F A Q E T

Freitag, 31. Mai 2013

Biser Mehmeti

Biser Mehmeti

Biser Mehmeti, u lind në fshatin Sefer të Preshevës, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Ferizaj, kurse fakultetin e letërsisë dhe të gjuhës shqipe në Prishtinë. Gjatë kohës sa ka qenë stundent ka bashkëpunuar me revistat “Zëri i rinisë” dhe “Bota e re” “Epoka e Re”ku ka botuar një numër të madh shkrimesh gazetareske, por edhe krijime të ndryshme letrare. Me shkrime letrare merret që nga shkolla e mesme. Është bashkautor në librin “Katërmbëdhjetë autorë” i botuar në vitin 1985 në Ferizaj, nga Klubi letrar “De Rada” ( të cilin pushteti i atëhershëm e pati djegur!) dhe në antologjinë “Orët e bardha” të krijuesve të klubit letrar “De Rada” të Ferizajt, botuar në vitin 2001. Në gazetën “Bota sot” ka botuar një numër të madh tegimesh. Në vitin 2004 në SHB “Vatra” në Shkup ka botuar romanin “Nata pa mëngjes”. Punon në Ferizaj si mësimdhëns i gjuhës shqipe. Fitues i Çmimit letrar për roman “De Rada”, 2014 dhe i disa çmimeve letrare për tregim, në Kosovë e gjetiu .
Në vitin 2014 në konkursin anonim tradicional që e organizon Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj zuri vendin e parë me romanin “Fjala e ngrirë”.

Ka të botuara:

  • ”Nata pa mëngjes”, (roman) botues. SHB “Vatra” Shkup, 2004
  • ”Katër kalorësit e apokalipsit”, (tregime) SHB “Rrjedha”, 2011
  • “Jetë e mohuar”, roman, botues SHB “Rrjedha”, Gjilan, 2012
  • "Fjala e ngrirë" (roman) botues Klubi letrar ”De Rada", Ferizaj, 2014
  • “Dielli i ftohtë”, roman, botues “Buzuku”, Prishtinë, 2016.


Poezi nga Biser Mehmeti


ZOGJTË E PËRGJUMUR

shikoj zogjtë e përgjumur
s’kanë vend ku të  pushojnë

ua prenë gjuhën në mëngjes
të mos e zgjojnë diellin

ecin me krah të këputur
rrugëve plot gropa

në vend të foleve
tymi vajton në heshtje



KOHË E MOHUAR

Me gozhda të ndryshkura
Na e ngujuan jetën

Bredhim prej varrit në varr
Vetveten për ta kërkuar

Na dërgojnë në ferr
Me shpirt të dhunuar

Me lëkurën e rjepur
Mbulojmë trupin e pajetë

Jetojmë e jetë nuk bëjmë
Në një kohë të mohuar
Në këtë varr kolektiv
Dielli nuk ndriçon kurrë



RRUGËT PLOT GJURMË DJALLI

Rrugët plot gjurmë djalli
Mbjellin vdekjen e papritur
Në natën pa mëgnjes

Koha rrëshqet nëpër qepalla
Ku një korb i plakur
Këngën e përmortshme këndon

Varrtarët vdesin duke hapur varre
Nëpër fushën e atdheut
Vetë mbesin mbi dhe

Me shekuj presim diellin
Të lind përtej kodrave
Atje ku djallin e ka folenë

Foshnjet nuk guxojnë të rriten
Kur e shohin varrin e hapur
Që i pret me krah të thyer




UJKU M’I HA ËNDRRAT

S’guxoj të zgjohem nga gjumi
Ujki m’i ha ëndrrat

E ndezi kandilin
Hijet dalin nga arkivoli

Mbështillem nëpër unaza
Koha shtatzënë vdes

Qeshi me vetveten
Për gjërat e kalbura

Ngritem e zbes nga kodra
Lumi i shterur hesht

Fshihem nga vdekja
Që troket në derën e thyer




JETËN E VARI NË GOZHDË

Në çdo mbrëmje
Jetën e vari në gozhdë

Korbat krrokasin pa pra
Me duart e lidhura me gjemba

I vdekur pres kalorësit
Të më shpiejnë në ferr

Me zogjtë e ngordhur
Braktisi folenë stërgjyshore

Qentë endacak më vijnë pas
Duke hëngër gjurmët tona

Harrojmë të jetojmë
Në një kohë të dhunuar

S’mund të shpejtoj asgjë
Në këtë ferr që s’përfundon




KORBAT HAJNË GJELBËRIMIN

Korbat po e hajnë gjelbërimin
Pranvera rënkon në pikturë

Të vdekurit i nxjerrin nga varri
Dhe ua hajnë sytë

Në mëngjes e sjellin natën
Koha e humb rrugën

Fëmijët vdesin nga acari
Bashkë me ëndrrat e vrara




BOTA HESHT E FLET

E fillova një këngë
Me zërin e zgalemit
Ende pa u mësuar të eci

Në folenë e dimrit të thinjur
Koha gllabëroi mëngjesin
Më nuk e pashë lumin

Vaji u zvarrit deri në qiell
Diellit ia verboi sytë
Hënës ia vrau qeshjen

Jeta mbështillet në arkivol
Lindja kërkon varrin
Pritjes i thinjen flokët

Gjaku ushqehet me pelim
Bota hesht e flet
Për gjërat që nuk kanë vlerë

Në shpirtin e pajetë
Lodrojnë mordjet e egra
Si qentë e tërbuar

E kënga vazhdon
Edhe pas mbrëmjes së fundit




PROCES

Ora e lodhur
Dergjet në burimin e shterur

Hapat e vjeshtës
Digjen në liqenin e mërzitur

Një shpatë e thyer në sy
Ndal gjëmimin e nënave

Vallja e sfilitur nga heshtja
Në bishtin e dallendyshes çlodhet

Muzgjet në dritaret e kullave
Vrasin merimangat e plakura

Orës iu kalbën akrepat
Koha u fsheh përtej bjeshkës




NJËTRAJTSHMËRI

Heshti e klithi
E njejta fjalë

Ndizem e fikem
E njejta flakë

Ngrihem e shkrihem
E njejta stinë

Vrapoj e ndalem
E njejta shpejtësi

Këndoj e vajtoj
E njejta dhembje

Dashuroj e urrej
E njejta dëshirë

Lindi e vdes
I njejti varg




ZHGJËNDËRR E VRARË

Dielli ëndërronte
Fytyrën e mbrëmjes

Ia morën këngën
Ai e dogji gjuhën

Prej tokës në qiell
Vdekja zgjati duart

Ia morën dashurinë
Ai kishte urrejtjen

Agimi mbeti pezull
Zhgjëndërr e vrarë

Ia morën vdekjen
Ai kishte lindjen

Askush nuk e pa
Kur iku nga peizazhi



NË NJË URË QËNDROVA

Prej lindjes
Në një urë qëndrova
Nga të katër anët
Erërat i pikturova

Prita ta gjej emrin
Varret dhe dashurinë
Që kurrë nuk i pata

Përtej shtatë kodrave
Erdhi një stuhi e çmendur
Dhe e shembi urën




KRIMBI NË ZEMËR

Krimbi më hyri në zemër
Dhe ma thithi gjakun
Që ishte bërë ujë

Era qeshi natën
Pse rrugën e vështrova
Me sytë që s’kishin gjumë

Kalorësit e vranë qiellin
Pastaj pshurrën mbi të
Derisa e vranë njëri-tjetrin

Stina tjetër kur erdhi
Gjeti një statujë
Dhe do kalorës të ngurosur

Kur ra shumë borë
Era më nuk qeshi
Gjuhën dikush ia preu




ËSHTË NGUSHTË PËR TË VDEKUR

Ujku i plakur argëtohet
Me kokën e një zogu të ngordhur

Dielli më nuk më ngroh
As në verë, as në dimër

Nënës në gjumin e rrejshëm
Ia fshij lotët e ngrirë

Mjegullat nëpër ballë
Lexojnë epitafet e pashkruar

Koka kërcen në flakë
Për të kënaqur ujkun e pangopur

Është shumë ngushtë për të vdekur
E shumë gjerë për të jetuar




NË DITËN E FUNDIT

Në ditën e fundit
Diellit do t’ia djeg shtratin

Mëngjesi e vjedh natën
Mbrëmja e hap varrin

Retë në qeshjet e ngrira
Hedhin vallet e mallkimit

Syri i largohet lindjes
Gjuha i afrohet amshimit

Shpirti hyn në ëndërr
Dhe bëhet guri i përjetsisë

Në ditën e fundit
Do të pshurri veten dhe botën


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen