F A Q E T

Mittwoch, 29. Mai 2013

Sabit Rrustemi

Sabit Rrustemi

Sabit Rrustemi u lind më 3 Prill 1959 në Terzijaj, fshat në afërsi të Zhegrës, Komuna e Gjilanit. Shkollimin fillor e kreu në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë.
Me 5 shkurt 1977 boton poezinë e parë në revistën “Zëri i rinisë”, Prishtinë.
Në vitin 1981, burgoset për shkak të botimit të tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, të botuar në revistën “Fjala” më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë u përshkallëzuan në Prishtinë.
Dënohet me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare.
Pas shtatë vitesh endjeje nëpër gjykata e procese gjyqësore, përfundimisht i zbritet dënimi në 5 muaj burg, të cilin e vuan në Prishtinë e Gjilan.
Vetëm në vitin 1990 i botohet përmbledhja e parë e poezive, me titull “Ku i la lisat era”, e cila ishte dorëzuar për shtyp në fund të janarit të vitit 1981 dhe ishte redaktuar e ruajtur për 9 vite nga shkrimtari i mirënjohur Ali Podrimja.
Sabit Rrustemi jeton dhe krijon në Zhegër. Është i martuar, baba i pesë fëmijëve. Aktualisht drejton Ars Clubin “Beqir Musliu”, një asociacion alternativ i shkrimtarëve në Kosovë, me seli në Gjilan, si dhe revistën letrare – kulturore AGMIA


Veprat:
  • KU I LA LISAT ERA, (poezi), “Rilindja”, 1990, Prishtinë, ( libër ky i dorëzuar që në vitin 1981, u ruajt dhe u redaktua nga poeti i mirënjohur, Ali Podrimja.
  • BESOJ NË NJË DIELL, (poezi), “Fjala” 1992, Prishtinë.
  • PIKA E ZEZË, përmbledhje tregimesh, “Flaka e vëllazërimit”, 1993, Shkup.
  • NATYRË ME VAJ, (album poetik), Shtëpia Botuese “Plejada”, 1994, Prishtinë, me parathënie të Beqir Musliut.
  • JETËSHKRIMI I SYLË KOPERNICËS, prozë dokumentare, Shtëpia Botuese “Plejada” 1994, Prishtinë, redaktor Beqir Musliu.
  • VARIACIONE PËR LIRINË, “Rilindja”, 1997, Prishtinë.
  • MASKA E MYSAFIRËVE, përmbledhje tregimesh, Shtëpia Botuese , “Buzuku”, 1997, Prishtinë.
  • ËNDRRA QË PUTHET, (poezi), Shtëpia Botuese “Rozafa”, 2001, Prishtinë.
  • PAQJA E BRISHTË, (poezi), Shtëpia botuese “Rozafa”, 2007, Prishtinë.
  • SHIU I BUZËVE TUA, Shtëpia botuese “Rozafa”, 2009, Prishtinë.
  • ANTINGERE DIVINA / Prekje hyjnore (përkthyer në gjuhen rumune nga Baki Ymeri), 2009, Bukuresht.
  • NËN QERPIKUN TËND, poezi, T-KOM, Shkup 2009
  • “ZJARRMI E KTHJELLTË, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2011, Gjilan.
  • NË FYTYRËN E NJË GJETHI, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2012, Gjilan.
  • MURALE SHPIRTI, poezi, Shtëpia Botuese Rozafa, 2013, Prishtinë.
  • STINA E MESELEVE – I, (rrëfime të shkurtra popullore), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2014, Gjilan.
  • GRAFITE NËNLËKURORE, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2015, Prishtinë.
  • NDEZJE YJESH NË ZEMËR” (poezi të zgjedhura të dashurisë), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2015, Gjilan.
  • PA NJË VDEKJE MBES”, (poezi), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2016, Gjilan.
  • STINA E MESELEVE – II, (rrëfime të shkurtra popullore), QRTK, 2016, Gjilan.
  • MËKATI Që (S)E BËMË, (tregime të zgjedhura), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2016, Gjilan.
  • HIRI I PRITJEVE TË DJEGURA, (tregime), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2016, Gjilan.
  • PËR DASHURI KURRË S’ËSHTË VONË”, (poezi), Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2017, Gjilan.

I prezantuar:
  • Në vëllimin me tregime nga Kosova, “Djepi i lashtë”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1982, Tiranë.
  • Në “Antologji e poezisë moderne shqipe”, përzgjedhur nga Ferdinand Laholli, 2003, Gjermani.
  • Në antologjinë poetike për Kosovën, “Një gur i çarë”, nga Ali Podrimja, 2005, Prishtinë.
  • Në Antologjinë poetike TEMPLUL CUVANTULUI / Tempulli i Fjalës, 2009, Bukuresht.
  • Në Antologjinë poetike, “Muza e mëmëdheut”, nga prof. dr. Agim Vinca, Shtëpia Botuese EUGEN (Tiranë) dhe
  • ARTINI (2012, Prishtinë).


Poezi Nga Sabit Rrustemi


NATYRË E GJALLË

Furtuna m’i gëlltiti gjethet
Acari m’i dogji degët

Mbeta trung cubak
Natyrë e gjallë në rrënjë

Ruaj dheun nga vërshimat



PRAPA MALIT

Nga gjumi kur zgjoheshim

Duke i argëtuar ëndrrat
Prapa malit s’shihnim prej zhgllibave

Prapa malit në qetësi 
Me djajtë në gji
Sytë tinzarë përgjonin

Lojërat tona pa hile
I hilonin i shalonin

Gatiteshin si dublerë qyqarë
Karrikat ndërronin 
Me pirunj në duar dhëmbët mprehnin

Ne s’shihnim gjë 
Derisa e vramë kllapinë
Kurthën e ofsajdit ushtruam ditë e natë

Atëherë vetëm atëherë 
Ngelën midis lëndine me dhëmbët jashtë 
Të çirrur tej mase

Rreth e rrotull shtëpisë 
Sytë katër i bëmë


ROJA E MALIT

Sa herë të bënë rrafsh me tokën 
Sa herë 
Rrënjët e indeve tona 
Nuk t’i shkulin 
Rrënjët t’i ruajtën 
E ti u rrite u rrite 
Sall për ne 
Qiellin ta puthësh me maja 
Roja jonë e thurur mburojë
Dashuri e zgjatur nëpër mote


ROLI I BISHTIT

Ka role që s’luhen në besë
Se dhëmbët dolën gojesh
E tregje të mëdha u hapën
Për role të fshehta si i bishtit
çmimin s’e përthekson kuti
S’e duron kandari
Kur është fjala për të sjella
Tuneleve të errëta derdhet qesja 



DRUPRERËSI

Me natën e paluar nën vetull
Sëpatën e fshehur nën sqetull
Të futej në gji gojëmbyllti i etur 

Pa zë 
Pa zhurmë në të ecur 
Si vjedhës i regjur 

Pastaj pyjeve të larta 
Shpalonte fytyrën sëpata 

Nëpër duar vërtitej bishti 
Lëmohej së jashtmi madhërohej 
Së brendshmi zvogëlohej

Nuk mbetej as hiq ne gjeth kujtese
Dilte faqesh si shkelës bese

Të rënat e tehut shpirtëkazëm 
Kafshonin lisat me dhëmbë 
Zhveshnin lëvoret nyjet kurorëblertat

Tehu brisk rruze 
Plagë të reja hapte ne pyje 
Me bishtin e zënë pick për goje

Krejt nga ai bisht i thatë
I shitur sallë për një kafshatë


***

Në rrënjë nuk afrohej se vonohej
Ai syprerës i vrazhdë 
Bisht i lëmuar me dhëmbëzi lyme
Afër rrënjëve do të haste 
Në gurët e mbuluar me plagë gjethesh
Dhe tehut të sëpatës
Do t’i përsëritej përralla
Për ‘’udhën që shkon e s’kthen ‘’



KU I LA LISAT ERA

Pas rrëzimeve erdhi masa 
Pas masave prerja 
Pas prerjes një emër i shkurtër – trup
Pas trupit makina e zhurmtë 
Me tri role ne një udhë
Ngarkim bartje zhgarkim 
Pasi u bëri vend në paradhomë 
E nxori lejen për spitalin industrial 
Ku vetë çilen plagët varrët 
Krijohen sëmundjet 
Ndërrohen format merren të reja
Sipas nevojës arna për thes 
Me sharra ngrënëse eksperimenton 
Era alalis a s’lalis 
Në bykun që mbetet dredhën nis



DEGËT

Janë të vetmuara
Degët e duarve tona
Prej majë thundrrave shkilen
Mes gishtave rrahen
Fijet shpëtuese nuk u zgjatën
Në bebëza kur mbyllet drita
Ato lidhen tok në shpinë hidhen
Bartën thyhen n’oxhak hi bëhen
Për t’i ngrohur
Edhe ata që nuk i deshën



KUJTESË E NGARË

Luan me gjethet
Njerka erë dredhë
I hedh e i përhedh
I nganë e i përlanë
Përpjetë tatëpjetë
N’këtë anë n’atë anë
As i le të bien në tokë
As të ngrisin kokë
Duke ua përdhredhur trupin
Ua shpalon dhëmbët
Ua njeh të vdekurit të gjallët
I qesh e i përqesh
Shpirtin ua zhvesh
Era e çmendur e zgërdhirë
As në gjethe s’ka mëshirë



RRËNJËT

Mali sa herë mbetet pa lisa
Brenda dheut përpushen rrënjët
Nga mishi ynë shpërthejnë pipthat
Si përtërirës i buzëqeshin ditës

(Nga libri me të njejtin titull, të shkruara mes viteve 1979 - 1981)


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen