F A Q E T

Montag, 24. Juni 2013

Adem Berisha

Adem Berisha u lind më 03. 05. 1948 në fshatin Gjyrgjevik i Madh të komunës së Klinës. Shkollës fillore e kreu në Ujmirë, kurse normalen në Mitrovicë. Për disa vite ka punuar si mësues. Mëpastaj ka punuar edhe si punëtor i administratës komunale në komunen e Rahovecit. Ishte njëri nder aktivistët e parë në këshillin nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Rahovec. Në Kuvendin themelues të Degës, në Krushë të Madhe zgjedhet delegat i Kuvendit dhe anëtar i kryesisë së Degës. Poashtu ishte njëri ndër themeluesit e Sindikatës së Pavarur të organeve të administratës dhe judikatuës së Rahovecit e më vonë nga baza zgjedhet edhe delegohet si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Degës së administratës dhe judikaturës së Kosovës pranë BSPK në Prishtinë.
Adem Berisha ishte pjesemarrës i shumë protestave dhe demostratave që bëhëshin në Kosovë. Për shkak se rrjedhte nga një familje atdhetare, ai dhe fanilja e tij ishin gjithmonë të mbikqyrura nga organet e pushtetit të athershem komunist.
Vdiq në vitin 2012 

Librat e botuara:
"Krenaria dhe pikëllimi"
"Lulja la lulishten"
"Përballja"


Poezi nga Adem BERISHA

VAJZA DHE MIKU

Një ditë Diellza e vogël
kur doli në qytet,
ndaloi në librarinë në kodër
të gjente mikun e vet.

Si vajzë e edukuar
librashitësin përshëndetë,
më gjej tha mikun tim të çmuar
të lutem sa mundesh më shpejtë.

Librashitësi nga një qoshe
shikon pak si me habi,
vajzë moj bukuroshe
çfarë miku këtu kërkon ti?!

Ty oj pëllumbeshë e bukur
xhaxhi nuk po të kupton,
më bëj pak më të qartë të lutem
që xhaxhi të ndihmon.

Po, vajza drejtoi shikimin,
përgjigjja është e lehtë:
mik më të madh se librin
askënd nuk kam në jetë.

Ma gjej pra të lutem
Kryeveprën, “Lahuta e Malësisë”,
askush si At Gjergji e Naimi
s’më flet për të mirat e Shqipërisë.

Për mua kjo qenka punë e lehtë
ndaj, xhaxhi nuk të le duarthatë,
t’i bësh ti mbi njëqind vjet,
në jetë të kesh shumë fat.

Kështu diellzusha e vogël
mikun shpejt e gjeti,
me ‘i lamtumirë të ëmbël
librashitësin përshëndeti.



VIZITË QË FRYMËZON

Papritmas Diellza u ndal
babushit t’i lutej një ditë,
Kompleksit Memorial
t’i bënin një vizitë.

Pa kurrfarë ngurrimi
dëshira iu kishte plotësuar,
tri herë kërceu nga gëzimi
kur këtë e kishte kuptuar.

Dukej sikur fluturonte
si flutura në pranverë,
luleve që nga larg shikonte
nxitonte të iu merrte erë.

Shikoi shumë lule të njoma
Kompleksin që zbukuronin,
vendit e ditëve tona
krenarinë ua shtonin.

Lule që nuk vyshken
stolisnin këtë tokë,
si ari që nuk ndryshket
më të mirat në këtë botë.

Dëshmorëve që dhanë jetën
e këtu prehen në qetësi,
diellzusha me gjithë zemër
IU brohoriti, LAVDI !!!

Kur duhej për t’u ndarë
me afsh puthi lapidarin,
si shumë herë më parë
këndoi për Adem Jasharin.

E mbushur me zemër plot
babushit i thotë ca fjalë:
përse edhe mua ky zot
nuk më bëri djalë?!

Edhe unë si këta trima
pa frikë do të luftoja
do të shkrepja si vetëtima
atdheun tim të mbroja.



LULJA LA LULISHTEN

Në ditën që sapo kishte nisur
prej shumë vitesh më parë,
kopshti im ishte stolisur
me një bukuri të rrallë.

Një ditë plot me diell
ende mirë pa u gdhi,
një lule e shkëlqyer
në kopsht më kishte mbi.

Për këtë dhuratë që më vinte
sa s’bënte më u gëzova,
si rreze dielli ndrinte
Diellzë këtë e pagëzova.

Më e mira ndër shoqe ishte
kopshtin më zbukuronte,
aromën që ajo kishte
çdokush e lakmonte.

Shtatë vjet kur kishte mbushur
kopshti s’i mjaftoi,
shpejt e shpejt si flutur
në lulishte të shkollës shkoi.

Në lulishte të shkollës fillore
rritej nga një pëllëmbë në ditë,
me shoqet e saja për dore
lulishtes i jepte gjallëri e dritë.

Si një engjëll që jetonte në tokë
midis lulesh shtatin e vet lëshonte,
ngado që shkonte me shoqe e shokë
një pëllumb i bardhë e shoqëronte.

Gjithë shoqet për rreth që kishte
me zemër e adhuronin,
për bukurinë që s’e fshihte
të gjitha e përgëzonin.

Por një ditë qershori
vije një lajm i zi
lulja një tjetër drejtim mori
e iku diku larg në gjithësi.

Kopshti dhe lulishtja
të varfra tash kanë mbetur,
lulja më e bukur që kishin
tjetër lulishte kishte gjetur.

E tash, mbase nga një tjetër botë
mesazhe na dërgon,
për mua thotë mos derdhni lot
kujtimi im, prore ju shoqëron



HALLKË E KËPUTUR

Vështroj këtë ditë të Shën Gjergjit,
natyrën se ç’kishte mbuluar blerimi.
Nga zemrat e kalamajve si engjëj
furishëm kishte shpërthyer gëzimi.

Djem e vasha si pëllumbesha
pa prâ këndojnë, lozin e hedhin valle,
tufa-tufa si qengjat kur i ruan baresha
vërshojnë male, kodrina, fusha e livadhe.

Ditëve të ngrohta pranverore
shijojnë bukuritë e rralla të atdheut,
të stolisur janë me mirësitë e tyre hyjnore
dashurinë e kanë si zjarr të Prometheut.

Një hallkë të valles të këputur e kanë
gjatë gjithë kohës derisa bashkë gëzojnë,
por, një shpresë dhe bindje i mbanë,
engjëllushen Diellzë përsëri të takojnë.

Këtë ditë, simbol të jetës e gjallërisë
edhe Diellza të gëzojë do të donte,
në Shën Gjergjin e parë pas Pavarësisë
me shoqe e shokë lirinë të shijonte.

Por, ajo iku pa dëshirën e saj,
shoqet e shokët i la të pikëlluar,
gjithë të dashurit i mbyti në vaj
e babushin me zemër të përvëluar.

Ai më nuk shijon erën e luleve
sepse lulja më e bukur i mungon,
as këngët e bukura të bilbilave
veshi e zemra më nuk ia duron.

Sytë i janë mjegulluar deri në verbëri
nga lotët si shi që të ndalur nuk ka,
shpirti e zemra nuk gjejnë dot qetësi
e shkuara, prapa nuk kthehet më.

E jeta vazhdon me vrazhdësinë që ka
si një teatër ku drama mbizotëron,
me gëzime e hidhërime sa s'bën m më
ku shumëkush qanë, pakkush këndon?!



BRITMA E TOKËS

Kur Diellzën dheu i zi brenda ngujoi,
deri në kupë të qiellit edhe toka bërtiti,
nga kënaqësitë e jetës fëmijërore të privojë
nuk desht, por diç të ndryshonte nuk arriti.

Atëherë iu lut të madhit zot
këtë engjëll të pranojë pranë tij,
miqtë e të dashurit të mos derdhin lot,
por le të luten e t’i kushtojnë poezi.

Zemërbardhët sikur pranuan këtë porosi,
ndjenjat më njerëzore i vunë edhe në letër,
me solidaritet e zemërbardhësi
dëshmuan vetën si edhe çdo herë tjetër.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen