F A Q E T

Freitag, 31. März 2017

Vera Istrefaj

 Vera Istrefaj
        Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës. Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë. Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.
        Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20- vjecare. 
        Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.
        Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar. 
        Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku eshte kryetare e “Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise” – Dega Kukes.



Ka botuar librat:

  1. "Shiu i fundit", 
  2. "Nënqeshja e ëmbël", 
  3. "Në akuj digjem", 
  4. “U jepem udhëve" , 
  5. “Qielli I shpirtit tim”, 
  6. “Vese shpirti” dhe 
  7. “Lirikat e Pikellimes



Poezi nga Vera Istrefaj


DIMRI

Dimri
përqafoi fuqishëm
brishtësinë e supeve

Peshë e bardhësisë
rëndueshëm
ngrin vështrimet

Pas hapave nëpër qytet
mbetet heshtja,
heshtje  që klith
ngricave të shpirtit

Tutje në horizont
ngrirë shpresa

Degëve të blirëve
hallet nxijnë




ABSTRAKSION

Tutje darë e mendimit,
librin e ëndërrave
mos ma shfleto!

S’po i gjej dot një varr
trishtimit





IMAZH

Mbi liqe
ngrica e zezë zuri vend

U terruan shpresat

Dridhet zemra
si gjethe vjeshte
furtunave të shpirtit

Po fundosen ëndërrat




Ç`TRISHTIM

Kjo mjergull
si mjekra e plakut të moçëm
na është varur shpirtit

Na i ftohu ëndërrat
e na njomi trishtimin

Në dhimbje eshtrash
shtriqet kjo mjergull,
mjegullon vështrimin

ç`trishtim





SHPRESË

Buzëqeshjes
mos ia mbyll derën

Lëre të dritojë
nëpër shpresë

Mbi trishtim lëre,
si lule me vesë



KUJTIME

Mbi tym mendimi
nje tufe dëborë
flokëve si kurorë

Deshpërimit
noton zemra

E në shpirt mbeten
gjurmë të paemra




VJESHTË NË SHPIRT

I kanë ikur gjethet 
pemës së shpresës

Lulja zhuritur
mungesës  së vesës

Nisur në udhëtim
vjeshta e vonë,
shpirtit  të trazuar




FLATRA NË FJALË

Le t’i nisin fjalët
pranga për to s’kam

Po më rimon shpirti
si ky shi mbi xham

Vargu flutron
petal më petal

Me rrezet e shpirtit
ngrohur  e kam
e udhëtimin e tij
asgjë s’e ndal




Ç`TI  JAP  ETJES?

Shpirti,
kjo letër ku dhembja shkruan

Zemrës
i jep flatra veç gëzimi

Nga mendimi
truri vuan

Më pushton trishtimi

Ç`ti jap etjes?




AKULLI I KOHËS

Në skërmitje dhëmbësh
akulli i kohës
më mundon,
e zjarri i zemrës,  bubulak
shkrumbon

Sa pak kërkoj nga jeta,
sa pak!

E s`më ofron
asgjë




KRISTAL NË SY

Më mbetën sytë 
drejt derës

Pres të më vish
si syth i pranverës

Mureve të zemrës
përplaset etja për ty

E portreti yt,
kristal në sy,
imazh 




NË PRANVERËN E SHPIRTIT

Livadhet e ndjenjave
më  blerojnë
çdo pranverë

Pas cdo dimri
zemra me çel

E pranvera e  hershme
bleron shpirtit

Si një kopësht me lule
ku dehemi ne të dy




VALË ZEMRE

Këngë e pakënduar
valë e zemrës time

Në pentagram
dridhjet e shpirtit

Kujtimet
vallëzojnë trazirave

Nostalgjia,
ra mbi zbrazëtinë
e etjes sime




IMAZH NË IKJE

Pendë të argjendta
zogjtë e shpirtit

Edhe kalimin dembel
nga teli në tel

Gjalica rëndon
nën të bardhin mantel

Dimri po rrëshqet
duke mbretëruar
nën këmbë tona




ACAR

Kjo vjeshtë
la gjurmë në shpirtin tim

Etjen
nuk ma shoi
shija frutore

E tani,
etjen ma ngriu në buzë
një flokëz dëbore

Një putje e acartë
ngriu qiellit, 
puthje e kristaltë




KRAHASIM

Stinën e mjergullës
të gjatë e pati ky vit,
mjaft të gjatë

E ftohtësinë
lak në fyt.

Tymnajë
në kokat e njerëzve,
tymnajë.

Ç`ti japim qiellit
në këtë etje shekulli?

Përpëlitet etja
në funde oqeanore, 
e tymnaja jonë
na tërheq për dore.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen