F A Q E T

Freitag, 21. Juni 2013

Çeta e Ukë Sadikut

Çeta e Ukë Sadikut
në mbrojtje të trojeve
etnike shqiptare

 Nga Jetish KADISHANI
 
Krahina e Llapushës, si edhe çdo krahinë shqiptare ishte gjithmonë vend i trimave të besës e kuvendit, të qëndresës dhe të heorizmit ndër shekuj. Në gjirin e saj lindën dhe u strehuan trimat e lirisë shqiptare dhe, kurdoherë që kërkoi liria e atdheut, aty gjeti mbështetjen, mbrojtjen dhe qëndresën heroike. Llapusha është vend i luftërave të përgjakshme me hordhitë turke e sllave, vend ku armiqtë e të gjitha kohërave lanë eshtrat e tyre, nga pushka e trimave e trimëreshave të kësaj krahine zëmadhe shqiptare.

Njëra ndër çetat kryengritëse dhe më kryesorja e krahinës së Llapushës ishte edhe Çeta e trimit e komandatit famëmadh, Ukë Sadikut (1907-1947), birit të Luanit të Kosovës - Sadik Ramë-Gjurgjevikut (1872-1944).
Se në ç´rrethana është formuar dhe ka zhvilluar aktivitetin e saj luftarak e patriotik kjo çetë do të bëjmë fjalë në vazhdim të kumtesës sonë.
Fundi i nëntorit të viti 1944, ishte pikënisje e aktivitetit luftarak të Ukë Sadikut, të vëllait Shabanit (1910-1945), të birit Skënderit dhe kushërinjve të tij. Këtu ishte fundi i udhëheqjes së tij si nënprefekt i rrethit të Rahavecit. Sapo doli në mal, Ukë Sadiku nisi formimin e çetës së tij, në malin e Gjurgjevikut, ku iu bashkuan shumë luftëtarë, bijë të shqipes, që për ideal kishin lirinë dhe bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare.

Para se të bëjmë fjalë për aktivitetin luftarak e atdhetar të Çetës së Ukë Sadikut, do t´i  rrekemi pak historikut të familjes së tij, Sadikramëve të Gjurgjevikut të Madh të Llapushës. Familja e Sadikramëve, brez pas brezi ka dhënë bijë të fjalës e kuvendit, bijë të hutës e të pushkës, bijë që jetën flijuan për Shqipërinë etnike. Që nga brezat më hershëm, Alimetët e Nepolës dhe të Gjurgjevikut e në vazhdimësi Sadikramët e Gjurgjevikut në krye me Sadik Ramën, Met Ymerin, Tahir e Bali Fazlinë etj., tërë jetën ishin në shërbim të adheut dhe lirisë së tij.

Ashtu siç veproi i ati, Luani i Kosovës - Sadik Rama, në rrugën e tij plotë rreziqe e sakrifica vazhduan edhe dy bijtë: Ukë Shaban Sadiku. Mbi të gjitha për këta trima ishte liria e atdheut, e të tjerat nuk kanë vlerë, pa marrë parasysh sakrificat. Aty ku e la i ati, Sadik Rama, e vazhduan dy bijtë e tij, Uka e Shabani, tok me kushërinjtë dhe të gjitha ata trima të lirisë shqiptare që iu bashkangjitën atyre, në luftë kundër hordhive serbo-çetnike.
 
 
Çeta e Ukë Sadikut
 
Dy bijtë e Sadik Ramë-Gjurgjevikut, Ukë e Shaban Sadiku, filluan aktivitetin e tyre luftarak duke e formuar çetën e tyre në male të Gjurgjevikut, në fillim të dhjetorit të vitit 1944. Çeta vinte duke i konsoliduar radhët çdo ditë me luftëtarë të rinj. Në janar të vitit 1945, kjo çetë kishte mbi 70 luftëtarë dhe kaloi në Drenicë për t´iu bashkuar Brigadës së Shaban Palluzhës, në janar-shkurt të vitit 1945, derisa u vranë dy prijësit e saj: Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica (1909-1945). Ukë Sadiku ishte në Shtabin e kësaj Brigade. Kur Brigada e Shabanit u shpërnda në grupe më të vogla për të vazhduar qëndresën kundër brigadave serbo-çetnike në Drenicë e vise e tjera të Kosovës, luftëtarët e Çetës së Ukë Sadikut kaluan në malet e Gjurgjevikut të Madh për të vazhduar rezistencën me armë kundër brigadave partizane-çetnike. Kësaj çete iu bashkuan edhe shumë luftëtarë të Brigadës së Shaban Palluzhës, Çetës së Qazim Bajraktarit, Alush Smajlit dhe Ndue Përlleshit. Bashkë me ideologun dhe udhëheqësin politik të kësaj çete, profesor Ymer Berishën, kushëri nga fisi dhe bashkëvendas i dy trimave gjurgjevikas, hartuan planin strategjik të luftës, konsoliduan radhët e çetës, bënë evidentimin e luftëtarëve dhe u organizuan ashtu siç i ka hije një çete të vërtetë luftarake, me të gjitha organet e saj.

Çeta e Ukë e Shaban Sadikut veproi kryesisht në malet e Llapushës, por me aksionet e saj luftarake shpesh kaloi edhe në krahina tjera të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Atë e gjeje kudo që e kërkonte liria e atdheut, pa marrë parasysh sakrificat që do t´i kishte. Ideali i tyre ishte çlirimi i atdheut nga thundra sllave, dhe bashkimi me shtetin amë-Shqipërinë, duke pasur pikësynim bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare ashtu siç kishin qenë para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Pra, para Kongresit të Berlinit (1878).

Çeta e Ukë e Shaban Sadikut, kishte në përbërje të saj luftëtarë trima, kishte ideologë dhe prijës të rryer lufte e sakrifice për çështje të atdheut.
Kjo çetë ishte prijëse e të gjitha çetave e tjera të krahinës së Llapushës, por shpesh, në rast nevoje, bashkëpunonte me çetat e tjera për t´iu kundëvënë forcave të mëdha ushtarake të brigadave partizane-çetnike, që po mësyenin trojet shqiptare.


Kuvendi i Dobërdolit (4 e 5 gusht 1945)

Çeta e Ukë Sadikut kishte në atë kohë edhe mbi 150 luftëtarë, që vepronin në Llapushë, herë në Rrafsh të Dukagjinit, në Anadrin e Drenicë. Kjo çetë luajti rol të madh në pjesëmarrjen dhe sigurimin e mbajtjes së Kuvendit të Dobërdolit.1 Kuvendi i Dobërdolit është një ngjarje me rëndësi të madhe në historiografinë shqiptare, i cili mblodhi krerët e gjithë Lëvizjes për Çlirimin dhe Bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Këtu për herë të fundit u provuan forcat gjithëshqiptare që të riorganizohen në luftë kundër armikut serbo-sllav. Në këtë Kuvend, Ukë Sadiku u zgjodh Komandant luftarak për të gjitha formacionet lufatarke, ndërsa prof. Ymer Berisha udhëheqës politik. Në këtë çetë më parë ishin luftëtarët e çetave e tjera, por në gjysmën e dytë të gushtit të vitit 1945, pas mbajtjes së Kuvendit të Dobërdolit, në Grykë të Garaçevës së Llapushës, u organizua një takim të prijësve luftarakë me influencë si: Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Qazim Bajraktari, Alush Smajli, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku, Mustafë Ibishi, Zef Gjindoda etj., ku në të njëjtën kohë ishin grumbulluar mbi 2000 luftëtarë, u mor vendim që të formoheshin çeta kryengritëse, për t´u bërë në këtë mënyrë një organizim më i mirë luftarak. Kështu, pas konsultimeve disaditëshe që u bënë aty, u vendos që të formoheshin çeta të tjera kryengritëse si: Çeta e Garaçevës, në krye me Qazim Bajraktarin e Astrazupit, Çeta e Alush Smajlit nga Llazica, Çeta e Mustafë Ibishit nga Kramaviku i Anadrinit, por edhe disa luftëtarë të kalonin në Çetën e Ndue Përlleshit, që vepronte në Lug të Drinit dhe në Nahije të Gjakovës, në mesin e tyre edhe prof. Ymer Berisha. Trimëresha shkodrane, Marie Shllaku vendosi të rrinte në Çetë të Ukë Sadikut.


Shpërndarja e çetave në rajone të caktuara

Në Grykë të Garaçevës u mor vendim që çetat kryengritëse me komandantët e tyre të kalonin në disa rajone, për të vëzhguar terrenin, por edhe për të mbrojtur çdo pëllembë toke shqiptare nga hordhitë serbo-çetnike. Kështu, Çeta e Garaçevës mori drejtimin e Astrazupit, Shkozës dhe kaloi deri në terrenin e Suharekës; Çeta e Alush Smajlit mësyu drejtimin e Llazicës, Pllaçicës, Gullbocit dhe kaloi në malet e Drenicës; Ndue Përlleshi bashkë me prof. Ymer Berishën e luftëtarët e çetës së tij kaluan përtej Drinit të Bardhë dhe u vendosën në rajonin e Dushkajes; Çeta e Mustafë Ibishit iu rrek Bjeshkës së Zatriqit për të kaluar në fshatrat e Anadrinit (përgjatë luginës së Drinit të Bardhë deri në Llapçevë, në veri), ndërsa Çeta e Ukë Sadikut ngeli për disa ditë në Grykë të Garaçevës për të vazhduar rrugëtimin e saj pastaj drejt Kijevës, Pllaçicës e Gllarevës. Për shumë ditë këto çeta kërkuan brigada partizane-çetnike për të luftuar me to, por në atë kohë ato nuk dukeshin në ato vise, ngase kishin të dhëna se në Llapushë e rrethinë janë grumbulluar forca të mëdha kryengritësish shqiptarë dhe kishin frikë t´i mësyenin ato, se do të pësonin keq.


Lufta e Çelisë së Siçevës (13 shtator 1945)

Në bazë të dhënave që i kemi shënuar nga luftari i vetëm i gjallë i Çetës së Ukë Sadikut, Ali Meta (1925), që sot jeton në Durrës, në moshën afro 80-vjeçare, del se, derisa Çeta e Ukë Sadikut mori drejtimin drejtë Llapushës Veriore, udhëheqësi i saj, Ukë Sadiku vet i teti kishte shkuar në një takim me Muharrem Bajraktarin e Lumës, diku në Male të Sharrit (mbi Opojë), ndërsa për prijës çete kishte lënë të vëllain, Shaban Sadikun, dhe iu kishte sugjeruar që do të qëndronin në fshatrat e Llapushës derisa të kthehej Uka me shokë. Çeta në atë kohë kishte numër më të vogël luftëtarësh, ngase shumë prej tyre ishin shpërndarë në çeta tjera, disa kishin shkuar me Ukën, kështu që, siç thotë Ali Meta, çeta në atë kohë numëronte afro 40 luftëtarë.

U bënë shumë ditë që Uka me shokë nuk po kthehej nga takimi me Muharrem Bajraktarin, andaj çeta e tij, e udhëhequr nga i vëllai Shabani mori drejtimin e fshatit Gjurgjevik i Madh për të mësuar nëse ka ardhur Ukë Sadiku me shokë. Ishte dita e parë e festës së Bajramit të Vogël. Ajo ditë kaloi me shumë ushqime, që kishin sjellë fshatarët e fshatrave Llazicë, Mleqan e Pllaçicë për luftëtarët e lirisë në fushëgropën e maleve të Pllaçicës, në Livadh të Hajdinit. Të nesërmen itinerari i çetës ishte drejt Gjurgjevikut të Madh. Derisa çeta ishte vendosur në malet e Gjurgjevikut, njëri nga kushërinjtë e Shaban Sadikut shkoi në fshat për të marrë vesh për Ukën. Kur lajmësi u kthye dhe tregoi se Uka me shokë s’ishte kthyer ende, komandanti Shaban Sadiku propozoi që çeta të shkonte drejtë luginës së Çelisë së Siçevës, që të strehohej, si vend larg rrugëve dhe syrit të armikut, ku do ta prisnin Ukën derisa të vinte. Mendimin e tij e miratuan edhe bashkëluftëtarët e tjerë dhe çeta u vendos në Çeli. Dita e dytë e Festës së Bajramit kaloi e qetë dhe luftëtarët u çlodhën nga rruga e gjatë që kishin bërë shumë ditë maleve. Ushqime kishin mjaft dhe roje të sigurt, të udhëhequr nga Alush Smajli e Smajl Hajdari. Si gjithëherë, spiunët e pushtetit të ri komunist (mjerisht shqiptarë), po bënin punën e tyre të ndyrë.Ato ditë Brigada VI Bokele e Kotorrit (Mal i Zi) kishte kaluar në Istog e rrethinë dhe po bënte kërrdi mbi popullatën shqiptare. Ajo po ndihmohej edhe nga shumë çetnikë në ato terrene. Itinerari saj kishte filluar nga Istogu drejt Zllakuqanit, Jashanicës së Epërme, për të vazhduar drejt Pllaçicës dhe për t´u bashkuar brigadave e tjera partizane në Berishë të Drenicës. Derisa kjo brigadë famëkeqe kishte ardhur në Jashanicë të Epërme, dy spiunët shqiptarë ishin lajmëruar të komandanti saj duke e njoftuar për vendndodhjen e luftëtarëve të Çetës së Ukë Sadikut.

Mëngjesi i 13 shtatorit 1945, ishte i kobshëm për luftëtarët e kësaj çete, por edhe për vetë sulmuesit, që nuk shpëtuan edhe aq lehtë. Fushëgropa e Çelisë u rrethua nga ushtarët e Brigadës VI Bokele. Luftëtarët e Çetës së Ukë Sadikut, hetuan rrethimin dhe u përgatitën për vetëmbrojtje. Komandanti Shaban Sadiku po iu jepte kurajo luftëtarëve, Marie Shllaku, motra në mes vëllezërve, posi Shotë Galica e Drenicës e Nora e Kelmendit, po ngjeshte automatikun dhe po priste shenjen për sulm. Dy trimat, Alush Smajli dhe Smajl Hajdari me dy mitralozat e tyre kishin vuar në shënjestër ushtarët e armikut nga dy lisa të mëdhenj, të gjithë po prisnin urdhërin e Shaban Sadikut. Kur u afruan ushtarët e rrethit të parë të armikut, krisi pushka e Shaban Sadikut e pas saj rafalet e armëve e të tjerëve. Ushtarët e armikut po binin të gjakosur dhe pa shpirt, si t´u vinte nga rrufeja e jo nga një grusht luftëtarësh, që në krahasim me numrin e madh të luftëtarëve të Brigadës famëkeqe Bokele dhe armatimit të tyre, ishin një pikë ujë në oqean, megjithatë, rrethi i parë dhe i dytë i armikut u asgjësua tërësisht.

Deri pasdite armiku nuk mundi të dëpërtonte fare pranë luftëtarëve të Çetës së Ukë Sadikut, por kur filluan të gjuanin me mortaja dhe të shkaktonin dëme të mëdha në njerëz, poashtu edhe shiu i madh që filloi të binte atë ditë shtatori, atëherë forcat armike i vuan në rrethim të hekurt. U plagos rëndë vetë komandanti, Shaban Sadiku dhe u vranë shumë luftëtarë tjerë. Në mesin e tyre Smajl Hajdari; mitralozi i tij nuk po villte më zjarr. Edhe Alush Smajli mori shumë plagë të rënda dhe nuk kishte fuqi të shtinte me mitralozin e tij. Marie Shllaku mori shumë plagë dhe me ndihmën e Musli Hotit nga Resniku doli nga rrethimi. Ali Meta me shumë plagë u drejtua nga Jashanica e Epërme, kurse Shaban Sadiku, mori plagë të rënda, por nuk u dha, kur u err doli nga rrethimi dhe u drejtua drejt fshatit Jelloc për të kaluar në Gjurgjevikun e tij, ku vdiq të nesërmen në shtëpinë e tij.

Në këtë luftë të rreptë dhe të pabarabartë u vranë 32 luftëtarë të Çetës së Ukë Sadikut, ndërsa shpëtuan të gjallë, por me shumë plagë dhe dolën nga rrethimi 8 luftëtarë të tjerë, në mesin e tyre edhe prijësi i çetës, Shaban Sadiku. Edhe Brigada famëkeqe Bokele pësoi humbje të mëdha. Iu vranë mbi 200 luftëtarë e po aq iu plagosen. Trenat po bartnin trupa të vdekur dhe të plagosur të ushtarëve serbë drejt Fushë-Kosovës. Të nesërmen kjo brigadë u hakmor ndaj fshatarëve të pafajshëm të fshatrave Siçevë, Jelloc dhe Shtaricë. Vrau 17 fshatarë, duke i akuzuar kinse kanë marrë pjesë në luftime dhe i kanë ndihmuar “banditët ballistë” me ushqime, armatim dhe municion.

Pas humbjeve të luftëtarëve të shumtë të kësaj çete heroike, komandanti saj, Ukë Sadiku ngeli vetëm me tetë bashkëluftëtarë pranë vetes, për t’u endur nëpër fshatrat e Llapushës, por gjithmonë i ndjekur nga brigadat e shumta partizane-çetnike, që iu kishin vërsulur Drenicës, Llapushës e Rrafshit të Dukagjinit posi ujqërit e tërbuar. Marie Shllaku, pas vdekjes së Musli Hotit, e vetme u drejtua drejt fshatit Açarevë të Drenicës. Atje fshatarët e strehuan dhe për pak ditë mori veten. Në një tubim që u foli fshatarëve për bashkimin e forcave për t’iu kundërvënë armikut, u hetua nga dy spiunë dhe u lajmërua në OZN-e të Skënderjat e Mitrovicës. Pas zënies së saj, u dërgua në Mitrovicë, Gjakovë e pastaj në Prizren ku u dënua me vdekje bashkë me tre shkodranët e saj trima: At Bernard Llupin, Kolë Parubin dhe Gjergj Martinin.


Zënia me tradhti e Ukë Sadikut
 
Fillimi i vitit 1947 ishte me borë e acar të ashpër, por aq edhe me sakrifica shqiptare. Ukë Sadiku bashkë me shtatë bashkëluftëtarë besnikë kishin kaluar dimrin në një bunker në male të Jezercit (mbi Ferizaj). Familjet e Sadri Kabashit të Korishës dhe Kadri Maqitevës nga Maqiteva po i mbanin fshehurazi me bukë. Pas dërgimit të Sahit Dinit nga Sferrka e Gashit, nga ana e OZN-ës serbe, që të gjente dhe t´ua mbushte mendjen Ukë Sadikut me shokë që t´i dorëzoheshin pushtetit komunist jugosllav, pas tij shkuan katër veta: Sokol Dini, Beqir Bajrami, Shaqë Caka dhe Nezir Balia, ndërkaq, në bunker ngelën Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari me të vëllain, Qerimin e sëmurë rëndë dhe Halil Sadrinë. Pas vdekjes së Qerimit dhe varrimit të tij, këta të tre u nisën drejt Sferrkës së Gashit për të mësuar se kiu përfunduan katër shokët e tyre që kishin shkuar ditë më parë. Që të tre ranë në pritë të tradhtisë në Sferrkë të Gashit. Në mbrëmjen e datës 17 shkurt 1947, në gardh të kopshtit pranë oborrit të Din Arifit nga rafalet e ushtrisë serbe u vranë Qazim Bajraktari dhe Halil Sadria, ndërsa me plagë në shpatullë të këmbës shpëtoi Ukë Sadiku dhe u drejtua në Murgë, tek dhëndrri i tij. Aty e hetua nga një mik i tij dhe u lajmërua OZN-a në Prishtinë. Gjatë asaj nate ushtria erdhi me trenin e natës dhe u rrethua shtëpia ku ishte i strehuar Ukë Sadiku i plagosur. U zu si luani i plagosur në kafaz dhe u dërgua në Mleqan të Arif Kryeziu, deputet i Parlamentit serb në Beograd nga rrethi i Rahovecit. Kjo dredhi u organizua nga OZN-a, kinse Ukë Sadiku i është dorëzuar vullnetarisht këtij deputeti dhe me kërkesën e tij është dërguar në mbrojtje të Fadil Hoxhës, por ai më datën 22 shkurt 1947 përfundoi në burgun e Prishtinës. Pas procesit hetimor gjykimi u mbajt më 10 prill 1947, nën drejtimin e prokurorit famëkeq, Ali Shukriut, në të cilin Ukë Sadiku bashkë me Gjon Serreçin, Ajet Gërgurin dhe Osman Bunjakun u dënuan me pushkatim dhe që të katër u pushkatuan në Tauk Bashqe të Prishtinës, natën e 31 gushtit 1947. Nuk iu dihet fare varri i tyre.
 

Në këtë mënyrë përfundoi Çeta e Ukë Sadikut, komandanti saj, Ukë Sadiku dhe luftëtarët e tij trima të atdheut.3 Kështu, për një vit, sa veproi Çeta e Ukë Sadikut, mbrojti me heroizëm të rrallë trojet etnike shqiptare nga thundra serbo-çetnike, zhvilloi aktivitet të madh luftarak e patriotik, iu doli zot tokave shqiptare, armikut i shkaktoi humbje të mëdha në ushtarë e teknikë luftarake, dhe vërtetë luajti rol të rëndësishëm në koordinimin e aksioneve të luftërave dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të çetave e tjera kryengritëse shqiptare në krahinë të Llapushës dhe krahinat e tjera të Kosovës. Ndërkaq, Ukë e Shaban Sadiku ngelën përgjithmonë në altarin e lirisë shqiptare si trima që u flijuan për lirinë e atdheut, ranë në mbrojtje të tokave shqiptare.
 
Burimi: PASHTRIKU.BEEPWORLD.DE/19. 06. 2008

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen