nëntorin e vitit 1910, në një largësi krejt të shkurtër me themelet e Urës së Tabakëve, edhe sot e kësaj dite qëndrojnë varret e këtyre heronjve, si përmendore të një kohe të ndritshme kombëtare e cila tanimë po i buzëqeshte lirisë së afërt.

Ndaj, edhe rënia e tyre u gdhend me pietet, në kronikat e moteve heroike dhe luftërave epike të kreshnikëve për çlirimin e vendit, me të kaluarën e ndritshme, që ata kishin, duke hyrë kështu përjetësisht në historinë më sublime kombëtare.

Varret e tyre nuk u vendosën rastësisht atje ku qëndrojnë edhe sot, por ishte historia ajo e cila aty ua përcaktoi “tapitë” e përjetësimit. Kjo do të ndodhte në çastet më vendimtare, kur Kombi ynë, pas shumë kryengritjesh të pareshtura, kishte filluar t’i numëronte ditët e fundit të pushtimit 500-vjeçar osman, pas të cilave duhej të vinte liria e trojeve shqiptare.
Kurse historia, në kalendarin e saj, numëronte vetëm edhe një ditë, për fillim-zbritjen e dy viteve të fundit të robërisë otomane, para se Shqipëria Etnike përfundimisht të shpallej e lirë dhe e pavarur.

Ishte 27 nëntori i vitit 1910, kur dy burra viganë e legjendarë, si Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha, të cilët njiheshin nga të gjithë shqiptarët si luftëtarë dhe prijës e mendimtarë të rrallë të Malësisë kreshnike e më gjerë, pasi që kishin bërë emër të mirë dhe treguar zotësi të pashoqe në shumë përpjekje e beteja për lirinë e trojeve të veta kombëtare, do të lëkundeshin pa jetë, të varur mizorisht nga organet pushtuese xhonturke, në mesin e pazarit të Gjakovës.

Ata të lindur e të burrëruar në njërën nga trevat më kryengritëse shqiptare, nuk pranuan asnjëherë pushtimin e atdheut. Vendlindja e tyre, shumë herë do të digjej e shkrumbohej për liri dhe çlirim nga pushtuesit, për t’u ngritur përsëri po aq herë si feniksi nga hiri i tij, për të lënë gjurmë të pashlyera në historinë e këtij populli, rritur dhe përkundur në djepin e ëndrrave të lirisë së përjetshme.

Shabani ishte djali më i vogël i Binak Alisë, njeriut të bëmave të mëdha kombëtare dhe drejtësisë e pleqërimit tradicional shqiptar, i cili jetoi dhe veproi gjatë shekullit të 19-të, në Bujanë të Malësisë së mirë dhe më gjerë. Atë rrugë do ta ndiqnin djem e nipa ,e në mesin e tyre do të dallohej djali Shabani dhe nipi Zeqir Halili, të cilët do të binin që të dy heroikisht, në altarin e lirisë së Atdheut.

Ashtu si Binak Alia edhe bijtë e pasardhësit e tij, ishin dhe mbetën deri në fund, ushtarët më besnikë të Lidhjes së Prizrenit dhe Çështjes madhore Kombëtare, në përgjithësi. Ndaj, me të dëgjuar për arritjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, në fund-gushtin e vitit 1878,në Gjakovë, mi cili kishte për qëllim dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi, Shaban Binaku, ndër të parët, do të shkonte atje ku vendosej e ardhmja e atyre trojeve.

Ai dhe luftëtarët më besnik të Lidhjes, do t’u kundërviheshin me të gjitha forcat dhe dufin e tyre atdhetar mureve të zymta të kullës së Avdullah Pashë Drenit, të cilat pabesisht dhe në kundërshtim me interesat kombëtare, mbanin brenda armikun e të gjithë shqiptarëve, në ato kohë të liga.

Madhështinë e heroizmave të Familjes së Binak Alisë, do ta rrisnin dhe ngrisnin lart e më lart, flijimet e pareshtura të pinjollëve të saj, të cilët ranë duke luftuar me vetëmohim për idealet e lirisë, kundër cilitdo armik, që guxoi t’i mësynte trojet shqiptare, kudo qofshin ato, në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera etnike, që sot mjerisht gjenden nën mal të zi, si Ulqini, Tuzi, Hoti, Gruda, Plava dhe Gucia etj.

Ata, u përballën trimërisht me pushtuesit turq, serbo- malazezë, italianë e gjermanë, për bashkimin e të gjitha tokave tona dhe krijimin e një shteti të lirë e të përbashkët, për të gjithë shqiptarët.

Ndaj edhe në tubimin e mbajtur përkujtimor, me rastin e 100-vjetorit të rënies së Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, në Gjakovë, prof. dr. Isuf Bajraktari do të theksonte, me të drejtë:
“Të 100 vitet e kaluara, tregojnë më së miri historinë e dhimbshme dhe kohën e gjatë të vuajtjes së popullit tonë, nga luftërat e shumta e të pareshtura kombëtare, që bijtë e tij më të mirë zhvilluan, si dhe heroizmin e familjeve më të njohura nga Malësia dhe viset tjera shqiptare, të cilat u sakrifikuan për lirinë e Atdheut”.

Ndaj, siç e thotë edhe dr. Bajraktari, përkundër të gjitha përjetimeve të dhembshme, ashtu si nuk kishin të ndalur dhuna e terrori dhe të gjitha përgjakjet e popullit tonë nga pushtuesit osmanë, edhe kryengritjet e shqiptarëve për lirinë dhe të drejtat tyre nuk pushuan asnjëherë, deri në përzënien përfundimtare të otomanëve dhe çlirimin e përjetshëm të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.


Ardhja në pushtet e xhonturqve, me ndihmën e shqiptarëve

Organizata politike e turqve të rinj ose xhonturqve, siç njiheshin ata, ishte formuar në Stamboll, që në maj të vitit 1889, nën emrin “Bashkim e Përparim”. Në vitet e 90-ta, ajo do të vendosej në Paris dhe vepronte jashtë Perandorisë Osmane, për rrëzimin e Sulltan Hamitit II. (Shqipëria.com, "Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët").

Megjithëse për ndihmën, që do të ofronin në rrëzimin e Sulltanit, xhonturqit premtonin futjen e reformave, ndryshime kushtetuese dhe pranimin e të drejtave të popujve tjerë nën Perandorin Osmane, deri në qershorin e vitit 1908, këtë ofertë ata nuk do ta shpalosnin edhe për shqiptarët, ani-pse në Lëvizjen Xhonturke, merrnin pjesë një numër i madh i tyre.
Por, duke parë se pa ngritjen e shqiptarëve nuk mund të arrinin rrëzimin e Sulltan Hamitit II, Lëvizja Xhonturke, më në fund në qershorin e vitit 1908,u detyrua që përmes nenit 16-të,të programit të saj, i cili parashihte të drejtën e mësimit në gjuhën amtare, zhvillimin e kulturës kombëtare dhe organizimin politik të popujve nën Perandorinë osmane, t’u premtonte edhe udhëheqësve të popullit tonë të drejta kombëtare dhe hapjen e shkollave në gjuhën amtare, të cilat deri atëherë mungonin vetëm për shqiptarët.

Ndaj, të “armatosur” me shpresën se, pas rrëzimit të Sulltan Hamitit II, përveç shkollimit në gjuhën e tyre dhe të drejtave tjera që u takonin si popull, do të realizonin edhe autonomin shtetërore, nën udhëheqjen e Isa Buletinit, ku do të merrte pjesë edhe Shaban Binaku e Abdullah Hoxha, nga 14 deri më 22 korrik të vitit 1908,në Ferizaj do të organizohej një tubim masiv. Në datat 20- 22 korrik, ai do të arrinte në mëse 30 mijë shqiptarë të armatosur, që kërkonin vendosjen e kushtetutës, e cila njihte të drejtat e tyre gjuhësore dhe kombëtare. Me atë rast, do të mblidheshin edhe mbi 1500 nënshkrime të pjesëmarrësve, për rrëzimin e Sulltan Hamitit II. Madje, në kulmin e këtij organizimi, më 22 korrik të vitit 1908, nga Kuvendi i Ferizajt, shqiptarët do t’i dërgonin edhe një telegram kërcënues Sulltan Hamitit II. Përmes të cilit, ata i kërkonin me këmbëngulje shpalljen e menjëhershme të kushtetutës, para se 30 mijë burrat e armatosur nga Ferizaj të niseshin në drejtim të Shkupit, për çlirimin e tij nga forcat pushtuese të Perandorisë.

Kështu që nën presionin e madh të kryengritësve nga Kosova e Malësia, si dhe nga frika se mund të shpërthente ndonjë kryengritje e përgjithshme e shqiptarëve, më 23 korrik të vitit 1908, Sulltan Hamiti do të detyrohej që ta shpallte Kushtetutën (Hyrjetin) dhe pas 32 vitesh sundimi, si sulltan fuqiplotë, të kufizonte të drejtat e tij sunduese. Me atë rast, ai pranoi edhe vendosjen e turqve të rinj (xhonturqve) në pushtet si dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në të gjithë Perandorinë.


Tradhtia e xhonturqve

Por, me të marrë qeverisjen e vendit në duart e tyre, turqit e rinj (xhonturqit), ende pa kaluar as dy muaj sundimi, më 15 shtator të vitit 1908, ata do të sillnin një ligj diskriminues zgjedhor, i cili i kufizonte të drejtat e kandidimit të jo-turqve në Parlamentin Perandorak.
Ky ligj nuk i njihte kombësitë e tjera dhe të gjithë popujt nën Perandori i shpallte osmanlinj. Kurse kandidatët për deputetë, para se të konkurronin në zgjedhje, duhej ta pranonin “kombësinë” osmane, në mënyrë që të kishin të drejtë kandidimi për deputetë në Parlament. (Shqipëria.com, “Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909”).

Madje, pa kaluar shumë kohë, njëlloj si paraardhësit e tyre të njohur për tradhtitë dhe qëndrimet e tyre antishqiptare, edhe xhonturqit, me t’u rehabilituar në pushtet, vendosën që të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe klubet e sapo-hapura kombëtare, t’i mbyllnin me forcë, duke nisur që në pranverën e vitit 1909.

Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, ata ndërmorën edhe ekspedita të mëdha ushtarake kundër shqiptarëve, si ajo e Xhavit Pashës, që në qershorin e atij viti do të arrinte edhe në Malësi. Në mbrojtjen e vendlindjes së tij, ashtu si në shumë beteja tjera anë e këndë trojeve shqiptare, do të qëndronte fort dhe shkëlqente me trimëri edhe Shaban Binaku.

Sulltan Hamiti II, duke parë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj ekspeditave ushtarake të xhonturqve, me shpresën se ata do të ngriheshin kundër tyre dhe ai do të përfitonte për të rimarrë edhe një herë pushtetin e plotë, që kishte deri më 23 korrik të vitit 1908, më 27 prill të vitit 1909, do të organizonte në Stamboll një kryengritje të dështuar.

Pas përfundimit të saj, ai do të shkarkohej përfundimisht nga froni i Sulltanit, duke u zëvendësuar nga i vëllai, Mehmeti V, i cili çuditërisht, do të nxirrej nga burgu, ku e kishte katandisur për shumë vite Sulltan Hamiti II, për tu shpallë kështu Sulltan i plotfuqishëm dhe Kalif i Perandorisë.

Është interesant të theksohet se, sipas shënimeve biografike të këtyre dy sulltanëve, të cilët ishin vëllezër dhe bij të një nëne shqiptare, vëllai i madh, pra Sulltan Hamiti II, do ta (mbyllte) burgoste në të ashtuquajturin “Konak Sindshirli Kuju”, për hiç më pak se 45 vjet, vëllain më të ri, Mehmetin V, në pjesën evropiane të Stambollit, duke e thyer atë fizikisht dhe shpirtërisht, deri në fund. (Vikipedia, „Mehmed V.“).

Por, përkundër ndarjes së tij të stërgjatë kohore, nga njerëz dhe ngjarje e cila nuk ishte hiq më pak se gati gjysmëshekulli, Mehmeti V, nga xhonturqit do të emërohej Sulltan fuqiplotë dhe Kalif, sado që ai psiqikisht as fizikisht nuk ishte në gjendje të orientohej, veprojë as gjykojë realisht dhe si duhet, e lëre më të ushtronte poste shtetërore ose të udhëhiqte edhe Perandori.

Megjithatë, xhonturqve do t’u mjaftonte që Mehmeti V-t, të qëndronte si emër aty, kurse Perandorinë ata dëshironin ta qeverisnin vetë, derisa paralelisht postin e sulltanit dhe të kalifit, ai do t’i mbante deri më 1918, kur edhe do të shkarkohej nga Kemajl Ataturku, për shkak të humbjes së pothuajse të gjitha luftërave dhe shumicës së territoreve të Perandorisë.

Le tu kthehemi edhe një herë mashtrimeve të paskrupullta të xhonturqve, të cilët para se të vinin në pushtet, u kishin premtuar shqiptarëve se do t’ua linin duart e lira, ashtu si edhe popujve të tjerë, për të zgjedhur vetë alfabetin e gjuhës së tyre.

Por me ardhjen në pushtet, vetëm rreth katër muaj më vonë, pra aty nga fundi i vitit 1908, përmes Ministrisë së Arsimit të Perandorisë, ata do të urdhëronin që në të gjitha shkollat shqipe të mësohej me alfabet arab. Madje, një urdhër i tillë do të përsëritej edhe një herë në muajin shkurt të vitit 1909, pas të cilit do të mobilizohej jo vetëm administrata shtetërore dhe klerikët radikalë islamikë, por edhe oficerët më të lartë të ushtrisë.

Madje, ata ndërmorën edhe ekspedita të mëdha ushtarake për ndalimin e alfabetit shqip, shkatërrimin e të gjitha klubeve shqiptare, mbledhjen e taksave me dhunë dhe rekrutimin e të rinjve me forcën e armëve. Veprimet si këto, nxitën pakënaqësi të mëdha te të gjithë shqiptarët, të cilët, sipas rapsodit popullor, Portës dhe mbretit do t’i dërgonin këtë porosi:

Le ta dijë Porta dhe Mbreti,
Se si kondisim ne, këtij Hyrjeti!


Megjithatë, sikur të mos mjaftonin ekspeditat e përgjakshme ushtarake të Xhavit Pashës, që do të zgjasnin gjatë gjithë verës, në vjeshtën e vitit 1909 xhonturqit nxorën edhe dy ligje të rrepta ndëshkuese, të cilat, kryekëput, rëndonin vetëm mbi shqiptarët:

1.Ligji për “Bandat”; përveçse ndalonte rreptësishtë organizimet e armatosura kundër Perandorisë dhe dënonte ashpër pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, ai ndalonte edhe veprimtaritë shkollore dhe klubet kulturore të shqiptarëve. Çuditërisht dhe për arsye të pakuptueshme, vetëm shqiptarët konsideroheshin rrezik për Perandorinë, por jo edhe popujt e tjerë, të cilët lirisht mësonin dhe shkolloheshin në gjuhën amtare.

2.Ligji për “Shoqëritë”; ndalonte të gjitha format e organizatave kombëtare, përveç atyre me kombësi turke ose përkatësi osmane.
Rrezikimi i shkollimit amtar dhe shkronjave në gjuhën shqipe do t’i detyronte atdhetarët shqiptarë që, nga 2 deri më 10 shtator të vitit 1909, të thirrin Kongresin e Shkollave në Elbasan i cili do të merrte vendim për hartimin e programit unik të arsimimit kombëtar dhe vendosi dialektin e të folmes së Elbasanit, standard të mësimit në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët.

Po kështu, aty u vendos edhe për hapjen e Normales së Elbasanit. Falë ndihmës së madhe dhe përpjekjeve të gjithanshme të atdhetarëve të vendit, në mesin e të cilëve shkëlqeu patrioti Hasan Prishtina, duke mos kursyer mundin as pasurin e tij, ajo do të përjetësohej vetëm tre muaj më vonë, pra në dhjetorin e vitit 1909.

Por xhonturqit nuk do ndaleshin me obstruksionet e tyre. Për të penguar përhapjen e shkollave kombëtare dhe ndalimin e alfabetit shqip, si dhe imponimin e abetareve me alfabet arab, ata nxitën edhe reagimin e klerikëve islamistë shqiptarë, që nga Vlora e Manastiri, deri në Dibër dhe Prishtinë.

Kështu që nuk do të vononte shumë dhe klerikët antishqiptarë e turkomanë të përbetuar, përmes qarkoreve dhe mitingjeve të organizuara, do të bënin thirrje që të kundërshtohej alfabeti shqip dhe të imponohej ai arab.

Me gjithë fushatën e madhe antikombëtare të klerikëve të shitur, histori e hidhur kjo që si traditë e keqe, mjerisht edhe sot në shumë pjesë të vendit përsëritet, përhapja e shkollës shqipe dhe përvetësimi i alfabetit të saj nga shqiptarët, nuk kishte të ndalur. Ndaj, në shkurt të vitit 1910, Valiu i Kosovës, i dëshpëruar nga mosngulfatja e arsimit kombëtar, urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave në gjuhën amtare. ( Shqipëria.com, Histori, Kreu XI, “KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910”).

Para se të shpërthenin luftërat e reja me pushtuesit osman, shqiptarët për mbrojtjen e shkronjave shqipe të lindura rishtazi dhe shkollës së sapofilluar në gjuhën tonë, me moshën e saj të njomë dhe traditën vetëm njëvjeçare, nga 1 deri më 3 prill të vitit 1910, me nismën e klubit "Bashkimi", nën udhëheqjen e Dervish Himës, do të organizonin Kongresin e Dytë të Manastirit, ku do të kërkohej me këmbëngulje mbrojtja e mësimit në gjuhën amtare dhe ruajtja e alfabetit shqip, si dhe mospranimi i zëvendësimit të tij me shkronja arabe, siç kërkonin qeveria xhonturke dhe disa klerikë antishqiptarë, të ndërsyer dhe të vënë në shërbim të xhonturqve.

”Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, thekson Dervish Hima, në Kongres, prandaj ....”Ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t'i mbrojmë me çdo mjet shkronja tona kombëtare...” Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur , që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910.( “Në vigjiljen e 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit”, Parajs.com, 15.03.2010, Dr. Nebi Dervishi)
Besëlidhja e madhe shqiptare, te Verrat e Llukës (prill 1910).

Urdhëresa për mbylljen e shkollave në gjuhën amtare, mbledhja e taksave me forcë, përfshirë edhe taksat e dy viteve të mëparshme, si dhe detyrimi për rekrutimin e të rinjve shqiptarë në ushtrinë perandorake turke, kishte nxitur popullin tonë që t’i bënte gati edhe njëherë armët, për vetëmbrojtje nga pushtuesit otomanë.

Të vetëdijshëm se lufta shqiptaro-turke ishte në prag, para se ajo të shpërthente, për ta përballuar ekspeditën e madhe ushtarake, që Perandoria përgatiste kundër Kosovës dhe trojeve tjera etnike, shqiptarët e panë të nevojshme që, sa më parë, të merrnin masa urgjente organizative për mbrojtjen e tyre.

Kështu, në mesin e muajit prill të vitit 1910,nën udhëheqjen e Isa Buletinit, Shaban Binakut, Abdullah Hoxhës, Sylejman Batushës etj., do të mbahej një tubim i madh gjithëpopullor, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës”. Madje, jo vetëm se një tubim si ky, deri atëherë nuk kishte njohur historia, por edhe Besa e dhënë aty, nuk u thye për asnjë çast.

Zhvillimi i tij, nën moton “BASHKIMI BËN FUQINË”, i unifikoi fort të gjithë shqiptarët në mes veti. Kjo histori do të përsëritej edhe me 1 maj të vitit 1990, kur me të njëjtat ide dhe qëllime do të tuboheshin mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës, por tanimë për luftimin e një pushtuesi tjetër, siç ishte Serbia.

Në tubimin e vitit 1910, të udhëhequr nga prijësit më të njohur të Kombit, si Isa Buletini, Shaban Binaku, Sylejman Batusha etj., u vendos për pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e të gjitha krahinave shqiptare, për mbrojtje të njësuar nga ekspeditat e Perandorisë Osmane, të cilat ishin gati të nisnin.

Ndaj, kujtimi i saktë i kronikave edhe pse të pashkruara popullore, për ngjarje madhore si kjo, do të ruhej dhe përcillej me besnikëri përmes këngës, e cila tubimin e vitit 1910, te Verrat e Llukës, do ta përshkruante kështu:

Mbledhë shqiptarët bit e vij,
Në Mitrovicë deri në Guci...
...............................................
Te Verra të Llukës janë mbledhë të tanë,
Kanë lidhë Besën anë për anë!

Megjithëse, atëbotë, gati kishte shkelur në të 60-tat, me vitalitetin e një djali të ri dhe vendosmërinë prej malësori, duke zgjedhur me kujdes fjalët më të mira mobilizuese, që kërkonte situata e para gjendjes së luftës, aty ku për ngjarje me peshë të veçantë kombëtare bashkoheshin Kosova e Malësia dhe të gjithë shqiptarët, do të fliste edhe Shaban Binaku, i biri i Binak Alisë, urtakut të njohur të rrafshit verior të Shqipërisë së 
Epërme, i cili ndër të tjera, do të thoshte:

“Të merremi vesh (të kuptohemi) mirë burra; bisha është plagosë, por fati i trojeve tona varet nga ne, që jetojmë këtu. Vendi ynë rrezikohet nga shumë armiq, ndaj o sot o kurrë, duhet të bashkohemi dhe t’i dalim zot atij me çdo gjë, që kemi dhe gjithçka mundemi, të gjithë pa përjashtim. 
 Pra, plumbi do plumb, kurse unë si bir i Krasniqes, ua them këto fjalë nga zemra dhe shpirti; pajtimi dhe bashkimi i shqiptarëve, sot na duhet më shumë se kurrë, pajtim e bashkim nga të gjithë pa dallim, për mbrojtjen e fëmijëve tanë dhe tokave të Atdheut, nga sulmet osmane, që janë gati të fillojnë mbi ne, pa dëshirën tonë”.


Mësymja e Malësisë, nga forcat osmane.

Qeveria e turqve të rinj, nuk do të ngopej vetëm me shkeljen e premtimeve të dhëna pak kohë më parë, për të drejta dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Kështu, vetëm një muaj pas ardhjes në pushtet, që në gushtin e vitit 1908, ajo do të sillte ligjin për thirrjen e të rinjve shqiptarë në shërbimin ushtarak të Perandorisë, për të vazhduar rritjen e zullumit ndaj popullit tonë, në fillim vitin 1909, me ngarkimin e taksave të pa-mbledhura edhe për dy vitet paraprake. Këto fakte do ta keqësonin gjendjen aq shumë, sa që shqiptarëve të mos u mbetej më asnjë rrugëdalje tjetër, përveç organizimit për vetëmbrojtje, me armë dhe kryengritje të reja.

Ndaj, për shtypjen e pakënaqësisë së tyre në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, qysh në pranverën e vitit 1909,për gjashtë muaj rresht, duke filluar nga muaji maj e deri në muajin tetor të atij viti, do të dërgohej antishqiptari i përbetuar dhe komandanti i divizionit të 18-t, në Mitrovicë Xhavit Pasha. Ai shoqërohej nga 10 batalione këmbësorie dhe 32 topa të artilerisë osmane. Me kërcënimin se do t’ua digjte pasurinë dhe shtëpitë, tentonte që t’i detyronte shqiptarët për pagimin e taksave dhe dërgimin e djemve të tyre ushtarë të Perandorisë, kërkesa të cilat ata nuk do t’i pranonin, pa u përballur si burrat në fushë të mejdanit me armikun.

Sikur të mos mjaftonte barbaria e Xhavit Pashës, nga mesi i muajit prill të vitit 1910, kur numri i ushtarëve osmanë, që do të mësynin Kosovën, tanimë, kishte arritur në 40 mijë veta, Shefqet Turgut Pasha filloi sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse shqiptare, në Kaçanik dhe Carralevë. (Shqipëria.com,"Historia Shqiptare”, Kreu XI, "KRYENGRITJA E KOSOVËS, E VITIT 1910")

Për mbrojtjen e tokave të tyre, nga 6 mijë trupat vullnetare, sa llogaritet që kishin udhëheqësit shqiptarë nën komandë, 3 mijë nga ta, me në krye Idriz Seferin, do ta zinin Grykën e Kaçanikut. Kurse 3 mijë të tjerë, me në krye Isa Buletinin, do t’u zinin pritë forcave pushtuese osmane, në grykën e Carralevës.

Në mesin e luftëtarëve të radhëve të para të Isa Buletinit, edhe këtu ishte Shaban Binaku, i rreshtuar në vijat e para të luftës. Luftëtarët shqiptarë, nga 7 e deri më 10 maj të vitit 1910, edhe pse përballë një ushtrie me epërsi të mëdha forcash ushtarake dhe armatimi modern, për tri ditë dhe tri net lufte heroike, qëndruan trimërisht, me ç`rast do të plagosej edhe vetë Isa Buletini. Megjithatë, ata nuk do t’i lëshonin pozicionet e tyre dhe për asnjë çmim nuk do të lejonin kalimin e forcave pushtuese osmane përmes Grykës së Carralevës, deri në çastet e fundit dhe atëherë kur përveç mungesës së ushqimit, veshmbathjes dhe forcave ndihmëse, të cilat ishin penguar t’u shkonin në ndihmë, kishte filluar tu mbarohej municioni dhe rrezikoheshin me rrethim të tërësishëm nga armiku.

Kështu që vetëm më 10 maj të vitit 1910, pas tri ditë e tri net qëndrese biblike dhe një beteje të tmerrshme, e cila do të zgjaste gjatë tërë asaj dite, kryengritësit e mbetur pa municion, barna dhe ushqime, me Isa Buletinin në krye edhe pse i plagosur, në orët e mbrëmjes do ta çanin rrethimin dhe bartnin të plagosurit tjerë.

Edhe pas kësaj beteje, qëndresa e shqiptarëve do të vazhdonte e pa ndalur ,në vende tjera, me kryengritje të njëpasnjëshme dhe heronj të rinj, deri në çlirimin përfundimtar të Atdheut nga Perandoria Osmane.

Numri i trupave që ministri osman i luftës sillte, sa vinte e rritej. Madje, kur ai do të arrinte në Gjakovë dhe Pejë, kishte jo më pak se 50 mijë ushtarë dhe 70 bateri artilerie, me një pjesë të madhe të të cilëve, tanimë, përgatitej ta mësynte Malësinë dhe Shkodrën. Kështu, në qershorin e vitit 1910,trimat e Krasniqes dhe Gashit të Gurit, nga Malësia e mirë,(siç do ta quante plaku i urtë Binak Alia), me rreth 2000 burra, të komanduar nga Bajram Curri, Zeqir Halili, Abdullah Hoxha e Shaban Binaku, do të zinin pritë në Qafën e Morinës, për të ndalur depërtimin e ushtrisë osmane në trevat e tyre.

Para një numri aq të madh forcash armike, kryengritësit në Qafë Morinë, pas një qëndrese të fortë, u detyruan të tërhiqeshin përkohësisht, por trupat pushtuese turke do të ndesheshin përsëri me shqiptarët edhe në Rrafshin e Dukagjinit e Qafë të Kolshit, duke pësuar edhe shumë humbje tjera.


Tradhtia osmane, ndaj Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës.

Megjithëse kryengritja e vitit 1910, në masën më të madhe të saj do të thyhej, por jo edhe të shuhej tërësisht, qeveria osmane në këtë gjendje do të detyrohej që t`i bënte disa lëshime para shqiptarëve. Por, paralel kësaj, ajo përdori edhe mashtrime për kapjen me tradhti të udhëheqësve të dalluar të tyre.

Në vjeshtën e vitit 1910 së pari, xhonturqit bënë sikur do të hiqnin ligjin e ashtuquajtur “Për bandat”, i cili ndalonte veprimet e klubeve gjuhësore dhe grupimeve tjera kulturore, duke lejuar hapjen aty-këtu, të ndonjë shkolle në gjuhën shqipe, por gjithmonë nën pretendimin që mësimi të zhvillohej me alfabetin arab, duke ndërpre përkohësisht çarmatosjen e shqiptarëve dhe rekrutimin ushtarak të djemve të tyre.

Madje, në atë kohë, qeveria osmane hoqi dorë edhe nga grumbullimi i taksave dhe premtoi ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta e pranverë-verës së atij viti. Kurse, për të penguar një ri-shpërthim të kryengritjeve, dërgoi edhe disa komisione ndërmjetësimi, të cilat sikur kishin për mision qetësimin e gjendjes dhe rehabilitimin e kryengritësve, përmes marrëveshjeve me krerët vendorë. (Shqipëria.com, "Historia Shqiptare”, Kreu XI, "KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910").

Premtimet xhonturke, edhe për Shaban Binakun e Abdullah Hoxhën, u bënë zgjidhje e detyrueshme prej njërës nga dy të këqijat, me të cilat ata ballafaqoheshin. Si udhëheqës të zonave kufitare, përballë pretendimeve territoriale malazeze ndaj tokave shqiptare, ata ishin në luftë të përhershme me Malin e Zi. Ndaj, megjithëse një numër udhëheqësish të kryengritjes për tu shpëtuar ndjekjeve turke, kishin kaluar andej, ata nuk mund të rrezikonin dhe të binin në duart e malazezve. 

Kështu që, të ftuar pikërisht në emër të programit xhonturk për qetësimin e gjendjes nga vetë Turgut Pasha, Shaban Binaku si prijës i Krasniqes dhe Abdullah Hoxha si Prijës i Gashit, të mashtruar edhe me ofertat për falje si dhe kërkesën e përmbarimit të marrëveshjes së lartcekur në zyrat e organeve të pushtetit osman në Gjakovë, me të arritur atje, ata që të dy do të burgoseshin tradhtisht dhe dënoheshin pabesisht, me varje në Pazar!

Ky, ishte udhëtimi i tyre i fundit, pa lamtumirë dhe pa kthim prapa, në shtëpi e familje. Ata, megjithëse nuk u besonin pashallarëve osmanë, shpresonin pak a shumë që, pas gjithë këtyre luftërave, më në fund, Perandoria Otomane do t’i përmbahej kushtetutës, amnistisë së shpallur nga vetë ajo dhe programit për qetësimin e gjendjes, në marrëveshje me prijësit e krahinave shqiptare.

Shaban Binaku edhe sipas këngëve të rapsodëve popullorë, dëshmon mosbesimin që ndjente ndaj pushtetarëve turq, ndaj qysh para nisjes për t’u takuar me pashain osman, ai do t’ua linte lamtumirën përgjithmonë krahinave, ku kishte jetuar e vepruar, shokëve, miqve dhe gjithë vëllazërisë së tij:

Lamtumirë, Rekë e Malësi,
Se ma s`keni me më pa me sy! 

Mosbesimin e tij do t`ia rikujtonte edhe fisit të vetë, të cilit do t’i çonte fjalë:

Në qoftë se doni të më shihni gjallë,
Të dielën herët, ju me dalë në Pazar...

Mjerisht, përkundër ngjarjeve tragjike, që ndodhnin me aq shpejtësi në ato ditë të vështira për të, Malësinë dhe të gjithë atdhetarët shqiptarë, përkundër përpjekjeve të tij, si një shqiponjë e plagosur, Zeqir Halili nuk do të arrinte ta shpëtonte xhaxhain, Shaban Binakun dhe bashkëluftëtarin e tij, Abdullah Hoxhën. Kjo ndodhi sepse pushteti osman, duke e njohur potencialin kryengritës të Malësisë, do t’i ekzekutonte me shpejtësi, që të dy këta burra legjendarë.

Megjithatë, edhe para kërcënimeve me varje në litar, Shaban Binaku e kishte të freskët porosinë e Binak Alisë, i cili para se të vdiste do t`ua linte të bijve amanet, që për çështjen Kombëtare dhe lirinë e Atdheut, të vdisnin me nder e të panjollosur në jetë. Ndaj, ashtu si nuk pranuan dikur paret e krajlit për shitjen e tokave shqiptare, edhe tani, ai dhe Abdullah Hoxha, nuk do t’i pranonin as paret e pashait osman, për nënshtrimin e Malësisë dhe dërgimin e djemve të saj në ushtrinë e Perandorisë. Madje, siç e thotë kënga popullore, edhe në çastet më të vështira para konopit turk, e vetmja gjë, për të cilën Shaban Binakut do t’i vinte keq, ishte fakti se i qëlloi (Abdullah) Hoxha me veti, të cilin e kishte dashur gjithmonë pa hile. Ndaj do të mundohej që edhe në ato momente , t’i jepte forcë mikut të tij, anipse as ai vetë nuk i besonte Turgut Pashës:

Qëndro, Hoxhë e banë gajret,
Se neve pasha s ‘un na pret;
Nuk na vret ne Sulltan Mehmeti,
Se në rrejt murtati, nuk rren Hyrjeti....

Por, fatkeqësisht kur ishin në pyetje atdhetarët e Kombit, rrenin (gënjenin) të gjithë. Madje, nuk kishte ligj as kushtetutë, që i mbronte shqiptarët atdhetarë, nga inatet e sëmura të pashallarëve osmanë. Megjithatë, burrëria e Shaban Binakut shkëlqeu edhe në kulmin e fatkeqësisë. Ai nuk u ligështua as para litarit armik, fakt ky që këngëtari ynë popullor do ta pasqyronte me aq realizëm dhe krenari, i cili trimërisë së tij do t’i këndonte kështu:

Ai Shabani, si gjylja e topit,
Rreptë ecë trimi drejt konopit!

Nderim i merituar nga brezat

Lufta dhe përpjekjet e vazhdueshme për çështjen Kombëtare Shqiptare, që ata kurdoherë zhvilluan për popullin dhe vendin e vet, sado që martirizimi i tyre dhemb edhe sot, vepra e Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës i bën përjetësisht krenarë të gjithë shqiptarët, duke gjithmonë pasur parasysh faktin se Malësia kreshnike pati e dha bij të tillë edhe në kohët më të vështira për Atdheun.

Ndërsa lidhur me prerjen në besë, që atij i bëri pashai osman, Shaban Binaku do të linte këtë porosi për të nipin, Zeqir Halilin: 

Fjalë Zeqirit me mi çue,
Një taborr me shkri për mue!


Dhe vërtetë nuk do të kalonte shumë kohë, kur kryengritjet më të reja për çlirimin përfundimtar të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane do të lidheshin zinxhir njëra pas tjetrës. Kështu që, pas më pak se dy vitesh, bazuar në vendimet e Kuvendit të Junikut( 21-25 maj 1912), luftëtarët e Krasniqes, Gashit e Bytyçit, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Zeqir Halilit, më 9 korrik të atij viti, nga fshatrat e Hasit, do t’i suleshin garnizonit osman në Qafën e Prushit, të cilin do ta shkatërronin tërësisht. Atë ditë, do të kapeshin robër , jo vetëm shumë ushtarë, por edhe disa oficerë të lartë osmanë.

Ushtarët e thjeshtë, pas çarmatosjes, do të liroheshin, ndërsa një numër prej tyre si shqiptarë që ishin, do t’u bashkoheshin kryengritësve të Atdheut.

Kurse, Zeqir Halili, i cili ende kujtonte me dhimbje porosinë e xhaxhait të tij, Shaban Binakut, do të zgjidhte tre nga oficerët e lartë osmanë, të cilët do t’i dërgonte në Bujan, që t’i varte në degët e një mani 100-vjeçar.

Ky ishte shpagimi i ekzekutimit me tradhti të Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, nga ana e xhonturqve. Eshtrat e këtyre oficerëve do të gjendeshin në vitet e demokracisë, gjatë gërmimeve nga makineritë e rënda për rregullimin e infrastrukturës së kësaj pjese të Malësisë, siç tregon Agim Mulosmanaj, njëri nga pasardhësit e familjes së nderuar të Zeqir Halilit, derisa për lidhshmërinë e kësaj historie me eshtrat e gjetura të oficerëve osmanë në atë vend, do të ri-dëshmonin edhe një herë, pleqtë më të vjetër të asaj ane.

Ndaj, të kujtojmë edhe me këtë rast, se me gjithë kalimin e kohës, emri dhe vepra e këtyre burrave të Malësisë nuk do të harrohen asnjëherë. Madje, me rastin e 100-vjetorit të rënies, falë nismës së intelektualëve të Komunës, me 27 nëntor të vitit 2010, Kuvendi i Gjakovës, në shenjë nderimi, do të zbulonte memorialin e tyre përkujtimor dhe do të emëronte një shesh, me emrat e heronjve, Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha.

Po ashtu, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ministri i atëhershëm shqiptar i mbrojtjes, Arben Imami, në mesin e dhjetëra personaliteteve të shquara për ndihmesë të veçantë ushtarake dhe luftëtarëve më të dalluar popullorë, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, më 23 nëntor të vitit jubilar 2012, e shpalli Abdullah Hoxhën “Dëshmor i Atdheut”, si dhe e dekoroi Shaban Binakun me Medalje, “Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe pavarësi” të vendit.

Ndaj , i emocionuar nga kjo ngjarje madhore, Agim Çeku, ish-shefi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të shprehej: “Gjatë rrugës, kur po vija në Shqipëri, po mendoja për këtë ditë, po mendoja se sa i madh është nderi dhe lavdia e këtyre burrave të mëdhenj të Kosovës dhe viseve të banuara prej shqiptarëve, që sot me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të nderohen me dekoratën dhe statusin e “Dëshmorit të Atdheut”.(www.mod.gov.al/arkiv/index.php) “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi”).

Pra, bazuar në ato sa u thanë, dhe akte të tjera trimërie e heroizmi, që lanë pas vetes, me siguri ata meritojnë edhe shumë nderime të tjera. Si Shaban Binaku, ashtu edhe Abdullah Hoxha, megjithëse do të vdisnin me dëshirën e paplotësuar për ta parë Atdheun e tyre të lirë, për të cilin luftuan dhe u munduan gjatë tërë jetës, gjenin e trashëguar kryengritës nga vendlindja dhe shpirtin liridashës prej malësori, nuk arritën ta thyenin, dënimi me vdekje as varja barbare në litar edhe pse në mënyrën më barbare të shkëputur tradhtisht nga jeta dhe shuar pabesisht nga dora kriminele e pushtuesve osmanë.

Ndaj, rënia martirizuese e këtyre heronjve ,me rastin e 100 vjetorit të parë u përkujtua me nderimet më të larta, për të hyrë kështu edhe më bujshëm në shekullin e dytë të përjetësisë së tyre. Veprat heroike, si këto që përmendëm shkurtazi, mbeten të paharruara përgjithmonë, kurse varret e përndritësuara në historinë e heronjve më sublimë shqiptarë, që nga flijimi i Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, vazhdojnë t’u flasin brezave, përherë me krenari dhe vetëm kombëtarisht.


Burimet:

1. Shqipëria.com, "Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të vitit 1909"
2. Shqipëria.com, "Historia Shqiptare "K reu XI,"Kryengritja e Kosovës, e vitit 1910”
3.„Harry Bajraktari , “ Dokumentar për Binak Alinë, Shaban Binakun. Malësia e Gjakovës, Part II“ youtube.
4. gazetadielli.com, “Roli historik i klubit bashkimi te Manastirit, drejt bashkimit shpirtëror të Kombit”, Dr. Vebi Xhemajli.
5. “Në vigjiljen e 100-vjetorit të Kongresit të Dytë të Manastirit”, Parajsa.com, 15.03.201, Dr. Nebi Dervishi.
6. “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi”, (www.mod.gov.al/arkiv/index.php)
7. ”Historia e popullit shqiptar-II“, Tiranë 2002
8."Historia e Perandorisë Osmane", Tiranë 1997
9.“Nderohen bijtë e Malësisë, Shaban Binaku e Abdullah Hoxha”,, “Bota Sot”, 14.12.2010 .
10. Dul po vetë Sulltan Hamiti (Youtube).
11. Dul po vetë Dergut Pasha (Youtube).
12.Vikipedia, „Mehmed V.“

Nga: Gani Bajram Qarri, Cyrih, 1 tetor 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen