F A Q E T

Mittwoch, 29. Mai 2013

Ramadan Mehmeti

Ramadan Mehmeti

Ramadan Mehmeti lindi më 20 shtator 1948 në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ku edhe studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare. Është editor i shtëpisë botuese Rozafa dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 
Jeton në Prishtinë.

Disa nga veprat e këtij autori:

  • Jeta pa titull, poezi, Prishtinë, 1977, 
  • Koncerti i heshtjes, Prishtinë, 1987, 
  • Loja e ruletit, Prishtinë, 1994, 
  • Requiem për Mirko Gashin, Prishtinë, 1997, 
  • Ti je e vogël, Prishtinë, 1997, 
  • Ringjallja, Prishtinë 1998, 
  • Fusha e korbave, Prishtinë, 2000, 
  • Te guri i atdheut, Prishtinë, 2000, 
  • Zemrat bëhen ura, Prishtinë, 2002, 
  • Brigje shpirti, Prishtinë, 2004, 
  • Mëkate të zgjuara, Prishtinë, 2004, 
  • Testamenti i gjyshit, Prishtinë, 2006, 
  • Loja e ruletit, Prishtinë, 2006, 
  • Te guri i atdheut, Prishtinë, 2006, 
  • Kur pikëllohen zogjtë, Prishtinë, 2007. 
  • Drama: Ura e Maskatarit, Prishtinë, 2007, 
  • Poshtërim i ndjenjës, Tiranë, 2007. 
  • Bekimi i gjurmëve, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Prishtinë, 2008



Poezi nga Ramadan Mehmeti



NËSE S’KTHEHEM

Nëse s’kthehem
Mos ma fal gjakun Kosovë
Verbomi sytë
Mos ma jep hakun
Nëse s’kthehem
Zhdukma farën Kosovë

Nëse s’kthehem Kosovë
Bajlozi të lodrojë në fushëbetejë
Varrin e Nënës therrat ta mbulojnë
Dhe emrin le të ma harrojnë

Kosovë plagë e moçme
Në trupin tim të plagosur
Vrama fëmijën palindur
Nëse s’kthehem Kosovë

Nünberg, 19 prill1999




RIKTHIMI

Atje
Ku të parët pushojnë
Ku njerëzit varret numërojnë

Atje
Ku loti tokën djeg
Ku foshnja në prag shtëpie këlthet

Atje
Ku bajlozi kalon detin
Ku Gjergjelezi në trap e pret

Atje
Ku fëmija kërkon sisë
Ku trimnesha gjiun e vet ia jep

Atje
Ku toka digjet në flakë
Ku njerëzit ndajnë një kafshatë

Atje
Ku perëndia të parët i mallkoi
Ku bajlozi atin shaloi

Atje
Ku vatra thërret
Dua të shkoj edhe vetë

Perëndi
Ç’u bë me bajlozin e Zi

Nünberg, 18 prill 1999



NJERIU IM

Ti ecën
Në ecje tinëzisht buzëqesh
Bashkë me dhembjen tënde

Sa mrekulli
Kur njeriu ha vetveten
Nga mëria

Ujk i tërbuar
Lodron në lëmën tonë
Ku mbet Zoti thërret fëmija

E sheh
Malet lotojnë
Nga uria

Medet
Një dhembje në shpirt
Një në vatër mbet

Günzburg, 21 prill 1999




UDHËTIM

Kur bota udhëton
Nata nuk pushon

Udhëtimi në Dardani
Herë në ndarje
Herë në fatkeqësi

E ky popull nget e nget
Prej askundi në askund

Günzburg, 29 prill 1999




ZARI

Kur e hedh zarin
Zog i ëndrrës
Mendja vret ndërgjegjen
Për bukën e ngrohtë në vatër

Sa çudi
Njerëzit vrapojnë nëpër botë
Për një mrekulli

Vallë
E sheh Zoti
Cili është djalli
E kush pjella e tij

Kur zarin e hedh
Nëpër fatkeqësi
Zogjtë e mi kafshohen mes veti
Si qen të këqinj

Günzburg, 27 prill 1999

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen