F A Q E T

Dienstag, 3. März 2015

Burhanedin Xhemaili

Burhanedin Xhemaili, lindi më 28.02.1962 në fsh. Rramanli. Shkollën e mesme e kreu në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filologjik Dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Shkup. Ka punuar profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike në Kumanovë. Ka kryer detyrën e Kryeredaktorit të Revistës për Letërsi‚ Shkencë dhe Kulturë DORUNTINA. Tani është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë‚ dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Maqedoni.

Botimet
  • “DRITA E VONUAR’’ poezi 1993
  • “FRIKË NGA LIRIA” tregime 1994
  • “PORTRETE TË DJEGURA” dramë 1999
  • “TINGUJT E JETËS” tregime 2001
  • “KAMBANAT E LIRISË” poezi 2003
  • “MAGJIA MODERNE’’ tregime dhe novela 2005
  • “RRUGA E NDJENJAVE” roman 2006
  • "NË FUND TË TUNELIT" tregime 2011
  • "ËNDRRA E ZGJUAR BRENDA SYVE" poezi 2013

Poezi nga Burhanedin Xhemaili

Kohë e shkuar

Një fjalë e shkruar
në xhamin e thyer të dritares
me shikim nga dielli
rrinte në vetmi të harruar,
e ballkoni i mbuluar
me rrjetin e merimangës
na përkujtonte mosbesimin
e kohës së shkuar...
Në këtë heshtje të humbur
zukama e mizave të tërbuara
irritonte macet e mëhallës
që luanin me topin e shpuar
tangon e dëshpërimit,
e nuk ishte vjeshtë mërzie
as njeri s’ kishte vdekur,
por heshtja matej me hijen e vetë
gjersa drita ia dha këngës...

 


Ҫaste vetmie

Nata e matur
me vetminë e fjetur
shkundi retë e zeza
mbi xhamin e dritares
dhe zgjoi heshtjen time
t’plandosur,
gjersa shikoja portretin e kthyer
n’albumin e kujtimeve të zgjedhura
që m’ kthenin në kohën e shkuar,
e zëri i humbur
brenda labirinteve të harresës
m’ lëvronte shpirtin
me pyetjet e pareshtura
e nuk më çelte portat e mundësive
të mbyllura me rraptimë shiu...

Nëntor, 2012

 


Kthimi

Sa herë që degdisem
udhëkryqeve të jetës
pëshpërimat hijerënda
rrotullohen rreth meje e teje
e fjala nuk e mund arsyen
as ëndrra zhgjëndrrën,
por pikëpyetjet e shfrenuara
humbin peshën e kuptimit
dhe kthimit
në pikën zero
për fillime të mbara
nga e para...

 


Heretikët

1.

Në këtë heshtje të ngurosur
heretikët po gufojnë përbrenda
si uji i kazanit që vlon e nuk tymon
e magjistarët modern mbi avull magjie
po shpikin formulime të reja
për devijimin
që po merret për lavdi
e lavdia për çmendi...

2.

Në këtë kohë të kthyer
pa orë e matës,
po zihen mes veti
idetë e mbrapshta
me engjëjt e heshtur
matanë zjarrit
që na djeg shputat e këmbëve
të lëshuara në lumin e akullt,
e dallkaukët duartrokasin
në sheshin e shtrigave
kur defilon mashtrimi
dhe humbet besimi...

 


Kujtesa e zgjuar

1.

Nga ëndrra
në ëndërr
kujtesa e zgjuar
m’ përkujtonte
rrëmujën e shkuar,
kur fjala e lirë
zhbirohej përtej territ
e tmerrit
dhe hapte telashe
duke na gërryer shpirtin
me parmendë djerrine
dhe avull magjie
nga magjistarët
e çmendur...

2.

Heshtja e vetmuar
në amullinë e mallkuar
nuk e shëroi kohën e sëmurë,
e tani me sytë e hënës plakë
kërkojmë fjalët e gdhendura
në gurin e Ilirisë
që t’i shprishim shpifjet
e sajuara
të shpifësve shpirtkeq
që po triumfojnë marrëzisht
duke rrokullisur gurët
e prapësisë
në emër të njerëzisë..!!

 


Ёndërr

1.

Nga ndjenja në ndjenjë
kujtoj ëndrrat dhe enigmat
brenda ëndrrës, çelës i portave
dhe mrekullive magjike,
për të kapur ritmin e jetës
me vështirësitë e imponuara
dhe shpresat e hapura
që shfaqen në lutjet e mbrëmjes
kur yjet shkëputen
nga vallja e akorduar
dhe treten
si shkreptima të humbura
në terrin e tmerrit
pa gjurmë ekzistimi...

2.

Në këtë botë
të ndodhive të papritura
u hapën portat
e çudirave dhe rënieve të kota
dhe nuk u gjetë çelësi i shpëtimit
kotësive të kohës aktuale
të trashëguara
nga koha e rënieve totale
kur fluturat e erërave të reja
i mashtronte akulli rrëshqitës
me dritën e praruar
dhe zërin e zogjve të mbyllur
brenda rrethit magjik
për t’i shndërruar në pluhur hiri
mbi shtrojën e kuqe të mushkonjave
që ndërruan kostumin e defilimit
dhe mashtrimit... 

Korrik, 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen