F A Q E T

Samstag, 28. März 2015

Gjithë jetën shqiptar !

Anekdotë nga Lugu i Baranit

Bajram Alia i muhaxherve të Kosuriqit apo Lala (si e thirrnin shumica), ish kan merakli i madh i rakisë apo i ujit te bekuar, si ai kish qejf me i thanën. E maronte vetë dhe e pinte si duhet e për shtatë palë qejfe, me miq e dashamirë. E kur ndonjëherë bëhej qefli, ia thoshte edhe këngës malsorqe!
Një ditë e kish pas pyetur njani:
         "Allahile Bajram a po me kallzon diçka".
         "Po vallahi, n'kofte se di, bash drejt kam me t'kallzu...po pse jo?!! - ia kish kthyer Bajrami.
         "Çka je ti... musliman a katolik. Me t'thanen musliman, nuk po ma mbush menen se çdo ditë t'lume po e e pi rakine si ujte. Bile edhe me e maru po e maron vet me kazana n'midis t'oborrit. Kurse me t'thanën katolik, prapë nuk po e rrokë, sepse ti e ki emnin Bajram e baba yt Ali.
         "Po qebesa po t'kallxoj mirë e drejt. Për bajram jam musliman e për pashkë katolik, kurse gjithë jetën shqiprar!" - ju kish pas pergjigjur Bajrami, kurse ai që e kish pas pyetur i kishte zgurdulluar sytë dhe ishte mbetur gojëhapur nga përgjigja që kishte marrë.




Varianti i dytë i anekdotës

M'KA MBJELL BABA, DITËN E FLAMURIT !

         Kishin pas dëgjuar njerëzia se qysh ju kish pas pëgjigjur njanit Bajram Alia i muhaxheve të Kosuriqit, kur ai e kish pas pyetur se a asht musliman apo katolik. Ju vinte shumë interesant se qysh ish kan përgjegjen Bajrami dhe kishin pas vendosur me e pyeten edhe njëherë, që ta dëgjonin me veshet e vet. Po Bajrami, si Bajrami më, gjithmonë i kthjellt prej menve. Për ta ba ma interesant dhe për ti befasuar të gjithë, kurr nuk pëgjigjej njësoj!
       "Hajt Bajram, kallzona edhe 'i herë nëse s'd'vjen mërzi, a je musliman a katolik!" - e kish pas pyetur njani në një megjlis pëpara shumë burrave.
       "Qëbesa nuk m'vjen hiq mërzi dhe bash fill po t'përgjigjem! - ishin fjalët e para të Bajramit.
        Të gjithë ishin bërë sy e vesh për ta dëgjuar, kurse ai pa u hamendur fare kishte vazhduar:
       "Atë jaranin që ju duhet grave e kam musliman, sepse jam i bam synet! Fytin e kam katolik, se për çdo ditë t'lume e lagi me uje të bekuem! Kurse në zemër jam veç shqiptar. Bile, baba Ali thojke se m'ka mbjellen bash n'ditën e flamurit!"
     Askush nuk e kishte pritur se Bajrami do të pëgjigjej ashtu dhe, të gjithe ia kishin krisur gazit përnjëherë!
     "Eu, mos u plaksh kurr o Bajram Alia!" - e kishte uruar një plak mjekërthinjur.

 __________ 

Disa nga komentet në Facebook

SALIH ZOGIANI, mbledhës dhe sudiues i anekdotave
Anekdotë me mesazh të fortë. I lumtë ati që e ka thenë, dhe juve që e postuat.

PAL NDRECAJ, shkrimtar
Nuk I permbaj dot emocionet perpara shembujve te tille! Keso shembuj na duhen. Te lumte Haxhi qe po na I kujton bukur shpesh ! 

AGIM GASHI, rapsod dhe poet
O Ty t´lumtë qe e ke postuar kete anekdote te bukur o Haxhi Muhaxheri! Sa po me pelqen pergjigja e njeriut te menqur dhe mesazhi qe ai percjell. Per anekdota te tilla kemi nevoje sot, me shume se kurre.

Montag, 23. März 2015

Gani Mehmetaj - Bisha me çifteli

Tregim nga përmbledhja e tregimeve “Kujtime të trishta

       E takova në Gjenevë në një manifestim kulturor shqiptaro-zviceranë. Kur e pash pas tetë vjetësh, rrymimi i fortë me një ngrohtësi përvëluese, ma përshkoi gjithë shtatin, me la forca, mu shkëputën gjymtyrët, nuk i zotëroja dot lëvizjet, gjoksi me shtrëngonte me një dhimbje të fortë, ndërsa këmbët vetëm sa nuk më lëshuan. Asnjëherë në jetën time nuk ndjeva dobësi më të madhe dhe një çakordim të tillë të shtatit. As atëherë kur ma lëshuan rrymën elektrike nëpër gjymtyrë. E pash turbullt. Mu duk sikur me fanitej. Nuk doja të besoja që ishte real. Vetja me dukej si viç që nuk ka as shprehje sysh, as mimikë fytyre, as maskë, por vetëm shikim shkretanë që nuk thoshte asgjë dhe nuk shprehte asnjë ndjenjë.

       Ai më shikoi ftohtë. Sikur nuk me njihte, sikur takoheshim për herë të parë, por që nuk kishte asnjë interes për mua. Madje edhe kureshtja për një të panjohur, që i kishte dal rastësisht përballë, i mungonte. Ma kaloi fytyrën me shikim prej eskimezi, sikur të isha qenia më e parëndësishme e planetit pa asnjë dëshirë që të paktën të më përshëndeste me një lëvizje koke, sepse ishim përballë: vetëm unë dhe ai. Kishte edhe një grua në krah, mirëpo ajo dukej si leckë që iu kishte varur në supe, sepse gati nuk ishte me te dhe nuk me shikonte fare.

      Ajo ishte përqendruar në ekspozitën e librave e të fotografive, ku unë duhej të isha ciceroni që kisha marrë obligim nga organizatori t’ua shpjegoja njerëzve ato që ishin renditur faqe murit shqip e frëngjisht. Dhe derisa shikoja si një viç, ai kaloi para meje po aq indiferentë sikur në çastin kur ma shëtiti fytyrën me shikimin bardhë. Pak më tutje ndenji para një fotografie, pastaj u largua qetas e me ngathtësi, sikur ta kishte në dispozicion gjithë kohën e botës. Mua mu duk ecje shpërfillëse deri në arrogancë, që vazhdonte të më paralizonte.

      Kur me erdhi pak forcë ika nga salloni dhe u mbylla në një kthinë të ngushtë, që të ngopesha me ajër.

     “Është Ai”, - i thash me shqetësim kolegut, që me shikoi me habi dhe pa me kuptuar, por që kaloi pa me pyetur më shumë. Ishte mësuar me sjelljet e mia ndonjëherë të çuditshme për te. Nuk e di sa kohë kaloi, por kur u këndella dhe bëra ballë të dilja në sallonin e ekspozitës aty nuk kishte asnjëri. U lehtësova... Ika në shtëpi i dërmuar. 

 *
      Nuk e keni idenë se si është të takosh ish-torturuesin, i cili me ka rrahur pa mëshirë e brutalisht, derisa i humbisja ndjenjat. Dhe, kur këndellesha i larë në gjak, që tashmë ishte mpiksur, atë e dëgjoja disa hapa tutje se si i binte çiftelisë dhe e këndonte këngën e Ahmet Delisë në kupë të qiellit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. I mbledhur kruspull në dyshemenë e ftohtë të betonit, rënkoja mbyturazi nga dhimbjet e grushteve të tij, ndërsa tash po ata gishta të cilët para disa orësh ishin bërë grusht që me shkaktonin dhimbje zgjateshin nëpër telat e çiftelisë. Zëri që pak më parë ulërinte, tash përvijonte i zvargur nëpër kadencat e telave të çiftelisë dhe e ndiqte vijën melodike, sipas ritmit të këngës. Ishte pas mesnatës, kur ai e përfundonte seancën e dajakut, sikurse e quante...

     Net të tëra i kalova pa gjumë. E urreja vetën që u tregova i qulltë atë pasdite qershori në ekspozitën e librave e të fotografive në Gjenevë. Nuk e gjeja arsyen e kësaj dobësie. Me vinte e papritur se si isha bërë kështu. Sa herë kisha ëndërruar hakmarrjen. Mu kthye ankthi i muajve të torturës. Me dolën përpara pamjet e të gjitha fazave: arrestimi, rrahjet, netët e pagjumë me dritën e fortë elektrike mbi sy, Ai që ulërinte dhe pastaj i binte shtruar çiftelisë.

     Fillova sërish ta ndjeja dhimbjen e grushteve të tij që mi veshte fytyrës me egërsinë e bishës. Ndërsa ndjeja dhëmbët e mi që kërcëllinin me mllef e tërbim. Dhe atëbotë isha i gatshëm ta kafshoja si tigri i çartur, po të kisha mundësi, po të me lejonin, por isha i pafuqishëm: bëja përpara, madje ngrihesha në këmbë me gjithë karrige, por prapë bija me rrapëllimë në tokë duke u rrokullisur, sepse duart mi kishin lidhur pas karriges me një tel të hollë çeliku, që mi priste kyçet sa herë lëvizja. Gjunjët më bëheshin gjak kur bija në dyshemenë e zhveshur, meqë përpiqesha të mos rrëzohesha në bërryla, sa herë bija në bërryla me kapte korrenti i gjymtyrëve dhe me vinte të vjell.

      Kur me kalonte tërbimi i parë nga kundërgoditja e prangave në këmbë, dhe e telit të hollë kyçeve ia ktheja me refren pa u ndalur:   “Qen, birë kudre, zagar i shkive!”. E ai me  shihte gjakftohtësi. Humbisja ndjenjat, shkrihesha në pafundësi... 

      Me këndellte trupi i dërmuar, buzët e përcëlluara e të ënjtura që nuk mund t’i lëvizja. As kokën që me dukej e madhe sa një gur  mulliri, nuk mund ta prekja e as ta kruaja, megjithëse gungat me digjnin dhe me dhembnin aq sa do të gjëmoja si lehonë gjatë lindjes po të mos me vinte inat nga Ai-xhelati. Ose bisha, siç e quanin të burgosurit.

      Ndonjëherë kur rrinte me gjatë me thoshte me cinizëm: “Zoti me ka falë t’i bie çiftelisë e jo të merrem me budallenj si puna jote! Trego argatë i kujt je dhe shko në shtëpi se të presin”, - ma kthente me një ton tjetër: të butë, gati lutës. Në kërcënimet e mia kur isha në kulmin e tërbimit ndonjëherë denjonte të më kthente përgjigjen me cinizëm: “Ashtu ta merr mendja ty. Kurrë nuk do të te vjen rasti ta nxjerrësh hakun”.  I shtrembëronte buzët me përbuzje dhe vazhdonte me zërin e qetë: “Nuk je as i pari dhe as i fundit që me kërcënon. E di ti, si do të sillesh po u takove rastësisht me mua në rrugë? Do të skuqesh nga inati dhe do të ma kthesh shpinën sa më parë, nëse nuk do të kesh kohë që të kalosh në anën tjetër të trotuarit”.

      Me tregonte me po atë gjakftohtësi se si një burrë më i fortë se unë e jo “adoleshent i papjekur”, i cili e kishte kërcënuar se do ta bënte copa, se eshtrat do t’ia  thyente si pulës dhe do të kënaqej pastaj në ulërimën e tij, kur e takonte nëpër korridore të policisë jo vetëm se nuk e kishte mbajtur premtimin, por e kishte ulur kokën dhe kishte vazhduar rrugën si qeni me bisht ndër shalë.  “Prandaj, - vazhdonte ai me cinizëm (ndërsa mua me dhembte çdo gjymtyrë), - mos i premto vetës shumë, mos e ngarko vetën, se pastaj ka rrezik të te mos zë gjumi dhe të del vetja hujit”. 

      Përpiqesha të veja në lëvizje mimikën e fytyrës e të buzëve që nuk i kisha fare nën kontroll, sepse ishin të ënjtura si kukullat kineze, për ta formuar një shprehje përbuzëse, por nuk arrija. Vetëm ofshaja, ndërsa dhimbjet me shtoheshin në çdo lëvizje të muskujve të lënduar. Kalova net të tilla të rënda e të frikshme, që armikut nuk do t’ia dëshiroja mes grushteve të tij me tingujt e çiftelisë, të cilën deri atëherë rrallë e kam dëgjuar, ndërsa sot e kësaj dite nuk e duroj dot. Ma kujton xhelatin tim dhe ngërdheshjet e tij të vazhdueshme.

      Pastaj sikur nuk i mjaftonin grushtet që m’i jepte pa mëshirë,  ma afronte nxehësen elektrike mbi tavolinë që, kur fillonte e frynte ma bymente aq shumë trurin, saqë kisha përshtypjen se koka më bëhej sa Pallati i Rilindjes, ndërkaq ai herë me afrohej e bëhej gjigantë, herë me largohej duke u zvogëluar si kokrrizat në ekranin e televizionit, kur ndërpritet korrenti. Dhe kur filloja të djersija nga sikleti, illonte:  “Kush  të ka thënë të shkruash parulla armiqësore (i quanet kështu inicialët KR)!? Kush t’i dha librat e ndaluara?!”

      Unë heshtja. Me vinte herë të qeshja në kupë të qiellit, herë të qaja deri në ngashërim, sepse nuk ma kishte marr mendja se një shkrepje kokëkrisur e dy shokëve të mi nga gjimnazi, që të bridhnin natën e të shkruanim parulla, nëpër asfalt e mure, do të na kushtonte kaq shumë. Madje, aventura jonë e pasmesnatës u bë për t’ua dëshmuar shoqeve tona guximin dhe sa kokëkrisur që ishim. Doja ta shihja reagimin e Fjollës, shoqes së bankës së tretë, ndaj së cilës ndjeja një emocion deri në eksitim. Ajo vdiste pas djemve të guximshëm. Mua me shkrepi të tregohesha i tillë në një çast euforie. S’më shkonte në mend se do të më kapnin.        

      Pas dy muajsh të seancave intensive, kur nuk patën ç’të nxjerrin më, më dënuan me katër vjet burg. Isha i lumtur që  shpëtova nga ajo bishë me mbrëmjeve i binte çiftelisë.

      Kurrë më nuk e takova as korridoreve të Stacionit të policisë as korridoreve të burgut. Me degdisën në një burg slloven, ku u treguan shumë më njerëzor ndaj meje. Disa  muaj i kalova nëpër spitale për të shëruar plagët dhe traumat.
 
*
      E kisha fjetur mendjen se do ta takoja ndonjëherë në këtë botë Bishën me çifteli, e kisha harruar fare. Kishte vjet që nuk mendoja as për hakmarrje. Gjërat u shthurën ashtu siç nuk me kishte shkuar kurrë në mendje: ish xhelatët tanë i dëbuan nga puna dhe mbetën me gishta në gojë. Me treguan se filluan të shiteshin patriotë. Unë ika në Zvicër. Nuk më zinte vendin vend në vendlindje. Brezi im me dukej i huaj. Nuk i kisha mëri pse kaluan më mirë se unë, por nuk e ndjeja vetën mirë në mesin e tyre. Ata ndonjëherë e ndjenin vetën fajtorë, megjithëse nuk mendoja se edhe ata është dashur të vuanin sikur unë. Dhe pasi fillova një jetë të re, kur me Ai më doli  përballë. Më ktheu në një kohë që doja ta shlyeja nga kujtesa. Por,  në vend të saj, ma ngarkoi edhe një kompleks që më bën të vuaj: Athua jam frikacak?

      Me vinte plasja që nuk gjeta forcë për t’ia zbrazur mllefin e dikurshëm, ose të paktën për t’ia hedhur një fjalë përbuzëse, që ta bëja të turpërohet. Më vonë me thanë se Ai, emrin e të cilit as tash nuk dua ta përmend, kërkonte azil politik. U kishte thënë zyrtarëve zviceranë, ashtu me tregoi përkthyesi shqiptar, se ishte i përndjekur nga serbët. Gati sa nuk u ngulfata nga një e qeshur histerike që ma zuri frymën. Kur shoku im i burgut, që tash përkthente në polici e në institucione, me këndelli me shpulla fytyrës, sepse pati përshtypjen se jam çmendur, fillova të qajë. Me vinte turp për atë që bëra. Dhe e fyeja mikun tim. Fillova ta urrej edhe Zvicrën.

      U ktheva në vendlindje dhe hoqa dorë nga azili e statusi që ma dhanë.

Sonntag, 22. März 2015

S'din ka pshurrë pula, e me diplomë fakulteti!


Nga veshi në vesh (1)

Shkruan Dylaver TARAKU

        Ishin ulur ne një klub dy mërgimtar, kishin marrë nga një pije dhe po bënin muhabet.
        - A njeve ej? – pyeti  njëri  nga ata.
        - Po çka ashtu o Sylë? – u interesua  Lleshi.
        - Ish bo njani me fakultet.
        - Kush ashtu ej?
        - Ai që nuk ka lanën ven' pa i shti hun'të!
        - Po thuje me emën ore burr i dheut!
        - Po ti nuk je aq i trashë sa mos me e marrën vesh se për kënd e kam fjalën! - vazhdoj prapë Syla me avazin e tij, duke e lënë Lleshin qe të mundohej vet për ta gjetur se për kënd bëhej fjalë.     
        - Eu Sylë, eu. Po gjithmonë e ke pasur ketë zanat të keq,  me na qu kodër pas bregu! Po thuaje se kush muti është ai ose le fare këtë muhabet!
        - Po ai de, ai… Ai që tash po ju kapet t'm'dhejve si rriqna n’bythë t’kalit!
        - Aha… tash e mora vesh se për kënd e ke fjalën. Atij përnime, tanë jeta i ka shku tuj ngajtën si muqa m'as daijve! Po si dreqin u bë ai me fakultet kur deri dje s‘ka diten as kah pshurrë pula?!
        - Nuk asht ai krejt i trash prej men've
qysh doket o Llesh, jo. Ish kan shku n’Shipni për punë tjera dhe atje e kish pas gjetën 'i pizivenge*. Ti e din se atij edhe arshafin ja ka kajtën gjithmonë.  Ajo pizivenga i kish pasën lidhjet kahmos, sepse ish kanën shumë e gjymert dhe nuk i kish pas pritue hiq asaj punës.
        - Jo, he burr?! – foli Lleshi si i habitur.
        - Po qëbesa. Krejt pahiri kish ra llafi se n'Shipni merrej kollaj fakulteti dhe ky herifi, pa nje - pa dy, i kish pas thanë asaj se është i interesuar edhe vet me e marrën një diplomë.
        - Haj medet, haj! Po çka i vyjke ej, kur s’ka gja n‘krye t'vet?! – e ndërpreu prapë Lleshi.
        - Po donte me u ba profesor ore burr!
        - Allahile …
        - Ajo pinivenga ia kish nxjerrën ketij herifit një diplomë fallse të shkollës së mesme dhe e kish pa' regjistru në një fakultet privat. Ky paguajke e tjetërkush ia kryjke provimet.
        - Eu, sha tokë e qi'll, çka s’po nijka njeri n’ditë t‘sodit! – befasohej Lleshi.
        - Po pasha t'madhin zot. E ka rru dreqi n’tana anët o Llesh! – ia kthej Syla.
        - Ani, po thu se e ka kry a? – pyeti sërish Lleshi nga kurreshtja.
        - Po ta merr menja... çka po mendon ti ?! E ka krye dhe tash na duhet me e thirrën profesor! – e ngacmoj Syla, pasi e kishte parë që Lleshi kishte mbetur gojhapur.
        - Sha kishën e Sh’nanue, kurr prej gojës teme s’ka me e n'ie fjalën profesor. Po ai thuhet profesor atij teveqeli ej, pa u hallakat njeri prej menve jo?! – foli Lleshi dhe luajti vendit.
        - Ani Llesh ani, veç ai shpejt ka me u ba edhe magistër dhe, qëbesa edhe doktor shkence ndoshta. E prite tani, kur ta nxan naj pozitë t’mirë dhe t’bahësh ti miftijaq* për të! – vazhdonte Syla që ta provokonte.
        - Pasha n’jat´ Krisht o Sylë, ma para i bij plum' vetit se bana miftijaq për atë hajrsuz*! Eu... po ku s’i del flaka n’tana anët, se keq u pishën kjo dynja! – e lëshoj një mallkim Lleshi dhe vazhdonte ta luante kokën në shenjë habie.
        E kush e di sa kishte për të vazhduar ky dialog, sikur ata të mos punonin të nesërmën. Paguan pijet dhe ikën për të fjetur.
________
 
*Muhabet - bisedë
*Herifit - përsonit për të cilin bëhet fjalë
*Pizivenga – femër e parehatshme
*Miftijaq - nevojtarë
*Hajrzuz – njëri që nuk i shihet hajri

22. 03. 2015

Bacë, për kë lutove?

Nga Makfire Maqedonci – Canolli
 
Sot nuk po shkruaj vargje e as këngë, por do të shkruaj për diçka që në shpirt po më dhemb. Jo, sot nuk po më vlon në shpirt as vargu e as kënga sepse thellë jam e lënduar nga shumë padrejtësi qe po ndodhin atje në tokën tonë, në tokën e përgjakur me shekuj!!! 
Jam më se e bindur se këtë dhimbje nuk po e ndiej vetëm unë por qindra e mijëra shqiptarë, qofshin ata në trojet tona qofshin nëpër mërgatën e humbur nëpër Evropë, Skandinavi apo këndej oqeanit në Amerikën e largët! 

Është një dhimbje që gradualisht po na vret të gjithëve në shpirt dhe fatkeqësisht po na shkakton plagë. Papunësia dhe varfëria ekstreme qe i ka kapluar vatrat shqiptare ku për fat të keq në mesin e atyre skamnorëve kemi edhe ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të Lirisë është një tradhti jo vetëm e" Idealit kombëtarë" Ideal qe i bashkoi ata trima rreth çështjes kombëtare me shpresën dhe dëshirën se një ditë do të gëzojmë të gjithë ditë më të mira dhe "Liri" të plotë. Por për fat të keq pas gjithë atyre vuajtjeve, persekutimeve, burgosjeve, mallteretimeve, vrasjeve e masakrave sot Lirinë e plotë po e gëzojnë pameritorët ata që fare pak apo edhe hiq aspak nuk kontribuuan për Lirinë e Kosovës!

Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t'u për kë luftuat Bacë?

Bac ,sot nuk po flas vetëm me zërin tim personal, sot po të flas me zërin e qindra e mijëra motrave, nënave dhe grave kosovare qe me lotë i kanë larë mijëra herë rrobat e motrave dhe vëllezërve të burgosur për t'ua larguar njollat e gjakut që rridhte nga torturat sebosllave dhe dhuna qe ushtrohej mbi trupat e tyre nëpër burgjet e Serbisë, në emrin e motrave, nënave dhe grave që me mijëra herë i kanë shikuar rrobat e përgjakura të bijave dhe bijve të tyre të masakruar e të vrarë, të bijave dhe bijve qe ia falën gjymtyrët Atdheut, e të mijëra tjerëve të zhdukur qe edhe pas 16 vitesh nuk gjinden eshtrat e tyre, po të flas edhe në emrin e mijëra motrave, nënave e grave kosovare qe i dhunuan kriminelët e Serbisë, pa i harruar as motrat, nënat dhe gratë e atyre qe na vinin në arkivole sa nga armata e atëhershme ca të tjerë nga mërgimi qe na i vriste UDB-ja serbosllave, e shumë të tjerë i ndiqte e përpiqej t'i vriste. Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t'u për kë luftuat Bacë?

Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria, po robëria ,korrupsioni varfëria dhe anarkia!

Bacë të jesh i bindur shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë qe u vratë të gjithë Ju e që për fat të keq nuk ishit të pakët! E ai ndryshimi është se lufta me armë e me armikun serb përfundoi pjesërisht , por tani populli ynë po përballet me luftën e papunësisë e të varfërisë apo thjeshtë me luftën për ekzistencë dhe më e keqja shumica po luftojnë me vdekjen sepse sëmundjet e ndryshme bashkë me kancerin po lulëzojnë me të madhe dhe po vdesin çdo ditë fëmijët, rinia e të moshuarit e disa përpiqen të gjejnë shërim edhe në shtetet e tjera sepse shteti jonë sapo lindi e kapluan sëmundjet vdekjeprurëse korrupsioni dhe vjedhja të cilat jo vetëm e kanë lodhur por e kanë gjunjëzuar dhe vështirë se do të shërohet ndonjë herë!
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria! Jo, jo atje po lulëzojnë sëmundjet dhe varfëria dhe padyshim aty ku ka varfëri sëmundjet lulëzojnë me të madhe.
Liria po lulëzon për disa por jo për të gjithë! Liri kanë hajdutët për të vjedhur, për të ndërtuar shtëpi e vila luksoze vend e pa vend, për të blerë makina luksoze vend e pa vend, për t'u punësuar kur duan e ku duan, për të shpenzuar sa të duan dhe kur duan, për të pasur paga marramendëse e shumë e shumë lukse tjera të cilat nuk i shijon e as nuk ka të drejtë t'i shijoj apo t'i gëzoj as fshatari, as qytetari, as punëtori, as bujku, as mësuesi, as profesori, as aktori, as krijuesi,as ish i burgosuri, as ish luftëtari i Lirisë, as fëmijët e dëshmorëve dhe sa e sa të tjerë!

Po Bacë "u krye"! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova!

Bac në Kosovë Liria sa është e përkufizuar aq është edhe e përgjysmuar sepse ashtu siq nuk kanë Liri të plotë dhe të barabartë vetë qytetarët në tokën e Kosovës Liri nuk kanë as shqiponjat të fluturojnë mbi qiellin e Mitrovicës e cila tani e 16 vite është e ndarë apo thënë më mirë pjesa veriore i është okupuar nga serbët dhe Serbia! Dhe Ty o Bacë të thanë "Bacë u krye"!!!
Po Bacë "u krye"! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova dhe të lulëzoj Liria për mbarë popullin tonë!
Lufta u krye Bacë për ata qe mezi prisnin t'i zinin kolltukët e të uleshin në karriget e pushtetit, por jo për trimat e Lirisë të cilët nuk i dorëzuan armët por i ndoqën shkiet e shkinave edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë bashkë me sllavo maqedonasit në Iliridë!
Bacë Ty të thanë: 

Bacë të premë në besë për amanetin tuaj, flamurin  kuq e zi e ndërruam,identitetin tone e pjesërisht  e ndërruam ,bisedat po i bëjmë me Serbin e bile edhe darka po hamë me ta një tryezë!

Zoti të shpërbleftë me Parajsë bashkë me familjarët tu, dhe ne e kryem punën tonë, Kosovës ja ndërruam Flamurin te premë ne bese për amanetin tuaj qe kurrë flamurin  kuq e zi se hoqe nga dora ! Në vend të shqiponjës ja vumë disa yje e ngjyrën kuq e zi ja bëmë "mavi-mavi" dhe bisedimet i filluam prapë me shkie se ashtu po na kërkojnë ndërkombëtarët të cilët jo vetëm qe na e sollën një Pavarësi prej paketës së Ahtisarit si dhe presidenten na e sollën në një zarf të bardh, por edhe na kanë ndihmuar bukur shumë edhe ta rrjepim Kosovën duke e vjedhur se Ti e di Bacë qe Kosova është një thesar qe e ka mbajt gjallë ish Jugosllavinë dhe e ka ndërtuar me pasurinë e saj bishtëmbisht. Dhe si e tillë tani jo qe po na i  pasuron neve politikanët tanë , por po i pasuron edhe ndërkombëtarët, bile ,bile edhe Turqit kasaphane e kane bere Kosovën!
Dhe për fat të keq po Bacë në Kosovë po pasurohet edhe dreqi me të birin por vetëm populli jo!Tek populli  po  shtohet  robëria, papunësia, varfëria sëmundjet qe as emrat nuk jua dinë, aq shumë qe janë duke u shfaqur. Gjatë luftës na përzuri nga Kosova të gjithëve Serbia, dhe u bëmë pikë e pesë, disa në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e disa u shpërndamë gjithë andej nëpër botë. 

Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri përmes   Serbisë dhe pobratimave  të tyre po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët!

Por pjesa dërmuese qe ishin në trojet tona mezi prisnin të ktheheshin në Kosovën e djegur shkrumb e hi dhe të minuar, por i mbante shpresa se do të punojnë të gjithë, do ta ndërtojmë e do të lulëzon Kosova bashkë me Lirinë! Bile edhe ne mërgimtarët mezi prisnim t'i bëjmë pak para e të kthehemi si zogjtë shtegtarë e t'i ndërtojmë foletë tona përgjithmonë në tokën tonë.
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri nga Serbia po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët. Edhe sikur të jetë sërish Kosova e minuar njerëzit nuk po pyesin për rreziqe. Ashtu siç u kthyen me nxitim pas lufte në tokën e djegur ashtu sot po ikin nga varfëria qe po ua sjellë për fat të keq kësaj here qeveria shqiptare jo Serbia!

Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bacë popullit po i propozohet t'i   vënë në  kokë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t'i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia,  mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm  me mbet  pobratima me Serbinë!!! 

Familjet e dëshmorëve jo se nuk i gëzojnë ato qe i meritojnë por fëmijët dhe nipat tyre po vdesin për një pikë ilaç qe nuk gjendet kund në Kosovë!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bac popullit po i propozohet të protestojnë e të kërkojnë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t'i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia qe të ketë populli ku të kërkoj ndihmë sepse nuk i ka mbetur derë tjetër vetëm te Zoti sepse më nuk po ju ndihmon as Europa e as Amerika, por popullit në ato xhamia i duhet edhe të kërkoj falje për gabimet qe po i bënë vetë duke ua dhënë votën e besimit gënjeshtarëve e hajdutëve tash e 16 vite. Ata po  ndërtojnë  edhe mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm  me mbet  pobratima me Serbinë!!! 
Bile tani edhe Turqia po bënë be e rrëfe se do ta mbjelli kulturën turke në Kosovë sepse sipas saj "arnautët densëza" e kanë humbur kulturën e osmanëve  e ajo duhet me i pru në dinë e iman!
Po Bacë kultura jonë po zbehet disa këngëtare po ua kalojnë edhe prostitutave me veshjet e tyre e disa femra ngjajnë me femrat turko arabe! Bile edhe disa çuna po shkojnë pas mësimeve të disa hoxhallarëve qe e kanë sjell kulturën arabe në Kosovë dhe nuk vishen më si janë veshur më parë po me do pantallona gjysmak e me mjekra qe vështirë e ke t'i dallosh se janë shqiptarë. Pjesa dërmuese e popullit po rrinë në heshtje e po bëjnë sehire e disa i ka lodhur varfëria e sëmundja, por ka edhe nga ata qe janë të zënë me bizneset e tyre. Disa prej luftëtarëve janë burgosur e kriminelët e Serbisë u shëtitin para hundëve të lirë. E pjesa tjetër atdhetare qe janë akoma në gjurmët tua dhe të shokëve të tyre po përpiqen të punojnë akoma për ta quar në vend amanetin tendë dhe të gjithë dëshmorëve por mijëra pengesa e probleme po u dalin përpara nga djalli qe ka hyr në trupat e atyre qe nuk duan të dëgjojnë më për asgjë rreth çështjes kombëtare sepse u tha para kohe: 

Bile këtë parullë "Bacë u krye" shpeshherë   e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin  herët !!! Pra, Bacë, për kë luftove???

"Bacë u krye edhe se kemi  parafrazuar se u krye. Bile këtë parullë  shpesh  e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin  herët !!! Dhe Ti e dinë Bacë "burrat" një herë flasin!
Kështu Bacë, a u krye për së mbari apo për së mbrapshti për ta pak ka rëndësi kryesorja u krye!
Dhe vërtet Bacë edhe neve aq shumë na i kanë ngatërruar gjërat sa qe jo qe s'po e dimë çka u krye, po nuk po e dimë kur donë me u krye kjo poshtërsi e ky pazar qe po bëhet në kurriz të popullit?!
Popullin e kanë rrokur përpara mijëra halle e politikanët i pat rrok njëfarë ngërçi po si duket i lëshoj pak para vitit të ri se bukur shumë i mbajti e a do t'i rrokë sërish ai far ngërçi nuk di po si po duket moti është  i keq , qe sërish t'i rrokë e nëse i kap për së dyti mos vet se nuk ka me i lëshuar me vite.
Bacë kemi mbetur si pula në mjegull k'ta po thonë "Bacë u krye" e kush s'po e merr vesh çka u krye se hajnia nuk po kryeke kurrë o Bacë! Populli ka mbetur në udhëkryq, nuk na ka mbetur rrugë tjetër vetëm të gjithë po lutemi e po themi qohu  nga varri  o Bacë e kryeje e tregoju si duhet me u krye se kurrë më shumë UDB-ja nuk ka qene ma aktiv ese qe është tani!. Bacë jemi bërë kajlë të jemi  ma mirë në varre  vdekur se te gjallë e te  robëruar!. Një barre e kemi të madhe  edhe ne mërgim. Dheu i huaj peshë po na qon .Ëndrrat po i shohim çdo natë me parullën  "Bacë u krye" nuk po besojmë  më pa u quar ti nga varri me na treguar se për kënd Ti luftove???, për Lirinë e popullit, apo për te kriminelëve ,hajdutët  dh bandat që e  hëngrën nektarin  e "Lirisë së  Kosovës"   Pra, Bacë, për kë luftove???