F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Petraq Kote

Petraq Kote u lind në Sheq Marinas, Fier më 27. 02. 1959 nga prindërit Todi Kote dhe
Kalije Dumi. Të dy me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindje 1966 - 1974. Në vitin 1974 – 1978 studioi në shkollën e mesme ushtarake “ Skënderbej “ Tiranë. Akademinë e Forcave Tokësore e përfundoi po në Tiranë në vitet 1979 – 1982, ku u diplomua për specialitetin “ Fizkulturë “.... U diplomua në Universitetin
“ Ismail Qemali “, Vlorë, në fakultetin e shkencave humane, dega gjuhë – letërsi shqipe. Është docent në gjuhë shqipe dhe letërsi.
Aktualisht është kryeredaktor i gazetës letrare mujore “Fieri Profil“ dhe specialist për trashëgiminë kulturore në Muzeun Historik, Fier.

Ka shkruar letërsi qysh në rininë e herëshme.
“ Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer “, - thotë dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar vëllimet poetike.
“ Këngë e Marrë “ 1996 shtëpia botuese “ Planet “ Fier, “ Humbja “ 1998 shtëpia botuese “ Darmisa “ Fier, “Ranë Këmbanat “ 1997 shtëpia botuese “ Planet “ Fier, “ Muza “ 1999 shtëpia botuese “ Albapress “ Fier, “ Këngë e Parrëfyer “ 2001 shtëpia botuese “ Darmisa “ Fier, “ Këngët e Motmotit “ 2003 shtëpia botuese “ Ymeraj “ Fier, “ Mirë se erdhe Lamtumirë!...” shtëpia botuese “ Globus. R “ Tiranë, “ Portretin kam varur në muret e kohës ” 2008 shtëpia botuese “ Globus. R “ 2008. Ka botuar dy vëllime me tregime
“ Ngjarje ndër Muzakë - 1 “ 1999 shtëpia botuese “ Albapress “ Fier. “ Ngjarje ndër Muzakë – 2 “ 2005 shtëpia botuese “ Ombra GVG “ Tiranë. Publicistika më e shquar e tij është “ Hija... e Kadaresë “, “ Lasgushi dhe Kosova “, “ Një çast me Migjenin “, “ Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli “, “ Dasma e Kreshbardhës “, “ Diktatura Letrare shqiptare “, “ Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë “, “ Gjuha shqipe dhe akademik Jani Thomai “ ,
“ Qiellëzanat Trillane “ shënime për romanin “ Darka e Gabuar “ të Kadaresë.
Ali Asllani, poezia e tij e ndikimit të kapërcyer, etj.
“ Më kujton Kostandin Paustovskin në librin me tregime “ Ngjarje ndër Muzakë – 2 “. – Shkruan studiuesi dhe përkthyesi Perikli Jorgoni
“ Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare “, ka thënë prof. Adriatik Kallulli.
“ Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard “, ka shkruar prof. Agim Vinca.
“ ... është nder por edhe privilegj të lexosh e shkruash për poezinë e Petraq Kotes... “ shkruan dr. Faik Shkodra.
“ Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike “, ka shkruar poeti dhe publicisti Ylli Xhaferri.
“ ... ai është dinjitet poetik... “ shkruan Xhevahir Spahiu.
“... fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten “, shkruan prof. Valter Memisha
“... klasi i lartë i leksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapsirë lexonjëse elitare “, ka shkruar prof. Bardhosh Gaçe.
“... poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu “
Ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.
“... poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare. “ Ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë. Mban çmimet letrare “Migjeni”, “Petro Marko” dhe “Jakov Xoxa”.
Është përkthyer në rumanisht nga revista “ Haemus “, 2009 nën titullin “ Trenul ce fuge de durere “. Është përkthyer në Croatisht nga revista “ Dubrovnik “ 2012. Është botuar në disa antologji si “ 100 poetë për dashurinë “, “ Muza e Mëmëdheut “ 100 poetë për Atdheun, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë etj... është botuar në revistën letrare “ Illyria “, “ Albpoem “, “ Kuvendi “ në SH. B. A. 2008... etj.
 
 
 
 
 
Atdheu

…më thanë atdheu janë malet, fushat, pyjet, lumenjt, liqenet
por, oh!
Atdheu isha unë, gruaja, fara, shtatzanitë, lindjet që bëmë
abortet nuk ishin atdhe!
…më thanë atdheu janë atdhetarët, trimat, heronjtë, mitet
Por, oh!
Atdheu isha unë, familja, shtëpia, gjaku, urat, jeta…
vdekjet nuk ishin atdhe!
...
…më thanë atdheu është prona, pasuria, qejfi, orgjia, dehja
Por, oh!
Atdheu ishte lodhja, vuajtja, mundimi, sakrifica, këmbëndenjia
e vjella nuk ishte atdhe!

…më thanë atdheu janë mallet, kujtimet, të dashurit, varret
Por oh!
Atdheu nuk është gjithmonë i bukur
…është e mundimshme të kesh, Atdhe!

Fier, 20 maj 2013



E ardhmja

…jam i huaj sonte në qytetin tim
bredh me shiun e ardhur prej ikjeve kësaj nate të shpuar mendimesh
asnjë nga të dashurat që pata nuk më vjen tek dora
këmbët s’ më çojnë më në vendet ku pikturonim me buzë njëri tjetrin
shoh neonet dhe qesh drita krijon ylbere prej lotsh
kanë formën e kurorës së dhëndërrisë sime
ia paskan vënë qytetit

ja një dritare u çel
u çel e përplas dhe një tjetër dhe një tjetër dhe një tjetër

janë katër gra që tinëz mbyllën drejtkëndëshat e hijeve të shtëpive të tyre
vrapojnë drejt meje

…ato e kanë nga një njeri të huaj brenda vetes
përdor syt e tyre buzët e tyre këmbët e tyre jo mendimet
dhe më çojnë gjithësecila në shtëpinë e vetë…
…ato i ngjajnë trishtimit
me të gjtha zgjedhjet e gabuara që bënë
rri rri dhe së brendshmi u shpërthejnë zhurma pa ide
ato nuk i kanë më syt e tyre
kanë syt e hijeve mbi ball
ecin dhe mbi vete ngrenë erën e qelbur të shikimeve
për të ardhmen flasin sikur për një çeshtje të rastësishme

…pastaj dëshirat më thërrasin të shtrij
një vajzë e re kalon gjithë thirrma të kuqe memece

ngrihem pakuptuar …por tek pasqyra me datën e martesës përposhtë
ngec
shoh …dhe godas me grusht fytyrën time të rinisë
mbuluar nga pluhuri i burrërisë

koka ime një vend me vjeshtë
kthet andej …dhe… vajza s’ është

Tiranë, 22 prill 2013



Shkëmbinjtë…
sonnet

…me drapërin e hënës i ther shkëmbinjtë e tu
dhe epitafin mbi varr jua shkruan me baltë
kur bari mbin mbi baltë mbijnë dhe kujtimet
shëmbllejnë malet e prerë edhe lisi i gjakut

emri yt shkon rastësisht përmatanë natës
ruhu mos bjer në gropën e akullt Shqipëri
varri sy prej balte do të ketë edhe gjëma
heshtjen e përjetshme goja dhe bunacë të zi

varri nuk do të bëhet kurrë statujë besimi
as tekst leximi për syt që ende nuk kanë ler
do të flas çdo varg për ty me gojë profiti
s’ do të kesh n’ at vdekje as perëndi as nder

Shqipëri s’e di!... ty do të vdesë balta?
por shkëmbinjtë që vret në varr do të jenë ti


Fier, 5 prill 2013



 Kluca e pendueme

Për Mitrovicën


…kambët këto dalta të gjurmëve t’ mia
çekani i t’ ditunit pareshtun u qet
çdo ditë tek honi i fundit ku nata nana e andrrave rrkaj… ato ndalen
puthin Mitrovicën që rrin dergjun tue i kërku këtyne natave këtyne andrrave Nishin

sytë e nanës dhe t’ Zotit mbi shpinë
ma t’ thella gjurmët e saj i bajnë

darka murgeshë dëshirat e ndrydhuna kallxon
e në shtëpinë e t’ mundunit tek vorren për s’ fundi i nguc
zani i kronit të Alpeve Shqiptare vjen klithm’ e kullueme
e pres n’dy grushta mbyllun si kupa
drejt qiellzës s’dëgjimit e tret…
...gjithmonë shkojmë tutje pa përtuar
drejtë asaj ta themi kemi frikë
gëzimet i presim hidhërimet i mbajmë mend
të humbun çdo ditë humbjet s'i kuptojmë...

me kohën e njeri’t që tutet posht klucës s’ perndueme
klith klithma deri n’dek e Ibrit
deri n’ dekë t’ kufinit


Fier, 20 janar 2013



... fshatarët e rinj pa lavdi

...shkoj për në fatin tim të lindjes
dhjetra vjet në çantën e shpinës
me pluhur
me re
me mjegull shqisash veshur

dikush ma fsheh parjen!...

mbi supe s’kam lavdi
thjesht kam pluhur
zëra të ndotur
shikime të pista
për fat të keqë
edhe vuajtjen
pse miqtë i kam të zgjuar
armiqtë budallenj!
kur të arrij fshatin do ta shkund veshjen
por
po e gjeta gjallë të dashurën
se kujt tjetër ti shfaqem
pa këto re
pa këtë pluhur
pa këto mjegulla shqisash
pastër?!
oh
nuk mund ta kapërcej
poshtë pragut të fshatit
kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar
paskan vënë
patjetër poshtë kështjellës
varrin e dashurisë sime!

një korb po më thotë se ka vdekur dhe varri
mirë s’e kuptoj!
kthehem...
i kthyer mbrapsht si xhaketë e vjetër
tek rrobaqepësi qorr...


 Sheqmarinas, tetor 2003


 ... vdekje artistike

i ulur në shkallën e parë të amfiteatrit “ Botë “
shoh tragjeditë e fundit të saj
pa Shekspir
pa Eskil...

ulen lotët e parë
gjaqet e parë
shikimet e fundit...
e në mua amfiteatri vdes.


Tiranë, verë 2003



 ...ti erdhe përgjysmë

...ti erdhe tek unë në gjysmë të jetës
gjysma tjetër të patë mbetur diku...
siç vjen gjysm’e gjelit nga rrëfenj’e vjetër
siç del sirena nga deti blu

ti erdhe tek unë me gjysmë mendje
në gjysmë shtrati u shtrive ti
gjysmën e trupit më fale mua
gjysmën tjetër se kujt s’e di!

ti erdhe tek unë me dëshirën e plotë
në ardhjen përgjysmë s’ishe veç ti
dhe kështu pra ndodhi gjysmë ndodhja
o vashë, gjel - sirenë, gjysmë dashuri!...


Fier, gusht 1998

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen