F A Q E T

Samstag, 28. März 2015

Gjithë jetën shqiptar !

Anekdotë nga Lugu i Baranit

Bajram Alia i muhaxherve të Kosuriqit apo Lala (si e thirrnin shumica), ish kan merakli i madh i rakisë apo i ujit te bekuar, si ai kish qejf me i thanën. E maronte vetë dhe e pinte si duhet e për shtatë palë qejfe, me miq e dashamirë. E kur ndonjëherë bëhej qefli, ia thoshte edhe këngës malsorqe!
Një ditë e kish pas pyetur njani:
         "Allahile Bajram a po me kallzon diçka".
         "Po vallahi, n'kofte se di, bash drejt kam me t'kallzu...po pse jo?!! - ia kish kthyer Bajrami.
         "Çka je ti... musliman a katolik. Me t'thanen musliman, nuk po ma mbush menen se çdo ditë t'lume po e e pi rakine si ujte. Bile edhe me e maru po e maron vet me kazana n'midis t'oborrit. Kurse me t'thanën katolik, prapë nuk po e rrokë, sepse ti e ki emnin Bajram e baba yt Ali.
         "Po qebesa po t'kallxoj mirë e drejt. Për bajram jam musliman e për pashkë katolik, kurse gjithë jetën shqiprar!" - ju kish pas pergjigjur Bajrami, kurse ai që e kish pas pyetur i kishte zgurdulluar sytë dhe ishte mbetur gojëhapur nga përgjigja që kishte marrë.




Varianti i dytë i anekdotës

M'KA MBJELL BABA, DITËN E FLAMURIT !

         Kishin pas dëgjuar njerëzia se qysh ju kish pas pëgjigjur njanit Bajram Alia i muhaxheve të Kosuriqit, kur ai e kish pas pyetur se a asht musliman apo katolik. Ju vinte shumë interesant se qysh ish kan përgjegjen Bajrami dhe kishin pas vendosur me e pyeten edhe njëherë, që ta dëgjonin me veshet e vet. Po Bajrami, si Bajrami më, gjithmonë i kthjellt prej menve. Për ta ba ma interesant dhe për ti befasuar të gjithë, kurr nuk pëgjigjej njësoj!
       "Hajt Bajram, kallzona edhe 'i herë nëse s'd'vjen mërzi, a je musliman a katolik!" - e kish pas pyetur njani në një megjlis pëpara shumë burrave.
       "Qëbesa nuk m'vjen hiq mërzi dhe bash fill po t'përgjigjem! - ishin fjalët e para të Bajramit.
        Të gjithë ishin bërë sy e vesh për ta dëgjuar, kurse ai pa u hamendur fare kishte vazhduar:
       "Atë jaranin që ju duhet grave e kam musliman, sepse jam i bam synet! Fytin e kam katolik, se për çdo ditë t'lume e lagi me uje të bekuem! Kurse në zemër jam veç shqiptar. Bile, baba Ali thojke se m'ka mbjellen bash n'ditën e flamurit!"
     Askush nuk e kishte pritur se Bajrami do të pëgjigjej ashtu dhe, të gjithe ia kishin krisur gazit përnjëherë!
     "Eu, mos u plaksh kurr o Bajram Alia!" - e kishte uruar një plak mjekërthinjur.

 __________ 

Disa nga komentet në Facebook

SALIH ZOGIANI, mbledhës dhe sudiues i anekdotave
Anekdotë me mesazh të fortë. I lumtë ati që e ka thenë, dhe juve që e postuat.

PAL NDRECAJ, shkrimtar
Nuk I permbaj dot emocionet perpara shembujve te tille! Keso shembuj na duhen. Te lumte Haxhi qe po na I kujton bukur shpesh ! 

AGIM GASHI, rapsod dhe poet
O Ty t´lumtë qe e ke postuar kete anekdote te bukur o Haxhi Muhaxheri! Sa po me pelqen pergjigja e njeriut te menqur dhe mesazhi qe ai percjell. Per anekdota te tilla kemi nevoje sot, me shume se kurre.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen