F A Q E T

Freitag, 14. August 2015

Xhevahir Cirongu

     Xhevahir Cirongu ka lindur në fshatin Leskovë, Tomorricë-Skrapar, në vitin 1959. Arsimin fillor e të mesëm e mbaroi në vendlindje, viti 1981. Vazhdoi për Kulturën Masive (Degën e Librit) në Korçë, dhe mbaroi atë  shkëlqyeshëm në vitin 1990. Pranë gazetës "Jehona e Skraparit", ka kryer kursin e gazetarisë. Nga viti 1978 deri më 1987, ai ka bashkëpunuar  me kabinetin e gjuhësisë së rrethit skrapar, (sektorin e leksikologjisë  dhe leksikografisë).
Krijimtarinë e ka nisur  herët, që kur ishte nxënës  në bankat e shkollës 8- vjeçare. Fillimisht ka botuar në revistat "Fatosi" e "Pionieri". Më vonë, prej vitit 1976 e deri sot, shkruan  e boton  në gjithë medien e shkruar dhe atë elektronike. Në vitin 1984, merr çmim të parë në festivalin kombëtar  të këngës për fëmijë që u organizua në qytetin e Shkodrës; me titullin e këngës "Ligjëron nëna për djalin" të kompozuar nga Hajri Xhamëni. Po kështu, ka shkruar tekste këngësh  folklorike. Kënga me motive të dasmës së krahinës së Skraparit "Moj nuse, faqe simite" merr çmimin e dytë në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Është autor i katër këngëve, që janë hedhur në disk  të kënduara nga  këngëtarët popullorë Asllan Ibro e Bajram Haxhillari, në vitin  2009 dhe  2013 -ën. Tekstet e këngëve  iu kushtohen  dëshmorëve të Vlushës (të vrarë në luftën e dytë botërore-1944); si dhe Astrit Suli, Dëshmor i Kombit, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
     Në vitin 2009 merr pjesë në konkursin letrar për tregimin  më të mirë të organizuar nga  shtëpia  botuese "Ada" për revistën "Obelisk", ku tregimi me titull "Hijet e harresës" hyn në antologjinë "Tregimit e obeliskut".  Me poezinë "Nëna" merr pjesë në antologjinë "Lotët e Virgjër" me autor Agim Mato – Fatmir Terziu, botuar nga "APCO" 8 mars 2012 në Londër. Ku midis 143 poetëve nga gjithë trojet shqiptare është edhe emri i poetit Xhevahir Cirongu. Deri tani ka marrë pjesë me poezitë e tija të botuara në antologjitë me poezi që boton shtëpia botuese"Muzgu" në Tiranë. Po kështu, autori Xhevahir Cirongu është  edhe redaktor e korrektor i mbi 50 librave. Poezitë e Xh.Cirongut  janë vlerësuar edhe nga kritikë e studiues të ndryshëm. Të tillë janë Faik Xhani – Tiranë e Pjetër Cara – Durrës, i cili vlerëson poezitë te libri me titullin "Bisedë me poezinë" midis autorëve të tjerë edhe krijuesin e trevës së Skraparit, poetin e ri nga Leskova e Tomorricës, Xhevahir Cirongu.
     Ka punuar në Kulturë e telekom deri në vitin 1990. Shkruan në mediat e shkruara dhe ato elektronike në të gjitha fushat gazetareske e letrare. Deri tani është autor i 6 librave.  Publicisti, poeti e shkrimtari Xhevahir Cirongu, në fushën e gazetarisë ka botuar rreth 3000 mijë artikuj.
     Jo vetëm kaq, xhevahiri është edhe një kritik e vlerësues i mirë letrar. Janë me dhjeta kritika vlerësuese që u ka bërë shumë autorëve rreth librave të tyre. Ai di të qëndisi bukur fjalën e shkruar dhe të bëjë vlerësim real që mirëpritet nga lexuesi i mirëfilltë letrar.
Ka bashkëpunuar dhe është bashkëpunëtor i shumë gazetave e revistave brenda dhe jashtë vendit. Është  anëtar i Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve të qytetit Durrës.

Botime të autorit:
"Kush ia shkeli syrin Ildës", poezi, "Gutenberg" Kavajë, 2005.
"Shpirtit i therës", poezi, "Gutenberg" Kavajë, 2009
"Tomarrica zemra jonë "libër historik" -2010.
"Vëllim me tregime "Misteri i një gruaje" -2012.
"Bisqet e gjakut" libër historik, viti 2013.
Cikël me poezi në librin me titull "Mall nga oqeani", botimet "Ada", viti 2010 -Tiranë (ese, tregime, kritikë, portrete, skica).



Poezi nga Xhevahir Cirongu


NISJA E TRENIT
 
Shiu i imët fillon
të bjerë…
Në stacion vijnë grumbuj-grumbuj
njerëz,
Cigaren e parë sapo e kisha
ndezur.
Nga larg sirena lajmëron:
më prisni- erdha!
Më përshëndet një vogëlush
nga dritarja,
Pastaj, lokomotiva ecën me të shpejtë
e në horizont humbet.
Kurse dielli me rrezet e përflakura
çan retë e përkëdhel
valët e detit.
 
 
SHI NË QYTETIN TIM
 
Mbi  kodrën e qytetit tim
Si pulëbardha retë zbresin atje,
Në dallgët e detit lënë puthjet
Dhe lotin e qiellit te një ulli.
Atje në tapetin e gjelbër diku
Këmbëkryq ulem e pi vesën,
Ndërsa nëpër degët e pemëve
Qëndrojnë varur retë e yjet.
Pse u larguan yjet e retë
Mos i tremba unë ato!?
Nëpër kaltërsinë qiellore
Nxitojnë që të marrin ,
një grusht ujë për të shuar etjen.
Herët në mëngjes atë ditë gri
Filloi të lotojë syri i kaltër vjeshtak.
Pas kësaj, ashtu në fshehtësi
U lanë muret e kalasë së lashtë.
Ndaloj e vështrimin hedh në horizont
Pas shiut një fjongo ylberi ullishten vesh,
Unë, së bashku me njerëzit e qytetit tim
Bisedojmë me valët e  bardha të detit.
 
 
LETËR NËNËS
 
Malli për ty o nënë më ka marrë
Për sytë e tu plot dritë e çiltërsi,
Për gjoksin tënd të ngrohtë si zjarr
Aty ku mbështeta kokën kur isha fëmi.
..Dhe për flokët e thinjur më ka marrë malli
E për ledhatimet e ngrohta me ato duar,
Ah!Rrudhat e thelluara nga vitet mes ballit
O nënë, njëri pas tjetërit ty t’i kanë shtuar.
Malli im o nënë është prej refugjati
As thuhet me fjalë,as shuhet s’shkruari në letër;
Dhe zemra ime hapet si brazë ugari
Atëherë zë e nis për ty një mall tjetër.
Dhe malli im tretet në vetvete
E shtohet për ty pa pushim,
Ah s’të thashë dot të ëmblën fjalë
Kur po mbushje ujë te pusi i shtëpisë.
Do vij së shpejti o shtrenjta ime nënë
Të puth gurët e dheun e vedlindjes sime,
Le të tretet malli si kripa e detit në valë
Lotët e dhimbjes do ti dërgoj atje nën dhe.
 
 
POETIT ADEM ZAPLLUZHA
 
Takohem te vargu yt
Aty lë një mendim,
Pastaj,… vargu shkrihet
dhe trupi im bëhet një,
Aty me trupin e atdheut tim.
 
 
I PUTHA GJETHET E VJESHTËS
 
Erdhi vjeshta me ngjyrat e saj
peizazhi i gjetheve,
nëpër degët e pemëve
në gji zjarre ndezur mban.
…Kurse dielli i përflakur vjeshtak
nga syri i zjarrtë në perëndim,
ngadalë mbi kolorin e gjetheve
lë ngrohtësi,
pastaj, nën zë me to kuvendon.
Degët lakuriqe të një peme
qanin në vetminë e pyllit,
kolori i gjetheve të viteve
qe tretur së bashku me gjethet.
Pse u venitët,
ju gjethe të gjelbra?!
Aty mbi trung,
në degët e thata
këngën e vajit latë.
As këngën bilbilat
më aty s’e këndojnë,
sa herë ata kthehen
te dega e thatë,
flatrat e krahëve shkundin
si për t’i thënë lamtumirë.
Pas kësaj
në ditën gri të vjeshtës,
edhe unë vrapove te pema e thatë
te shelgu lotues degëvarur,
një gjethe vjeshte kolori
 
 
PUTHJET E GJYSHES, YLBEREDRITE
 
Ah, sa mall kam për gjyshen time
Kanë kaluar shumë vite,zërin s’ja dëgjoj,
Më thoni pra, ku ndodhet ajo mysafire
Në ç’planet sekret duhet ta kërkoj?!
 
Në gjunjë u ula e putha qemerin e portës
Buzët mbi gur etjen e mallit aty shuanë,
Si dikur i thirra me gjysëm zëri gjyshe Fatimes
Nga qielli si hije zbriti portreti i saj
Më kapi për dore e më puthi ngadalë.
 
Eja më tha nipi im të përqafoj fortë
Mos vallë isha në ëndërr, syri gjyshes lotoi,
Atje te gurët e portës së shtëpisë së vjetër
Oshëtima e ujrave të përroit Raven e Selgjin
Kujtimet e vjetra sërisht ato m’i rizgjoi.
 
Fjongo ylbere malli u derdhën mbi mua
Dhe gjyshja ime Fatime tretur te yjet,
Thinja të bardha mbi kokë,valë ujë krua
Si ylberedrite gjyshja ka lënë puthjet.
 
Në kopshtin e zemrës time, e shtrenjta gjyshe
Lulet e dashurisë njerëzore në shpirt mi mbolli,
Gjurmët e viteve u tretën ashtu si bora.
Ah, s’ju vure atyre dot fre,
S’bashku me mallin e dhimbjes te yjet
Lulet e lotin dhuratë t’i çova atje nën dhe.
                                          
Durrës, nëntor 2014.

_____________
Përgatiti: Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen