F A Q E T

Mittwoch, 20. März 2019

Vaid Hyzoti: Ikim, biri im !

Vaid Hyzoti

Ikim, biri im!

1. 
Duhet të nisemi sa më parë
Në një rrugë pa kthim.
S’ka vend për ty këtu, biri im!
S’ka rënë shi, por toka është e butë,
Ne na duket se është dhé i hedhur.
Themelitë nuk po na zënë,
Çdo çast mund t’ia behin rrufetë.
Biri im, jemi të përndjekur!

2.
Shkuan rend vitet si tespihe
Edhe ti, sa shpejt u rrite!
Shih babain: i kanë rënë flokët,
Si një gruaje me kancerin e gjirit!
Ti tmerrohesh të më shohësh dorën:
Thonjtë?
M’i morën, bir, për kullat e fildishit,
Të ngrenë kështjella disney të rreme,
Kështjella kartoni marramendëse
Që ne t’i thamë sa ishe i vogël.
Na fal, bir, për ëndrrat e kota,
Që të “gatoi” babi, mami, motra!

3.
Po prapë je i vogël, ndaj s’të duan këtu,
S’ka vend për ty, se ende ke prindër.
S’të veshin dot për Irak kapotën,
Prindërit aq keq e flasin anglishten.
S’je ende gati për kostum për të rritur.
Kostumet që priten në rrobaqepësitë ushtarake,
Je ende i mitur të të varin zinxhirin
Si medalion në kakinë kollare!

4.
Të morëm në gjyq – ti vetëm 5 vjeç!
Gjyqtaren zezake e sjell ndër mend?
Të pyeti për emrin, të pyeti për moshën.
Të vështirë e kish
Të shqiptonte emrin tënd.
Të pyeti në të pëlqente këtu.
Pse serioz i the një “No” të thatë?
Të trembi zezakja me ryben e zezë,
Apo prisje të kishte lodra në gjykatë?
Si e parandjeve
Vendimin e zi që do marrë?!
Të morëm në gjyq për të pagëzuar:
Atje për ne ishte kisha e parë.
Të morëm.
Kuptove që këtu s’të duan.
Më fal, biri im, ke baba të marrë!

5.
Si të bëjmë me dhomën tënde të gjumit,
Pse ngulmon ta marrim me vete.
T’ia falim ndonjë të gënjyeri si ne,
Të paguaj avokatët e gënjeshtrave
Të tmerrshme!
Ti prapë ngulmon për lodrat e shumta.
Sigurisht, dikujt tjetër t’ia lëmë përsëri!
Përndryshe dënimin do ta kemi të rëndë
Veç pse të gënjyem për të tillë fëmijëri!
Ne t’i blemë lodrat, bir, t’i blemë,
Amerika t’i mori. Por ti mos shaj,
Se të hidhen në grykë, të vrasin, të urrejnë.
Fali shqiptarët, bir, nuk kanë faj
Se janë si ne dikur, me ëndrra, me shpresë;
Pa ditur akoma – ah ëndërr e pabesë!
Fali prindërit që me lodrat vetëm të lanë,
Mos shto dhimbje për nënën dhe babanë!
Na duhej, bir, të punonim aq gjatë
Dhe ty të burgosur të linim në shtëpi!
Se mbete jetim me prindër të gjallë,
U rrite pa dhele, pa fëmijëri!

6.
Do të ikim, bir, se ku s’e dimë akoma.
E ç’të duhen lodrat, librat, dhoma,
Kur babin sapo të dalim përjashta
Një polic pa grada mundet t’i vërë pranga!
Mund të jetë kinez, italian, çifut, spanjoll,
Polak çubardhë, ose sykuq mongol,
Hundëpipë nga Xhamajka, a dreqi e di se ku,
Ka urdhër që të huajt mos t’i lërë këtu.

7.
Si thua, bir, a shkojmë nga erdhëm?
Ikim atje ku emrin ta dinë,
Të takosh gjyshen nga nëna,
Se edhe babi është përvëluar nga malli
Për prindërit e tij që jetojnë në varreza.
Se i dënova sa ishin të gjallë:
Të çova larg, përkëdhelje s’të dhanë.
E prapë ne do të kërkojmë falje
Derisa të kuptosh ç’do të thotë gjyshe,
Mami fshehtas do të fshehë lotin
Se do t’i duhet të punojë “përkthyese”.
S’pati kohë, bir, të rrinte me ty gjatë,
Punonim për taksa, avokatë.
Po kemi frikë se edhe atje do të trembesh,
Bombat e Gërdecit shpërthejnë çdo ditë.
Ndonëse s’do shohësh gjyqtare të zezë
Që të “pandehur” të marrë fëmijtë,
Se në vendin tonë të gjithë janë njësoj,
“Të pandehur” janë të rriturit dhe fëmijtë.
(Sa të rritesh, bir, të kuptosh nga qeveritë.)

8.
E di që malli mundet të të marrë
Për përrallat që babi i kthente në vjersha.
Për Edenin, mitin e rrallë,
Që fëmijërisë sate i gjeta...
Për Manhatanin që qiellin ka ombrellë,
Statujën e Lirisë me farin e ngritur.
Besomë mua: janë prej kartoni,
Tullumbace në qiellin e verës.
Ne t’i zgjodhëm (sa rëndë gabuam)
Të të mbushnin fëmijërinë e ëndrrës...

9.
S’pate fat për baba, more bir.
Nuk ke faj, fatin ta jep jeta.
Babin nuk e duan këtu,
Se ai flet dhe shkruan të vërteta.
Babi s’di të bindë me gënjeshtra
Dhe së zezës nuk i thotë e bardhë.
S’di pse emrin ende s’e ka ndërruar;
Mbetet i pagëzuar, mysliman!
Është shqiptar, nuk është sicilian,
Madje s’hyn anëtar i Kubesë.
S’është sheik, nuk është arabian
Që së paku të kish naftë të shesë!

Gjithsesi, ne duhet të ikim,
Jemi të huaj, pa emër këtu.
Për ty, biri im, ne harrrojmë vetveten,
Veç na trego udhën.
Të ikim,
Po ku?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen