F A Q E T

Samstag, 28. Februar 2015

Shaban Pllana

Shaban Pllana u lind në fshatin Halabak të Besianës, më 01.11.1949. Rrjedh nga një familje muhaxhire e ardhur nga Pllana e Madhe afër prokuples. Shkollën fillore, katër klasat e para i mbaroi në vendlindje, kurse klasat e tjera në Lluzhan. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë në vitin 1971. Pastaj pa shkëputje nga puna mbaroi edhe Fakultetin Filozofik, Dega - Gjuhë shqipe e letërsi . Sapo e mbaroi Normalen e filloi punën në arsim.
Pas një pune më se 43 vjeçare në arsim, si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë, tash Shabani është pensionuar. Jeton me familje në Besianë
 

Ka botuar këto vepra: 
  • „Këngë popullore të Llapit” 1998,
  • „Lojëra popullore të Llapit” 2002,
  • „Anekdota popullore të Llapit” 2004,
  • „Fjalë të urta popullore në Llap” 2008,
  • „Tercina” poezi 2009,
  • „Monografi e maturantëve të gjeneratës 1970/71 – Shkolla Normale Prishtinë” 2011,
  • „Monografi e familjes Pllana Halabak” 2011 dhe librin
  • “Buzëqeshja e shkronjave” 2013


Poezi nga Shaban Pllana

ADN-ja E FISIT

kur të vdes
një asht timin
ma varni mbi rrasën e varrit


le të luajnë me të
zogjtë e shqipes


nëse kërkohet ADN-ja e fisit tim
le të kërkohet në eshtra
në sqep shqiponjash


le të kërkohet në eshtra
nën rrënjët e lisave
në plasat e këtyre arave të bukës


le të kërkohet në eshtra
në plisat e dheut të AtDheut
brenda kufijve të Ilirisë.




KUR RRITEN LISAT

kur rriten lisat
nata diagnostifikohet
me kancer në metastazë


kur rriten lisat
ditët ringjallen
rigon këngë zogjsh


kur rriten lisat
mbaron etja
agu e përzë terrin


kur rriten lisa
dita merr krah
dielli qeshet 


kur rriten lisat
ze fill gëzimi
shuhen të gjitha etjet.


kur rriten lisat
frika zhdaravitet
gjarpërinjtë i zë tmerri.


kur rriten lisat
zogjtë e qyqes të bërë gati për ikje
vajtojnë nëpër foletë e huaja




LISIT

lisit i çuan fjalë
me alfabetin e gurit
që të lisërojë me gjuhë zjarri


zogjtë i porositën
t`i bëjnë foletë në lisnajë


kreshtat flisnin me njëra-tjetrën
me gjuhën e rrufesë


mbi faqe gurësh
partitura këngësh trimërie


trimat shtizë flamuri
qëndrim vertikal




THITHEM GURËSINË

gurit i hymë në brendësi
ia thithëm gurësinë


cili zog e këndoi
këngën e harruar


cila rrasë varri buzëqeshi
me krenarinë e Atdheut


cila nënë mori lotin nga qepalla
dhe ja fali melodisë së këngës


cilës natë ju zu prita
pas shkullit të errët


cili agim agoi i gëzuar
a s`më thuani, ju lutem?!




...EDHE PËRTEJ ...

përtej
murit të heshtjes
vaji i qyqes
në një gotë
të thyer
i pi
lotët e vet


në varret
e dëshmorëve
lahuta e Fishtës
pa partiturë
ja thotë
krenarisë


në maje
të kreshtave
të trimërisë
Dedë Gjo Luli
vë syrin
në grykëhollë


frengjitë
e kullave
shohin
edhe përtej
largësive




MIDIS


midis
Raguzës
e Dyrrahut
unë zgjodha
të dytin
për t`i zhdaravitur
ëndrrat
në amfiteatrin e madh


flokët
e mbretëreshës Teutë
në një tel lahute
deshifrojnë
mbishkrimet
në rrasat e varreve


në pikat e lotit
nuset
shtrydhin dhembjen
për ushtarët e rënë
luftrave
pas netëve të para
të martesës


në tehe
të baladave
thyhen këngët
e rapsodëve
për beteja




TE LUMI

hedhin pasqyrat e thyera në lumë
lumi kallet 


fytyrat
midis dy flakësh


përpijnë zjarrin
në gojë kuçedrash
fshehur pas ëndrrave


gurët lahen në lumë
te këmbët e vashave
me shami kuqezi


presin trimat
trimat presin
dhe pritjes i thyhen këmbët.


Trimat zbresin nga mali
Me diell në ballë.




THUR E SHTHUR

end e thur
thur e shthur
shumë shumë kemi pritur
Itaka ime


një shekull
dy shekuj
shumë shekuj
pritjes me verbëri Homeri
më në fund i erdhi fundi


krismë në male
krismë në fusha
krismë pas krisme
të erdhi e shumpritura
liri
Kosovë
Itaka ime
të lumtë ne për ty


Besianë, qershor 1999

Sonntag, 22. Februar 2015

Fatime Kalimashi - Hoti

Fatime Kalimashi - Hoti (21.11.1975). Lindi në Ratkoc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Rahovec. Që nga fëmijëria është marrë me shkrime letrare. Jeta edhe atë si shumë të tjerë e solli në Zvicër. Ajo ka emigruar në vitin 1995, ndërsa brengën e mërgimit dhe mallin për Kosovën i ka shkrirë në vargun e saj poetik. Lirikat e saj janë përjetime artistike të cilat japin mesazhin e së bukurës, në jetë dhe në art. Poetesha jeton në Saint-Prex të Zvicrës në kantonin Vaud.


VEPRAT LETRARE:

  • "Shtegëtime të shpirtit" - poezi, Rahovec 2009.
  • "Në universin e dashurisë" - poezi, Rahovec 2010.
  • Melodi e dhembjes”, poezi, Rahovec 2012.
  • Voyage”, poezi e zgjedhur, Rahovec 2012.



RRUGË E PAMBARIM

Rrugë e gjatë pambarim
Më dërgon në perëndim
Nga vendlindja më largon
E zemra më digjet flakë

Rrugë e pafund kurrë
E lagur me lot e gjak
Nëpër vite në shtegtim
Kjo rrugë e pandalur kurrë

Sa e gjatë kjo rrugë
Lindje dhe perëndim
Ikim çdo ditë e natë
Në këtë rrugë pambarim



QËNDRIMIT

Ike për të mos u kthyer kurrë
Në rrugë të pa kthim
Si një engjëll fluturove
Aty ku parajsa të priste

Ike pa u përshëndetur
Me prindër motër dhe vëlla
Pa një lamtumirë të fundit
Që kurrë s’kanë më për të parë

Në ëndërr vjen çdo natë
Duke më buzëqeshur
Bisedon sikur të ishe gjallë
Mbyllesh derën dhe ikën prapë

Oh! Qëndrim biri ynë
Sa mall ndjejmë për ty
Na le të pikëlluar
Na le me lot në sy

Të kujtojnë shokët e klasës
Për ty ndjemë mungesën
Në bankë vejmë një tufë me lule
Për t’kujtuar tërë jetën...!



POEZIA IME

Ndoshta nuk beson
Që shkruaj poezi
Me shkronja të arta
Shpreh gjithë dashurinë
Është dëshirë e imja
Të shkruaj për jetën
Gjënë më të shtrenjtë
Që tregon të vërtetën
Shkruaj poezi
Nga ndjenjat e mia
Një rrëfim të hidhur
Që peng mbajti shpirtin tim...



NJË RRËNJË

Një rrënjë pa degë e gjethe
Një rrënjë që nuk shkulet dot
Tani degët janë tharë
Gjethet tretën nëpër botë
Një rrënjë është vetë shpirti im
Që nuk shkulet dot nga trupi
Damarët si degë pemësh
Gjaku dhe zemra si lëngë frutash
Një trup njeriu është vështirë të vdes
Ta ushqesh rrënjën e shpirtit
Zemër njeriu duhet të kesh...!



NJË LETËR

Një letër në dorë e mora
Të shkruaj poezi
Me një laps të thjeshtë
Shpreh gjithë dashuri
Bashkë me një pikë loti
Shkronjat që kisha
Poezinë e shkrova
Mbi fletë lotët më pikojnë
Zemra flakë më digjet
Poezinë e shkrova
Por malli s’po më hiqet.



E MBYLLUR NË QELI

E mbyllur në qeli
Nuk shijova jetën
Në terrin e zi
E këndova këngën
Me sy të përlotur
Shikoja në dritare
Në xhamin e vjetër
Shkrova disa vargje
Më mungon ajri i pastër
Dhe yjet e qiellit
Më mungon drita e hënës
Dhe rrezet e diellit
Marr një copë letër
Ca fjalë të bukura shkruaj
Nga shkronjat e arta
Oh sa shumë po vuaj.



DO TË RUAJ NË ZEMËR

Do të mbaj në folenë time
Do të ruaj në zemër
Të gjitha ato kujtime
Do ta shkruaj emrin tënd
Do të mbaj në zemrën time
Do të ruaj si kujtim
Do të pushosh në folenë time
Do të fus thellë në shpirtin tim
Do të fluturoj në qiell
Do ta ndërtoj një fole
Do të marr dhe ty me vete
Ta ndërtojmë një jetë të re!...



DALLËNDYSHET

Dallëndyshe e bukur shko në atë degë
Atje larg ku ke ndërtuar folenë
Mos rri në vend të huaj si e mjerë
Shko n’atë vend të bukur se ka ardhë pranvera
Mos rri në vetmi në këtë vend me akull
Fluturo në qiell e lëshohu në atë tokë
Mbledhi zogjtë e vegjël rrugëve mos i le
Se ata nuk dinë se çka është kjo jetë
Shko dallëndyshe me ata krahë të lehtë
Merre këtë letër dërgoma në shtëpi
Prindërve të mi dërgoju këtë letër
Thuaj se djali juaj u çon porosi
Përpos lirisë nuk dua asgjë tjetër
Shko dallëndyshe pashë ata t’bukrit sy



DHIMBJA

Kur e shoh dhimbja më kaplon
I varfër por me zemër të madhe
Buka mbetët në gojë fryma ndalet
Psherëti thellë e heshtja me mban
Për këtë njeri fisnik e bujar
Dua ta ndaj frymën e fundit
Varfërinë e tij të skajshme
Me shpirtin tim të ëmbël
U mundova ta ushqej me fjalë
Me shpresë që zemra e tij të rrah
Me dëlirësin e pastër si loti i tij
Por dashurin e mbante për të gjithë!...



E HUAJ JAM

Këtu jam e huaj nuk kam as emër
Këtu jam një zjarr që digjet përbrenda
Këtu jam e huaj nuk kam aspak vlerë
Këtu nuk gjej vend as dielli s’më nxeh
Këtu as gjumi s’më zë askush s’më njeh
Këtu as kënga as gjuha s’ndjejnë lumturi
Këtu veç ëndërra e mallëngjime të kota
Këtu e keqe më duket dhe e mjerë bota
Këtu veç shpresa ende gjallë më mban
Kur t’kthehem në atë vendlindjen time
Aty ku verës lozin çunat e qengjat blegërojnë
Dielli me dëshirë rrezet e arta lëshon. 

Përgatiti: Sh. Dibrani 
___________________
Burimi: www.shkshz.ch

Enver Hadri

ENVER HADRI - HERO I KOSOVËS

  • Më 2006, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës", "për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës".

Enver Hadri (1941- 25 shkurt 1990) ishte veprimtar për të drejtat njerëzore dhe politike të shqiptarëve të Kosovës. Në fillim të vitit 1972 ai u vendos në Bruksel, ku vazhdoi veprimtarinë politike nëpërmjet Organizatës Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës në të cilën bashkëvepronin Enver Hadri, Ramadan Gashi, Riza Kadrija, Agim Rodoniqi etj. Organ i kësaj organizate ishte revista Zëri i Kosovës në gjuhën shqipe dhe frënge, përmes të cilës bëhej thirrje për bashkimin ...e trojeve shqiptare në përgjithësi, sidomos punohej që çështja e Kosovës të futej në agjendat e diplomacisë ndërkombëtare, si Unioni Evropian, NATO, etj,. Në Bruksel, në rrugën e Shqipërisë (Rue d'Albanie) ai formoi dhe drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Më 25 shkurt, 1990, në moshën 49 vjeçare, Enver Hadri u plagos dhe më vonë vdiq në spital nga një atentat në Sent Zhil (origj. Saint Gilles), Bruksel, i porositur nga Shërbimi Sekret Serb (UDBA). Atentatorët, Veselin Vukotiç (Veshko), Andria Lakoniq, dhe Darko Ashanin, e qëlluan me dy plumba në kokë deri sa kishte ndaluar ne një semafor. Hadri kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentin Evropian.

Andria Lakoniç u vra një muaj më vonë nga bashkatentatori i tij V. Vukotiç në një diskotekë (NANA) në Beograd. Darko Ashanin u arrestua në Greqi më 1995, me ç’rast një gjykatë greke urdhëroi ekstradimin e tij në Belgjikë për gjykim, por me ndërhyrjen e Ministrit Grek te Drejtësisë Janis Potakis ai u dërgua në Serbi ku u vra më 1995. Veselin Vukotiç është arrestuar në Spanjë në vitin 2006 dhe ka qenë në burg në Belgjikë deri me 19 dhjetor 2008 kur i është dorëzuar autoriteteve serbe.

Sipas policisë spanjolle, Vukotiç, përpos vrasjes së Enver Hadrit ai kishte edhe dokumente paditëse për kryetarin e Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq në lidhje me vrasje të shumëta. Në vitin 2003, një dëshmitar i mbrojtur në gjykimin e Millosheviqit ka dëshmuar se zotëri Vukotiq ka pranuar vrasjen e Hadrit. Dëshmitari i mbrojtur ka dëshmuar prapa xhamit me ngjyrë duke thënë se: Vukotiq më ka treguar për likuidimin e shqiptarëve në gjithë Evropën. Ai e ka bërë këtë më urdhrin e shërbimit sekret jugosllav. Vrasja e fundit e tij ka qenë ajo e veprimtarit Enver Hadri...

Më 2006, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës", "për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës".
_______
Nga WIKIPEDIA