F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Petraq Risto

Petraq Risto ka lindur në Durrës, më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta për Gazetari dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Ka punuar si gazetar dhe libretist.  Pas viteve ’90 shtëpia e tij botuese “Globus R”, ka publikuar me qindra libra e autorë seriozë.  Është autor i shumë vëllimeve me poezi, romane, tregime etj. 
Librat e tij më të spikatur janë në poezi:  “Zgjohu, princesha ime”, “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”; “Apo-ka-lypsi”, “Miq të dyshimit”, “Udhëtar me pluhur ferri”; romanet “Avioni ‘Madam Baterflaj 9/11’”, “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”; “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, vëllimet me tregime: “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, etj.
Librat e tij poetikë janë përkthyer në vende të ndryshme të botës si në Francë “Amer est le miel des tombes” (“I hidhur mjalti i varreve”), përkthyer nga Solange d’Angely dhe Luan Rama, botuar nga “L’Harmattan”, Paris 2009; në Meksikë “El guardian de las golondrinas (“Kujdestar i dallëndysheve”), botuar në dy gjuhë, spanjisht dhe shqip, përkthyer nga Xhevdet Bajraj dhe Ricardo Romero Vallejo, botuar nga Géiser & Toshka, Meksiko, 2008; në Rumani “Vânatul câluţilor de mare” (“Gjuetia e kuajve të detit”), përkthyer nga Kopi Kyçyku, botuar nga Librarium Haemus, Bukuresht, 2008, si dhe “Lojë shahu në shekullin XXI” në ShBA publikuar në sistemin e librit elektronik Kindle, shpërndarë nëpërmjet amazon.com, 2011. Gjithashtu, poezia e Ristos është publikuar në revista dhe në antologji të ndryshme në ShBA, Spanjë, Itali, Angli, Meksikë, Maqedoni, Rumani, etj. Poezia e tij bie në sy për figuracionin xixëllues, ndjesitë e holla, zhgënjimin, dhembjen dhe rebelimin qytetar.




Keqkuptimi

Eci rrugëve. Mjeshtër i rrugëve.
Po rrugëve ka milingona,
Unë kokëuluri i shoh dhe shmangem
Faleminderit thonë milingonat.
Papritmas: një lule
E natyrisht shmangem
Dhe lulja më thotë – faleminderit.
Kështu më thotë dhe bari, dhe kërmilli
Vetëm njerëzit thonë: erdhi i dehuri.

10 gusht 2011




Duke pritur

Një pasqyrë e shkrirë u kthye në det
Një ëndërr: në anije
Molla e kuqe në tryezë: në bovë u kthye.
Vetëm ti mungoje, nuk po vije.

Bromuri i argjendit krijoi ca pulëbardha
Dhe krahët e pulëbardhave e krijuan erën
Lëviza mollën që të zgjohej dallga
Po ti prapë nuk erdhe.

Padashur, padashur pasqyra u thye
Anija u mund nga shtërngata
Molla e kuqe në plagë u kthye
Veç brumuri i argjendit mbeti te pulëbardhat.

Dhe ti prapë nuk erdhe




Prometeu

I trishtuar si fjala “u munda”, trëndafil i vyshkur në maj
Shihni si po vuaj krejt pa patur faj 1
Gjakun që derdhet nga unë në flakë e kthyet pastaj
shqiponja çukit te mua
jo mëlçinë
po gonxhen e zjarrit që mbaj,
gonxhen e zjarrit që mbaj.
Shihni si po vuaj krejt pa patur faj 
                           krejt pa patur faj.

Zjarri, e ç’është zjarri: veç dy drurë që fërkohen
veç dy kofshë që fërkohen
dhe vatra e mendimit që pjell flakë skëterre
në çastin kur bota injorohet.
Ejani kacekë me emrin njerëz
fryni mbi zjarrin e shekullit të ri
ju jeni flugerë të bindur ndaj erës
dhe unë jam Krisht-Poezi.

Heshtja më vret me fjalë plumbash
ndaj si i vdekuri hesht
një Moxart surealist shkruan requieme pëllumbash
duke qeshur
mes pëllumbash vdes.
Hesht: heshtja kapak floriri në kohën tabut
sot më i miri, më i liri
veç fjala mbi fjalët:




Përgjim

Tashmë të gjithë jemi në përgjim
galaktika: vesh i tretë në kokat tona të lodhura
Të gjithë jemi të dyshuar
na vjedhin mendimet me satelitë e mbase jashtëtokësorët na vjedhin satelitët
(nëse jashtëtokësorët dinë të qeshin, mund të vdesin duke qeshur…)
Tronditem kur mendoj se mund të përgjojnë
frymëmarrjen tënde të tejdukshme
kur shpeshtohet nga frika mes një ëndrre.
Njerëzimi shpik ligje të çuditshme për të përgjuar veten
kjo ndodh ngaqë botën e drejtojnë politikanët dhe politika është e verbër
kjo ndodh sepse në kohën kur ne dashurohemi ata blatohen: desh të tredhur.

Përgjohet foshnja në sisë dhe unë në shtratin bashkëshortor
përgjohet boshti i Tokës në lëvizje: thikë në filma Horror.

Përgjohemi
nga mëngjesi
në darkë,
nga vesa
në shi
nga loti
në gjak
nga kafsha
në njeri
Mbase të përgjojnë dhe ty,
Perëndi.

Përgjohemi
dhe milingonat qeshin me ne ngaqë mbijetojnë me kod tjetër:
kokrrat e grurit mbi kurrizet e tyre janë tallje me sizifët – njerëz.

Përgjohet foshnja në sisë dhe unë në shtratin bashkëshortor
përgjohet boshti i Tokës në lëvizje: thikë në filma horror.

Përgjohemi
dhe dallëndyshet tallen  me ne
cicërojnë  në kor e një çast përgjuesit prishen:
Vini re, vini re – Alarm i përgjithshëm:
terroristët po vijnë
në formë dallëndyshesh!


_______________
1 Varg nga “Prometeu” i Eskilit (Shqip. I.Kadare)



Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen