F A Q E T

Mittwoch, 10. Juni 2015

Ishte dhe mbetet simboli i amzës shqiptare në kohë

Fjala e Presidentit të Shqipërisë z. Bujar Nishani në cermoninë solemne të rivarrimit të Heroit Kombëtar shqiptar, Isa Boletini

10 qershor 2015-Mitrovicë, Kosovë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i shoqëruar nga delegacioni zyrtar shqiptar mori pjesë sot në ceremoninë solemne të rivarrosjes së eshtrave të Heroit Kombëtar, Isa Boletini, e cila u mbajt në Stadiumin “Adem Jashari” të qytetit të Mitrovicës, në Republikën e Kosovës.

Në prani të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, të Kryeministrit Isa Mustafa, të drejtuesve vendorë, deputetëve, personaliteteve të ndryshme dhe udhëheqës politikë të ardhur nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët si dhe familjarëve të Isa Boletinit, Kreu i Shtetit shqiptar në fjalën e Tij të rastit, u shpreh:

“I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit të Kosovës,
I nderuar Zoti Kryeministër i Kosovës,
Të nderuar deputetë, përfaqësues të partive politike, drejtues të pushtetit vendor,
Të nderuar familjarë të heroit, Isa Boletini,
Të dashur motra dhe vëllezër bashkëkombas!


Ju falënderoj nga zemra për nderin e veçantë që më keni bërë duke më ftuar në këtë ceremoni historike për të bashkuar nderimin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë ndaj Heroit të kombit tonë, Isa Boletinit!

Të dashur motra e vëllezër,

Sot historia mëson prej vullnetit dhe kujtesës së një populli. Sot ajo rishkruhet duke përmbyllur rrugëtimin e lavdishëm të Heroit të Kombit, Isa Boletini. Frymëzuesi i lirisë së shqiptarëve kthehet përgjithmonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur. E paharrueshme është për mua kjo ditë! Besoj fort se të gjithë shqiptarët kudo që janë e përjetojnë me emocione të pashlyeshme fundin e njëqind viteve vetmi. Na ka munguar ky altar i lutjes kombëtare në Boletin të Mitrovicës. Panteoni pa të do të ishte i gjymtuar; ndërgjegjja jonë e trazuar; kujtesa e paqetë; mirënjohja e paplotë.

Sot e kemi dhe ndihemi më të fortë, sepse Isa Boletini ishte dhe mbetet simboli i amzës shqiptare në kohë! Sot e kemi dhe ndihemi më krenarë, sepse Isa Boletini ishte krenaria shqiptare në orët më tragjike të shqiptarisë! Sot e kemi për të kujtuar mbi të sakrificat dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë jetën që shqiptarët të mbeten, që shqiptarët të qëndrojnë, që shqiptarët të ringrihen, që shqiptarët të fitojnë të drejtat e tyre kombëtare dhe Isa Boletini është kryedëshmori ynë, bëma, gjesti, shembulli, thagma, kolona e tempullit shqiptar ndër mote! Sot e kemi Isa Boletinin dhe i rrëfehemi se shqiptarët kanë dy shtetet e tyre të Pavarura në Ballkan, të lira e demokratike. E  kujt më shumë se prijësit ia detyrojmë këtë rrëfim. Kujt më shumë se Kosovës duhet t’ia shpalosim mirënjohjen, kryengritjet e së cilës ishin preludi i 28 Nëntorit të 1912-s.

I mirënjohuri Martin Camaj thotë në njërën nga poezitë e tij: “Kur të vdes, le të bahem gur. Në skajin e vendit tim të qëndroj kufi.” Isa Boletini këtë amanet, si shërbim të fundit, do ta kryejë në jetë të jetëve. Dua të kujtoj këtu se Ismail Qemali, ati i shtetformimit, burri i ndritur i ngritjes së Flamurit Kombëtar, kësaj trashëgimie të Gjergj Kastriot Skënderbeut pas gati 500 vitesh robërie otomane, gjeti tek Isa Boletini mbështetjen kryesore, garancinë ushtarake dhe morale sepse pas tij ishte Kosova duke krijuar binom një të tillë saqë kur flitet për njërin ke thënë shumëçka edhe për tjetrin, ndërsa shqiptimi i këtyre dy emrave bashkë na kthen vrullshëm tek pavarësia dhe tek uniteti  shpirtëror i shqiptarëve.

Personalisht më vjen mirë që pelegrinazhi kombëtar bëhet bicepal si krerët e shqiponjës nga Vlora në Boletin, si rruga e domosdoshme e kujtesës që duhet përshkuar nga ne, nga brezat për të kuptuar se ku ngjizen rrënjët e lirisë. Këta janë bijtë e zgjedhur të kombit shqiptar. Janë etërit e projektit politik e të shtet-formimit. Vepra e tyre është Shqipëria. Vepra e tyre është Kosova. Me këtë vetëdije punuan e luftuan edhe Ibrahim Rugova e Adem Jashari, nën këtë shembull dhanë jetën mijëra bij e bija të Kosovës për të fituar lirinë, pavarësinë dhe shtetin. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Vëllezër dhe motra,

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare janë shndërruar në faktor të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan. Jemi përballur me shumë sfida tragjike për të arritur deri këtu. Duhet të jemi krenarë për sukseset tona, të qartë për vështirësitë dhe këmbëngulës për standardet evropiane që duam për shoqëritë tona. Ne jemi një komb evropian qysh në ngjizje. Në mendjet dhe zemrat tona është vetë identiteti i këtij kontinenti. Rruga jonë e vetme, por edhe e mundur, është ajo e integrimit, e bashkimit me familjen e madhe evropiane. Shqipëria evropiane, Kosova evropiane, Kosova anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova në NATO, Ballkani evropian janë mundësia dhe Shansi ynë historik. Miqtë tanë perëndimorë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa, NATO-ja janë aleatët dhe partnerët tanë. Me ta ndajmë të njëjtat vizione për paqen dhe demokracinë. Ndaj tyre duhet të jemi mirënjohës për mbështetjen pakufi që na dhanë bash atëherë kur mizoria e kasapit të Ballkanit rrezikonte vetë ekzistencën e shqiptarëve. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë!

Çdo joshje tjetër, çdo formë propagande që kërkon t’i japë të tjera ngjyrime kombit shqiptar, çdo zë i çjerrë që do të mbjellë përçarje e intolerancë mes nesh është armik i  të ardhmes sonë, është thjesht antishqiptar. Shqiptarët shquhen për harmoninë dhe tolerancën fetare. E kanë vuajtur intolerancën, ekstremizmin nacionalist, dhunën e idesë absolute, ndaj, ata më pak se kushdo tjetër mund të bëhen sot e nesër zëra të eksperimenteve që frymëzohen nga terrori. Me fuqinë e shtetit ligjor, me epërsinë etike të demokracisë, me besën dhe burrninë shqiptare duhet të izolojmë çdo shfaqje që përdhos imazhin tonë, që ushqen me veprimet dhe fjalët e veta propagandën antishqiptare, që kompromenton të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Këtë të ardhme e shohim në dialog, miqësi dhe bashkëpunim me fqinjët, e shohim si proces që do të shërojë plagët e së kaluarës, jo duke u bazuar tek harresa, por tek reflektimi.

Vëllezër dhe motra,

E ku më shumë se para këtij memoriali të njërit prej etërve të kombit shqiptar mund t’i thoja këto fjalë, sepse gjithçka bëri Isa Boletini, gjithçka na la Isa Boletini  na çon në këtë drejtim, kah identitetit, lirisë, dinjitetit dhe Evropës. Sot është një ditë e shënuar për Kosovën. Sot është një ditë e shënuar për kombin pasi Isa kthehet në shtëpi pas një udhëtimi të gjatë mes për mes honeve të historisë, por ai kthehet si fitimtar, si ngadhënjyes për t’u prehur në amshim rrethuar nga dashuria e një kombi të tërë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Rroftë Kosova!
Rroftë Shqipëria!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ndodhen!”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen