F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Thanas Jani

THANAS JANI alias NASE JANI

 Poeti ka lindur para Adamit
dhe vdes në lotin e fluturës
dhe tretet në botën e së padukurës..
N. Jani

I lindur më 25 maj 1947 në Stegopul-Lunxhëri-Gjirokastër.

Është autor i njëzetë librave me poezi, prozë, letërsi për fëmijë, komedi, monografi…
... Fitues i disa çmimeve letrarë. Hartues i pesë Antologjive në poezi e prozë. Nismëtar dhe drejtues i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, (2000), me qendër në Athinë dhe shtrirje në të gjithë kontinentet. Prej vitit 2004 boton dhe drejton Revistën letrare-kulturore “Pelegrin”. Krijimtarinë e tij e kanë vlerësuar shumë personalitete të letrave shqipe si: Akademik Dritëro Agolli, Akademik Rexhep Qosja, Prof. Adriatik Kallulli, Prof. Perikli Jorgoni, Robert Goro, Qazim Shemaj, Niko Kacalidha, Myslim Maska, Antonio Bellusci, Ylli Polovina, Luan Xhuli, Ferdinad Hysi, Fatime Kulli, Xheladin Mjeku, Anton Gojçaj, Fejzi Murati, Kristos Tumanidhis, etj.
Për jetën dhe veprimtarinë letrare të Nase Janit, shkrimtari dhe publicisti Festim Liti ka botuar librin: “Shtëpinë e kam në një pikë lot” (2012).
Në vitin 2007 u dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.
Jeton familjarisht në Athinë.



Thanas JANI

 JETA

Jeta është:
si një top fëmije,
që hidhet e përplaset diku...
si dita e nata të padukura e të fshehura...
si kisha e xhamia të përmbysura
tek njëra-tjetra,
si kafka e një të treturi, që s’është më njeri...

Jeta është e rrumbullaktë,
si mitra e nënës që rrit një fëmijë...


 DET DASHURIE

Më tërbove,
u tërbofsh,
me tërbim të pambaruar…

Më gëzove,
u gëzofsh,
me gëzim të pazbuluar…

Më rinove,
u rinofsh,
me rini prej Perëndie…

Më jetove,
u jetofsh,
1000 jetë dashurie…


NJERIU DHE DETI

Çdo njeri,
brenda vetes ka një det,
e deti, ka një det me guaska brenda,
e guaskat fshehin një det me të fshehta
dhe e fshehta vetë, brenda saj, ka një det…

Dhe njeriu në jetë, nuk është kurrë veç njeri,
pa zbuluar se ç’është,
e mbyt dallga e tij…


POETI ZHGARRAVIT MBI LETËR

Shkruaj një varg edhe një tjetër,
pastaj mendoj: ç’kam thënë të re?!
Kam zhgaravitur përmbi letër,
ka ecur zbathur përmbi re...

Kam qeshur shpesh me veten time,
kur m’i kanë mburrur poezitë,
kur vargu im, lirik i çmendur,
më ka lënduar thellë në shpirt...

Nga gjithçka: dhimbja më e vjetër,
është vetë njeriu brenda saj,
te një njeri fshihet një shekull,
dhimbja dhe globin mund ta mbajë...

“Dje” edhe “sot”, janë vjetruar
dhe fjala “nesër” s’është e re...
Poeti zhgaravit mbi letër
dhe ecën zbathur përmbi re...


 S’TË THEM DOT LAMTUMIRË

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim
bëj udhë në errësirë...
iki nga ty, Atdheu im,
s’të them dot: lamtumirë...

Jetova ditë në frymëzim,
një ditë,
një javë,
një jetë...
shumë i vonuar në nxitim
tek vetja që s’më pret...

Për poezinë në poezi,
ku fjala s’kishte fjalë...
Si Diogjeni me qiri
i mençur dhe i marrë...

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim,
bëj udhë në errësirë...
Gjithçka që lashë tek vendi im,
s’i them dot: Lamtumirë!


 AI, JAM UNË

Lidheni atë se bën çmenduri!
Lidheni atë!
Ai jam unë...

Vriteni atë se do të jetë Njeri!
Vriteni atë!
Ai jam unë...

Lëreni pa varr se mbin Dashuri!
Lëreni pa varr!
Ai jam unë...


 DO T’I GRIS GJITHË Ç’NUK KAM SHKRUAR

I urrej
vjershat e mia me lirika dashurie...

Do t’i mbys e do t’i gris,
do t’i hedh tek varri i heshtjes,
t’i mallkoj e t’i harroj!...
se më çmendën!

Se më çmendën pa më çmendur,
se më tretën pa më vdekur...

Do t’i hedh tek varri i shpirtit,
do ti mbys e do t’i gris!
Ja kështu!
Kështu do bëj!

Shpirtin
do ta zboj nga shpirti!
Truri s’do më nxjerrë më vjersha!

Do ta marr veten nga dora,
do ta hip në trotuar,
të mos vritet nga makina...
Do ta ul tek stoli i drunjtë,
do t’i jap në dorë tespije...
Të jetojë pa jetuar, pa lirika dashurie!
Ja kështu,
kështu do bëj!

Do t’i mbyll qerpikët e syve,
jo me duar, por me gurë, pllaka varri...

Nuk do shoh
e pse të shoh, ç’vlerë ka më tej shikimi?!
Bota tjetër e unë tjetër,
do rri larg nga kush kam qenë,
as dhe veten s’do e shoh,
Një i çmendur i paçmendur...
Një i tretur, i pavdekur...
që jeton i pajetuar, pa lirika dashurie...
Humba veten,
pa e gjetur!

Do t’i mbys e do t’i gris,
gjithë ç’kam shkruar e s’kam shkruar!

Vetëm shpirtin s’e kap dot,
shpirti im s’qenka i vrarë?!
Shpirti im s’qenka në varr?
Shpirti im s’është më me mua?

Do t’i gris
gjithë ç’nuk kam shkruar!...
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen