F A Q E T

Freitag, 24. April 2015

Malli për atdheun

Tregim nga Kujtim MORINA

   Kisha gati dy javë që isha në Nju Jork dhe fillova të mërzitesha. Kisha planifikuar të qëndroja një muaj me familjen në një udhëtim në Amerikë që besoja se jo vetëm unë nga Shqipëria, por edhe shumë qytetarë nga Evropa Perëndimore e nga vendet më të zhvilluara të botës e kanë ëndërr për një kohë të gjatë. Kisha të njohur që ishin rritur në Perëndim dhe tregonin me krenari për udhëtimin që kishin bërë në Amerikë. Për shumicën e tyre, ky kishte qenë udhëtimi i parë dhe i fundit. Mirëpo, pas pritjes në aeroport nga një i njohur, qëndrimit disa netë në shtëpinë e tij, zënies së një apartamenti në Bruklin ku do të qëndroja, disa shëtitjeve në Manhatan, fillova ta ndjej mërzinë. Po më dukej gjatë, një muaj, dhe duhej ta mbushja këtë kohë jo thjesht duke takuar miq dhe të njohur shqiptarë dhe duke ngrënë dreka apo darka me ta, por duke u përpjekur për të njohur sadopak botën amerikane, ritmin e punës, jetës, etj.

   Kisha disa ditë që aplikoja për ndonjë punë, doja të shihja si funksionon, a mund të përshtatem, se nganjëherë më dukej se vija jo thjesht nga një kontinent tjetër, por nga një planet tjetër. Shkëlzeni, një mik i imi, më ftonte vazhdimisht gjatë ditës të shkoja në zyrën e tij, në një agjensi udhëtimi, më ofronte një kompjuter në një cep të zyrës së tij të madhe dhe aty kaloja kohën. Kur shkonte për të blerë diçka për drekë për vete, në fast food-et e afërta, blinte edhe për mua. Aty fillova të kërkoj në internet për ndonjë mundësi për punë. Shkëlzen ishte emri i tij i Shqipërisë, sepse në Nju Jork e thërrisnin të gjithë Gjon, ky ishte emri që ai ia kishte vënë vetes duke e arsyetuar se në botën amerikane, çdo njeri duhet t’ia vërë vetë emrin vetes dhe jo të pranojë atë të vënë nga të tjerët. Një ditë, ia shpreha Gjonit këtë ide që kisha për të punuar ndonjë ditë se kështu do të kaloja edhe kohën, pa u hapur më tej që nëse gjeja ndonjë punë të përshtatshme, do të shihja edhe mundësinë e zgjatjes së kohës së qëndrimit.. etj, etj.
      “Mos kërko në tym- tha Gjoni- ka adresa të posaçme interneti për njoftimet e vendeve të punës, Ja po të jap unë disa” dhe më dha disa adresa të tilla.  
I hapa disa prej tyre dhe po lexoja kriteret që kishin vënë për vendet e punës, shkurt, saktë, pa zbukurime të tepërta. Aty ishin edhe të dhënat e kompanisë përkatëse.
      “A mund t’i telefonoj? e pyeta Gjonin, “I paskan të gjitha të dhënat e kontakteve”.
      “Jo, prit njëherë- tha Gjoni- lexoji me kujdes, kriteret e vendit të punës, pastaj dërgo CV-në, në anglisht”
      “Unë CV-në, gati e kam- i them- ta dërgoj tani që të mos humbas kohë?”
      “Ma dërgo mua njëherë t’i hedh një sy” më thotë Gjoni.

   Ia dërgova dhe po prisja komentin e tij ndërkohë vazhdova të navigoj në internet për vende të ndryshme pune. Pas një çerek ore, Gjoni më thërret përsëri nga cepi tjetër i zyrës:
      “Ah Besim, kjo CV që më ke dërguar, nuk bën, Duhet konceptuar krejt ndryshe.” 
      “Pse? -i them- kjo CV nuk është shumë e gjatë, dy faqe e gjysëm, kam shumë trajnime që mund të përshtaten me punët që mund të bëj”.
      “Nuk them se është përgatitur keq si CV por për aplikime për punë, kështu si është, nuk do ta sugjeroja” më thotë Gjoni. “Së pari, është shumë e gjatë, s’besoj se ka kohë dikush ta lexojë deri në fund. Duket me një stil letrar, sikur po i drejtohesh një redaktori të shtëpisë botuese. Madje edhe një faqe e plotë, duket shumë. Shënohen vetëm ato kurse trajnimesh apo eksperienca të vendeve të punës që i përshtaten direkt vendit të kërkuar të punës, qartë dhe saktë, pastaj të dhënat e kontaktit. Kështu që përgatite edhe një herë. Ke formular të gatshëm në internet, vetëm e plotëson.”
      “Ok”, i them, dhe paksa më përtesë filloj e përgatis CV-në time të re për për punë. Drafti i parë më kushtoi një ditë të plotë. Pastaj më duheshin edhe për dy ditë të tjera, për ta përmbledhur më mirë. Ndërkohë, Gjoni ndan zyrën me një punonjëse tjetër, amerikane. Jemi në prag Krishtlindjesh dhe ndihet afrimi i festës. Amerikanja, që me sa më ka thënë Gjoni quhet Kejsi, duket se i ka kaluar të 40-at. Përpiqet të jetë miqësore me mua, më flet nganjëherë dhe i përgjigjem edhe unë. Kur e shoh me atë fytyrë të verenikur, me vragat që dallohen qartë atëherë më vjen ndër mend çfarë më ka thënë Gjoni për të.  E ëma e saj kishte përfunduar keq, e kishin gjetur trupin e saj të masakruar në rrugë. Ndërkohë, Kejsi vetë, dukej se konsumonte drogë. Sado që përpiqej të tregohej e gëzuar dhe miqësore, prapëseprapë nuk e fshihte dot mërzinë apo stresin që e brente përbrenda.
      “Hoë are you doing?” E pyes sa për të hapur bisedën me të, kur Gjoni kishte dalë me një klient tek një zyrë e afërt. 
      “I am buying myself” ma kthen Kejsi. Megjithëse besoj se e njoh mirë anglishten, nuk e kuptoj çdo të thotë. Ta pyes edhe njëherë më vjen zor se më duket sikur po e ngacmoj. Pres derisa kthehet Gjoni më zyrë dhe i tregoj në shqip për frazën apo shprehjen që më tha kolegia e tij e zyrës. 
      “Ah- më thotë Gjoni duke qeshur- pra po blej veten se askush s’po më blen, s’po ma varin, ky është kuptimi”.
      “Faleminderit- i them Gjonit- s’më kishte shkuar ndërmend” 
Pas disa aplikimeve në internet, më njoftuan për t’u paraqitur në një kompani energjie që kërkonte operatorë që do të kryenin vizita në shtëpi për t’i nxitur klientët e mundshëm që ta ndërronin kompaninë ekzistuese të energjisë me këtë të renë. Më lanë orën e takimit dhe e ndava mendjen të shkoja. Sido që të ishte, do të ishte një eksperiencë e re. Do të shihja si funksiononte se s’kisha gjë për të humbur.
   Ditën e intervistës apo të paraqitjes ishte një kohë e keqe. Kishte filluar të binte borë me një erë të fortë dhe duhej të ishe veshur trashë ndryshe i ftohti të hynte deri në palcë. I thashë gruas se do të shkoja për punë, atë ditë, dhe ajo pranoi sidoqë s’ia kishte qejfi se do të ngelte vetëm tërë ditën. Më ishin mbaruar edhe kreditet në telefon dhe shpresoja që rrugës do të ndalesha diku dhe do të mbushja telefonin. Ndërkohë po atë ditë, kisha lënë takim me një shok të shkollës në Shqipëri, Ismetin, që kishte disa vite që jetonte në Nju Jork. Ai kishte qenë një vit përpara meje në gjimnaz dhe kur kishte marrë vesh që isha në Nju Jork, më mori në telefon një mbrëmje, folëm gjatë dhe e lamë të takoheshim atë ditë në orën 12. Në të vërtetë, unë e kisha kohën e paraqitjes në orën 9 te kompania dhe mendoja se do të rrija aty deri në orën 11 dhe nëse nuk do të më pëlqente do të kthehesha në shtëpi dhe do të takohesha me atë shokun.  
   U vesha trashë atë ditë dhe mora metronë për të shkuar te “vendi i ri i punës” që ishte diku në Manhatan. Ashtu duke pyetur e duke u ndalur herë pas here e gjeta zyrën e kompanisë. Ishte ftohtë dhe nuk të tërhiqte shumë të rrije as jashtë. Me sa më kujtohet, zyra e kompanisë ishte diku në katin e 22-të të një grataçeli. Kur hyra, për çudi, pashë plot njerëz, mosha të reja kryesisht që tashmë kishin filluar përgatitjet apo praktikën e punës së re. Unë thjesht iu prezantova njërit, një afroameriokan i gjatë  që m’u duk se po i udhëzonte ata si të vepronin dhe ai më tha Ok duke më ofruar menjëherë që të bëhesha pjesë e grupit. U përpoqa vetë të kuptoja çfarë po bënin pa ma shpjeguar kush. Kishte një tekst të gatshëm që operatorët duhet t’ua thonin klientëve të mundshëm nëpër shtëpia. Këtë ne duhet t’ia thonim njëri-tjetrit më përpara për t’u praktikuar, për t’u ndjerë sa më lirshëm që kur të shkonim atje të na rridhte goja dhe të bënim për vete klientët. Teksti ishte në anglisht. Fillimisht bëhej prezantimi i shkurtër i personit dhe i kompanisë dhe pastaj thuheshin disa fjalë për përparësitë e kompanisë së re të biznesit. Nëse personi pranonte në parim për të vazhduar bisedën atëhere i ofrohej një lidhje telefonike me seksionin e shërbimit të klientëve të kompanisë dhe vetëm pas kësaj bisede, intervista quhej e kryer. Operatorët në terren paguheshin në bazë të intervistave, një intervistë ishte 12$.
   Ambjentet e zyrës së kompanisë ishin të mbushur plot me aplikantë për punë atë ditë. Disa në të vërtetë ishin tashmë të kontraktuar dhe ishin thirrur të mësonin më të rinjtë. Aty pashë të rinj, të moshës mesatare, njerëz nga të gjitha ngjyrat dhe racat, afrikanë, kinezë, arabë, spanjollë (kështu në të vërtetë quheshin në përgjithësi të gjithë amerikano-jugorët). U përpoqa edhe unë ta them disa herë tekstin e përgatitur kur më vinte radha dhe sidoqë nuk shkëlqeva, nuk dola edhe aq keq. E kisha të vështirë të kuptoja aksentin e anglishtes të atyre njerëzve me origjina dhe formime të ndryshme.
   Nga ora 11, më mori në telefon, ai shoku që e kishim lënë për takim. Sadoqë që ishte shumë zhurmë aty, e dëgjova dhe fola me të. Kur mori vesh që isha në një kompani për punë, më tha me keqardhje se siç duket nuk do të mund të takoheshim atë ditë. I thashë se do të rrija edhe pak aty, tek “vendi i punës”, do të shihja si po shkon dhe nëse s’ma merrte mendja, do të largohesha. I sugjerova që në rast se s’mund të takoheshim atë ditë, ta linim takimin të shtunën e asaj jave. E kuptova në telefon që iu prish qejfi dhe po më kthente përgjigje më shumë për të ruajtur etikën sepse takimi pothuajse ishte sabotuar. “Mirë, mirë- i thashë- do të marr vetë në telefon, më vonë”. Kështu e humba rastin për t’u takuar edhe me atë shokun sepse s’do të gjenim kohë për t’u takuar as në dy javët e tjera të qëndrimit tim në Nju Jork. Në fundjavë, kur e mora në telefon më tregoi se atë ditë që kishim lënë takimin, kishte marrë leje nga puna, ishte përgatitur për t’u nisur më makinë, të më merrte tek vendi ku banoja dhe të hanim një drekë bashkë mirëpo....
   Pas një dy orësh praktikimi të prezantimit të atij teksti të gatshëm, u caktuan edhe grupet me nga dy veta që do të shkonin në terren për intervista. Si i ri që isha në punë por jo nga mosha, më lanë si ndihmës të një afroamerikani. Kur e shikoja me flokët e shkurtra si të lidhura nyje më bënte shumë përshtypje sado që përpiqesha që të mos i bija në sy. Unë thjesht do të shkoja kudo që trokiste ai, do të dëgjoja pa marrë pjesë në bisedë me qëllim për t’u përgatitur kur t’i kryeja intervistat vetë. Zbritëm me ashensor nga pallati dhe po kërkonim stacionin e metrosë. Kishte filluar sërish të binte një borë me flokë të mëdhenj, me fërfëllizë, që edhe udhëtar i zakonshëm po të ishe, e kishe me shumë bezdi e jo më të silleshe andej-këtej për punë. Kërko këtu e kërko atje dhe më në fund e gjetëm stacionin e trenit për tek zona ku ishim caktuar. Aty pastaj do të shpërndaheshim në grupe dy vetash për intervista. Rrugës, në tren, po mendoja, a mund ta shtyja tërë ditën kështu në këtë të ftohtë, apo kur të zbrisnim të gjeja një mundësi për të ikur. Nga ana tjetër, isha shumë kurioz të mësoja si do të shkonte dita e parë e punës apo e praktikës. Si më qëlloi kjo ditë kaq e ftohtë, e shoqëruar kjo me misteret që ka çdo punë e re! Duke u menduar një copë herë të mirë e lashë që do të filloja njëherë intervistat me atë shokun dhe nëse mërzitesha do të ikja se fundja s’kishin ç’më bënin, për vete e kisha. Me sa pashë, lagjja ku do të shkonim, ishte diku në Bronx, pra larg nga zona ku isha akomoduar dhe kështu që për të shkuar në shtëpi duhet të kthehesha në drejtim të Manhatanit përsëri për të ndërruar tren aty dhe për t’u kthyer në Bruklin.
   Filluam vizitat nëpër familje. Lagjia ku ishim ne, ishte më shumë një kombinim i shtëpive private dhe pallateve shumëkatëshe. Fillimisht trokitëm në portat e disa vilave por kur pamë që nuk po përgjigjej kush atëhere u drejtuam nga apartamentet e pallateve.
      “Hello” foli në anglisht nga prapa derës operatori që po i shkoja pas. “Jemi nga një kompani energjie, a mund të zhvillojmë një bisedë të shkurtër?”
      “No, nuk kam kohë- iu përgjigj zëri nga brenda- Jam shumë i zënë, ju lutem mos më shqetësoni”
   Trokitëm në një derë tjetër. Këtë herë dera u hap dhe doli një grua. “Çfarë doni” tha.
      “Jemi nga një kompani e energjisë dhe deshëm të bëjmë një bisedë të shkurtër për ofertat e reja” iu përgjigj operatori.

      “Jo, jo, ah jeni ju që dërdëllisni vazhdimisht dhe kur vjen fundi i muajit na e fusni faturën sa ju do qejfi. Jo, nuk mundem, na lini të qetë”.
      “Po ne nuk jemi kompania e energjisë që jeni kontraktuar. Jemi kompani e re dhe kemi një ofertë më të mirë për ju” insistoi ai shoku.
Zonja mbylli derën duke thënë “bye bye” dhe ne dëgjuam vetëm zhurmën e çelësit nga brenda.
   Ishte gjysma e dhjetorit dhe pothuaj çdo familje kishte bërë zbukurime për festat e Krishtlindjeve dhe ndoshta edhe të Vitit të Ri. Shumica kishin vënë një bredh të vogël të zbukuruar me ornamente dhe drita në sallon por kishte edhe zbukurime të tjera në mure apo në vende të tjera. Kishte shumë familje që mbanin qen të mëdhenj apo të vegjël. Kryesisht, ishin familje të vogla dhe sidoqë që ishte koha e mbasdites nuk kishte hyrje-dalje. Një mendje më thoshte: po sikur të më dalë përpara ndonjë i njohur nga Shqipëria! Çdo të thoshte! Ke ardhur nga Shqipëria dhe të prisnim që të merrje në telefon për ndonjë kafe ose drekë dhe ja ku po na vjen në shtëpi në një pozicion që as e kishim nenduar! Nuk gjete ndonjë punë më të mirë se këto intervistat nëpër shtëpia!...
   Vazhdoja ta ndiqja atë “zezakun” dhe nuk ia mësova dot as emrin deri në fund. Edhe ai s’ma varte shumë por sidoqoftë mbante qëndrim korrekt. Në apartamentet e pallateve dukej më e lehtë se mund të trokisnim në shumë dyer pa dalë jashtë në të ftohtin e atij dimri dhe ndonjëri do të na e hapte. Kishte plot dyer kur nuk merrnim asnjë përgjigje. Në të tjera, ai shoku megjithëse insistonte nga jashtë duke biseduar me familjarin që ishte brenda, dera prapë nuk hapej dhe në fund largoheshim.
   Pas shumë përpjekjesh, një grua në moshë mbimesatare pranoi të na lejonte të bënim intervistën. Ajo ishte vetëm, kishte një qen të madh që me sa pamë, nuk ishte agresiv. Nuk flitej të na ofronte ndonjë gjë për të pirë. U ulëm në një divan dhe operatori po i shpjegonte ofertën e kompanisë duke i sugjeruar se kjo ishte një mundësi për të hequr dorë nga kompania ekzistuese e energjisë dhe për t’u bërë klienti ynë. Megjithë vështirësitë në komunikim, ata po merreshin vesh. Kur operatori i tha gruas që të bisedonte në telefon me shërbimin e klientëve në zyrën e kompanisë, në fillim ajo hezitoi por pastaj pranoi. Biseda u bë dhe në fund, kompania kërkonte të dhëna kontakti të personit për ta kontaktuar përsëri dhe aty u duk se gruaja po thoshte: “boll më, unë iu pranova për mirësjellje sesa për ndonjë ofertë se e di që të gjitha kompanitë e energjisë njëlloj janë”. Nejse, kur u krye intervista e parë, morëm frymë të lehtësuar. Kishim bërë provën e parë të suksesshme në një punë që si çdo punë tjetër nuk ishte e lehtë. Gradualisht po më forcohej besimi të rrija deri në fund të ditës, të shkonte si të shkonte. Nuk do të vdisja! E kisha përfytyruar ndryshe por ky ishte realiteti i asaj dite.
   Në një intervistë tjetër të suksesshme, na priti një burrë që tha se punonte si mjek. Kur e pyeti operatori si shkarazi se me kë jetonte, ai iu përgjig: “Vetëm, më mirë kështu. Kam bashkëjetuar njëherë me një grua por ato duan vetëm të shpenzojnë, në shumicën e rasteve nuk punojnë vetë dhe kam vendosur ta bëj jetën më mirë kështu. “Le që edhe për punët e shtëpisë- e kishte fjalën përsëri për gratë- nuk kujdesen por vetëm si të psonisin ne dyqane, në parukeri, në shoping centre. Nuk durohen ashtu, më mirë vetëm”. Në fillim na tregoi faturën e energjisë duke u ankuar se ishte faturuar shumë muajt e fundit por pastaj kur e kuptoi se ishim një kompani e re që donim të futeshim në treg, nuk i kushtoi shumë rëndësi, i bëri formalitetet dhe na tha mirupafshim.
   Ndërkohë mbeta pa telefonuar familjen gjithë ditën. Gjithë kohën i zënë, pastaj edhe nuk gjendeshin lehtë ato pikat e shitjes së kartave të telefonit. Do të jenë bërë shumë merak, po mendoja. Kështu më ndodhte vazhdimisht që kur largohesha nga shtëpia, ose më mbaroheshin kreditet në telefon, më binte bateria apo kushedi se çfarë më ndodhte dhe humbja lidhjen me familjen duke e bërë mungesën edhe më të plotë dhe stresuese. Megjithë kritikat që kisha marrë vazhdimisht nga gruaja për këtë sjellje dhe përpjekjet që bëja që të mos më ndodhte më, më dukej se çdo gjë ishte e paracaktuar që të humbisja komunikimin dhe shyqyr pastaj në orët e vona të darkës që kthehesha në shtëpi. Apo kur udhëtoja jashtë shtetit dhe për arsye të ndryshme s’mund të merrja në telefon fare për ditë të tëra! Ankthi shtohej dhe meraku gjithashtu se larg qoftë diçka e keqe mund të më kishte ndodhur mua apo familjes.
   Kështu mbetëm duke trokitur në dyer të ndryshme për pesë orë pa ndërprerje, nga ora 1 deri në orën 6 pasdite. Nganjëherë, ndihesha i këputur nga këmbët, por operatorit as i shkonte mendja për të pushuar. Moti duket se u ndreq pak njëherë, bora pushoi por ishte prapë mjaft ftohtë. Pas disa orësh filloi përsëri të binte borë. I shikoja flokët e borës në Nju Jork në një qiell gri dhe të zymtë ndërsa përpiqesha të mblidhesha në rroba nga i ftohti dhe nga ajri plot lagështirë. Kështu, duke rendur nga kati i parë në të pestin e të gjashtin, pastaj poshtë përsëri na kaloi dita pa vënë gjë në gojë. Në një nga vizitat që kryem, na ofruan një pije freskuese. Sa e shijova! Po digjesha nga etja! Në fund arritëm të bënim 8 intervista në total që do të thoshte 96 dollarë për atë ditë nëse merreshin të plota dhe s’kishte ndonjë tatim për të paguar.
   Rreth orës 6 pasdite filluam të mblidheshim te sheshi ku e kishim lënë. U kthyem grupe, grupe, operatorët me ndihmësit e tyre. Ndërsa po prisnim në stacionin e trenit, menaxheri i grupit tonë, ai afroamerikani i gjatë, m’u afrua dhe më pyeti:
      “Si shkoi? Si t’u duk?”
      “Mirë”, i thashë.
      “Ta merr mendja se mund ta bësh këtë punë?”
      “Besoj se po”, i thashë.
      “Atëhere je i punësuar”, më tha direkt. E kishim lënë të ktheheshim përsëri te zyra dhe atje të diskutonim dhe të vendosej më tej, por ai më pranoi menjëherë në punë. Duket se më pa se isha më i pjekur se shumë të tjerë aty. Megjithë disa ndërdyshje për të vazhduar këtë punë, dukej se po anoja më shumë për ta lënë. Dukej një punë e lodhshme dhe e bezdisshme gjithashtu. Të shkoje nëpër shtëpia, të trokisje në gjithë ato dyer ku shumica të refuzonin dhe s’kishe siguri sa intervista mund të bëje nga të cilat varej pagesa. Ndryshe nëse kishe të bëje direkt me administratorët dhe stafin e mirëmbajtjes së pallateve, kjo do të ishte më e pranueshme, por të shkoje nëpër familje...I thashë atij shefit të grupit që për sot nuk do të kthehesha te zyra, por do të vija të Hënën e ardhshme, për të filluar punë. Zbrita në një stacion të ndërmjetëm për të marrë trenin tjetër për në shtëpi. Ora po shkonte 9 e darkës ku u afrova për në apartamentin ku banoja.
   Kur hyra brenda, më dolën te dera menjëherë gruaja dhe dy fëmijët. Ishin mërzitur shumë. Ngaqë nuk i kisha marrë në telefon gjithë ditën, ishin bërë shumë merak. Ato ditë edhe laptopi nuk punonte kështu që kishin mbetur gjithë ditën duke parë nga dritarja në një kohë me shi e me borë që sido që s’e kishte zbardhur tokën, kishte qenë një ditë shumë e zymtë. U përpoqa të justifikohesha por ndesha në reagimin e ashpër të gruas: “Ti gjithmonë kështu ia bën kur largohesh, thua s’më punoi telefoni dhe zhdukesh për gjithë ditën. Nuk mendon se ke grua dhe fëmijë!?” Me mbërritjen time duket se ata u fashitën pak. Hapa televizorin por ai nuk merrte asnjë kanal shqip, vetëm disa kanale amerikane nga të cilat asnjë kanal muzike. Edhe kur jepte ndonjë këngë, s’më kënaqte aspak. Ishin këngë të padëgjuara më parë, me ato gërr-vërret në anglisht gjoja me ritëm por që s’të jepnin asnjë lloj emocioni. U kujtova ndërkohë dhe fillova të dëgjoj në celular një këngë të vjetër me çifteli. Duket se kishte zë të mjaftueshëm dhe po e dëgjonim pa bërë zë e gjithë familja...
   Kjo ishte një këngë e gjatë me çifteli e sharki që zgjaste 45 minuta. Kaq e gjatë, natyrisht që ishte epike. Quhej kënga e Hasan Faslisë, një shqiptar nga Veriu i Shqipërisë apo nga Kosova, në këngë nuk dilte qartë, i cili vetë ishte martuar me një boshnjake dhe pasi i rritet dhe shkollohet vajza, e vret se ajo lidhet me një serb. Në të vërtetë, ai e justifikonte këtë akt edhe me motive të tjera se serbi ishte i vjetër në moshë dhe se ai kishte qenë i martuar më parë disa herë. Në fund, ai vret serbin, pastaj vajzën e tij dhe përfundimisht vret edhe veten. Më kujtohej në shtëpi kur më thoshte babai për këtë këngë që në krahinë ishte e preferuar. “Nuk e duroj dot. Të vrasësh fëmijën tënd! Për çfarë? Pse kishte pranuar të martohej me një serb kur vetë ky kishte qenë i martuar me një boshnjake! Krim shumë i rëndë që i ngrihet edhe këngë, madje!” Ata që e pëlqenin këtë këngë i jepnin të drejtë, personazhit kryesor, Hasan Faslisë, për aktin që kishte kryer duke e justifikuar se ai sakrifikoi shumë për vajzën duke e rritur e shkolluar dhe ajo duhet t’ia dëgjonte fjalën të atit, të martohej vetëm me shqiptar e jo me “racë” tjetër!
   Po e dëgjonim në heshtje këngën. Gruaja ma kishte shprehur më parë se nuk e pëlqente këtë këngë, por nuk po bënte zë. Nuk ishte një këngë 3-4 minutëshe, por plot 45 minuta. Po të ishim në Tiranë, isha i sigurtë se nuk do të më linte ta dëgjoja. Unë prisja të më thoshte një fjalë kundërshtimi siç janë edhe gratë që nuk kanë durim dhe e nxjerrin marazin shpejt por ajo nuk po fliste. Po e dëgjoja edhe vetë, atë këngë, për të cilën, ndoshta i nxitur edhe nga babai, nuk e pëlqeja as vetë por malli që kisha për vendin tim, për Shqipërinë, nuk më linte ta ndërprisja. Melodia dhe rapsodët më pëlqenin deri diku dhe kështu s’po i kushtoja rëndësi tekstit. Doja ta dëgjoja deri në fund megjithëse e dija çfarë produkti ishte. Në fytyrën e gruas lexohej qartë ajo ndjenja e dyzimit por dukej se kishte fituar ajo e dëgjimit të këngës për shkak të mallit që na kishte kapluar për vendin e lindjes si një lloj ajri i veçantë, mungesën e të cilit e ndjejmë kur jemi larg tij.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen