SHKRIMTARI QE ECEN NE RRUGEN E RILINDASVE (Po kush është Arben Kondi, ky autor i heshtur, fjalëpak e punëshumë?!) Arbeni lindi më 19 qershor të vitit 1959, në qytetin e Tiranës, në një familje me rrënjë të thella kombëtare. Me origjinë është nga Çamëria, nga fshati Shalës e Markat i Konispolit (Sarandë), pra nga ajo pakëz Çamëri që i mbeti atmëmëdheut tonë pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913. Shkollën 8-vjeçare e kreu në Tiranë. Të mesmen në gjimnazin “Sami Frashëri”. Pikërisht në këto vite zënë fill edhe botimet e para të tij si në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Drita” apo në revistën “Nëntori”. Në vitin 1979, shtëpia botuese “Naim Frashëri” boton antologjinë poetike “Këngët e para”, ku përfshihet edhe një cikël i plotë prej poetit të ri. Në mesin e viteve tetëdhjetë, pasi kryen studimet për Gjuhë-Letërsi punon si gazetar në Radio Televizionin Shqiptar. Për afro dy vjet përgatit “Radiorevistën letraro-artistike”, një emision ky që i jep mundësinë të njohë nga afër shkrimtarë dhe artistë të shumtë shqiptarë. Qysh në ato vite, një hapësirë të ndjeshme në këtë emision zë edhe letërsia e Kosovës, me Mekulin e madh, Podrimen etje. Por emërimi, për shkaqe biografie, nuk iu bë asnjëherë. Kështu që, në shtatorin e vitit 1986, dërgohet të punojë si mësues në malësinë e Tiranës. Atje qëndron katër vjet. Në vitet e demokracisë, Arbeni shihet të angazhohet në shtypin e kohës si në gazetën “Rilindja Demokratike”, “Republika”, e në mënyrë të veçantë në atë “Çamëria”. Arben Kondi, tok me intelektualë të tjerë të njohur çamë si Abaz Dojaka, Bashkim Kuçuku, Ballkize Halili, Arshi Rexha, Enver Kushi, Petrit e Ilmi Kasemi, Laurant Bicaj, etj., është një ndër krijuesit e parë të kësaj gazete. Në vitin 1994, pas një eksperience të vyer në botën arbëreshe, përkthen dramën “Fluturim i kobshëm” të shkrimtarit Luigji Skarpeli, me motive nga legjenda e njohur shqiptare “Kostandini e Doruntina”, Arben Kondi do botojë vëllimin poetik “Takim dashurie”. Në vitet e para të demokracisë, realizon edhe ëndrrën e tij të kahershme për të vizituar Çamërinë e përtej kufirit. Mbresat që i la vendi i origjinës do t’i hedhë në librin “Rikthim në Çamëri”, që do të njohë plotë dhjetë ribotime, si dhe një përkthim në gjuhën angleze. Ndërkohë, genocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk kish se si të mos e godiste rëndë shpirtin e tij. Sllobodan Millosheviçi, kasapi i Ballkanit po përsëriste tek shqiptarët e Kosovës genocidin e kryer prej kryekriminelit Napoleon Zerva në vitet 1944-1945 ndaj çamëve dhe Çamërisë. Plagët e kombit dhembin njësoj. Kështu që në vitin 1999, Arbeni do të botojë librin “Krimi i fundshekullit” me një përkushtim domethënës ndaj UÇK-së, si krenaria e kombit shqiptar. Qysh nga ky çast, pena e Arben Kondit nuk do të rreshti së shkruari për Çamërinë, Kosovën, Iliridën e për mbarë trojet kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, duke mos lënë pas dore këtu as Toplicën e harruar. Kështu do të botohen e ribotohen në radhë një sërë librash. Shpejt “Rikthimi në Çamëri” do të ndiqet prej “Epirit në një këndvështrim të ri”, si dhe prej “Shqipërisë Etnike”, që së toku krijojnë një triptik të plotë. Brenda dhjetë viteve, këto tri libra do të njohin plotë pesëmbëdhjetë ribotime. Në vitin 2002, Arben Kondi do të nxjerrë në dritë një tjetër vëllim të ri poetik, me titull “Përtej dashurisë”. Si një fill i kuq, motivet mbi familjen dhe atdheun do ta përshkruajnë të gjitha poezinë e tij. Në vitin 2003, ai boton romanin “Barbarët” që i kushtohet genocidit dhe luftës së Kosovës për liri. Duke vënë në qendër të romanit dy figura të njohura të botës amerikane siç ishin ish zëdhënësi i Departamentit të shtetit Xhejms Rubin si dhe të shoqen e tij, gazetaren e mirënjohur të CNN-it Kristiane Amanpur, Kondi na afron vetë këndvështrimin dhe ndihmesën e madhe që afruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirinë e Kosovës. Në fund të vitit 2003, Arben Kondi do të marrë sërish rrugën e mërgimit. Këtë herë shumë larg. Në Australinë e përtej oqeaneve. Arsyen e kësaj lëvizje të re ai do ta shpjegojë qartë e bukur nëpërmjet tri vargjeve të poezisë me titull “Dhimbje e dyfishtë”. Ja si shprehet poeti të: “Sërish emigroj Atdhe/ Të gjeta me dhimbje/ Me dhimbje po të le”… Në këtë shtet-kontinent, ku ligjin e bën ligji, Arben Kondi, tok me gruan dhe djalin e tij, do të botojë gazetën e parë për shqiptarët e Australisë. Në dy vitet e para, ajo do të titullohet “Shqiptari i Australisë”, kurse në vitet 2006-2007, gazeta do të mbajë emrin e heroit tonë kombëtarë “Skënderbeg”. Me këtë rast, duhet të theksohet se gazeta shpërndahej në të gjithë Australinë, me prioritetet në ato qytete ku shqiptarët qenë në një numër më të madh. Gazeta e nisi botimin e saj me 16 faqe dhe përfundon me plotë 32 të tilla. Në 2008-ën, kur gazeta “Skënderbeg” mbyllet, Arben Kondi rikthehet sërish në Atdhe. Brenda këtij viti, ai do të botojë një sërë librash. Dhe nuk janë pak. Por pesë syresh. Thënë ndryshe, Kondi do t’i afrojë lexuesit të tij të gjitha motivet e mbledhura gjatë viteve të mërgimit në Australi. Në krye del në dritë romani “Jetë e vështirë”. Pas tij, botohet vëllimi me poezi “ Kosovë e Çamëri”. Në të njëjtën kohë botohet në anglisht “Rikthimi në Çamëri”. Libri me tregime “Tregimet e mërgimit” del fill pas tij. Kurse përmbledhja me polemika e intervista të ndryshme me titull “Si Kosova, edhe Çamëria, është gjaku ynë i pafalur” mbyll vitin 2008. Në Shqipëri, Arben Kondi do t’i rikthehet sërish pjesëmarrjes së panaireve të librit shqip që mbahen nëpër mbarë hapësirën tonë etnike. Tashmë, emri i tij është i njohur. Librat e tij kërkohen në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Tetovë, në Ulqin e kudo. Postbllok i pakalueshëm, atyre do ju ngrihet vetëm në Çamëri, në vendin e tij të origjinës. Ndërkohë që tamtamet e politikës apo të studiuesve shovenë grekë e filogrekë nuk kanë të sosur si në Greqi e, për fat të keq, edhe në Shqipëri. Por shkrimtari Arben Kondi vazhdon të shkruajë pa prerë. Ai do të shndërrohet vetiu në një misionar të shqiptarizmit, të kombit të tij. Për këtë flet vetë ribotimi i pothuajse të gjithë librave të tij, të cilat, momentalisht, kanë arritur në një tirazh prej afro pesëdhjetë mijë kopjesh. Kështu, në vitin 2009, i cili shënon edhe gjysmë shekullin e lindjes, shkrimtari ynë boton romanin “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”. Pa dyshim, ky libër përbën një kontribut në letërsinë shqipe. Po në pesëdhjetëvjetorin e ditë lindjes do të njohë dritën e botimit edhe vëllimi i ri me poezi i titulluar “Dhuratë për ditëlindjen”. Në vitin 2010, Kondi do të shkruaj romanin “Shqiptaro-vrasësi Napolon Zerva”. Siç merret me mend, edhe nga vetë titulli i këtij libri, autori ka si subjekt genocidin famëkeq të Athinës zyrtare ndaj Çamërisë martire. Kurse një vit më vonë, pena e tij do nxjerrë në dritë romanin e titulluar “Djaj në veladon”. Në të, spikat qartë një ballafaqim i mprehtë idesh për sa i takon Autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare. Dy janë figurat kryesore të romanit. Në një anë shpaloset shovinizmi djallëzor grek i përfaqësuar prej Anastas Janollatosit. Ndërsa në anën tjetër shfaqet figura hyjnore e Fan Nolit, si përfaqësuesi më tipik i atdhetarizmi të madh ortodoks shqiptar. Natyrisht, në këtë mes nuk mund të mbetej pa u skicuar edhe figura e Kozma Etolianit, si babai shpirtëror i Janullatosit. Ndërkohë që romani “Tmerri” botuar në vitin 2012 shënon ndoshta majën e krijimtarisë së tij. Ky roman, jo vetëm të trondit me rrëfimet e të vërtetave tragjike të luftës serbe kundër Kosovës, por, në të njëjtën kohë, tingëllon edhe një apel për paqen. Duke lexuar rresht pas rreshti, lexuesi e kupton se romani “Tmerri” është vazhdë e perlave që prodhon mjeshtëria e tij artistike”. Në të njëjtën kohë romani “Tmerri” përmbyll edhe vetë veprën e zgjedhur të autorit në tetë vëllime gjithësej. Pa dyshim, ky botim special shënon një ngjarje të rëndësishme për letërsinë shqipe si në Shqipëri, Kosovë e në mbarë hapësirën tonë etnike. Kurse në gjysmë e parë të vitit në vazhdim (2013), Arbeni do të nxjerrë në dritë një tjetër roman të ri me titull “Mëhalla e Muhaxhirëve”. Me këtë libër ai do ti kthejë sytë sërish nga Çamëria, vendi i tij i origjinës. Përsekutimi i dyfishtë çam si në çamëri e po ashtue edhe nga rregjimi diktatorial komunist vihet ne qëndër të librit. Në vitin 2014, Kondi nxjerr në dritë një tjetër vepër të rëndësishme siç është romani “Dionisi i Paramithisë”, i cili po ashtu trajton temën e Camërise dhe pikërisht mesjeten e saj, në fund të shekullit gjashtëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullin shtatëmbëdhjetë. Në vitin 2015 boton dy novella të përmbledhura në librin “Melburni në Terr”. Ndërkohë Arbeni vazhdon të shkruaj. Ai ka sërish një roman të ri që pritet të dalë këto ditë nga shtypi. Ky libër i kushtohet një figure të madhe të mesjetës shqiptare siç është Gjin Bue Shpata, princi i madh që ka jetuar në shekullin katërmbëdhjetë me kryeqëndër qytetin e Artës, në jugun me ekstrem të Shqiptariës. Me siguri edhe ky roman i ri i tij do të zgjojë patjetër kureshtjen e shqiptarëve kudo që janë si në Shqipëri, në Kosovë, në Iliridë, në Malësi si dhe në Diasporë.
Pozaet Qose u lind në Sojnik të Gramshit në vitin l964 dhe aktualisht ështe mësues i letërsisë e gjuhës shqipe në gjimnazin “Shefqet Guzi”. Është poet, tregimtar e publicist. Mjaft krijime të tjera letrare e shkrime publicistike i ka botuar në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm e atij periodik, si në revistën e përjavshme letrare “Obelisk” dhe gazetat “Drita”, “Temp”, “Ndryshe”, “Albania” “Nacional”, “55”, etj. Ka qenë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”. Ka botuar përmbledhjet poetike:
"Jam rob i fatit tim".
"Sytë e së panjohurës".
"Tek ëndrra mbeta".
"Panairi i absurdit".
Poezi nga autori Pozaet Qose ZGJEDHJE Mes dhjetëra, qindra rrugësh për të vdekur, Do zgjidhja që të vdes nga dashuria. Do thoshnin në përcjellje, duke qeshur: I gjori, iku skiç nga marrëzia! Të më besoni, s’desha vdekje tjetër, Dhe sikur të më premtohej prapë ringjallja, Sepse harresa, porsi shtrigë e vjetër, Do shfaqej si një zanë, që e vret falja. Do shkoja buzagaz për te kjo vdekje Sepse, si një ulli do mbillja veten, Të tjerët, si një mjegull e trishtë vjeshte, Do të kërkonin verbër buzëqeshjen. Kështu do kisha dashur ta kem ikjen, Me arkëmort ylberi të shumëngjyrtë, Që kohës t’i dhuroja ngutshëm shijen, Si ëndërr dhe të mishtë, dhe të ylltë. PËR AJO-NË Ajo te fjalët ka litarë argjendi, Dhe te vështrimi ca magnetë të verbër. Atje i mjeri lypës ndihet dendi, Dhe s’lyp, si çek pagese, asgjë tjetër. Ajo-ja shkel në shtigje të kristalta Dhuron thesar e nuk kërkon qindarkë, Lind diej maji orësh të acarta, Thur tinguj këngësh nëpër terr të prapë. Kush është ajo-ja? Po ç’e vrisni mendjen, Është dita juaj, si një ftesë e dielltë. Ju pëshpërit ta kyçni skutash dhembjen Dhe ta çlironi foshnjëz të pranvertë... ÇDO NATË Të thjeshtën lutje nis çdo natë drejt teje, Kur gjumi, si postier pa ligësi, Sjell shenjat, që i nis bujarja vdekje; Të zezën baltë e lotët si stoli. O perëndi, më mbaj larg nga e keqja I pëshpëris asaj me përgjërim, Që me sy ferri të mos më shohë jeta, Se nuk kam shans t’i jap tjetër fillim. Çdo natë i flas agimit, që në ardhje Të mos më çelë veç sytë prapë me hare, Por të ma ngrohë shpirtin nëpër mardhje E të më thotë; beso se tani je... PO BIE NJË KËMBANË Po bie një këmbanë. Unë, vetmitari, Nuk di ç’të bëj prej tingujve të saj; Të dimërohem heshtur, si janri, Apo të zhurmëroj si bletë në maj. S’e di çfarë fsheh ky çast, si plagë tingujsh, Një lindje a një vdekje rri atje? Por lajmi në të njëjtat pranga qëndron lidhur; Veç një këmbanë ndan fatin tonë mbi dhe. Dikush mund ta shpërfillë lajmëtaren Dhe t’i krenohet bronzit, si një cub, Por unë nuk mundem t’ia mohoj dot gjalljen, Se bashkë me të dhe vetë do mirrja fund. Po bie një këmbanë në zemrën time Dhe zgjon ajo çdo gjë që fle tek unë, Si bulkthi, me thërrmija terri, drite, Që ëndrrave përkund misterin gjumë. THIRRJE E bukur, po ku humbe, moj e lojtur, U bëre ti parfum apo qiri? Në kopësht zoologjik hapësirën rrotull E ktheve nga mëria me mëri. E bukur, sot unë jam tablo muzeu, Dikë pres të më vjedhë, me kokë në torbë, Të shkumbem, si një dallgë prej Egjeu, Të ziej veten, porsi mish në vorbë. E bukur, moj e bukur, sa të hidhur Kjo ikja jote gjurmën lë pas teje Dhe bëhet një përhumbje e përndritur Dhe shkrumb i pamëshirë i një rrufeje! DEVOLLI DERDHET NË DY DETE -poeteshave te qytetit tim, Leidit, Rudinës dhe Enkeleidës- Devolli derdhet në dy dete, Por s’ka në ta të njëjtin fat, Sepse, kur shuhet ndër poete, Rilind në qindra vargje prapë. Kur njëri butë i shuan dallgën, Dhe e kthen heshtur në një qengj, Tjetri ia shton atij rropamën, Në zjarre fjalësh, si ortek. Oh, ç’fat prej princi ka ky lumë, Kur ndër poete shkumbëron Dhe gjithnjë mbetet i pagjumë, Si varg që klith e që këndon! Kështu e paska shkruar fati Të ketë dy dete për pasqyrë, T’i kthehet në ylberë inati Dhe valë e dallgë në trëndafilë... __________________________ Marrë nga Revista elektronike "AlbPlanet" Përgatiti: Kujtim Stojku
Dibran Demaku u lind në Abri të Epërme (komuna e Drenasit), Kosovë, më 18 prill 1956, ku edhe mbaroi shkollën fillore.Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë,ku pastaj studioi Letërsinë e Gjuhën Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Me shkrime merret që nga bankat shkollore. Shkruan poezi, prozë e publicistikë. Shkrimet e tij i ka botuar në të gjitha gazetet e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë, Shkup e Podgoricë. Shtatë vjet punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, Programi për fëmijë. Që nga viti 1993 jeton e punon (përkohësisht) në Gjermani.
Disa nga librat e botuara:
„Vogëlushë dhe shtatore“ -Vjersha për fëmijë
„Rrëfimet e kalasë së vjetër“- poemë për fëmijë
„Gjeografia e klasës sime“-vjersha për fëmijë
„Ëndërr e bardhë“-poemth i ilustruar për fëmijë
„Shpirtra të shitur“-tregime për të rritur
“Dardha ka bisht“-poezi satirike
“Jetë në ikje“-tregime për të rritur
“Në tokën tonë“-novelë,“Larg“-poezi
Poezi nga autori Dibran Demaku ME DHËMBJEN TIME TI IKE Me dhëmbjen time ti ike e në mua u ndez fanar i mallit edhe guri ka pëlcitur tek kënd i zallit Me dhëmbjen time ti ike kujtimet u gurëzuan në gur hijet e ikjes u bënë mur Me dhëmbjen time ti ike në bebzat e kallura rigon shi për një ëndërr të djegur në gji TË RASH PAS Të rash pas, moj të rash pas rrugës kur shkoje për gjimnaz Popullore Të rash pas moj shpirti im as ngadal as me nxitim Të rash pas por nuk të zura se kalove larg nga ura Të rash pas por s`të arrita se në rrugë kishte shumë prita Të rash pas në dritë të hënës të ia ndez një xixë ëndrrës Të rash pas në dritë të diellit shkëlqim komete në mes të qiellit SERENADË Valë e kthjellët e liqenit përqafon brigjet me gëzim mollë në kopshtin e Edenit serenadë e shpirtit tim Puhi e lehtë e mbrëmjes verore mbi syprinë krahët shtrinë Kitara ndez zemrat në kraharore zgjon një ëndërr për dashurinë TESTAMENTI Ne nuk patëm kohë të bënim pasuri se shekujt kishin uri Çfarë ndërtonim ditën na rrënohej natën në besë u premë e fat të keq patëm Toka e pinte pa mëshirë gjakun tonë e këngët e zisë tek ne bënin jehone Me nga një strajcë në qafë e shkonm jetën me dhëmbë të prishur gërryenim vetëvetën E fëmijëve si ushqim u zienim gur e me gurët e zier ndërtonim mur Ujqit e uritur shqyenin gjithçka me dhëmbë e ne na dridhej toka nën këmbë Disa ikën nga sytë-këmbët veç nga mollët e tharta iu mpinë dhëmbët Një testament të varfër tash e shkruajmë me zemër nëpër kohërat-furtunë e ruajtëm në emër KUSH Kush i vodhi ëndrrat Nën qiellin e mjegulluar Të netëve tona Të pa gjuma Kush i këputi filizat E stinës së re Në bulim O kush ngarend Si kalë i hazdisur Mbi ballin tonë Të ngrysur MINJTË Në morfologjinë e gjuhës së nënës të pezmatuara e të shqetësuara rimat nën rrezet e zbehta tëhënës minjtë dalin nga vrimat Lëvrijnë si krimbat nën xhamin e lupës e na e zgjojnë ndjenjën e krupës kryefjala e kallëzuesi i shqipes pëlcasin si kokrra e kripës
GJEOGRAFIA E SHPIRTIT Një çerep dhe një bukë zëri i fyellit në një sukë Borë e bardhë si plis mbi male këngë e vashave në livadhe Uji i limit rrjedhë nën urë rreze dielli mbi ca gurë Çerdhe zogjësh Shqiponje në plep gaz i foshnjës zgjuar në djep Çifteli e pushkë në Kullë gjushi pi duhan në llullë Në një ëndërr në agim Gjeografi e shpirtit tim... SEPSE Sepse besa nuk është besë sepse loti nuk është vesë Sepse emri nuk është emër sepse zemra nuk është zemër Sepse drita ka ndërruar ngjyrë sepse fjala ka ndërruar fytyrë Sepse kënga nuk është këngë sepse jeta kapuq me mëngë sepse lumi nuk derdhet në lumë sepse ëndrra nuk do gjumë... NËPËR GURË E VALË Nëpër gurë e valë seç noton një fjalë Nëpër valë e gurë ngrihet lart një mur Një mur i qëndresës në mitin e besës Besë e kombit tim në shekuj-nderim... PËR Për një gjurmë të hapit ndërron drejtimi i vrapit Për një fjalë të gojës ikën kuptimi i lojës Për një veprim të rastit ikën gëzimi i çastit Për një grimë të gurit bie krenari e murit...
GJEOGRAFI E ATDHEUT Armiqët të brejtën pak nga pak si minj të uritur vrimave E ti në log betejash u këndoje këngë trimave Shekujt iknin dalë nga dalë e ti bëje jetë kaçakqe në mal Duke shitur dushk për gogël e tkurreshe e bëheshe e vogël e vogël Kur dielli të ndriqoi rrugën jetën nise të gërryesh vetëvetën ËNDRRËN KENI PREKË (Jusuf,Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës) Nata derdhte terr natë e ftohtë Janari ëndrrën kush e tjerr nën një dritë fanari Në Untergrupenbah tri lulëkuqe gjaku a dëgjove Bah si t`u skuq mbrëmë praku Dhe ti Volfgang Gete ti Fridrih Shiler stuhi nëpër dete n`buzë të agimit-terr Ti Jusuf Gërvallë dhe ti Kadri Zekë Bardhoshi lot n`qepallë për të tyren Mekë Për të tyren Mekë që Kosovë-një emër ëndrrën keni prekë me shpirt e me zemër RREZE DRITE (Katedrales së Prishtinës) Në ekranin e televizorit shfaqesh madhështore tek rrit shtatin nën qiellin e kaltër të Kosovës Në themelet e lashta të Dardanisë ti rilind si një Feniks mbi lulëkuqet e gjakut e nis jetën shekujve n`vijim u rrëfen të vërtetën Engjujve e zanave ti u bën rojë hienave e shtrigave u mbyll gojë si diell mëngjesi mbi male Prishtinës rreze drite i fale GJUHË E QENIT Gjuhë e qenit këtu e n`Kinë nuk ndërron ngjyrë as melodinë Nuk ndryshon asnjëherë vesin edhe veshët kur ia presin Leh në mik e në armik dikush thotë ai është besnik Gjuhën qençe e përdorë vënçe n`prak të derës i nuhat erës NDALO VRAPIN... Desha të pyes,o kombi im çfarë po ndodh në fillim-shekull do të dënohesh me harrim po nxjerr sy duke vënë vetull. Ku i humbe ato tradita që n`shekuj t`ndrisnin ballin tash pse vetës i vë prita dhe lidh besë me vetë djallin! Miku-mikut ia nxjerr sytë veç për vete flet e mburret nuk duron n`krah një të dytë për interes i luan dhe gurët! Dikush thumbit,dikush patkoit një hap para e tre prapa ashtu si gjethin e ftoit n`mes të dimrit-na djeg vapa. Na djeg dimri na ngrin vera akujt e nxehtë shkrijnë në faqe n`acar mos të çelë pranvera e gjejmë ferrin-tek kërkojmë paqe! Gjithmonë i fajsojmë të tjerët edhe themi:Na bëjnë me hile veç s`e kuptojmë ne të mjerët gjithmonë vetës ia lëmë:kile! Kemi harruar thënien e vjetër -Veç bashkimi bën fuqinë kemi zënë një rrugë tjetër dhe s`e gjejmë dot dashurinë! Ndale vrapin kombi im dhe mendo me mend të kokës nëse s`do n`shekujt n`vijim prapë të mbetesh n`bisht t`epokës!... DREJTORI Në komunizëm ishte drejtor prapë drejtor n`demokraci Si s`u skuq njëherë ai horr po të skuqet ai nuk di?!... KUJDESI I MIKUT S`ishim parë muaj e muaj ishte bërë plot një vit: -Ku ke qenë s`të kam parë kanë kaluar plot dhjetë ditë?! Çfarë t`i thuhet të tillë miku? hajt sqarohu ti po deshe! -Ka qenë i rënduar trafiku dhe përcille me...buzëqeshje!... DYFYTYRËSHI Je më i miri,je tërë nur i thotë mikut mu në sy. Prapa shpine e gjuan me gur nuk ngurron as ta pështyj`!... PREMTIM E BESË Besë e dhënë nga dashnori në një kënd të një flete: -Le të më djeg purgatori në mashtrim po më gjete! Kështu i shkruante ai dashnorës dhe i bënte be e besë. Tjetrën mbante fort për dore dhe e puthte pa pendesë… LULE E SË KEQES MOS LULËZO 1. Ti nuk mund të vish asnjëherë me ne nuk je rreze drite veq një e zezë re në qiellin e kaltër asnjëherë pasqyrë veq një natë e errët me një të zezë ngjyrë. Ti nuk mund të kalosh e lirë nëpër shtigje se të mallkon zëri i nënës për të birin askurrë në jetë nuk mund të matesh me brigje se këngë e lëngatës nuk ngjallë delirin. Lule e së keqes mos lulëzo në zemër helmi yt mbyt fëminë në bark të nënës nëpër shekuj do jeshë i urryeri emër pa rreze dielli e pa dritë të hënës. Dante vendosur të ka në rrethin e nëntë të ferrit e nga aty nuk do te dalësh kurrë mallkimi do bjerë gjithnjë në emrin tënd tradhëti në stinë e mote:mallkuar.mallkuar. 2. Ti pritë u zure trimave në shtigje kah marrëshonin me zemër zjarr e dritë në sy dhe solle vajë e pikëllim në brigje. Sa herë zemrat e motrave i shndërrove në gur e këngët i ke ngrirë pa dalë mirë nga buzët shpresat e ëndrrat në një gjysëm-shtizë flamur. Kush të polli i pari e të solli në këtë mes farën e përqarjes mbolle edhe në mes babes e birit në këtë vend që dikur kishte veq dashuri e besë. 3. Lulet e së keqës ti merri me vete e zhduku bashkë me rrënjë nga tokë e dete e kurrë më kurrë mos u dëgjoftë emri yt as këtu e askund nëpër kontinente... KOSOVË - DRITË E KËNGË KRENARE 1. Veq në ty rrezet e diellit janë të nxehta dhe përcëlluese veq në ty rrezet e hënës janë të ëmbla dhe mikluese. Veq në ty këngë e bariut është më e bukura melodi veq në ty sytë e vashave janë të bukur e plot magji. Veq në ty lisat e malit rriten të gjatë e gjithë kreni Veq për ty edhe pse larg n`zemër ruaj një dashuri. Veq në ty e veq me ty më lidhin ëndrra e kujtime ti lule e bardhë e dritë në sy O,e shtrenjëta vendlindja ime. 2. Sa herë vijë më del përpara e më pret si nëna të birin më uron:Të priftë e mbara! Unë ulem e ta puth tokën syri nxjerr lot-xhevahirin ëndrra zgjohet për Nënë-Lokën. Larg shumë larg nga tuat male larg shumë larg nga tuat fusha dëshirë shprishur plot me halle. Larg nga ti më janë zbardhë flokët gjuha ngjyrën ka ndërruar ku t`i gjej tash miqët-shokët? Si ujë lumi vitet rrjedhin koha ikën e harruar e diçka nga mua vjedhin. Pse më ike,pse të ika në ca net të errëta fare nëse s´kthehem më rënt pika. Në tokën tënde veq shqiptare n`shekuj më s`na përcjell frika Kosovë-dritë e këngë krenare...