F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Kujtim Morina

Kujtim Morina

Kujtim Morina u lind në vitin 1972 në Has, Shqipëri. Është diplomuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës (1994), pastaj për Drejtësi në Universitetin e Shkodrës (2004) dhe ka përfunduar një Program Master 2-vjecar për Integrim Europian dhe Rajonalizëm në Universitetin e Gracit/Austri në vitin 2008. Në vitet 1999-2009, ka punuar me organizata ndërkombëtare në Kukës. Shkruan kryesisht poezi e prozë dhe njëkohësit merret edhe me përkthime.
 Nga përkthimet e tij nga anglishtja mund të përmendim: 
“Arkipelagu Gulag”, Aleksandr Solzhenitsyn (Botimet Princi 2012), 
“Këngë për emrin tim”, poezi, Linda Hogan, SHBA (OMSCA-1 2014); 
“Shpirti vallëzon në djep” poezi, Niels Hav, Danimarkë, (OMSCA-1, 2016); 
“Antologji e poezisë kuvajtiane (OMSCA-1,2017) 
“Trëndafila persie - antologji e poezisë moderne të Iranit” shtëpia botuese Klubi i poezisë, Tiranë, 2017. Gjithashtu ka përkthyer poezi nga Derek Walcott, W H. Auden, Gabor Mandy, etj.
Në anglisht, poezitë e tij janë botuar në revistën “The Sound of the Poetry Review”, ‘The Galway Review”, ‘Prosopisia”, "LAKEVIEW, International Journal of Literature and Arts" etj.
Nga maji i vitit 2009, punon në shërbimin diplomatik shqiptar.

Veprat: 
  • "Dehja nën mjegull”, poezi, 2000
  • “Kthimi i syve” poezi, 2010
  • “Herën tjetër”, tregime, 2015 


Poezi nga Kujtim Morina


Shanset e humbura 

Janë si frutat në një pemë,  
që s’i arrita në momentin e duhur. 
Pastaj koha i zverdhi e i thau 
me shpejtësi të rrufeshme. 
Shanset e humbura. 
Po bëhen ca si shumë kohët e fundit. 
Fruta që bien në verë e në dimër, 
në pranverë e në vjeshtë. 
Shpirti im romantik, 
po më shkakton shumë humbje. 
Më e keqja është se s’i mbledh dot, 
të gjitha në një shportë, 
sepse duke ndodhur në kohë të ndryshme,  
zvetënohen pa pritur njëra-tjetrën, 
duke ma hequr edhe mundësinë e fundit, 
të një ekspozite me suvenire të vjetra.



Për ku vrapon ky shi i mbrëmjes 

Për ku vrapon ky shi i mbrëmjes! 
në këtë natë pa hënë e pa yje. 
Mos  vallë ka marrëveshje 
mes tokës së etur dhe qiellit  
ngarkuar me re të padukshme, 
që lëshon shiun si farë jetësore  
për mbarsjen e tokës,  
në pllenimin e bimëve. 
Për ku nxiton ky shi i mbrëmjes!  
Ndoshta qielli do të çlirohet sa më shpejt 
nga këto vrantësira kërcënuese, 
S’mund t’i mbartë mbi shpinë tërë natën. 
Të lëshojë një errësirë më të çelur, 
pastaj të dremitë me sytë e përlotur. 
Mbledh një dorë qiell, 
te flokët e saj të lagur, 
e shpërndaj si krem, 
në sytë e mi të mpakur. 



Zonë e ndërmjetme  

Zonë e ndërmjetme,  
mes mashkullit e femrës.  
Është plot me valë elektromagnetike, 
fijëza të holla që fillojnë te sytë, 
shpërndahen në të gjithë hapësirën. 
Loja e elektroneve vazhdon e papenguar, 
duke dhënë sinjale të dukshme e të padukshme.  
Zona e ndërmjetme bëhet më elektrizuese, 
sidomos kur ke përpara një vajzë të re  
apo një grua të bukur. 
Mund të dallosh me sytë e shpirtit,  
mijëra fije argjendi, 
që lëvrijnë papushim, 
duke i dhënë trupave një dridhje të çuditshme 
dhe një tërheqje gravitacionale mes tyre. 
Kur raporti numerik mes sekseve 
është i pabarabartë,  
ka interferencë dhe rezonancë valësh, 
që në ekstrem mund të ndezë një hark elektrik. 
Bashkimi fizik i trupave, 
s’është veçse fundi i magjisë.


  
Sonte 

Sonte e tremba gjumin të mos vijë. 
Zakonisht vjen e më merr pasdarke, 
si një hyjni që lëshon  
fillimisht një ilaç te sytë, 
më pas në gjithë trupin e skapitur, 
derisa më përfshin të tërin, 
në mbretërinë e tij të errët. 
Pastaj natën kur sheh 
që kam humbur në pafuqinë time, 
më lëshon nga një ëndërr të beftë, 
duke më ndihur ta harroj shpejt. 
E shoh se gjumi po vonohet sonte. 
Unë kam mbetur si i varur në çengel, 
me këmbët që s’më arrijnë në tokë. 
I lutem të vijë, 
të më lëshojë në fushëtirën e qetë, 
se jam penduar për ikjen. 
Si ai gjahu që pasi i ikën gjahtarit,  
kthehet  më në fund,  
mos ta lërë të shkojë duarbosh.


Kёnga e natёs  

Kёndo o gjel kёngёn e trishtimit, 
pёr ata qё e kalojnё natёn vetёm. 
Ndoshta i ndihmon tё dalin nga pusi i errёt, 
duke u ngjitur e kthjellojnё shikimin, 
u kthejnё syve kuptimin e humbur. 
Kёndo o gjel, lajmёtar i shpresёs, 
qё paralajmёron fundin e kёsaj nate. 
Boll u endёm nё kalvarin e agonisё, 
duke tjerrё gjurmё tё hirta kujtese,  
si ёndrra tё njё tjetёr jete. 
Tё pagjumёt nuk janё vetёm, 
megjithёse ecin nё drejtimin e kundёrt.  
Ata janё miqtё e natёs, 
qё i ruan nga ёndrrat e kёqija. 
Kёndo o gjel harbimin e natёs, 
qё u ngop me kёrcёnime syzeza. 
Ti dhe fshesarёt e rrugёve, 
meritoni kurorёn e agut tё ditёs.


Robtimi i andrrës  

Tue këputë nji lule mimoze, 
gjeta i andërr t’vrame. 
Mezi kish shpëtue prej ngrijës së fundit. 
Më mbeti në dorë si push i polenit, 
tue m’u lutë ta lija n’fatin e vet.
 Ma vonë m’u rrëfye se kur i zoti e pa,   
se s’po kthehej në flutur,  
as në zog që flutron, 
pasi e kish bartun me vite, 
tue i dhënë frymë dhe jetë, 
e kish hedhë si një lulëkuqe e vyshkun. 
Unë nuk njifem për vjedhës andrrash, 
megjithatë e mora andrrën e drobitun. 
Thashë ta mbjell me lulet n’kopshtin tem. 
Ta përziej me andrrat e mia, 
që s’i kam hedhë akoma,  
por i ushqej me nikotinë, alkol dhe libra. 
Natën më doli gjumi nga jermia. 
Andrra më ankohej se kish hy n’mish të huej, 
se unë po e robtoja ma shumë se i zoti i parë.  
Qe grindë me andrra tjera të miat, 
që e kishin paralajmërue m’e përzanë. 
Robtimi i andrrës asht ma i keq  
se robtimi i jetës,  
ndaj e lshova n’hapsinën e pafund, 
si një cung që nuk e zen votra ime.


  
Sodis vendlindjen  

Rri e sodis vendlindjen. 
Më duket sikur jam atje, 
me lodrat e fëmijërisë, 
duke bredhur arave e lëndinave, 
në kërkim të një misteri, 
që nuk e gjeta kurrë.

Ah, atje dielli rrëzëllin më shumë, 
kur perëndon ka një ngjyrë të purpurt. 
Hëna është më afër, më ndjellëse, 
sikur do ta prekësh me dorë.

Më kujtohet kur mblidhja luleshtrydhe, 
kunadhet përgjonin shkurreve e gërxheve. 
Natën shfaqej papritur nusja e lalës, 
ndërsa mblidhnim xixëllonjat kërshëritëse.

U bënë vite që s’kam qenë në fshatin tim, 
megjithëse e shoh shpesh nga largësia. 
Kam frikë se po të shkoj atje, 
shprishen shpejt ëndrra dhe magjia.  

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen