F A Q E T

Sonntag, 16. August 2015

Islam Balaj

Islam Balaj u lind më 1950 në Dobërdelan të Suharekës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Prizren, ndërsa studimet e larta për Filozofi, i mbaroi në Universitetin e Shkupit dhe në atë të Beogradit. Nga viti 1976 punoi si profesor i filozofisë në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren. Më 1982, pak kohë, punoi si Redaktor në TVP.
Me krijimtari letrare, Islam Balaj, merret që nga bankat e shkollës së mesme. Shkruan kryesisht poezi dhe prozë për fëmijë e të rinj. Herë pas here, merret edhe me publicistikë dhe me shkrime nga fusha e filozofisë. Shumë poezi të tij janë bërë tekste për këngë në Festivalet e Këngës për Fëmijë, si dhe janë recituar në Garat e Recitatorëve të rinj, duke u shpërblyer disa herë dhe me vendet e para.
Në vitin 2012 nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, nderohet me çmimin: “Ymer Elshani”, ndërsa në viti n 2014, në Panairin e 16 të Librit në Prishtinë, merr çmimin kryesor të Letësisë për Fëmijë, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, për librin me poezi “Ngjyrat e shiut”.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Libra të botuara të autorit:

  • “Dimri në pranverë” (poezi),
  • “Shkaba në flamur” (poezi),
  • “Zemra është zemër” (poezi),
  • “Këmisha e ylberit” (poezi),
  • “Ëndrra e Andit” (poemë),
  • “Hënën s’e zë gjumi” (poezi),
  • “Andi shkon në gjithësi” (poemë),
  • “Porta e zogjve” (poezi),
  • “Andi zhytës i thellësive” (prozë në vargje),
  • “Fustani i mjellmës” (poezi),
  • “Lulet bëjnë gjmnastikë” (poezi), 
  • “Aventurat e Andit nën ujë” ( roman),
  • “Zemër në dritare”  (poezi), 
  • “Vajza dhe Ylli” (roman), 
  • “Ngjyrat e shiut” (poezi) etj.


Poezi nga Islam Balaj

URA E IBRIT
 
Ç’ka që URA rri e heshtur,
Rri e shtangur
E bërë vrerë?
- Ah, ka vite, këmbë fëmije
Mbi kurriz ajo s’ka ndier.
Urë i thënçin,
Po urë s’është
Të lidh’ krahët e një lumi.
Njëri krah i ngeli jashtë
E tjetrit dhembjet s’ia mbytë gjumi.
Asaj korbat roje i bëjnë
Sikur t’ndjellin fatzi, kob…
T’bashkojë krahët nuk e lënë.
Me një krah si t’rrojë, o Zot?!!!
E IBRI ecën,
Turbullt ecën
Dhe ofshamën e mbyt n’veti.
Kërkon nëna fëmijën e vdekur
Që n’gji lumi sa s’ia treti.
 
 
ZOGJTË QESHIN ME KRAHË
 
Nga pika të vogla, të vogla shiu
Bëhet lumi
E me hapa të lehtë zogjsh
Behari vje’.
 
Nga sy yjesh të dremitur
Më vjen gjumi.
E në zemër të çdo fëmije
Përralla fle.
 
Në supe pemësh hënë e lodhur
Pushon krahët
Ndërsa era me harpë gjethesh
Këngët derdh.
 
Nën shi rrezesh si ujëvare
Një yll lahet
Ëndrra vjen më merr për dore
N’shëtitje m’nxjerr.
 
E zogjtë qiellit këmishëkaltër
Me krahë qeshin
Dhe tek krahë i bëhen ëndrrës
Veten mburrin.
 
F’mijët ëmbël n’gjumë buzëqeshin,
Veç buzëqeshin
Dhe buzëqeshjet i bëjnë rreze
YLBERË THURIN!
YLBERË THURIN!
 
 
AGU ME GISHTA FLORIRI
 
E hap agu dritaren
Me gishta
floriri
Në gjethet e syrit
Beharin
na zgjon.
 
Nga shtrati i zemrës
Ngrihet
bilbili
Dhe në degë të rrezeve
E thur
folenë.
 
Fustanet me ngjyra
Shpejt
i veshin lulet
Vjen dielli si princ
Dhe në gjunjë
u përkulet.
 
E hëna si nuse
E heshtur
pret lart
Pret mbrëmjen
t’i kthehet
ME PRINCIN E ARTË.
 
 
DY ZAMBAKË 
NË HESHTJE PUTHEN
 
Xhepat me ar i mbushi dielli
Edhe iku
Pas kodrës si hajn ai u fsheh.
 
E nata si një dhelpër
Lëpihet pas një shtegu
Hënën do ta hajë mbi re.
 
Yjet veshur me rroba qielli
Që nga lart
Ar na derdhin me buzëqeshje.
 
E në kopsht të ëndrrave
Nëpër natë
Dy zambakë
Po sa ëmbël puthen n’heshtje!
 
 
KU I MERR NGJYRAT SYRI
 
Brenda dy qepallash
Tërë një univers
Një botë përplot ëndrra
Një fushë
Një mal
Një det
E një lumë i gjatë malli
Si një udhë që s’ka mbarim
Dhe një tufë zogjsh prej ajri
Që fole kanë syrin tim
Të gjitha…
Të gjitha i ruaj aty;
I kam dritë në sy
Janë pikturë
E janë ylber
Aty ngjyrat syri i merr.

__________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen