F A Q E T

Freitag, 21. Juni 2013

Ramë Binaku

KUSH ISHTE RAMË BINAKU
I DASHINOCIT?

 Nga Prof. Fehmi Kelmendi

Ramë Binaku (1876-1963) i biri i Binak Hajdarit, nga fshati Dashinoc, komuna e Deçanit, Rrafshi i Dukagjinit, nga fisi i Berishës, tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare duke luftuar si kaçak kundër secilit pushtues për çlirimin e atdheut. Qëndresa e tij heroike me bashkëluftëtarët të tjerë të Lëvizjes kaçake e bënë që të radh...
itet në plajadën e patriotëve të devotshëm jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe më gjërë. Ramë Binaku i njohur për veprimtarinë e tij patriotike ishte burrë që fliste pak,por bënte shumë për atdheun. Qysh në ditët e hershme ai e kuptoi që atdheu fillon nga pragu i shtëpisë dhe zgjat deri aty ku çdo pëllëmbë i vie era gjak shqiptari. Ramë Binaku që si fëmijë mbeti pa të dy prindërit. Të atin Binakun dhe xhaxhain e tij Vatën i kishin arrestuar dhe pastaj edhe vrarë turqit.

Jeta e Ramë Binakut ishte përplot vuajtje dhe me sakrifica të mëdha. E rriti dhe për të u kujdesua daja i tij Pash Galani, nga fshati Gjelekar, i Malit të Zi. Në moshën l2 vjeçare Ramë Binaku kthehet në Dashinoc,por jo në shtëpinë e vetë që ia kishin djegur turqit. Prej asaj kohe e tutje për të kujdesohej halla Lule Hajdari, përndryshe e njohur në Rrethinë si trimëreshë e burrëreshë e dalluar. Lule Hajdari nipin e saj, Ramë Binakun l5 vjeçar e dërgoi tek Ahmet Begu, babai i Bajram Currit, prej të cilit kërkoi ndihmë për të mundur me regjistrua në çetën e Hazir Sylës i cili rrjedhte nga familja Kurpali-Shqipëri. Ahmet Beg Berisha i premtoi Lules kujdesin ndaj Ramës dhe ia jep një ndihmë prej një sasije mexhedijesh sa për të siguruar jetën. Kjo çetë ishte e njohur në Shqipërinë e Veriut dhe po ashtu edhe në Rrafshin e Dukagjinit për luftëra kundër pushtuesve osmanë dhe serbomalazezë. Në këtë çetë tok me pietetet e saj u kalit Ramë Binaku.

Tani të shohim se cilat ishin detyrat dhe etika luftarake të kësaj çete: 1. Armikun duhet luftuar me armë pë të fituar lirinë. 2. Një trimëri do një qind mjeshtri. 3. Ushtari i kësaj çete nuk guxon të jetë hajdut, kriminel, i pabesë dhe i pamoral. 4. Aty ku e hanë bukën nuk guxon të tradhtosh dhe të turpërosh. 5. Në ditë të vështirë njihet shoku dhe nuk lihet vetëm. 6. Femrat nuk dhunohen, pleqtë dhe fëmijtë nuk vriten. 7. Çdo gjë do ta kemi të përbashkët të mirën e të keqen, fitoren dhe humbjen. 8. Askush nuk gëzon prioritete apo privilegje, ato i takojnë vetëm popullit. Këto pra ishin kushtet detyrat dhe obligimet e çdo ushtari që pranohej në këtë çetë e që duhej patjetër t’ i respektonte, përndryshe dënimet ishin rigoroze, si djegja e shtëpisë dhe dëbimi nga vendlindja.

Pra në këtë çetë u rrit dhe u kalit Ramë Binaku i Dashinocit. Herët i përqafoi të gjitha udhëzimet dhe detyrat e kësaj çete dhe me përpikëri e besnikëri i vuri në zbatim. Këtu edhe u zotua shpirtërisht të hakmerret kundër pushtuesve Osmanë dhe Serbo-sllavë deri në pikën e fundit te gjakut. Pikërisht pra ky ishte Ramë Binaku që për shkak të këtyre rrugëtimeve të gjata nëpër shtigjet e lirisë rreth 50-vite mbajti armën mbi supe si luftëtar i denjë i çetave kaçake për t`i dalur zot atdheut aty kur dhe ku të ketë nevojë. Dhe mu për këto tipare kombëtare dhe atdhedashurie Rama dhe familja e tij pësuan vuajtje, malltretime, burgosje, djegje shtëpie dhe peripeci të jashtëzakonshme, deri në dënime me vdekje. Megjithatë, Ramës nuk i shkoi mendja kurrë ta braktiste atdheun. Ku ishin situatat më të vështirë aty gjendej. Zoti mos thashtë me ia kthye shpinën atdheut, deklaronte Ramë Binaku, rrëfenin bashkëluftëtarët e tij.

Ideologët shpirtërorë të Ramë Binakut ishin: Hasan Prishtina, Fan Noli, Mehmet agë Berisha dhe Bajram Daklani. Ndërsa bashkëluftëtarët e tij ishin: Azem Bejta, Hazir Syla, Bajram Syla, Zymer Fazlija, Lan Selimi, Isuf Musa, Nue Përlleshi, Sadri Caka etj... Për këto cilësi dëshmojnë shumë burra të Rrafshit të Dukagjinit, të Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut. Këta thonë se Ramë Binaku ishte njeri me orë dhe aty ku printe e mësynte gjithmonë me sukses ja doli. Ku e ngrëni bukën nuk e përmbysi kupën. Ishte i qetë ndër oda por i ashpër në vendimarrje. Kishte qëndrim human ndaj të varfërve dhe gjithmonë i mbrojti interesat e tyre. Pa mëshirë i luftoi armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, sidomos ata të cilët në popull bënin zullum, që deshën ta likuidonin Lëvizjen kaçake dhe vetë Ramën.

Askush nuk përtonte për ta pranuar në shtëpi dhe për t`i dhënë bukë ndonëse i rrezikohej familja. Rama thoshte: Lum kush mundet e mjerë kush s’di. Pra, ky ishte Ramë Binaku, burri i besës dhe i nderit shqiptar, që tërë jetën ia kustoi atdheut duke luftuar për ta fituar lirinë, e që atë liri ta gëzonte populli tok me shtrasat e varfëra, që vuanin siç vuajti ai vetë, sepse asaj edhe vetë i përkiste, por jo shtresave byrokratike që i përshtateshin situatave të ndryshme si kameleonë.

Rama kishte shumë shokë të luftës dhe të besës, që kishin një besëlidhje të fortë, që kush të rrethohet prej pushtetit të tjerët me i shkua në ndihmë pa marrë parasysh kushtet, rrethanat dhe sakrificat. Me një rast Ali Pashë Draga e rrethon Dashinocin dhe me të arritur pyet ku është Dashinoci? Dikush i tregon ja ky është, ai fillon të qeshet dhe thotë:sipas asaj që kam dëgjuar mendova se i ka 500 shtëpi e jo 7-8 shtëpi. Vërtet, Dashinoci ka tri pika kulminante historike të pa shlyeshme:

Lisi i Dashinocit, Kroi i Dashinocit dhe Ramë Binaku i Dashinocit

Këto tri pika janë të lidhura ngusht njëra me tjetrën dhe e madhështojnë njëra tjetrën. Nën hijen e këtij lisi pushonin burrat dhe ideologët e mëdhenjë të atdheut: Hasan Prishtina, Fan Noli, Mehmet agë Berisha, Bajram Daklani. Këtu gjuanin në shenjë dhe hedhnin gurapeshën. Kurse te Kroi pinin ujë dhe pushonon nën hije. Burrat e dheut tok me Ramë Binakun binin vendime të prera lidhur me çështjen kombëtare.

Luftërat e Ramë Binakut kundër Turqisë, në Smolicë, në Qafë të Prushit, në Qafë të Pogragjes, në Krumë të Hasit, në Sukën e Cermjanit, në Lug të Baranit,veçmas me ushtrinë e Xhafer Tajarit,në Lug të Baranit,e në Sukë të Palabrdhit, Ramës i vritet vëllaj, Hajdari, ku tërë ditën me tre shokë luftoi kundër ushtarëve turq dhe nuk u lejoi të ua merrnin kokën të vëllajt siç kishin zakon ata. Aty mbeti edhe një binbash turk. Dhe me të ngrysur Rama e tëhoqi kufomën e të vëllajt dhe e varrosi në fshatin Ratishë. Rama thoshte se ishte një gëzim i madh për të meqë se kishte kryer një mision nderi.Turqit ia dogjën shtëpinë dhe në livadh të tij mbi shtëpi vendosin 50 ushtarë për ta zënë Ramën dhe Zymer Fazlinë që bënin kërdinë në ushtrinë turke e që gazeta e asaj kohe nga Stambolli shkruante: Ramë Binaku dhe Zymer Fazlija sikur fluturojnë dhe nuk po kapen të gjallë.

Luftërat kundër pushtuesve malazezë. Në luftën e Beranit, të Rzhanicës, të Suvidollit dhe për djegjen e Shekullarit Rama u tregua luftëtar me moral dhe etikë që i përket një shqiptari atdhetar. Tri gra malazeze të sulmuara prej ca personave të revoltuar në mesin e kaçakëve në shenjë hakmarrjeje, Ramë Binaku sapo dëgjoi shamatën vrapon dhe i shpëton ato. Njëra prej tyre i ofron fëmijën e saj për t’ia marrë flokut në vend të kumarit ngase ky e kishte shpëtua nga rreziku, por Rama e largon me fjalë duke i thonë se nuk kishte ardhur këtu për të zënë kumar, po për të luftuar me nder ballë për ballë me armikun. Malazezja hallal të qoftë bre burrë që na mbrojtje moralin.

Djali i asaj malazezes kur rritet kryen akademinë ushtarake dhe si oficer merr pjesë në luftën e partizanëve dhe më l963 me insistimin e së ëmës kërkon Ramë Binakun për t’i falenderuar lidhur me rastin e cekur ku ishte treguar human dhe i njerëzishëm. Por ky Ramën nuk e takoi sepse kishte vdekur para tri javësh. Oficeri luftëtar malazez amanetin e së ëmës ia përcolli Hamëz Arifit, djalit të xhaxhait të Ramës duke qarë me lot dhe duke i thonë se nëse dikush të kërcënon drejtohu tek unë sepse kësaj familje i kam borxh. Fjalët e oficerit i shkruan Branko Horvat në librin e tij : “Kosovsko Pitanje”, ku pos tjerash, thotë se Ramë Binaku ka qenë burrë i besës dhe i nderit. Hamëz Arifi ishte njeriu më i dashur dhe më besnik i Ramë Binakut dhe ky vuajti më së shumti prej të gjithë anëtarëve të familjes. Për Ramën u dënua me l2 muaj burgim që i vuajti në Mitrovicë. Megjithatë,ky kurrë nuk u frikësua, nuk u pendua për veprën e bërë dhe nuk hoqi dorë nga familja e Ramë Binakut. Dhe mu për këtë është varrosur pranë varrit të Ramës.

Luftërat kundër Serbisë. Lufta për mbrojtjen e Neutralit të Junikut, në Qafë të Malit të Shqipërisë, lufta me Azem Bejtën e Shote Galicën afër Këpuzit në Qeskovë. Luftërat kundër Austrisë. Në njërën prej tyre Rama zihet me tradhti dhe dënohet me vdekje. Por theu burgun në kullat e Sheremetit në Pejë dhe bashkë me një boshnjak nga Vitomirica e Pejës ikin dhe të nesërmen i lëshojnë të burgosurit të tjerë, po atë ditë pas dreke largohet Austria nga Kosova.

Luftërat kundër pushtuesve serbë të shtetit të ashtuquajtur jugosllav të dinastisë së Karagjorgjeviqve. Gjatë gjithë periudhës së sundimit të Jugosllavisë okupuese të kralave Ramë binaku nuk e hoqi dot armën nga krahu. Krah për krah me Bajram Currin, Isa Boletinin, Azem Bejtën, Shote Galicën, Hazir Sylën, Zymer Fazlinë, Bajram Sylën, Zhui Sadrinë, Kerin e Sadri Bardhit etj... mori pjesë në të gjitha betejat kundër pushtuesit. Që nga viti l9l2 deri në vitin l94l, me përjashtim të periudhës l9l5-l9l8 kur luftoi kundër pushtuesve austrohungarezë, Ramë Binaku me shokë iu kundërvu pushtuesve serbomalazezë dhe kolonizimit të tyre. Në “Republikën” e zonës së Junikut, që u formua në dhjetor të vitit 192l, Ramë Binaku me çetën e tij luftoi me zell për mbrojtjen e këtij territori të pavarur. Ramë Binaku qëndronte pranë Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit. Në revolucionin e qershorit l924 mori pjesë aktive duke mbajtur krahun e Nolit.

Luftërat kundër sllavo-komunistëve (partizanëve e çetnikëve). Lufta në Bëlle në bjeshkë të Deçanit, kundër dy brigadave serbomalazeze, lufta te Gropa e Sapunit kundër Cedo Mioviqit, ku ky komadant i partizavëve plagosej dhe dora e mëngjër i kishte mbetur sakat, lufta në Erenik të Gjakovës, lufta në Pashtrik të Hasit, lufta në Qafë të Prushit, lufta e Cabratit të Gjakovës dhe lufta tjetër në Erenik të Gjakovës, u zhvilluan midis komunistëve dhe ballistëve.e vullnetarëve shqiptarë. Të gjitha këto luftëra me sakrifica dhe viktima u bënë për çlirimin e atdheut,ku lules`i vie era lulë, ku voglushi dhe zogu këndojnë shqip dhe ku historia do të shkruhet ashtu qysh kanë ndodhur ngjarjet duke mos ua mohuar meritën patriotëve të shquar. Shumë gjëra duhet pastruar. Dhe mëtej nuk do të shkruhet sipas dogmës së gabuar sllavokomuniste. Besojmë se në të ardhmën do të paraqiten historianët e ndërgjegjshëm. Disa historianë nën ndikimin e ideologjisë sllavokomuniste ende kanë frikë ose nuk dëshirojnë të shkruajnë për historinë e vërtetë. Eshtë për lëvdruar shpallja e Shaban Polluzhës për hero kombëtar. Ky fanar i kombit këtë e ka merituar pamëdyshje..Para disa muajve organizata “Balli Kombëtar” në Deçan shpalli hero të kombit Ramë Binakun. Ka edhe patriotë të tjerë që meritojnë të shpallen hero të kombit shqiptar. Tani kemi një fillim të mbarë prej disa historianëve dhe institucioneve shtetërore të Kosovës. Këtë e themi për arsye se fitorja deri në pavarësinë e Kosovës nuk është rezultat i luftës së një generate po është rezultat i shumë brezave që dhanë jetën e tyre duke filluar që nga luftërat e Skënderbeut deri sot e kësaj dite. Pra, Kosova është larë shumë herë me gjakun shqiptar. Në shkencë dy gjëra nuk udhëtojnë bashkë e vërteta dhe e pavërteta. Secili do të përgjigjet para popullit për veprën e tij. Dhe një ditë populli shqiptar i bashkuar do të inkuandrohet në botën e civilizuar e demokratike.

Në fund të këtij artikulli po e paraqesim një strofë të këngës popullore lidhur me luftën e Cabratit të Gjakovës :

Mehmet aga u çue në komë
Shumë siklete ma kanë zonë
Ramë Binakut po i çon fjalë
Sa ma shpejt te un me ardhë
Merr me veti shumë vullnetarë
Kanë msy shkit Gjakovën me marrë
Ne Gjakovë kanë msy me hi
Milladini tu ju pri
Ka me vete di faqe zi
Donë me bo Kosovën Serbi


Këto të dhëna janë marrë prej bashkëluftëtarëve të Ramë Binakut: Isë Neziri, Hajdar Tafa, Nue Përlleshi, Sadri Caka dhe Hamëz Arifi. Ndërsa të shenjuara nga djemtë e Ramës, Rexhepi dhe Sahiti. (Bisedën e zhvilloi me të birin e Ramë Binakut, Rexhep Berishën)
Burimi: ZEMRASHQIPTARE.NET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen