F A Q E T

Donnerstag, 27. August 2020

Ajne Ibërhysaj

Ajne Ibërhysaj

Ajne (Selman) Ibërhysaj, ka  lindur  më 17 nëntor 1973 në Deçan. Ajo ka studjuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan-Shqipëri, dega Bio-Kimi e Përgjithshme. Në kolegjin “Victory”, Prishtinë ka studjuar programin studimor bachelor dhe master “Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci” ku e mori gradën Master i Arteve për Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Në komunën e Deçanit mbanë pozitën e punës, Inspektore e Mjedisit.
 
Veprat:
  • “Dita e gështenjës”, SHP “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020    
  • “Do vij me hijen e erës”. “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020 


Poezi nga Ajne Ibërhysaj


TEMPULL LOTI 

Lufton ta njohësh shpirtin 
Sa herë veten e ndëshkon 
E qorton. 

Harron edhe si të dashurosh 
Ndonjëherë vetveten nuk e kupton 
Si e marrë vazhdon të shtegtosh 
Çdo rrugë e ndërton me pika vese 

Shpirt 
Tempulli i lotit 
Sa i fortë bëhet brenda teje



ËNDRRAT T’I TRAZOJ 

Më pëlqen ta përqafoj thellësinë e shpirtit 
T’i trazoj ëndrrat e vetminë tënde 

Kam dëshirë më shumë se dëshirë 
Te të përqafoj 
Derisa mungesën time të mos e ndjesh 
E harrimi mos të ketë vend 
Më pëlqen heshtjen e përqafimit tënd ta shtrëngoj 
Kur të jam larg teje 
Në çdo vegim dite 
Me drithërima te të zgjoj 

Më pëlqen te të përqafoj 
E ritmin e mëkatit ta përjetosh 
Deri sa të dalin fluturat nga ashti 

Më pëlqen te të përqafoj 
Derisa flaka e përqafimit tim 
T’i kallë krahët për të shtegtuar... 



TI JE VALS, REBEL I SHPIRTIT... 

I dashur 
Nëse një dite vi tek ti 
Ma puth lotin mbi qerpik 
Ma shtrëngo dorën në faqe 
Syrit m’i dhuro filiz pranvere 
Miqësohu edhe ti me borën 
E në atë ditë 
Kujtimet do vallëzojnë 
Me valsin e jetës 
Atëherë zjarri do ketë pushuar 
Unë do vi me hijen erës 
Lehtas do shkel mbi gjethe fjale 
Mos u friko 
Nuk të trazoj as nuk t’i zgjoi ëndrrat 
Edhe yjet në qiell të qetë do i le 

Unë do te vi tek Ti 
Me puhizën e detit 
E me rrezen e mëngjesit do shtegtoj 
Atëherë 
Të gjitha trazimet do i merr qielli 
I dashur 
Ti je vals, rebel i shpirtit...



TI, JETA IME... 

Ditët sikur tokës i bien grusht 
Kufijtë e dashurisë janë brenda nesh 
Puthjet e ngrohin edhe humnerën e ligë 
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike 
Në çdo frymëmarrje marr ajrin tuaj 
Edhe buzëqeshjes i japë ngjyrë 
Mes librave e kall veten 
E gjej edhe shpresën 
Jam aty buzë errësirës e dritë më ke 
Me durim i kap ditët 
I nënvizoj me gishtat e dorës 
Si ushtari i një armate pambarim 
Më mban një qëllim 
Ka një diell ku prehet dashuria 
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike 
Unë jam destinacioni 
Ti je kufiri  
Unë jam ëndrra 
Ti je drita 
E gjithë bota çfarë ka brenda 
Është një pikë loti e shprese 
Unë e Ti 
Jemi vetëm një frymëmarrje 
Jeta ime 
Të puth deri në amshim 

(13 mars 2020)



BALADA E POETIT 

Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin 
Çdo varg e bekon me lotin e diellit 
Me hire apo pa hire kryqëzohen fatet 
Me ferrin jeton e njeriut i dhuron parajsën 

Thonë se kur poetit i buzëqeshë fytyra 
Mbretërit grinden e ai qëndisë vargje 
Shpirti i rebelohet e Zotit i dhuron vetminë 

Pse hyjnitë lotojnë kur dashurojnë 
Pse engjëjt qajnë kur mbretërit kurorëzohen 
Pse dashuritë e mëdha 
Sikur shuhen në rrezen e parë të ditës 
Pse djajtë errësojnë diellin 
E tentojnë të bëhen yje 

Balada e poetit e ka frymën e secilit njeri 
Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë 
Çdo shkronjë e brumos me frymën e gjakut 
Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku 
Acari ia lëndon damaret e zogjtë e shoqërojnë 
Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i qan 
Dhimbjet i bën peizazh dashurie 
Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë perëndie 

Edhe shiu kur bie 
Poetit shndërrohet në lumë 
Deti i dhuron shpresat e lumturisë 
Mali e thekë me mall 
Por është edhe i mërzitur 
Se koha ikën e vitet i plagosin engjëjt 
Shekujt nuk kanë zë e koha rrjedhë si lumë 
Por kot nuk kanë thënë 
Se poet lindë e nuk bëhesh 

Edhe bora kur bie poetit sikur i flet: 
Guri ta ngrohë syrin e toka e huaj vdekjen 
E hidhësia e fjalës ia ç’ekuilibron shpirtin 
Ngushëllohet me muret e yjet ia ndien dhimbjet 
Nga shpirti i buron fjala 
E në tokë i mbëltohet si gravitet dashurie 
Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin 
Kjo baladë e vargut apo e poetit pelegrin jete 

13 prill 2020



SIKUR DIELLI E KA RISKUN E SHPËTIMIT

Në fushën e vetmisë shuan dëshpërimin 
Ditët i mbështjelli me fragmente jete 
Godet shpirtin me copëza vale
E trishtë dita si peng vjen nata 
Nga gjithçka që ke
Ngjan me qelqin e kristaltë 

Dielli sikur e ka riskun e shpëtimtarit 
Nga laborator doli një zë përbindësh 
E pushtoi botën me egon e virusit 
Nga degët ranë edhe lulet e mollës 
Ditët u shkrin e u ngatërruan stinët 

Teatri hapi dyert e aktorët qeshën 
Toka e Renesancës me partitura loti 
Bota ndryshoi peizazhin e zemrës 
Ëndrra shtetesh u thyen si pasqyrë 
Simfoni kumbuese jete a vdekje 
Përballë ke dy fronte 
Panik e mesazhe shprese

Dielli i marsit kallë shpirtin e ndalë vrullin 
Lidh traktat me veten e rri në shtëpi 
Heshtje e zbrazëti 
Dëgjon aty këtu ndonjë zë zogu mekur 
Mos valle edhe këta 
I ka kapluar kjo pandemi 

Heshtja flet me vargun e murit 
Kalkulime e arritjesh ranë e fjetën 
Mbretëreshë kohe e kurorë jete 
Higjiena e duarve klithmë e vetme 

Sa shumë veten e paskemi gënjyer 
Shpresa nuk ka kujtesë por vetëm lutje 
Sa çudi edhe shekujt ranë në ujdi 
Sa larg e afër e ndiej shijen e mesjetës 
E shenjtë fjalë capitet me frymën e vargut 
Më vret shpirtin e thyhet si qelq 
Në atë diell e shoh riskun e shpresës 
U kryqëzua jeta me hire apo rastësi 
Me ecejaket e dhimbjeve të mesjetës ... 

(24 mars 2020)



SA PAK TË NJOHA ITAKA IME 


Çdo ditë ikën 
Me fytyrën e trishtë 
Me ndërgjegje të thyer 
Ike 
Kthehesh 
Gurët e ftohtë 
Të presin 

Në sy sheh 
Ekspozitë vrastare 
E vizatuar rëndë 
Me vragë shpirti e loti 
Godet thellë e zë nuk ka 
Ikën e flaket me shpresën

Nuk di si ta ngushëlloj zemrën 
As ditë si ta nisë 
Të eci tutje 
Ta braktisë Itakën 
Ta harroj premtimin 
Brengën e pendimin 
T’i marr me vete 
Ta përqafoj Itakën 
Lotin ta lë në galerinë e faqes 
Lehtas t’i përkundë 
Mëngjeset e rinisë 
Me vaje fëmijësh 
Mbrëmjen 
Ta qëndis me rreze ambri 

Nuk di me çka ta mbush mendjen 
Shirat e gjetheve 
Shpesh qajnë me lotin 
Vjeshta ka zënë vend 
E dimrat i ngrohim 
Me pika vese 
Fjalët thyejnë dhembet 
Përqafohen e ndeshen 
Vriten me ndërgjegjen

Nuk e di çka t’i them jetës 
Ëndrrat mbeten si kurorë perlash 
Kupën e dashurisë 
E deha me shpresën 
Rrugët i mbusha 
Me gjerdan lotësh 
Itaka shijoj dashurinë 

Shtegtojmë 
E gjithnjë mbesim të uritur 
Sa pak të njoha 
Itaka ime 
Sa pak ma njohe shpirtin...




NËNË 

Nënë 
Në krahët e tu 
Qetësinë e shpirtit e ndjeva 
Në sytë e tu pashë diellin 
Në prehrin tënd kokën pushova 
Edhe tash e ndjej fjalën 
U rritsh si kokrra e melit 

Nënë 
Kam aq mall për fjalën tënde 
Lotët trupin ma drithërojnë 
E kujtimet ma çmallin shpirtin 

Nënë 
Në çdo frymëmarrje të ndjej 
Më pushton e mbështjellë një zjarr 
Dielli m’i kallë gjethet e pranverës 

Ditët më ikin si zogjtë e vjeshtës

Mittwoch, 8. April 2020

Mimoza Leskaj

Mimoza Leskaj

Mimoza Leskaj ka lindur në Shijak në prill të vitit 1967. Gjatë viteve 1980 - 1985 ndoqi mësimet në gjimnazin e Shijakut, për të vazhduar mëpastaj studimet me korrespondencë në Universitetin Ekonomik të Tiranës, dega e Bisnesit, të cilin e përfundoj në vitin 1995.
Jeton në Pescara të Italisë.

Veprat:
  • "Flas me heshtjen", poezi
  • "Dashuri me ngjyra vjeshte", poezi
  • "Pyeta retë", poezi
  • "Kronikë e në dashurie të përjetshme", tregime
  • "Njëmijë e një trokitje zemre", poezi
  • "Me dritën e shpirtit", poezi në gjuhën rumune
  • "Katër polet e poezisë", poezi 



Poezi nga Mimoza Leskaj


Dëborë e heshtur!

Erdhe dhe ike si një mysafir e nxituar
Në kohë të turbullt rrethuar heshtjes
Fjollat m'u tretën shumë shpejt ndër duar
Një kollë e thatë u ngjit drejt reve.

Një vello e hollë dhe delikate
Mbeti pishave si kujtim
E mbyllur bota e tërë në halle
Mbi buzë të thara dridhet një hidhërim.

Ç'dreqin pate që shkrive kaq shpejt
Të dëshiruam një dimër të tërë
Trokite heshtur këtë pranverë
Dhe vetë ajo u ftoh nën këmbë.

Erdhe dhe ike sa një e rrufitur kafeje
Shijuam çastin në kohë kolerë
Bota ka njohur shumë qef mbetje
Por nuk mban mend si kësaj herë.



Pak rregull

Kam nevojë për pak rregull
Pak nga ai rregulli që ndan shapin nga sheqeri, 
(siç thotë një fjalë e urtë)
T'i vë fre trishtimit, ta ndaj në pjesë
Ca t'i, ca unë, ca të hedhura diku.

Edhe pranvera dashka ndarë,
I duhen vënë rregulla të forta
Ç'dreq ndodhi kështu?
S'di ku të vësh rregull më parë.
E patëm të trashëguar, apo ne të njerëzishmit,
deshëm dhe i vramë?

Po lëngoj për pak rregull,
Nuk është hera e parë që më ndodh
Ndodh qëkurse u këput kërthiza prej barkut të nënës,
Dhe kjo ka ndodhur, shuuumë kohë!



Kur ngjallen xhindët!

Covid 19-të Coronë (quaje si të duash)
Nga mbive e dole si xhind i tërbuar?
Të dinim një hiç, qeshëm si një grip i thjeshtë
Një botë të tërë muresh ke ngujuar.

Kalendari nuk qëndron më varur në mur
E ç'më duhet t'a shoh kur ditët po vdesin?!
Është mbledhur dhe dhimbja, është bërë gur
Njerëzia trishtë ka ndalur gjithë ecjen.

Zihem e grihem dhe me veten time
Ç'të bëj me orët pas lëngut të kafesë?
Në një botë memece të mbushur plot krime
Nis numëroj ditët vetëm me përtesë.

Ç'më duhet ora që bën tik - tak e varur
Kur varur është jeta dhe s' kam ku nxitoj?
Xhindet nga një dorë të gjithë qënkan ngjallur
E valles mbi njerëz ja kanë marë në tokë.

Botë e sëmurë që çalon e lodhur
Vjetëruar nga luftërat, e frikur nga ethet
Një ditë kur xhindet të ikin gjoja " ndrojtur"
Lakuriq do ndjehesh, si një pemë pa gjethe!



Dhe sorrat gëzojnë lirinë!

Dëgjoj sorrat tek përkëdhelen erës të kësaj pranvere të çuditshme
Ndërsa shoh të vetmen palmë që kam, të zhurmojë
Ndiej njëlloj sensazioni, sikur dikush po më mbyt
E unë mbledh supet nga vetmia, mërzitshëm, si pa gojë.

Njeriu në këto kohë, si druri që digjet në oxhak
Kërcet gishtat me nervozizëm të panjohur
Ditë pranvere ndryshe në zë kukumjaçkash dhe sorrash
Të vetmet zhurma kohe, që ndihen jashtë.

Virus që mblidhet e mblidhet në grykë ku duhet të zgjedhësh orët e tua, trashur
Veshur me pushtet vrasës, lidhur, trembur
Veshur rëndë në shpatulla, e gjysëm këmbëve zbathur.

Pranverë sorrash do thosha, e s'di të them asgjë.
Veç presim kohën të shkojë.
Ndërkohë, sorrat gëzojnë lirinë!

Samstag, 11. Januar 2020

Entela Tabaku

Entela Tabaku

Letrarja Entela Tabaku ka lindur në vitin 1971 në Shkodër. Ajo ka PhD në gjuhësi nga Universiteti i Stokholmit dhe mban katedrën e gjuhës shqipe në Uppsala të Suedisë. Ka botuar tri përmbledhje me poezi: “50 poezi dhe 5 intermexo” 1996, “Nje grusht jetë sa me vdekë” 2016, “poemat e hueja” 2017 si dhe „Enciklopedia e mërgimit“, libër poetik i shkruar së bashku me poetin Shqiptar Osekun.


Poezi nga Entela Tabaku


kjo gjuhë

kjo gjuhë që më rrin në buzë kështu
duket si me qenë e pikturueme me laps
shenjë që mund lahet pa frikë
duket si me qenë një nishan bukurie
a qukë lozanjare
ma së keqi tumor i padamshëm
që mund çahet pa frikë
duket
por asht çiban
kancer
kurrë ma nuk mundem me e heqë 
pa vdekë
kurrë ma nuk mund shpëtoj 
prej saj
kurrë nuk më bahet lëkurë
edhe pse mundem me u rrejtë 
me rrejtë
unë kurrë e saja
ajo kurrë e jemja



përpara skuadrës së pushkatimit

 pa perde
 maska
 mbaj-të-se
 pa roje
 garda
 trup-ro-je
 pa mure 
 tela
 gar-dhish-te
 pa kufij
 caqe
 si-no-rë
 pa shtirje
detyrime 
shtrën-gi-me
 çka mbetet
 a mbetet
 etet
 t
 t t t t t t t t t t t t
 t t t t t t t t t t t t
 t t t t t t t t t t t t



shtat zanë

jam shtat zanë
jo me fëmijë 
që ngihet me gjakun tem
dhe forcon botën me pakimin tem të paqtë
jam shtat zanë me cepa
thika të mprehta
tehe me helm
sa herë lëviz 
më shpërthejnë vrimash
vringëllueshëm
dhe unë nuk e di kush gjakon



quasimodiane

secili me qiellzë të vet 
i rrin shijes si me qenë qiellza e tjetrit
përplas gjuhën 
mbush gojën me pështymë
dhe rrin në iluzionin se e din
si i shijon tjetrit
si ia rrudh faqen përbrenda e hidhuna
si ia zbut fytin e ambla
si ia rrëshket grykës e athta
secili rreket me tregu të patregueshmen
të vërtetën e pikëllueshme
se secili rrin vetëm
në qiellzë të vet
dhe as mbramja nuk bjen



dy shtigje

i shoh dy shtigjet
teksa shkojnë paralel
e shoh vedin që shkon
duke mbledhë manaferra të egra 
si zog që ka me vuejtë unit
në dimnin e gjatë
duke kërcy mbi pellgje 
lepur i trembun që kujton 
se uji asht armiku ma i madh
duke kërku këpurdhat që i fshehen synit
vetëm pse don me e provu 
se ua din praninë

nga mbrapa asht i njëjti person
që shkon në dy shtigje paralele
por unë e di se janë dy
e di në cilin shteg
manaferrat e lepujt e këpurdhat
s’janë veçse dekor absurd
i një pylli pa ngjyra
dhe në cilin shteg
janë
jeta që shkon nëpër mu




ajo çka na mban gjallë 

ajo çka na mban gjallë
zemër
nuk asht ajri
edhe pse jetën e kena të lidhun për frymë
nuk asht uji
edhe pse frymën e kena të lidhun për langje
nuk asht buka
edhe pse langjet i kena të lidhuna për mish
nuk asht dashunia
edhe pse mishin e kena të lidhun për shpirt
nuk asht frika
edhe pse shpirtin e kena të lidhun për vdekje
ajo çka më mban gjallë, zemër
asht ideja 
se fryma dhe langjet dhe mishi dhe shpirti dhe vdekja
janë shumë ma shumë
se kjo gru që kundron si bjen bora pa pra
me ballin e mbështetun në xhamin e ftohtë
të telefonit që nuk bjen




faji i përrallave

ndoshta krejt fajin e kanë përrallat
 na e përkëdhelin mendjen herët
 me përfytyrime dashurish pa kushte 
 që braktisin gjithshka për ty
 dhe të mbartin mbi supe në rrugë me baltë
 dashurish të gjithëpushtetshme 
 që ta bajnë rrugën dritë
 dhe nuk japin frymë në terr
 përfytyrime që nuk i njohim
 se kurrë nuk i ndeshim fytyrë më fytyrë
 veç i përndjekim 
 mbas shpine
 mandej ua rrëfejmë të lodhun fëmijëve 
 brez mbas brezi
 pse s'na mbetet tjetër në fund
 veçse përrallat
 me mbret



fjalët na i emërtojnë ndjenjat 

fjalët na i emërtojnë ndjenjat 
me domethanie të kufizueme në brazda të hapuna 
prej tjetërkujt
përgjatë gardhesh të ngrituna
prej tjetërkujt
athu se frika asht veç frikë
dhe nuk asht joshje
a tundim
athu se shpresa asht veç shpresë
dhe nuk asht ankth
a përcëllim
dhe unë që ta du praninë si e marrë
athu edhe nuk du me t’u ruejtë
se mos më përpin 
po ku asht fjala për këtë ndjenjë
ku asht brazda
gardhi
këtë radhë



bota e mat kohën 

bota e mat kohën me rrahje akrepësh të mbyllun për sahatë
 me çelje sythesh të shtrëngueme për stinë
 me vërvitje planetesh të lidhuna për diell
 dhe i dëshpërohet ikjes
 kalimit
 mbarimit
  
 unë e ti e dimë se bota rreket kot
 koha matet për ne të dy
 fillon në çdo puthje
 ndalet për çdo përkëdhelje
 zgjatet varg më varg
 dhe nuk mbaron 
 sa jemi bashkë

 a t’ia tregojmë edhe botës?



ndërrimi i viteve 

 koha nuk ndërron
 ti e din
 nuk ka si ndërrohet
 nuk asht se stiva e viteve mbas deret 
 i ka të vjetrit përposhtë
 dhe të rinjtë përsipër
 koha nuk ndërron tesha
 shkon gjithmonë me fustanin bojëqiell 
 që mama ta qepi dikur me dorë
 koha nuk ka si këmbehet
 me jep pak dashuni
 me të dhanë pak shpresë
 se koha të don vetëm ty 
 dhe as nuk zëvendësohet
 lamtumirë vit i vjetër
 mirësevjen i riu
 se e vjetra asht e reja e përditshme
 koha asht në ty e pandërrueshme
 e vetmja që ndërron je ti
 ndërron mendje
 kangë
 ritëm
 dhe bahesh gati
 për festë

dhjetor 2017

___________
Për "Ora Shqiptare", Sadik Krasniqi