F A Q E T

Mittwoch, 4. März 2015

Fahredin Shehu

Fahredin Shehu lindi në Rahovec në vitin 1972. Poet, prozator, kritik letrar, estet dhe studiues i trashigimise shpirterore boterore. Studimet universitare i kryen ne Universitetin e Prishtinës, studime Orientale. Aktivisht mirret me kaligrafi duke zbuluar teknika dhe mediume te reja për këtë lloj specifik të artit vizuel. Jeton dhe punon ne Prishtinë.

Krijimtaria:
  1. NUN- përmbledhje me poezi mistike, 1996 botim autori,
  2. SHUMËSI E PADUKSHME- Prozë poetike, 2000, botim autori
  3. NEKTARINA- Roman epik transcendental, 2004, sht. Botuese, Rozafa Prishtinë projekt i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës
  4. ELEMENTAL 99- Tregime të shkurta poetike, 2006, Qendra për mendim pozitiv, Prishinë
  5. KUN - Përmbledhje me poezi të lirikës transcendentale, 2007, Sht. Botuese LOGOS-A, Shkup
Pjesëmarrjet:
  1. Ekspozita e kaligrafive në Kajro, Egjipt, 2004
  2. Takimet e 44-ta te poezisë, Sarajevë 2005
  3. Kongresi mbi 600 vjetorin e Veprës së Abdurrahman Ibn Khaldunit, Kajro, Egjipt, 2006
  4. Takimi për të drejtat e pakicave etnike, Parlamenti Evropian, Bruksel, 2006
  5. Ekspozita e pikturave dhe e librave ne Ministrine e kultures se Egjiptit, Kajro , 2007

Tri poezi nga Fahredin Shehu

Kështu fliste Tamara

Kam lustruar sytë e fëmijës së përvuajtur
duke larguar shtresat e avullta të pamjes së tij
Të shoh dhëmbë të shkëlqyeshëm derisa buzëqeshë
dhe planetin e urrejtjes bukur mirë të fjetur dhe

fshehur të shpirtit tim

kam shpërlarë stratosferën e katastrofave
që prindërit e tyre me zell i shtresuan në qeniet e tyre
me lot të mbarsur me dashuri
kam qëruar të gjitha membranat e shpirtit

të kontaminuar

I dhashë buzëqeshjen bretkosës
dhe puthjen nefritit të heshtur

kam kulluar vesën nga petalja e trëndafilit

të bardhë dhe numëruar rubinët nga shega e pjekur

kam mbjellur të gjitha llojet e frutave
dhe mbaruar kopsht për të gjithë ne
ti mund ta quash pemishte
ti mund ta quash plantacion i të porsalindurve

të Dashurisë por unë di se është truall tahionik
ku vetëm Dashuria farë mund të mbjell

kam qepur petkun nga smeraldi
dhe parfumosur atë me Ambër që ta vesh

çdo fëmijë
unë ushqej çdo stomak
me dritën vetuese të shpirtit tim
T’i bëj transparent
T’i përndrisë

kam krijuar armatën e buzëqeshjes
dhe ftuar të gjithë shpirtrat ta çmontojmë

makinerinë e urrejtjes
në fushat e simfonisë së dritës
në momentin e shenjtë të amshimit

kam përqafuar të gjithë foshnjat e dukshme dhe

të padukshme dhe gëzuar për lumturinë e tyre

kam shtrydhur të gjitha armët
njerëzit dhe demonët që kanë krijuar
dhe krijuar pluhur ashtu që në çdo trohë
buzëqeshja lind Dashurinë


 

Pyetjet e Angeloidit

A jam unë gur i thjeshtë?
Të më gjuajnë larg nga shikimi
A jam lëkurë tigri
Të më shkel tregtari i pashpirt
A jam gjaku për t’u thithur nga shokët e afërt?
A jam udhëheqës i fisit të humbur?
Të më adhurojnë si të shenjtë
Jam profet i zhdukur?
Të cilin e kërkojnë në shpella që
xhinët e kolonizuan
A jam fosil i Jurës?
Të më shfaqin në kubin prej kristali
A jam esencë jasemini?
Të më erëmojnë pas mileniumit të tretë
A jam planet i humbur ?
Mallkim i njerëzimit
A jam paradigmë e mirësisë?
Të jem i shuar nga tretja
A jam e ligja e përkryer?
Të jem i lartësuar si këndim kishtar.
A jam krahu i engjëllit të purpurt?
Të të sjell hije
Derisa ti kërkon dituri.
A jam unë melodi e tej- ndjeshme?
Të më lozin me telat e zëmrës
së përndritur.
A jam shpirt ajror?
Të ju sjell stuhinë
Në mesditë kur dielli
E lexon strofën e tij
A jam fluid kozmik?
Të jem i shpërndarë si
hiri i yjeve.
A jam mjaft i shenjtë?
T’i gëzohem harmonisë kozmike
A jam kambanëz nga krihet e engjëjve?
Të bjerë për fillimin e profecisë së re.
A jam shenjtor i cili mezi shfaq mrekullinë e tij?
Të jem më vonë i adhuruar si hyjni.
A jam uji i pastër nga pusi i shkretëtirës?
Të më pinë në çastin e vdekjes
A jam unë vdekja e Artit?
Të ringjallem si Teurgji
A jam unë dashnori i dehur në Dashuri?
Të tretem në kuantumin e fotonit
A jam i marrë të zbuloj shpikjen e re?
Ashtu që të të dhimbsem ose
Ti mund të më përshëndesësh dhe aplaudosh
E kështu me radhë, e kështu me radhë,
e kështu me radhë.



Bëhet

Larg të kam
Kujtimi më vjen si dritë ylli
Shuarjen e të cilit
Dot s'e besoj
Kështu më ka bota
Të hutuar
Tek pres flladi
Ta freskoj
Vesa
Këtë trup zemre të huajsuar
Këtë buzë që thahet
Kur e thotë atë emër të bukur
Gjuha thahet
Ajo çahet
Balsam është vetëm prania si epifani
Por larg edhe nga kjo
Ajo çka gjuha dot s'e thotë
Ajo është
Kjo do të bëhet
Mrekulli e përhershme
Fjalë e Perëndisë
Kur thuhet BËHET
Ajo bëhet
Unë
Bëhem
Ajo
Dhe nuk më ka


____________
Biografia e autorit është marrë nga WIKIPEDIA, kurse poezitë nga portali voal-online.ch 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen