F A Q E T

Sonntag, 21. Juni 2015

Qëndresa e atdhetarëve të Plavës e Gucisë

...për mbrojtjene  territoreve shqiptare në vitet 1879-1880

Shkruan: Eugen SHEHU

Vendimet e padrejta të traktatit të Shën Stefanit, për coptimin e trojeve shqiptare, ngjallën shpirtin e protestës në katër vilajetet shqiptare.Veçanërisht në muajt prill-maj të vitit 1878 u organizua nga atdhetarët shqiptarë një varg beslidhjesh krahinore, me ç’rast parashihej edhe një lloj organizimi ushtarak. Por në mënyrën më masive, lëvizja për rezistencë të armatosur në këto treva, të cilat këcënoheshin drejtëpërsëdrejti nga rreziku i aneksimit prej serbëve, grekëve apo malazezëve. Këto lëvizje të organizuara nuk munguan të hartonin edhe plane të veçanta se si do të shkohej në luftë nga do të merreshin furnizimet me armë dhe ushqime madje si duhet të vepronin me popullsinë e pambrojtur shqiptare në trevat më të kërcënuara prej monarkive ballkanike. Ky lloj organizimi i cili disa muaj më pas shërbeu për formimin dhe vendosjen e pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndje sidomos në trevat e Shqipërisë Veriore. Ndonëse të dalë prej një varfërie të skajshme, shqiptarët e këtyre anëve,shitën miellin që rritnin fëmijët për të blerë armë e municione të bindur se ora e madhe e ekzistencës apo asimilimit të tyre po afrohej. Armatosja e tyre u shoqërua me dhënien e besës si edhe organizimin ushtarak. Lidhur me këto përgaditje mendoj të sjell këtu, njoftimin që konsulli britanik në Shkodër i bënte Londrës më 4 maj 1878, ku pos të tjerave shkruante tekstualisht;

“Banorët e krahinave të Beranës,Plavës,Gucisë,Graniqit dhe të shpatave lindore të maleve të Shqipërisë Veriore, kanë formuar një lidhje për t’u rezistuar deri në vdekje kundër të gjitha orvatjeve që do të bëheshin për të ndryshuar gjendjen e tanishme të territoreve të tyre,pa marrë parasysh nëse këto orvatje vinin nga fuqitë e jashtme apo nga Porta e Lartë”.(S.Riza “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumenta angleze”–Prizren 1978, fq.191).

Lëvizja për bashkimin kombëtar me idenë e kundërshtimin deri në vdekje, të coptimit të trojeve shqiptare, u shtri edhe në radhët e shqiptarëve që ndodheshin jashtë atdheut,si në Stamboll, Egjipt, Bullgari, Itali etj. Janë me dhjetra telegramet,protestat apo memorandumet që shqiptarët jashtë atdheut përmes tubimeve të tyre, u dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, duke kundërshtuar çdo manovër politike që ishte në dëm të tërësisë territoriale shqiptare. Për t’i bërë sa ma legjitim aksionet luftarake të tyre, fqinjët tanë nuk munguan t’u fryjnë flakëve të luftës fetare, kinse shqiptarët e krishterë apo katolikët nuk kishin asgjë të përbashkët me shqiptarët mysliman të cilët sipas tyre ishin të përkdhelurit e Portës së Lartë. Po të merret me mend prapambetja e viseve shqiptare në fundin  eshekullit të 19-të, kuptohet që kjo propagandë mundi të lozë një rol të caktuar në rrjedhën e ngjarjeve por ky rol ishte tejet i vogël. Shqiptarët të cilët nëpër shekuj i pati lidhur më shumë kombësia dhe besa përpara kësaj gjendjeje ditën të orientohen në kahjen e vëllazërimit kombëtar. Kështu,në një telegram në viset e Shkodrës, Ulqinit, Tivarit dhe Podgoricës i dërgonin në vitin 1878, ambasadorit francez në Stamboll, pos të therave do të shpreheshin ; “Ne katolikë e myslimaë,vëllezër prej shekujt dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh… pëlqejmë më mirë të asgjësohemi sot, se sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar”. (S.Riza “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare “-Prishtinë 1978, faqe 12 ).

Po kështu, edhe në vise të Maqedonisë shqiptare, ushtrohet presion nga serbët, me idenë se duhet të largoheshin myslimanët pasi historikisht kjo tokë ka qenë e banuar prej ortodoksëve. Për më tej propaganda serbe po bënte thirrje të hapta që elementi ortodoks shqiptar të ngrihet e të kërkojë të drejtat e veta, duke nënkuptuar me këtë rast luftë vëllavrasëse ndërmjet shqiptare për hirë të bisedimeve të ndryshme fetare.Por asesi shqiptarët e këtyre trevave nuk mund të binin pre e deklarimeve të tilla ogurzeza. Kështu në protestën e tyre të vitit 1878 paria e Tetovës në një protestë që u dërgonte Fuqive të Mëdha, pos të tjerave do të kumtonte; “Ne banorët e Tetovës jemi më shumë se 30 mijë burra myslimanë, ndërsa të krishterë nuk janë më shumë se një e katërta. Pra myslimanët përbajnë shumicën si numër, por e lëmë menjanë këtë sepse si shqiptarë ne jemi të gjithë degë të dalë nga i njëjti trung, nuk kemi mosmarrveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar”.( S.Riza , ”Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” – Prishtinë 1979, faqe 15 )

Pikërisht,në qershorin e vitit 1878, në Prizren u formua Lidhja Shqiptare, e cila, për nga përmasat, vizionet, organizimin e qendresës së armatosur,përbën një ngjarje epokale për fatet e shqiptarëve. Pa dashur të ndalemi mbi këtë kuvend madhorë të burrave nga katër vilejetet shqiptare, mjafton të themi se vetëm veprimi energjik politik, diplomatik dhe luftarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bënë Fuqitë e mëdha dhe Evropën në përgjithësi të kthejnë sytë nga viset shqiptare që po nëpërkëmbeshin. Ndërkaq Princ Nikola, në bashkëpunim të ngushtë me Carin e Rusisë dhe Portën e Lartë në vjeshtën e vitit 1878, organizuan seksionin e Mehmet Ali Pashës, i cili kish të bënte vetëm e vetëm me zbatimin e traktatit të Berlinit,për dorëzimin e viseve shqiptare nën administrimin e Cetinjës. Ndonëse u paralajmërua tri herë, Mehmet Ali Pasha,i “fryrë” prej lavdisë së korrur në Azi, donte të çonte deri në fund misionin e vet për coptimin e Shqipërisë veriore. Kaq mjaftoi që ai të ekzekutohej prej forcave të organizuara të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit. Pamvarsisht se si u komentua vrasja e bujshme e tij në Stamboll, në të vërtetë ajo s’ishte gjë tjetër veçse vënie në jetë e rrezolutës së 2 korrikut 1878, sipas së cilës, cilido që do të dhunonte tërësinë territoriale të Shqipërisë, do të quhej tradhëtar. Merret me mend se pas kësaj vrasjeje, qeveria ruse parashihte pengesa serioze për dorëzimin e trojeve shqiptare në duar të Cetinës,në këtë mënyrë në shtatorin e vitit 1878 disa ditë pas vrasjes së myshirit të Stambollit,ambasadori rus pranë Portës së Lartë, i deklaronte Vezirit të madh se, nëse Mali i Zi do të luftonte me armë në dorë për zbatimin e kërkesave të Kongresit të Berlinit, Rusia nuk mund të rrinte duarkryq. E thënë më troç kjo parashihte dërgimin e ushtarëve rus në ata kufij, pra të tjera kokçarje për Stambollin. Është e kuptueshme që pas këtij momenti Rusia të mendonte shumë më seriozisht për faktorin shqiptar. Princi Lobannor në Stamboll me anë bisedash e telegramesh të shumtë, u përpoq të bindëte Fuqitë e Mëdha, të ndërhynte pranë Stambollit, i cili duhet të dërgonte sa më parë trupat ushtarake në Shqipëri, për të shuar rebelimin. Në vjeshtën e vitit 1878, duke parë vendosmërinë e shqiptarëve për të mos e dorëzuar Plavën dhe Gucinë i propozoi Cetinës që të hiqte dorë nga trevat e Gucisë dhe të merrte në vend të saj krahinën e Vasojeviqit. Për më tej Porta e Lartë i premtoi princit Malazez dhe një shumë të konsiderueshme të hollash. Por Nikolla e refuzoi në mënyrë të prerë këtë propozim, madje u shpreh se do të refuzonte çdo propozim të mëtejshëm, edhe nëse ky do të ishte në favor të Malit të Zi. Përballë kësaj situate që sa vinte e ndërlikohej, Porta e Lartë u përpoq të luante në të dy krahët. Kështu megjithëse ajo heshti në ditët e para të Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes,në tetorin e vitit 1879, më pas kur mësoi se aty ishte në rend të ditës mbrojtja e Plavës dhe Gucisë,ndëroi qëndrimin menjëherë. Konsulli britanik Sen Xhon i shkruan lidhur me këtë kuvend Londrës se; ”E alarmuar nga vendosmëria e delegatëve qeveria dha urdhër që Kuvendi të shpërndahej dhe anëtarët e tij të ktheheshin nga kishin ardhur”. (Dokumente britanike, raport i Xhonit, nga Prizreni, doku. 33).

Në ditët e fundit të tetorit të vitit 1879, qeveria e Malit të Zi kishte ndërmarrë disa manovra ushtarake, në afërsi të territoreve shqiptare duke keqtrajtuar madje disa shqiptarë etnikë. Lajmi u përhap në Shkodër si rrufe dhe mjaft prej atdhetarëve shkodranë të armatosur u bën gati të shkonin në Plavë e Guci. Në datat 26-27 tetor 1879 në drejtim të kufijve të kërcënuar shqiptarë u nisën rreth 250-300 burrat e parë ndërsa të tjerët organizoheshin në çetat e vullnetarëve. Krejt kjo gatishmëri la mbresa të thella tek qytetarët shkodranë por edhe tek burrat e Malësisë së Madhe të cilët u armatosën dhe u nisën drejt kufijve etnike shqiptare. Sodoqoftë, më 1 nëntor 1879, ishin forcat e princ Nikollës ato që sulmuan të parat, në befasi, të fshatit Arzhanicë. Ata mundën të djegin disa shtëpi të fshatit dhe të vrasin 30 gra e pleq të pambrojtur. Por kundërpërgjigjja e vullnetarëve shqiptarë ka qenë tejet e rrufeshme. Pas dy-tri orësh luftimesh të rrepta, malaziasit u tërhoqën në kufijtë e tyre sigurisht duke lënë disa të vrarë e plagosur. Duke parë se në kufijtë e Plavës dhe Gucisë po afroheshin forca të mëdha vullnetarësh shqiptarë të vendosur për të mbrojtur deri në fund tërësinë e tyre territoriale, Mali i Zi u tërhoq për disa ditë duke shtuar presionin e vet diplomatik tek Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha të cilat duhet t’i dorëzonin territoret shqiptare. Presionet ndaj Portës së Lartë nuk rreshtën gjatë këtyre ditëve, sidomos nga Rusia. Përballë këtyre ngjarjeve, Stambolli urdhëroi autoritetet osmane të Vilajetit të Kosovës dhe Shkodrës që të pengonin me çdo kusht dërgimin e vullnetarëve shqiptarë në kazanë e Gucisë. Gjithashtu u ngarkua Savash Pasha (ministër i jashtëm i Turqisë) dhe Xhevdet Pasha të cilët duhet të merrnin kontakte të menjëhershme me prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, për t’i bindur këta të dorzonin Plavën dhe Gucinë, por edhe këto lëvizje administrative dhe diplomatike të Portës së Lartë nuk patën jetë të gjatë.Ymer Prizreni kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 21 nëndor 1879, kundërshtoi në mënyrë të prerë urdhërin e Valiut, për rekrutimin e djemve të Kosovës në ushtritë perandorake. Përgjigjja e tij,përmblidhej në fjalët se “burrat e aftë për armë i duheshin Shqipërisë pasi do të luftonin për mbrojtjen e tërësisë së atdheut”. Në bazë të burimeve të shumta arkivore,në 27 nëndorin e vitit 1879, në frontin e luftës në kufijtë “turko-malazez” (nënkupto shqiptaro-malazez) u vendos shtabi ushtarak i Malit të Zi me në krye kryeministrin e Cetinjës , Njegoshin. I vendosur 10 kilometra në veriperendim të Plavës, ky shtab u bëri thirrje të gjithë vojvodëve të Malit të Zi të lidhnin besën për të marrë me çdo çmim Plavën dhe Gucinë. Në krye të shtabit ushtarak të malazezëve, Princ Nikolla emëroi Mark Milanin, i cili për nga e ëma kishte origjinë shqiptare,sidoqoftë veprimet e mëpastjashme vërtetuan se Princ Nikolla ishte gënjyer. Ndërsa me vendim të Komandës së Lartë Ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,shtabi i vullnetarëve shqiptarë u vendos në Guci, në afërsi të kufirit malazez.Me vendim unanim të Prizrenit, komandant i këtij shtabi u vendos Ali Pashë Gucia,ndërsa trupat e tjera vullnetare shqiptare, komandoheshin nga burrat e shquar të asaj kohe, si; Jakup Ferri, Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi, Jusuf Sokoli, Kurt Asllani etj. Është për t’u theksuar fakti se ndërmjet vullnetarëve shqiptarë të Gjakovës, Pejës, Gucisë, Plavës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, u reshtuan edhe disa oficerë të ushtrisë osmane me origjinë shqiptare. Këta lanë karierën dhe gradat duke paraparë se pati ardhur çasti i lumë për t’i shërbyer atdheut të tyre.Ende nuk dihet me saktësi numri i vullnetarëve shqiptarë, të cilët u rreshtuan për të mbrojtur territoret etnike të tyre. Nga një varg të dhënash burimore del se nuk kanë qenë më shumë se 5 mijë vullnetarë shqiptarë, përballë 7-8 mijë malazezëve.Këto shifra janë kontradiktore pasi Mali i Zi, duke dashur të tërheq vëmendjen e Fuqive të Mädha ka deklaruar asaj kohe për 10-12 mijë shqiptarë të armatosur. Një gjë është e vërtetë se ndërsa forcat malazeze ishin të rreshtuara përgjatë vijës; Murinë; Pepaj, Arzhanicë dhe Velikë, vullnetarët shqiptarë ndërtuan pozicionet e tyre mbrojtëse në vijën; Guci, Kolenicë, Martinaj, Plavë dhe Nokshiq. Lumi Lim, i cili shërbente si një lloj kufiri midis frontit në fjalë do të jetonte në ditët më pas tmerret e një lufte trup më trup, ku shqiptarët mbronin lirinë e tyre, ndërsa malazezët kërkonin në mënyrë të padrejtë të pushtonin territore të rinj.

Në mëngjezin e 4 dhjetorit 1879,forcat malazeze filluan sulmet frontale në drejtim të fshatit Nokshiq.Sulmi i tyre qe i beftë deri brenda dy-tri orësh, malazezët mundën të përparojnë tepër. Vullnetarët shqiptarë duke mos ditur që Nokshiqi pati rënë në duart e malazezëve u drejtuan për atje të shkujdesur duke u ngjitur nëpër malet e velikës. Këto momente shfrytëzuan mjaft mirë forcat e Theodor Milanit të cilat u lëshuan të tërbuara mbi vullnetarët shqiptarë. Kaq është dashur që drejt Nokshiqit të ngarendin qindra shqiptarë të tjerë, nën komandën e Jakup Ferrit, Osamn Hotit, Halil Radonajës, Mushi Ramës, Balil Demës, Ismail Omeragajt etj. Gjenerali Njegoshiq, ndërkaq duke parë se drejt Nokshiqit po ngarendin mbi dy mijë shqiptarë, vuri në veprim edhe dy batalione me ushtarë malazez, të armatosur deri në dhëmbë, madje edhe me artileri të cilat ishin vendosur në Moraçë. Brenda disa orësh në Nokshiq e rrethina u vendosën mbi 4 mijë ushtarë malazez. Përballë kësaj lëvizjeje taktike të gjeneralit malazez, reaguan menjëherë prijësit e vullnetarëve shqiptarë. Këta vendosën të sulmonin malazezët trup më trup, duke hequr mundësitë atyre për përdorimin e armëve të artilerisë, si dhe armëve të tjera. Në këtë mënyrë në mesditën e 4 dhjetorit 1879, sulmi shqiptar pat hutuar krejt veprimet e malazezëve të cilët nën thirrjen e shqiptarëve dhe përleshjeve trup me trup, gati po demoralizoheshin. Pas disa orësht luftim në muzgun e ftohtë që po afrohej, forcat e Mark Milanit duke çarë rrethimin, iu afruan urës së vetme të lumit Lim. Pos edhe këtu u ndeshën me vullnetarët trima të Gjakovës. Në këtë mënyrë veç qindra të vrarëve “gjatë kalimit të Lumit Lim, të fryrë nga ujërat e dëborës u mbytën me dhjetra malazezë të tjerë”.(J.Vukiç “Plavsko-Gusinjska afera i oslobodenia Ulcinja” – Sarajevo 1929 , faqe 15 ).

Mali i Zi dhe në mënyrë të veçantë princ Nikolla, të gjetur të befasuar përballë kësaj humbjeje, ai nuk vonoi të planifikojë këtë humbje duke bërë me faj Portën e Lartë. Kështu me gazetën “Gllas Cërnogoraca” të 13 dhjetorit 1879, shkruhet se fajin e kishin jo vetëm vullnetarët shqiptarë por edhe qeveritarët turk. Mandej sipas kësaj gazete thuhet se gjatë sulmeve të shqiptarëve, kinse ishin dëgjuar edhe komanda në gjuhën turke çka “përligj” pjesmarjen e trupave turke në Nokshiq. Nikolla gjithashtu paralajmëroi Fuqitë e Mëdha,se nëse nuk do të ndërhynin që shqiptarët tu dorzonin vullnetarisht tokat e tyre, atëherë luftimet do të vazhdonin akoma më të përgjakshme, duke sjellë trazira në krejt Ballkanin. Nga ana tjetër në 15 dhjetor 1879, në Guci u mblodh Kuvendi i jashtëzakonshëm i përfaqsuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas diskutimesh të zjarrta vendosi të mbrojë deri në pikën e fundit të gjakut çdo pëllëmbë toke amtare. Burrat shqiptarë të tubuar aty dhanë besën se do të ruanin nderin e vatanit me çfardo çmimi që do t’u kërkohej.Në lidhje pikërisht me këtë kuvend,do të shkruante duke cituar pjesë nga memorandumi: “Ne banorët e Plavës dhe Gucisë nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë”. Ne do të kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona “.

( Gazeta “ San Peterburskie Vjedemosti “ më 23 dhjetor 1879 ).

Në 26 dhjetor të vitit 1879 shtabi ushtarak i princ Nikollës,u duk sërish në Andrejevicë, në krye të ushtrisë prej 25 batalionesh ishte caktuar sërisht Mark Milani, i cili ndonëse humbi në mënyrë të turpshme në Nokshiq,përbetohej se do të kthente në vend nderin e humbur. Këtyre organizimeve ushtarake iu përgjigjën flakë për flakë shqiptarët, të cilët, dërguan në territoret etnike të tyre rreth 9 mijë vullnetarë, veçanërisht nga Peja, Prizreni, Gjakova e Shkodra. Në këto formacione nuk munguan të rreshtoheshin edhe qindra oficerë shqiptarë, të cilët dezertonin nga ushtria perandorake dhe niseshin direkt për në Guci. Mbase nuk duhet harruar fakti që në ditët e para të janarit 1880 pati organizime ushtarake dhe nga Shqipëria e Jugut për të luftuar në Guci, por Shtabi Ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,urdhëroi që ata të rrinin në pritje dhe të mos niseshin pa një komandë të tyre. Më 6 janar 1880 formacionet ushtarake malaziase ishin përqëndruara plotësisht përgjatë kufijve etnike shqiptare. Në vijën Velikë-Pepaj, ata përqëndruan rreth 5 batalione të mbështetur edhe nga artileria duke dashur të çanin me çdo kusht mbrojtjen shqiptare e mandej për të dominuar situatën. Por në këtë rast strategjia malazeze u zhvlersua përballë artit ushtarak shqiptar. Prijësat e Plavës e Gucisë duke futur në luftim rreth 300-400 vullnetarë në të dy krahët e Andrejevicës dhanë të kuptohej se donin të godisnin malazezët, pikërisht në shtabin e tyre. Gjatë gjithë natës, Mark Milanin e vojvodët e tjerë tërhoqën trupat nga Velika, Pepaj e Plava, duke mbrojtur nga të katër anët Andrejevicën. Pikërisht në mëngjezin e 8 janarit 1880, në momentin dhe vendin që armiku kursesi nuk e priste, vullnetarët shqiptarë të udhëhequr nga trimat Kurt Asllani dhe Nure Kurti, në tri kolona sulmuan befasisht malazezët në vijën; Velikë, Pepaj –Arzhanicë. Beteja e 8 janarit mbetet padyshim jo vetëm si simbol i heroizmit masiv të shqiptarëve, por edhe shembull i mjeshtërisë së Artit Ushtarak Popullorë. Këto batalione shqiptarësh ndonëse sulmuan malazezët sa dyfishin numerik të tyre, mundën t’i shëndrrojnë lëndinat e Velikës, Pepajt dhe Arzhanicës në teatër të dhimbshëm të epopesë legjendare.Gjatë kësaj kohe “disa forca të Lidhjes e sidomos plavasit dhe guciasit duke i ditur vendet mirë, nxituen për t’i prer rrugën ushtrisë së Mark Milanit e të tjerëve,prej kodrës së Nokshiqit nga ana e Ivanopoljes. Ata e vunë përpara ushtrinë e thyeme të Malit të Zi, duke hyr edhe në tokat malazeze. Humbjet e malazezëve qenë të mëdhaja.Të vramunit mbetën gjithë dimrin mbi tokë, pa u futë në dhe, pse malazezët nuk guxojshin me u afrue për me i varrosë”. (E.Plava “Plava dhe Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”-Tiranë 1995, faqe 87 ).

Jehona e betjës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë ishte tejet e madhe. Pamvarsisht prej rezulltateve të arritura në ditët e janarit 1880, në të vërtetë me mbrojtjen që shqiptarët po u bënin trojeve etnike të tyre u jepnin të kuptonin Fuqive të Mëdha, që të mos luanin me fatet e tyre sikur të ishin jetimë.Një tjetër mesazh i këtyre betejave ishte edhe ndaj Portës së Lartë.Bashkimi i shqiptarëve nga krejt vilajetet e tyre,për një gjymtyrë të trupit,donte të thoshte se zotër të trojeve shqiptare ishin veç shqiptarët dhe askush tjetër. Në këtë rrafsh, goditej drejtëpërsëdrejti megalomania e Fuqive të Mëdha dhe paternalizmi i Portës së Lartë, sipas së cilëve, me kufijtë shqiptarë dhe në përgjithsi me çështjen shqiptare, mund të luhej si të dojë. Kjo dëshmoi të kundërtën,pra shqiptarët dëshmuan se ska pazarllëqe në kuriz të kombit dhe atdheut shqiptar.
_____________
Huazuar nga gazetadielli.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen