F A Q E T

Freitag, 14. August 2015

Ibrahium Kadriu

     Ibrahium Kadriu u lind më 8 janar 1945 në Zhegër, fshat i Karadakut të Gjilanit (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më 1959, e shkollën e mesme (Normalen) në Gjilan në vitin 1964. Studimet universitare i mbaroi në Prishtinë. Dy vjet  ka punuar pedagog në tetëvjeçare. Më 1968 ka filluar punën në të përditshmen “Rilindja”, gazetar në rubrikën e  kulturës dhe reporter i lirë. Që nga viti 1973 ishte redaktor i kulturës në po këtë gazetë. Ndërkaq nga viti 1999  detyrën e redaktorit të kulturës dhe të fejtonistikës e vazhdoi te e përditshmja “Zëri”.
     Gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare në gazetari, Ibrahim Kadriu ka shkruar recensione për film, vështrime, humoreska , reportazhe e shënime udhëtimesh nga vise të ndryshme të botës. Ka shkruar skenarë, radiodrama, romane, vëllime poezie. Gjatë viteve të tetëdhjeta ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërkaq sot është anëtar i PEN-it të shkrimtarëve. Sipas romanit të tij  “Pas kthimit”  qe realizuar seria televizive “Fidani”, kurse sipas të njëjtit roman Radio Tirana (viteve të tetëdhjeta) ka realizuar dhe emetuar radiodramën në vazhdime. vazhdime.
     Librat nga ky autor janë përkthyer e botuar edhe në gjuhën serbokroate ,  vëllimi poetik “Koprena vremena” – (Veli i kohës), romani “Lekovit izvor” – (Kroi i ilaçit), pastaj vëllimi poetik rumanisht “N-a rămas timp pentru sărbători” – (S’mbet kohë për kremte), vëllimi poetik në gjuhën malazeze “Narod je kriv” – (Populli është fajtor), romani në turqisht “Gloria ortada”(Gloria në mes), vëllimi poetik në italisht “Tempo incenerito nelle pupille” (Kohë e djegur në bebza) dhe novela në norvegjisht  “Dreni og Drenusha” – (Dreni dhe Drenusha). Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht e anglisht.
     Deri tash ka botuar mbi gjashtëdhjetë vepra, poezi dhe prozë, romane... për të cilat është nderuar, pos tjerash, edhe me çmimet “Shtjefen Gjeçovi”, “Agim Ramadani”, “Beqir Musliu”, me atë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, me çmimin “Azem Shkreli”. Më 2012 iu nda Çmimi “Romancier shqiptar i vitit” nga Qendra PEN e Shqipërisë, etj.
     Është i pranishëm në mbi njëzet antologji në gjuhë të ndryshme.



 Poezi Nga Ibrhim Kadriu

BABAI IM

Babai im ka qenë mjeshtër
Arkitekt e skulptor në familje,
Akademinë e kishte kryer në male drurët duke i zgjedhur
Dhe gurët për dëshmim të talentit.
Nuk ka humbur kohë për ekspozita
As për katalogë nuk e ka lodhur kokën,
As ka kërkuar mbështetje në donatorë,
Drurit ia ka dhënë formën sipas përjetimit e ndjesisë
Sipas dimensioneve të formuara në kokë,
Netëve të gjata me shikim në dritare
T’i gëzohej dritës së nesërme të zbritur nga kodra.

Babai im Ferat Kadriu ishte krijues,
Lapsi e pena s’i kanë bërë punë kurrë;
Kishte çekanët e daltat për gurë e dru,
Si  Mikelangjello ëndërronte,
Para lisit e gurit ofronte vullnetin krijues,
Duke e rrëzuar lisin si matadori demin në arenë,
T’ia falte formën trerëve të mbanin çatinë,
Pas themeleve gurësh të kalitur  për jetë

Babai im ka qenë shumë origjinal,
Vetëm ideve të veta u ka besuar dhe u është shtruar.
Kurrë s’ka qenë në Prado e Luvër,
As ka ekspozuar  as ka pasur mendim për mendje  akademikësh,
As është fotografuar ta ruante mjekrën e parruar;
Vetveten e ka latuar bashkë me gurin dhe drurin,
Babai im arkitekti dhe skulptori
Veprat e ka lënë që i qëndruan kohës;
Shiut, breshrit, tërmeteve dhe djegieve të zjarreve serbe,
Oxhaqet e mbetura drejt qiellit iu përshtaten legjendës
Në të tilla shtëpi  oxhaqet do të nxjerrin përherë tym,
Oxhaqet e shtëpive që i ngriti babai im arkitekti e skulptori.


FUSHATA

Në këtë kohë
Ngatërruar rrugësh
Unë kam parë
ti ke parë e dëgjuar
ai ka parë  dëgjuar e festuar
me brohoritje falë premtimeve
te kutia votës

ne kemi besuar
ju keni besuar  dhe fjetur rehat
ata ose ato e kanë quajtur kremte
ditën e obligimit qytetar
për t’u pajtuar
me portretet e mëdha reklamë
brenda natës duke arrirë famë
të dorëzuar para kamerave
me duar të ngritur
për ta kapur edhe Zotin

unë jam mashtruar
ti je mashtruar dhe ke qarë
ai ka sharë dhe ka kërkuar rrugë refugjati
me fëmijën në krah  të shpërthej dika
për ta gjetur Moisiun për rrugën e shpëtimit
dhe lek për ilaçe kundër dëshpërimit

Ne jemi mashtruar
Ju jeni mashtruar dhe humbur besimin
Ata ose ato  bëjnë gjumë
Ëndrrave  u gëzohen i ngritin në ide
Mandatin urojnë të ketë jetë të gjatë
Në pritje
Për zgjedhje të reja  kur do të vazhdojë fushata
Me premtime të gjata të gjata të gjata.


KOMUNISTI

Programi i shkruar i erdhi prej vendit të ftohtë...
Në të nuk kishte asfare ngrohtësi shpirtërore,
Kishte ikur nga vetja  e drejt e n’internacionale
Komunisti luftëtar i mbetur e edukuar në male.

Dashuritë për nënë, baba, për vëlla e motër
Ia fali partisë me grushtin lart revolucionar,
Duke lënë pas shpine krejt çka ishte në votër,
Me shkelje mbi gjurmët e traditës kombëtare.

Në ndërkohë ndodhi ajo që të ndodhte duhej
S’ishte më në atë krah, as bëhej iluzionist;
Ende librezë fshehtas mbante, sepse druhej
T’iu bashkohej dasmorëve me flamur nacionalist.

Mandej mbet pa gojë i vetmuar larg çdo partie,
I thanë të aderojë në parti tjetër, e ai u zbraz:
Partia në të cilën dikur isha – më doli rrospie...
Tash do rri kështu – larg partive se i kam maraz.


DUKE PRITUR GODONË

Në teatrin Kosovë
Beketi do ta humbte torruon
Në pritje të pakufishme do të kërkonte pushim
Në klinikën neurologjike të shtrihej për shërim
Derisa të mësohej si tretje kohe pa kufij;
Do ta ndërronte Godonë me fytyra tjera
Pale me çfarë vlerash do takohej kush e di se kur.

Në teatrin Kosovë
Krejt janë të mençur, heronj, sundimtarë
Regjisorë të shkëlqyeshëm e aktorë
Me shpinë të kthyer njëri-tjetri t, krejt pushtetarë
Të përulur mandatesh rrenave u bëjnë temena
Natë e ditë njësoj qeshin
Në skenën e hapur tek luhen rolet
Në dramën që zgjatë e s’dihet kur bie perdja.

Në teatrin Kosovë
Maskat kanë kuptimin qëndrojnë pranë pasqyrave
Aty ku ndërrohen petkat e grimi gjithsesi
Aty menjëherë pranë vetës së harruar
Para duartrokitjeve
Beketi  do ta varte veten
Se s’mund t’ia gjejë fundin shfaqjes
Për t’i vënë pikë injorancës
Dhe nuk do të dinte kurrë
Momentin e duhur për ta përfunduar dramën
Para se personazhet të ndërronin gardërobën
E dizajnuar nga firma të njohura në botë.

Në teatrin Kosovë
Perdja vazhdon të jetë e ngritur  pa u ditë kohëzgjatja
Repertori  nuk ndryshon mbetur vetëm në një rrëfim
Për të gjitha vitet dhe stinët
Alegorisë i gjendet strehë
Më mirë se në çdo kohë
Teksti i dramës nuk ndryshon anon kah tragjedia
Ijago do ngreh padi për vjedhje të identitetit
Të pandryshuar me shekuj dhe ja tash
Në skenë i sheh kodoshët ia marrin petkat
Druan se nuk do t’ia kthejnë kurrë
Ijago do ngreh padi për ta kthyer identitetin e vjedhur
Vështir se do t’ia arrijë
Njësoj si personazhe të tjerë
Që nga antika të ruajtur  deri më sot
E të shpërngulur
Në teatrin Kosovë.
Do ngreh padi në sistemin e drejtësisë
Nëse arrin të mos hetohet nga elita
Në teatrin Kosovë

Në teatrin Kosovë
Askujt s’i bëhet vonë të bëhet aktor i devotshëm
Gjithë bota  e provoi skenën me talente të zgjedhur
Të ngritur akademive prestigjioze
Për eksperimente aktrimi  me lojën që vazhdon ,vazhdon...


AI RRUGËTIM I GJATË
(Për Mjedën)

Më gjete gatitu pranë kohës sate;
Ma zgjate dorën të më merrje pas,
Të arrija ku forcën e mendjes pate,
Me gjuhën tënde - vetvetes t’i flas...

Të gjeta mes faqeve librash n’vitrinë,
Ishe i tëri, siç dëshirove t’ecje n’ jetë;
Me gjurmë ofshamash në çdo stinë –
Derisa i shtroje rrugët – duke u tretë.

Provova të arrija gjithandej kah ishe.
Largësitë t’i mora të tëra si udhëkryqe,
Me gjithë erupsionin që n’ vete kishe
Për t’i dhënë kuptim asaj kohe qyqe...

Shëtita në shumë vende andej-këndej
Kah frymoje mençur me shkronja e punë,
Rrugët që i kishe ndry - thashë t’i rrëfej-
Duke hyrë e mbetur nën tënden gunë...

Ai rrugëtim i gjatë që të mbajti gjallë,
Në  mbëltim të jetës me vargje e durim,
Duke arritur largësitë që i kishe mall...
I dëshiroje kombit mirëqenie dhe shpëtim.

_________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen