F A Q E T

Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (1)

Anekdotat, këto thënie të mençura, këto tregime të shkurtra shpotitëse e satirike, përmes së cilave interpretohen dukurit e ndryshme shoqërore, ndodhi të personaliteteve të njohura etj., japin një pasqyrim metaforik por edhe alegorik të realitetit tonë me të cilinë përballemi çdo ditë.
            Këto tregime të zgjuara, që ishin karakteristik komunikimi tek shumë popuj ballkanas në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezent, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohorë), arrijnë që përmes mesazheve të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., por duke mos lënë pa atakuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj.
            Shkathtësia e këtij komunikimi të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe roli si mburojë a si shtizë ndaj kundërshtarit, i kanë siguruar anekdotave, por edhe aforizmave, fjalëve të urta etj. një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe një jetë të gjallë e aktive, me një humor të hollë e satirë therëse, edhe sot e kësaj dite.
 
            Pjesa dërmuese e anekdotave që janë të vendosura më poshtë  janëmarra nga librat: “Anekdota 1 dhe 2” i botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës,  dhe “Tregime shqiptare” shkruar nga   Daut Demakut .
 
 
 
            SHQIPTARËT JAN SI SHQIPET
 
            Në një ndejë në Mal të Zi, Mark Milnai i thotë Ali pashë Gucisë:
            - Ju shqiptarët jini sikur dhitë e egra. A i ke parë dhitë e egra, njëra në atë rrëpirë, tjetra në rrëpirën përball thërasin e bërtasin se nuk u rrihet vetëm, por kur bëhën bashkë, të parën punë që bëjnë, godasin njëra-tjetrën në lule të ballit, veç në këmbë të prapme për të bërë belanë...
            Ali pashë Gucia buzëqeshi e tha:
            - E more Mark Milani, sa di unë, edhe ti prejardhjen  e ke shqiptare, por pasi u bërë malazez  “të koftë me sherr kombi i ri...” E për dhitë e egra, po them, e ke gabim!
            - Pse e kam gabim?
            - Sepse shqiptarët nuk janë sikur dhitë e egra, por janë shqiponja. I ke parë buburrecat? Ata janë të vegjël, qyqar, rrinë bashkë e punojnë bashkë se vetëm nuk ua mban dhe s’ia dalin dot. E shqiptarët sillen sikur shqiponjat. I ke parë shqiponjat në  fluturim, i bien qiellit trup e tërthor e askënd se mbajnë afër vetes, sepse ato janë sundimtare të plota të qiellit e nuk ia kanë nevojën kujt për ndihmë.
            - Hollë ke qitur Ali pashë Gucia!...
            - Jo,  s’thashë gjë të re, o Mark Milani! Shqiptarët prej shqipeve e kanë marrë  emrin, e mjerë ata që s’kanë ndenjur me shqipe, po janë bërë bashkë me buburrecat!
 
 
            NJË PITE TË KEQE PËR MYSAFIRIN E MIRË!
 
            Një natë dimri Ramadan Shabani shkon mysafir te Xhemajl Abria.
            Te dy pleqnar të njohur që i kishte Kosova.
            Të gëzuar për takimin, te dy pleqtë në kullë harrohen në bisedë.
            Dikur, nëna e Xhemajlit, që e dinte se në kullë është një mysafir i mirë, shkon dhe troket në derë.
   Del Xhemajli në der të kullës:
-         Hë nënë, ç’e mirë të solli këtu?
-         Më thanë se të ka ardhë një mysafirë i mirë bre loke?!
-         Po, bre nënë, pasha zotin, mysafirë më të mirë kjo kullë nuk pret!
-         Ani lokes, çka po ta do zemra të të gatuaj nana për darkë? I kemi, shyqyr zotit tana të mirat e, për mysafirin e mirë - diçka ma të mirë!
-         Gatuaja nënë një pite të keqe!
-         Qysh loke, pite të keqe për mysafirin e mirë?
-         Oj nënë, ruaje bulmetin për llaskuçë që vijë për bark, ata ta marrin për gojë konakun, se ky ka ardhur për llaf e muhabet - tybe e treqind tybe as mendja nuk i shkon se çka i qet në sofër!...
 
 
 
            THES PËR SHTROJË, THE PËR MBUOJË
 
            I kishte pasë zënë nata dy vetë në mal. U afruan pranë një lisi she u bënë gati për të fjetur.
            Njëri po i thotë tjetrit:
-         A po t’merr gjumi?
-         Pak, besa!
-         E çka ke shtru?
-         Thes.
-         E me çka je mlu?
-         Me thes.
-         Ama bre, nja!
-         S’kam valla se jam hi në ta!
 
 
            LIVADHET E SHTRENJTA
 
            Takohen në Fushë-Krujë Ismail Qemali dhe Ali pashë Gucia.
            Ali pashë Gucia u ndal e po i sheh livadhet e bujshme, tërë rrafshinën e pëlleshme të Fushë-Krujës.
-         A thua, more zotëri Ismail, këto livadhe kaq të mira e të buta, a janë të shtrenjta? - foli Ali pashë Gucia.
-         Shumë të shtrenjta janë! - u përgjigj Ismail Qemali.
-         Çka ta merr mendja, sa teneqe flori bëjnë?
-         Eh, more Ali pashë Gucia, këto livadhe të buta e të mira e kanë vlerën e lartë, rrafsh sa një grua!
-         Sa një grua, po unë në malësi...?!
-         Jo Ali pashë, jo ashtu qysh po mendon ti. Këto livadhe të buta e të shtrenjta e kanë vlerën sa një grua e mirë, bujare e fisnike si ajo që ka lind një Ali pashë Guci!
 
 
            RASHË QË RASHË, PO JU QES EDHE GJOVE
 
            Në një fshat të malësisë së Opojes, si në shumë vende tjera të Kosovës, shkaku varfërisë, njerëzit banonin nën një çati me kafshët shtëpiake. Poshtë ahuri, lartë dhomat banuese.
            Një natë, një fshatarë duke fjetur sipër ahurit, pasi dërrasat që ndanin këto dy pjesë ishin vjetruar dhe kalbur, bie brenda në të.
            Fshatari i habitur, herë shikonte vrimën sipër nga kishte ra e herë vështronte gjënë në ahur.
            Pasi u kthjell pak, po thotë vet me vete: “Rashë që rashë, po ju qes edhe gjove...”
 
 
            QË KA ME HËNGËR DREQI E KOM DITUN, POR...
 
            Një nuse e re, diku në dukagjin, kish pas qëllua me një vjehërr shumë të keqe. Vjehrra ishte shumë shpirtzezë, sa nuk ja linte nuses askund vendin. Por, nusja kish pas qëllua e familjes fisnike, dhe e duronte gjithë atë trysni.
            Një ditë nusja shkon në gjini.
            Pas nja dy ditësh po vjen i shoqi e po i thotë:
-         Qohu moj grue se duhet me u kthye n’shpi!
-         Hajr na koftë, çka paska ba vaki?
-         Ashtë djege shpia. Mrena ka qellu nëna e asht djeg bash me të!
Nusja pe luan kokën e po thotë:
-         Që ka me hëngër dreqi një ditë e kam ditun, por që ka me hëngër t’pjekun, s’ma ka marr mendja!
 
 
            DIKUJT FTOHTË E DIKUJT NXEHTË
 
            Në një odë malësorësh të Rugovës, ku nga skamja e varfëria, ishte edhe odë edhe shtëpi, se nuk kishte konak tjetër, plaka ua shtronte vendin për të fjetur dhëndrit e vajzës së vet e, pak më tutje, nën të njëjtën mbulojë, djalit e resë.
            Plaku pinte duhan pranë oxhakut dhe i vështronte.
-         Vendin e keni gati! - u tha plaka dhëndrit e vajzës dhe mori jorganin t’i mbulonte.
-         Afrohuni pak nga njëri-tjetri se nata është e ftohtë e do të mërdhini, - u thoshte plaka derisa i mbulonte.
Pakë më tutje, plaka u bëri vend djalit e resë. Duke i mbuluar u thoshte:
-         Ç’jeni ngjitur trup për trupi, largohuni pak, largohuni se natën ju vjen nxehtë e djersiteni!
Plaku, që i shihte e i dëgjonte, krejtësisht i qetë pranë oxhakut, foli ngadalë:
-         Haj medet, haj medet!... Nën një jorgan dikujt ftohë e dikujt nxehtë!
 
 
 
      GJYGYMI I ÇAJIT
 
      Shkon njëri n’Shtime, n’pazar. E sheh njërin që kish ra në varfëri e e kishte qitur për ta shitur edhe gjygymin e çajit. E kishte pas shitur edhe tokën, e tash e kishte qitur për ta shitur edhe gjygymin.
      Po e pyet ky tjetri.
      - A po e shet gjygymin a?
      - Po, po e shes - përgjigjet ky.
      E muarr në duar e po e shikon gjygymin e po i thotë:
      - I mirë tek ashtë, po pak i vogël po doket!
      - Po t’doket i vogël, se valla dymdhetë hektar tokë m’i ka hangër.
 
 
      DIKUSH HIQ E VUAJ, DIKUSH PUTH E DUAJ
 
      Njëri prej Tushilës ishte i varfër e i vetëm.
      Fejohet me shumë mundime i shkreti, se të varfëritë, si gjithkund, bartin peshën e rënd të jetës.
      Gëzohet shumë për fejesën dhe nis ta çezojë nusen. Merr para hua dhe blen pambuk e qo te nusja. Ço mëndafsh, lesh... e gjithfarë harxhesh që i duheshin për çejzin e nusërisë.
      “Ore, - i thoshin, - je pak i hollë prej takatit, ndale dorën se këto para që po i merr hua, një ditë duhet kthyer!”
-         Veç le të çejzohet mirë nusja se unë punoj. Punoj e fitoj dhe, një ditë, edhe borxhet i kthej.
      Zgjati kjo punë, po, nja dy vjet e tepër.
      Erdhi koha. Nusja kishte bërë çejzin gati. Ishte caktuar edhe ditën e dasmës, u nda vadja.
      Pikërisht kur u nda edhe vadja, çohet një Smakiç i Arbrisë e t’i grabitë nusen me krejt çejzin e gatshëm.
      Ky i shkreti ra për tokë: ta vriste Smakiçin, nuk ishte punë që bëhej, të zinte nuse tjetër - ruajna zot, se ishte i mbytur në borxhe deri në fyt.
      Mbeti edhe pa nuse, edhe duhej punuar ditë e natë për t’i kthyer borxhet.
      Nuk shkoi gjatë e i doli kënga:
      Dikush hiq e vuj,
      Dikush puth e duj!
 
 
      ZOR ME U PASUNUE E SHPEJT ME U FIK
 
      Një herë e pyesin një të pasur:
-                     Allahile burr, a na kallxon drejt, a hoqe zor deri sa bone shpi e pasuni kaq të madhe?
-         Vallahi more burra, masi  po m’vetni, për  t’drejtë  t’zotit  due  me ju kallxue. Derisa e qita shpinë në  t’temel  e u ktheve marë  e u pasunova,  kom hek boll!  Sa me e pasë shty ni guri  t’madh me gjyks e me e qitë në maje  t’bjeshkës.
      Masë do kohësh, meshkuj e asaj shtëpie u ndanë, se nuk shkonin mirë njëri me tjetrin, e ky i pasuri u fik.
      Shkonin prapë njerëzit me e pa, se i kishte pas ndihmuar shumë të varfëritë, e po e pyesin:
-         Allahile a na kallxe drjetë? Sa shumë mall ke pas, qysh u fike kaq shpejtë, e a hoqe zor?
-         Po ju kallxoj bre burra. Qysh kam pasë hekë zor me u ba shpi - me qitë me gjoks atë gurin n’maje  t’bjeshkës,  tash s’pata anevoj hiq me u mundue, se ai guri i madh u rrotulle meniherë vet e ra  n’fund të bjeshkës. Qaq  shpjet jam fik.
 
 
MENDJA E MADHE
 
            Në një kuvend të burrave, hyri me pakë vonesë edhe Shaban Hoxha i Isniqit.  Ishte vonuar pak dhe, natyrisht, plakun e mençur e pret kuvendi.
            Mirëpo, një mendjemadh i Strellcit, me mustaqe të holla si bishti i miut, që ja kishte mbushur mendjen vetes se e ka vendin në kuvend të burrave, i hidhëruar pse kuvendi po e respektonte Shabanin, mezi priste që t’ia thoshte ndonjë fjalë.
            Shaban Hoxha u rahatue në kullë. Ia sollën edhe kafen.
            Njëri prej pleqve në kuvend tha:
-         Fol diçka Shaban Hoxha!
            Ende pa e çelur gojën Shabani, ai mendjemadhi ia priti:
-         Çka ka me fol Shaban plehu që vonohet në kuvend të burrave?
            Të gjithë u prekën. Ai plaku që i tha Shabanit më parë “fol diçka”, u zu ngushtë, por foli:
-         Mos u hidhëro lum Shabani, se është martue rishtas dhe e ka pak veten n’qejf?
-         Jo - tha Shabani Hoxha, -nuk hidhërohem. Plehut ia sheh hajrin dikush, se plehu e rrit bimën, e mendjes së madhe, pasha zotin, kush mbi dhe hajrin deri sot s’ia ka pa!
 
 
      AI S’ASHT MSUE ME DHANË
 
      Një zemërngushtë (tahmaçar) kishte pas ra në ujë e donte me u mbytë, se nuk kishte pas ditur not. Qëllon njëri atypari e i thotë:
      - Ama dorën, bre burrë!
      Një tjetër, që e kishte pas njohur këtë zemërngushtin, ia kthen këtij:
      - Ai nuk asht msue me dhanë, por  veç me marrë e thuj: “Ha dorën!” e jo ama dorën, n’dash me e pshtue pa u mytë.
 
 
MATE PUNËN E UJIT SE...
 
Bajram Selimi i Uçës shkon tek miqtë në Kërninicë. Për darkë miqtë po bien reçel.
Duke e trazuar reçelin (duke i qitur ujë), i zoti i shtëpisë i qetë ujë pak si shumë. Edhe duke i qitur ujë, po e pyet Bajramin:
-         A t’qes ma?
      Bajrami po e sheh që nuk është kah i ndalet dore e që nuk është më hajri i reçelit, se u mbush me ujë, po i thotë:
-         Valla bre mik, mate punën e ujit - a ki a s’ki, se reçeli, me nerë me thanë u ba m....
 
 
             PA LËSHOJE MA TË MADHE, BRE BURRË!

            Ishte nisur një malësor për Gjakovë. Rruga e gjatë dhe e kishte marr uri e madhe. Afër  Gjakovës e takon një bashkëvendës. Po e pyet atë:
            - Ku ke, bre burrë?
            - N’Gjakovë.
            - A kish bukë n’Gjakovë? - po pyet prapë malësori, e prej urisë së madhe, e kishte zënë frika, se nuk do të gjente bukë atje.
            - Kish boll bukë, besa, - ja kthen bashkëvendësi.
            - A ishin t’mdhaja buk’t? - po e pyet prapë malësori, se prej urisë së madhe mendonte se nuk do i dilte një bukë e tërë.
            - Bajagi t’mdhaja ishin.
            - Pa banma me shej ni bukë qitu n’tokë, ta shoh sa janë t’mdhaja.
            Ky mori një gur e fillon ta bëjë një rreth në tokë, përafërsisht sa ishte një bukë e furrës.
            Malësorit iu dukë i vogël ai rreth, ngaqë kishte uri, e po i thotë atij:
            - Pa lshoje ma t’madhe (bukën), bre burrë!
            - More, unë po e lëshoj t’madhe sa Fusha e Bajram pashës, po s’pe lshon furrunxhija se!
 
           
            A JE TUJ PRITË SURLET ME KRISË? 
            Ishte kohë ramazani. Tri-katër copë katundesh në Kabash të Prizrenit kishin pas bërë ramazan me një tupan. Ndërmjet atyre katundeve kishte qenë një kodër, Murlan e kishin pas  quajtur. Për kohë të iftarit dilte në majte të kodrës tupanxhiu me rrahë për iftar.
            Hoxha kishte pas shkuar tek njëri në Kabash dhe pritshin të bëhet iftar, pasi të gjithë ishin të uritur. I murrën orët e po i vendosin përpara me shikuar kohën. Një djalit të shtëpisë i thanë:
            - Del n divanhane e vëzhgo! Kur t’krisin tupanat, na kallxo e t’bajmë yftar.
            U bë koha e yftarit e djali nuk po lajmëron gjë. Këta të lodhur e të uritur po i ja lëshojnë një zë djalit:
            - O djalë!
            - Hoj! - Përgjigjet ai.
            - A krisën more tupanat a shka u bo?
            - Qe besa, more babë, ni tupan krisi qatje n’kodër...
            - Po shka dreqin je tuj pritë. Me krisë edhe surlet a? Ramazani s’ka surle. Pse s’erdhe me na kallxue?
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen