F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Naim Kelmendi

Naim Kelmendi u lind me 10 shtator 1959 në Ruhot të Pejës. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me publicistikë. Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë,sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar. Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares me 1999. Që nga viti 2002, pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, tash jeton dhe vepron në Kosovë.


Naim Kelmendi ka botuar deri tash këta libra:

Shtreza në fjalë,1985
Nyja e Gordit,1992
Albanoi,1992
Pse ashtu Pandorë,1993
Çka të bëj me dhembjen, 1993
Satanai me fytyrë tjetër, 1994
Eklipsi i diellit, 1997
Përballje me vdekjen,1999
Shqiptari vdes duke kënduar,2000
Kohë për të folur gurët, 2001
Sipërfaqja e padukshme,2003
Vrasja e deputetit-monografi,2003
Beteja e Koshares…,publicistikë,2008
Pikëpamje dhe reagime,publicistikë,2008
Në një jetë pas Krishtit,2010
Esenca,2010
Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë),2010
Është vetëm kujtesë, 2012
Antologjia e dhembjes poetike, 2012



PIKËLLIM LIRIE

Rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë
mëkatnojnë natën në pikënatë dhe
ditën në pikëditë lindin kopila
rrugëve nga ndërgjegjet e vrara në njeri

as e kisha besuar kurrë
se liria është kaq lavire e madhe
harron dhe të harrojnë tmerrshëm
në vetminë pikëllyese

dhe merresh me vetveten t’humbur
në harresën e secilës ditë të heshtur
të jesh a të mos jesh vjen pikëpyetja

përditë e më shumë kuptoj
nga t’pakushtueshmet e djeshme
sa më afër i afrohem ta prek
ta dua të vërtetën aq më larg mbetem
për të arritur në Breg e zbres

në fund të zhgënjimit të madh
deri te rrënja të flas me atin tim t’lashtin
për t’i thënë pse më le aq herët fillikat vetëm
edhe rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë

Prishtinë,30 prill 2012



HARRIM U BËMË

Koha kaq e shurdhër
e spo na e zë as fjalën
as zëri s’na dëgjohet kund

hapësira sa e gjerë
i vie era pis
nga myk i mendimeve

e s’e shohim njëri-tjetrin
nga hipokrizia e vetvetes

amen mor si ia dalim
kështu drejt Bregut

e ai na pret në maje
me shpatën e njëjtë

ne ngjitemi rrugëjetës sonë
mugët dhe bëjmë sehir
me jetët tona e lavdet
e fitorët e minjve

harrim u bëmë kaq kohë
e s’po e kuptojmë asnjëherë
as n’fund as n’fillim Dhembjen



ME ZEMËRATË

I pashpirtshmi,Khaini,i xhindosur
Erdhi e u vërsul me pamjen e tij
të pashpirtshme
E ka vërbuar lakmizeza
në mendim të turbull

Mor’ kur mendimit të mirë
do t’i vijë kohë me diell
Apo neve jemi të vetëdenuar
të mos shohim tej vetes…

Phu, lakmi e zezë
Po ç’e vret robin tënd
Që s’e sheh kodrën pas bregut

E shkel Njeriun
Të vetin e vret
Dhe kërkon arsye

Nuk e sheh as veten bythëcullak
Po vëllai është vëlla mor
A s’e pimë gjirin e një nëne bashkë

Phu, të shitoftë vetja e shëmtuar...
Lakmizezë moj pse lakmon kaq egër
Etshëm për të mbetur heshtje e vetmuar

Prishtinë,2011





KOHË E DËSHPËRUAR
 
Dhe vjen m’bie kokës i egër mendimi
ecjes së vetmueshme dhe e han veten
i vetmi çast i heshtur dhe dëshpërimi
ah, s’e paskam njohur mirë t’vërtetën

endet hirit të vet hija e s’jam unë
ka vdekur dje e imja vrarë e tradhtuar
e kërkoj caqeve t’errta e nuk e gjej askund
t’uroj fat dhe jetën e gjatë mendim i bekuar

e t’na rrofsh sa malet rrugëve t’kërkimit
të jesh a t’mos jesh saherë e ke peshuar
saherë dhembjen ke ndjerë me afsh pezmatimit
sërish ti je ngritur njerëzisht për t’marshuar

tashmë fillikat i vetëm të kacafyt trishtimi
me t’vërtetën e hidhur me shije krejt pelim
dhe n’kohë dëshpëruese të vret tundimi
ditenatë rrugëve t’jetës që kanë emrin tim

Prishtinë,27 prill,2012



KRYESORJA, TY TË T’KAM

Më kryesorja ty të t’kam
E dashur në miklimet 
E shpirtit plot vrragë

Harbimit të kohëve
Dhe shpirtrave të zinjë
Ndaljau zot vrapin

Ose duhet t’i vrasim
Ose do të na zhbëjnë

Nga mënia e tyre
Mund edhe të na zhvarrosin
Nga kjo idilë e bukur dashurie

E ne jemi mpirë heshtjesh
Që s’mund i shpjegojmë

Kryesorja, të të kam ty e dashur
Në tërë këtë ecje sizifi
Në tërë këtë teatër turpi njerëzor

Duke zbërthyer pyetjet e Gideonit

Zoti na dhëntë dritën
E gjykimit të drejtë
Mbi fatet e fatitë

Prishtinë, 22 korrik 2012



HIJA E TURPIT
Të ngjitesh lart
Ta dhamë krahun
Unë e ai tjetri

Të ndihmoi e jona
Vuajtje

Mos na glaco tash
Nga atje
Gjurmën tonë
E n’origjinë

Të lehurat 
Në njeriun tënd
A s’i dëgjon më

Nga andej bregut 
Vijnë në kor

E ti kalamendesh
Mes hiqit tënd

A me e dashtë njeriun tënd, thua -




TË SHIKOHESH TE VETVETJA

Ai kal troje endet e hingëllinë
Kohëve t’serta për pushtim trojash
Ka etje gjaku e plojash

Ti të shikohesh te vetvetja
Se mjaft më ta lidhën lëmshin
Ende po ta luajnë lojën e vjetër

Të shikohesh te vetvetja
Kohën e lënë prapa mos e vajto më
Të ndarë në prapashtesa t’huaja
E libra historishë të mbyllura

Te vetvetja të shikohesh
Mëritë nuk shuhen
Me një të shlyer gome
Me dorën e Taulantit
Me një luftë

Të ardhurit tej Karpateve
Duan vend buzë Adriatikut
Janë t’njëjtit dhe n’shek XXI
A s’ua pamë mizoritë

Po endet ai Kalë i Drunjtë i Trojës
Trokëllimë e kohëve drejt Plojës

Prishtinë, 2012



DJE

Gojë që fole dje
Dhe keqtrajtove fjalën

Fol e folsh me gishta
Fjalë si ta rrëmihim 

Për t’gjetur të vërtetën
Fol mor njëherë drejt

Dhe gjyko drejtë
Se turp u bëre
Lakuriq mbi gënjeshtrën

E para a na ishte fjala
Apo mashtrimi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen