Akademik Besim Bokshi |
Besim Bokshi, gjuhëtar, profesor e akademik, lindi në Gjakovë më 12 nëntor 1930 dhe vdiq po aty më 16 gusht 2014. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë "Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes" në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Besim Bokshi ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm.
Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Besim Bokshi ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Kurse, më 2002 është zgjodhur nënkryetar i Akademisë.
U nda nga jeta, me 16 gusht 2014. /Wikipedia/
Poezi nga Besim Bokshi
PRITJA
Kam pritur - si shkëmbi,
si ylli skaj horizontit - në pikëllim,
vite me radhë...
Larg jam,
aty ku puthen jeta dhe vdekja -
aty i përtyp ditet e mia të gastarta...
Kur të vijë,
ndoshta do të më gjejë të mplakur
e s'do të mund të qesh si flladi i pranverës
Të vdes - nga gëzimi,
do të mundem!
LUMI I THELLË
Rrëshqet ngadalë drejt detit të pafund
me gurgullimë të mbytur
si zë i shterrur i mordjes.
-Është lutje e moçme për një katarakt
pëshpëritin të trandurat fusha për anë.
Lart, në majet e veta yjet qeshin e luhaten.
ËNDRRAT E MIA S'FLUTUROJNË MË
Po më doli deti përpara
nga t’ia mbaj
Po më doli bora
gjurmët ku t’i fsheh
Vetëm shpezët e egra shpëtojnë
Ulërima po afrohet
Ëndrrat e mia s’fluturojnë më
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen