F A Q E T

Montag, 16. Februar 2015

Sarë Gjergji

Sarë Gjergji (PhDc) u lind më 15.12.1965 në Stubëll të Epërme të Vitisë. Ka kryer studimet për Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, kurse tash ndjek studimet e doktoratës për Letërsi në Universitetin “Shën Cirili e Metodi”, Shkup.
Është anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve, Paris (Academie Europeenne des Artes), i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i shumë asociacioneve kulturore.

Botimet:
         1. Golgotë, Drita, Ferizaj, 1994;
         2. Kontrast ngjyrash, Prometheus, Graz & Prishtinë, 1996
         3. Terapia e vdekjes – requiem për Kosovën?, Ura & Martin Segoni, Gjilan, 2000;
         4. Peizazh toke, Eurorilindja, Tiranë, 2004;
         5. Foc nestnis (Zjarr i pashuar, në gjuhën rumune), Bukuresht, 2007;
         6. Dashuri e pambarim, T-Kom, Shkup, 2007 (financuar nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë);
         7. Vitia 2009, udhërrëfyes”, Zyra për Informim Publik e Komunës së Vitisë, 2009 (financuar nga Zyra e OSBE-së në Gjilan. E botuar në gjuhën shqipe, serbokroate dhe një pjesë në gjuhën angleze);
         8. Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose letërsia ndryshe e tij, Albanisches Institut, St.Gallen, Zvicër, 2011;
         9. Legjenda e tërfilit, MediaPlusArt, Prishtinë, 2012
       10. Stublla me shkollën e parë shqipe, 1584-1905, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, qershor 2014

Ka botuar edhe shumë artikuj mbi:
Karl Poperin, Ismail Kadarenë, Platonin, Horacin, De Radën, Konicën, Migjenin, Nolin e shumë autorë të tjerë; për praninë e Biblës në letërsinë evropiane dhe atë shqipe, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh të tjera nga publicistika, arti e kultura (në libra, gazeta dhe revista të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit).


Çmimet letrare:
  •   Çmimin vjetor për krijimtari, 1992 (nga Shoqata e Letrarëve të Rinj të Kosovës);
  • “Agim Ramadani”, 2003, 2005;
  • “Flaka e Janarit”, ...2007, 2009, 2015(vendi i dytë) etj.;
  • ”Muza e Agimit”, 2012, 2014;
  • “Esad Mekuli”, 2012 (LSHK);
  • “Akil Koci”, 2007 (për vëllimin poetik Peizazh toke);
  • ”Shën Jeronimi Ilir”, 2012;
  • “Valët e Llapit”, 2013;
  • “Takimet poetike të Karadakut”, 2010, 2012 (Kumanovë) etj.

Poezia e Sarë Gjergjit, është e përfshirë në shumë antologji në gjuhën shqipe, rumune dhe gjermane. Vepra e tij është bërë objekt studimi i studiuesve të shumtë, duke u vlerësuar lart nga kritika letrare.

Bazuar në librin “Stublla me shkollën e parë shqipe, 1584-1905”, Forumi Imazh&Media, në festivalin e XII të Imazhit Shqiptar (Tiranë, 2014), Shkollës së Parë Shqipe, ia akordoi çmimin Imazhi Shqiptar në Arsim.

Me kumtesa shkencore është paraqitur në disa konferenca shkencore, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë.

Ish kryeredaktor i revistës Identiteti (Prishtinë), i revistës Lajmëtari (Graz) dhe redaktor përgjegjës i revistës Kalendari letrar (Prishtinë). Aktualisht është redaktor (për Kulturë, Letërsi, Arte) i revistës shkencore Fakti shkencor, që botohet në Prishtinë.
Është ndër organizatorët e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” si dhe botues i buletinit të manifestimit me të njëjtin emër.

Ka kryer punë të ndryshme: në arsim, këshilltar në asamblenë komunale të Vitisë (10 vite), zyrtar për informim i kësaj komune, udhëheqës i Caritasit Çek në Gjilan etj.

Dikur, i angazhuar në proceset e kohës, të organizuara nga studentët e Universitetit të Prishtinës, në Këshillin për Pajtimin e gjaqeve (për rajonin e Anamoravës) etj.etj.



Poezi nga Sarë Gjergji

POEZI

1.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje!


Për mëkatar mos më merr
mos më përbuz për herezi
kur pa dashje shpërfill kërkesat e tua!


Pa frymën tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi.


2.
Mal metaforash është libri i poezisë
grackë simbolesh
ku gjallojnë herë-herë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna - të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtorësh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit. 


Sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia -
lufta për dinjitet!




POET

Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë.


Midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të çorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë.


Eja sërish, të lutem,
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja!




NJERIU DHE VDEKJA

Tashmë krejt e zakonshme
një: Njeriu dhe Vdekja - të zverdhur në palcë
fiksim e kanë njëri-tjetrin dhe mungesën e dritës.


Gjumin e amshuar
dhe gjymtyrët e tensionuara
në heshtje ndrydhur i mbajnë,
kohë të qelqtë
mbushin në të njëjtën shportë loti,
përshkojnë të njëjtën rrugë
dhe bashkë ngrehin dollinë për ligësinë.


Flasin e për çfarë nuk flasin
Njeriu dhe Vdekja
një - e njëjta jetë.




MOHIMI I VETVETES

Te pritja zunë rrënjë shpresat e kalbura
ne ëndrrën për një shtet ideal në kullë funebre e kthejmë
zhveshim shpirtin nga qenia dhe brohorasim fuqishëm:
Poshtë Identiteti!


Tash dhimbjet e lindjes së shkretëtirës ndjen
dhe lavde-broçkulla i thur vetes
se dritën e tokës së parë mëri e ke;
botën dhe shtratin ku linde mallkon
i katandisur në leshnajë.
Populli im,
për ku je nisur?!




1981...

Atëbotë, unë dhe Vdekja i ndamë rrugët
unë drejt Udhës së Arbrit
drejt iluzionit makabër ajo 


dhe vazhduam tutje
drejt ’89-s
drejt ’98-s
drejt hemisferës veriore të trupit tim


këtu sërish u takuam
për bukën tonë të përditshme, unë
për hipokrizinë e pushtetarit, ajo


për më shumë oksigjen...



KËTEJ S’KA MBËRRIT LIRIA

Në kullë të frikshme errësire të katandisin
në kampion ferri


enigmën e gjakut dhe gurit s’e njohin
as peshën e fjalës dhe pritjen e thinjur 


në sfond kope ujqish
kafshojnë hemisferën veriore të trupit tënd.


Toka ime
copë e grimë të bëjnë


me iluzionin për dritën s’jetohet
digjemi nga humbja e kujtesës.


Ushtari im,
këtej ende s’ka mbërrit liria.




RRËNJË

Nuk të fajësoj për frytin
Rrënjë
robotët s’e njohin shijen e kripës
as ngjyrën e pjekurisë


por dua ta dish
se ngadalë të harruam
mandej ta premë aortën
gjithë rrugët e frymëmarrjes t’i mbyllëm
të çrrënjosëm nga Toka
dhe tash
unë po vdes nga etja
nga të ftohtit po vdes.


Rrënjë,
ndiz rishtas zjarrin në mua!




ISHULL’ I HUMBUR

Ata po kthehen
Gjen
sërish
vazhdojnë të të godasin
çdo qelizë të trurit
gjersa hemisfera veriore e trupit tënd vdes


me fajin tim
për fajin tim
për më të madhin fajin tim:
mungesën e ndërgjegjes


dhe kështu pak e nga pak të vrasim
Gjen
se Lirinë shpërdoruam
e shndërruam në rërë. 


Ah! Gjen, Gjen!
Ç’tmerr!




PËRGJËRIM
(Agim Ramadanit)


Kam etje, Poet
kam shumë etje
për një varg tëndin ëndërrimtar-si dikur
ndryshe do çmendem.


Kam etje, Piktor
sa shumë etje kam
për një pikturë plot ngjyra pranvere - si jeta jote
ndryshe e zeza po ngulfat çdo qelizë.


Kohë në veshje guaske po vjen
me arkitekturë të dizajnuar ndryshe
Atdheu
shije padroni ka.


Ike herët, mjerisht
Liria peng mbeti.


Eja sërish, Poet
Piktor, eja
Eja, Ushtari im


Të përgjërohem, Agim...



PEISAZH TOKE
(Lutje Nënës Terezë)


Eja në këtë tokë
ku heroizohen kriminelët
e shenjtëria shëmtohet
ku njerëzit kanë humbur shijen
për ujin, dheun e kripën
ku dashurinë besnike s’e duan
as dritën


Eja këtu
ku flijimi është akt i kotë
ku përdhosen Buzuku, Bogdani,Gjergji...
këtu ku tëhuajsimi i mendjes tjetërson kokën
e tëhuajsimi i shpirtit tjetërson qenien


Eja në këtë tokë – në tënden botë
që njeh vetëm gjeneralë
ku luhet me emrin Tënd
të mbërthyer në shtatore
ku jeta ushqehet me metafora


Eja, o shumë po të lutëm, eja dhe një herë
shih si vdes njeriu në botën moderne
e si kolliten të zgjedhurit e popullit


Shpirtin në depo të partive na kanë mbyllur
terra nulius – Vlera – ex nihilo


Eja,
eja dhe shumë lutu
për priftërinj e hoxhallarë




LIBËR I HUMBUR
 

Caku yt i marrë: rëra
thatësi
në sheshin e plazmës sime
as gjak as ujë


në akuariume rëre
peshku i argjendtë dëshirash vdekur


ku ta gjejë vetën time
më as ëndrra s’kam




SHËN ASHT
 

1.
Asgjë e pazakontë në botën amë
Shën Asht
këtu jetojnë si dikur
të hyjnueshmit pushtetarë të uritur, tmerrësisht të uritur
dhe ne - një grumbull eshtrash nën lëkurë murosur
Asgjë e pazakontë,
Shën Asht,
tashmë në rrugët prej rëre
Arbdheun e kryqëzojmë për mo(r)t
ndryshe s’do ishim bijtë e Territ
 

2.
Në (udhë)kryq të kryqëzojmë për tridhjetë aspra
Shën Asht,
njësoj si Krishtin,
ndonëse me gjymtyrët e tua
trupi ynë u bë dikur

Sot,
merimangat kokën tonë mbështjellin
e rërës çmendurisht i këndojmë,
Shën Asht
si të shëmbëllejmë me veten tonë
Shën Asht
Shën Asht




KËNGA E ZOÇKËS

Tejdrite më vjen
e virgjër
me dallgë detesh në sy.


Tempull që pushton qiej
është kënga jote, zoçkë
e çdokohëshme
në tokën e zemrës sime
ciu!
ciuu!
ciuuu!


Oh!, grishje dehëse për shpirtin tim
ç’rrjedhë ndryshe e kohës kjo me ty
zoçkëz,
zoçkëz diellore...




RASHELË

Ç’është rruga drejt Tersës, Rashelë, më thuaj?!
Agimi kur nis e zbardh
tek këpusim frutat diellorë
prej kopshtit të amshimit.


Kodrat prej rëre i mbush me tinguj ngashënjimi
ti nimfë epshndjellëse gjer në çmenduri
sa edhe Sa(ha)rë e bën të lindë ujë
nga uj’ i bekuar.


Rashelë...
askush s’e kuptoi buzagazin e fundbarkut tënd!




LEGJENDA E TËRFILIT NË SHTATOR

Të kam thënë e dashur
Sa u gëzohem gjetheve
të gjelbra në vjeshtë?


Si atë ditë,
kur ca filiza gëzimi
çelën një tërfil me katër fletë
dhe unë e këputa prej syrit tënd.


Naforë dhe verë shenjtërie
m’u bë zemra
Në kupë të saj 39 ditë
shkëndija ushqeu gjethja.


Të 40-n të preka shpirtin
si në legjendë
magjia e gjelbër
eliksirin derdhi
në gjakun tënd
në gjakun tim
në gjakun tonë.


Katër petale
një nga një shkulin sot
një lutje të madhe
me zë gjoksi:


Në emër të Atit (e para ra mbi sy)
Të Birit (mbi buzë e dyta)
Dhe Shpirtit të Shenjtë: (e treta mbi zemër)
Jetomë ! (Oh... mbi dëshirë e katërta!)


O gjethëz’ e fatit,
Je Eva me një copëz klorofili në dorë
në shtegun e gjelbër drejt parajsës
je diell
je dielli im
që më përndez trupin kur të shoh…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen