F A Q E T

Samstag, 28. Februar 2015

Shaban Pllana

Shaban Pllana u lind në fshatin Halabak të Besianës, më 01.11.1949. Rrjedh nga një familje muhaxhire e ardhur nga Pllana e Madhe afër prokuples. Shkollën fillore, katër klasat e para i mbaroi në vendlindje, kurse klasat e tjera në Lluzhan. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë në vitin 1971. Pastaj pa shkëputje nga puna mbaroi edhe Fakultetin Filozofik, Dega - Gjuhë shqipe e letërsi . Sapo e mbaroi Normalen e filloi punën në arsim.
Pas një pune më se 43 vjeçare në arsim, si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë, tash Shabani është pensionuar. Jeton me familje në Besianë
 

Ka botuar këto vepra: 
  • „Këngë popullore të Llapit” 1998,
  • „Lojëra popullore të Llapit” 2002,
  • „Anekdota popullore të Llapit” 2004,
  • „Fjalë të urta popullore në Llap” 2008,
  • „Tercina” poezi 2009,
  • „Monografi e maturantëve të gjeneratës 1970/71 – Shkolla Normale Prishtinë” 2011,
  • „Monografi e familjes Pllana Halabak” 2011 dhe librin
  • “Buzëqeshja e shkronjave” 2013


Poezi nga Shaban Pllana

ADN-ja E FISIT

kur të vdes
një asht timin
ma varni mbi rrasën e varrit


le të luajnë me të
zogjtë e shqipes


nëse kërkohet ADN-ja e fisit tim
le të kërkohet në eshtra
në sqep shqiponjash


le të kërkohet në eshtra
nën rrënjët e lisave
në plasat e këtyre arave të bukës


le të kërkohet në eshtra
në plisat e dheut të AtDheut
brenda kufijve të Ilirisë.




KUR RRITEN LISAT

kur rriten lisat
nata diagnostifikohet
me kancer në metastazë


kur rriten lisat
ditët ringjallen
rigon këngë zogjsh


kur rriten lisat
mbaron etja
agu e përzë terrin


kur rriten lisa
dita merr krah
dielli qeshet 


kur rriten lisat
ze fill gëzimi
shuhen të gjitha etjet.


kur rriten lisat
frika zhdaravitet
gjarpërinjtë i zë tmerri.


kur rriten lisat
zogjtë e qyqes të bërë gati për ikje
vajtojnë nëpër foletë e huaja




LISIT

lisit i çuan fjalë
me alfabetin e gurit
që të lisërojë me gjuhë zjarri


zogjtë i porositën
t`i bëjnë foletë në lisnajë


kreshtat flisnin me njëra-tjetrën
me gjuhën e rrufesë


mbi faqe gurësh
partitura këngësh trimërie


trimat shtizë flamuri
qëndrim vertikal




THITHEM GURËSINË

gurit i hymë në brendësi
ia thithëm gurësinë


cili zog e këndoi
këngën e harruar


cila rrasë varri buzëqeshi
me krenarinë e Atdheut


cila nënë mori lotin nga qepalla
dhe ja fali melodisë së këngës


cilës natë ju zu prita
pas shkullit të errët


cili agim agoi i gëzuar
a s`më thuani, ju lutem?!




...EDHE PËRTEJ ...

përtej
murit të heshtjes
vaji i qyqes
në një gotë
të thyer
i pi
lotët e vet


në varret
e dëshmorëve
lahuta e Fishtës
pa partiturë
ja thotë
krenarisë


në maje
të kreshtave
të trimërisë
Dedë Gjo Luli
vë syrin
në grykëhollë


frengjitë
e kullave
shohin
edhe përtej
largësive




MIDIS


midis
Raguzës
e Dyrrahut
unë zgjodha
të dytin
për t`i zhdaravitur
ëndrrat
në amfiteatrin e madh


flokët
e mbretëreshës Teutë
në një tel lahute
deshifrojnë
mbishkrimet
në rrasat e varreve


në pikat e lotit
nuset
shtrydhin dhembjen
për ushtarët e rënë
luftrave
pas netëve të para
të martesës


në tehe
të baladave
thyhen këngët
e rapsodëve
për beteja




TE LUMI

hedhin pasqyrat e thyera në lumë
lumi kallet 


fytyrat
midis dy flakësh


përpijnë zjarrin
në gojë kuçedrash
fshehur pas ëndrrave


gurët lahen në lumë
te këmbët e vashave
me shami kuqezi


presin trimat
trimat presin
dhe pritjes i thyhen këmbët.


Trimat zbresin nga mali
Me diell në ballë.




THUR E SHTHUR

end e thur
thur e shthur
shumë shumë kemi pritur
Itaka ime


një shekull
dy shekuj
shumë shekuj
pritjes me verbëri Homeri
më në fund i erdhi fundi


krismë në male
krismë në fusha
krismë pas krisme
të erdhi e shumpritura
liri
Kosovë
Itaka ime
të lumtë ne për ty


Besianë, qershor 1999

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen