F A Q E T

Sonntag, 2. Juni 2013

Fadil Curri

 Fadil Curri u lind në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit(Kosovë) më 25 shtator 1959. Pas disa muajsh familja e tij u shpërngul në Shkup, ku kreu shkollimin fillor, të mesëm dhe Fakultetin Filologjik – dega Gjuhë Shqipe e Letërsi. Pas diplomimit punoi kryeredaktor i gazetës “Sharri” në Han të Elezit, drejtor për kulturë në Kaçanik, kurse vitet e fundit është mësimdhënës i gjuhës shqipe e letërsisë. Si gazetar i furnizonte faqet e letrare e informative të “Shkëndijës”, “Rilindjes” e “Flakës” së Shkupit.
Fadil Curri jeton në Han të Elezit dhe punon në arsim.

Veprat:

A(H) FATI(H) ËNË NË PESHOJË”(Përmbledhje tekstesh udhëtimi nga Belgjika e Gjermania, biseda e shënime me të burgosur e të padrejtësuar dhe krimin në Bllacë të Shkupit nga çetnikët e komnunistët),
“KOHË QORRE – A BLIND TIME”(tufë poesish në shqio e anglisht),
“KRONIKË PËR NJË DASHURI”(roman me dy botime),
“MUZAT E HANPENCIT”(panoramë letrare shkollore e Hanit të Elezit),
“TREGIME PËR FËMIJË”(përmbledhje tregimesh për fëmijë),
“RINJOJA PAS VDEKJES…NË KOSOVË”(roman, vazhdim tematik i “Kronikë për një dashuri”),
“KËSHTU MENDOINTE, FLISTE E SHKRUANTE ADEM KASTRATI”(autobiografi dhe shkrime të tjera),
“ATY KU U KALITËN KAMPIONËT”(monografi e historisë së në mundjes në Han të Elezit).
“ARKA E THESAREVE”(dramë e inskenuar dhe e shpërblyen në Festivalin dramatikm të shkollave të Kosovës në Skenderaj, pastaj e botuar si libër),
“HANI I ELEZIT LEKSIKOR ME FRAZEOLOGJI”(fjalë të shënuara nga kjo anë).


Fadil CURRI

ODË MUNGESËS

Drama “Përmbysja e botës” dështoi më 21 këtë muaj
Publiku nuk i bëri ceremoni mashtrimit të vardisur
Fantazmat pjellakeqe iu mposhtën fuqisë së Zotit tuaj
Asgjë nuk e mposhti shpirtin, as me lakmi të harlisur

Nuk e di kur erdhe në bindjen time, e madhja Mungesë
Ti ishe pashkulshme me shekuj e mileniune në shpirtin tim
E di që në mua mbillje pemën e të sotmes rrënjëshpresë
Që nesër të më jepje kurajo, urti, trimëri, maldet me shkëlqim

Nuk të këndoj elegji e as himn të madhështisë oborrtare
Nuk vajtoj pse nuk munda ti ledhatoj dialektet e kënaqësisë
Nuk i zemërohem vetes pse nuk i putha agimet e zhgëndrrave
Nuk shaj ngathtësinë pse nuk miklova skutat e dhuntisë

I besoj çiltërisë së hijes së shtatit në dritaren lazdrane
I besoj puhisë verigege që i jep shpirt vapës jugtoske
I besoj ecjes së (F)Loçkës miturake nga dhiaret pagane
I besoj Kronikës së Pagëzimit për afrinë dardanokaonike

Asgjë nuk fle në mua, pos bekimit për shtratin
Asgjë nuk më ngroh, pos zjarrmisë së trupit
Asgjë nuk pagëzohet me mua, pos me a(h)fatin
Asgjë nuk rrjedh në mua, pos lumëdehjes së Elbit.

Sepse, ti më je flakë e rreze e agimeve të pagjumta
Sepse, ti më je frymë e parë dhe e fundit për mua
Sepse, ti më je atheu, une në ty refugjat i përdhuntë,
Sepse ti je odë, poezi, Mungesë që të ruaj në mua.

Në Mungesë,
24 dhjetor 2012



PUHIA E VETËLAZDRISË

Nuk po më lë të vdes
fresku i bukurisë së morgut
fjalët e pasosura
që prehen paharrueshëm nga kronikanët

Të gjallë, nuk po më leni
të gjykoj për ata e t'i pyes:
jeni komb ose zomb, ju te mjerë!?

Gati edhe mua më dehu gjumi
nga puhia e vetëlazdrisë

Ju të rriturit
me vrazhdësinë miturake
nuk po më leni të sajoj vargje
për butësinë e fëmijëve madhorë

Nuk po më jejoni
t' ua laj borxhin prindërve
Natën e Shëngjykimit,
as t'ua jap huanë bijve e bijave.

Më thanë se qenkam fjalëkryq
me identitet të ngatërruar
fillin nuk po ma gjejnë as mileniumet
në kornizën e fjalisë së pashkruar




DATËLINDJA E FLAMURIT
1.
Çdo vit në muajin nëntor
Bëhet në familje shumë lazdran
Thotë se në shtëpi është parësor
Është i fortë sa një vigan.

Thotë se është i madh sa një shtet.
Thotë se në saje të tij ne sot jemi gjallë,
Se është sa një nën(ë)tokë, nën(ë)qiell e det,
Thotë se këtë na e dhuroi me penë e pallë.
2.
Mos më urreni pse sot tejet I vogël jam,
Por do të rritem sërish, nëse ju nuk më pengoni,
Sepse ende trupin tim të merituar nuk e kam.
Ndaj, më ndihmoni që nesër më I madh të më doni.

I vogël e i madh duhet të më përkulen,
Sepse kam moshë me mileniume historie,
së cilës çdo vit e shekull duhet t’i shkruhen
nëpër letra e harta me madhësi gjeografie.

Unë kam shpatën e çlirimit - të Kastriotit,
Të frymës bashkuese në Arbërinë trime,
E kam bekimin për shpëtim - të Zotit
Të mos shuhet kurrë Shqiptaria ime.

E kam mandatin e trikohësisë sonë,
Që të kujtoj se i takojme të shenjtës tokë,
Prore e kam fuqinë e kumtit jehonë
Ta ruajmë shtatin tonë këmbë e kokë.

Di të ju rrëfej me guxim e krenari
Se si heronjtë e gjuhës së shqipes jetike
Në Manastir pajtuan me dije e burrëri.
Të shkruajnë të përbashkëtën e shenjtë shqipe.

Di të ju rrëfej për lindjen e Adem Jasharit
Për kryedhuntinë që i dha Perëndia
Që për mbrojtjen e nderit e tokës së të parit
Të flijohet gjaku, jeta, vetja plaku e fëmija.

Edhe diçka me rëndësi do të ju rrëfej sot,
Si në varrimin e mësuesit të dashur. Geci,
doli në skenë UÇK-ja si shpresë atë mot,
dhe na priu te liria që nuk ngeci, por eci.
3.
Ky fëmijë që çdo vit na mban ligjërata.
Për kombin, flamurin, gjuhën e tokën trime
Nga historitë e hapësirat e stërlashta,
Është lazdrani Flamur i shtëpisë sime.

Le të jetë mbret sot Flamuri, e zgjodhi lagjja jonë,
Le të na prijë kurdo e kudo edhe në dhjetor, …
Sepse ka emrin e bukur, - FLAMUR ia thonë
Dhe ka lindur pikërisht më 28 Nëntor.



TREKËMBËSHI NË KARADAK

Plaka që thurr histori me rudha,
Ulet në shkam dhe i këndon nipit histori,
E mëkon me gjuhën shqipe
Matematiken e numrit tre ia rrëfen
Si të bëhet në Një qeveri
Në Një Shtëpi.

Në Karadak dielli lind tri herë,
vrushkujt ia kanë përçarë johyjnisht,
kërkon një trekëmbësh për prehje,
si të plakës që ngrohet vetëm në mëngjes,
kur dielli shkëlqen si koka e nipit,
duke e ledhatuar me ninullat kalëruese.

Në Karadak trekëmbëshi shkruan poezi,
Plaka e Dielli kërkojnë kolltuk
Për trurin që e rehaton trupin
Trekëmbëshi do shtratin për shtatin e vet.



GJUHA SHQIPE

Gjuha shqipe lind nga një gurrë e pashtershme
dhe pastaj trojeve të saja lëshon të vetmin shtat
si djep që nanuriset ka rrjedhën e përhershme
ndërmjet dy brigjeve, që i bëjnë të dashurin shtrat.

Në njërin breg të lumit është dialekti i ëmbëlsisë
në tjetrin breg të lumit është dialekti i trimërisë
merrni nga të dy brigjet frutet e pavdekësisë
dhe jepjani shpirtgjerë pëmes Shqipja e Madhështisë.

Ju, që të dy e si ju, një qëllim të çiltër e keni,
të arrini te shërimorja shpëtimtare e tokës së shqipesisë
dëshmmtarë te këtij fati një ditë në Shqiptari do të jeni.
kur në sofër do të keni ajër, ujë e bukë të vëllazërisë.


PENA

Ju,
shkrimtarë të brezit të ri,
mos u habitni nëse betohem se
penën dikur e kishiim
mehlem për varr,
shkop magjik.

Ju,
shkrimtarë të brezit më të ri,
mos u habintini nëse betohem se
penën e kishim shpatë të prenim djajt,
penën e kishim kopsht për prehje
të dashurisë së munguar,
penën e kishim arkë të thesarit
të vjedhur me dhunë nga armiqtë,
penën e kishim çelës që hapte
portën e Pavarësisë ëndërrimtare,
penën e kishim kulm të ngujuar fort
të shtëpisë së quajtur Bashkim Shqiptar.

Ju, shkrimtarë të brezi edhe më ri,
mos u habitni kur betohem se penën e kishim
edhe frymëzim për dashuri,
prore krijonim fëmijë e poezi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen