F A Q E T

Montag, 3. Juni 2013

Frrok Kristaj

Frrok Kristaj u lind në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 19 prill 1944. Shkollimin fillor e filloi në Zym dhe e kreu në Rakosh të Istogut. Shkollën normale e kreu në Prizren, kurse Akademinë pedagogjike në Gjilan. Më vonë studioi gjeografinë në Universitetin e Prishtinës.  
Punoi mësues në Planejë, Mazrrek, Gjonaj e Zym (Has), pastaj mësimdhënës në Akademinë Pedagogjike në Prizren, kurse nga korriku i vitit 1978 punoi gazetar në të përditshmën “Rilindja” në Prishtinë. Në tetor të vitit 1986 u emërua arsimtar i shkollës me mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Hamburg të Gjermanisë. Në vitin 1991 kthehet përsëri në “Rilindje”, që më vonë botohet si “Bujku”. Pas luftës në Kosovë, punoi gazetar në “Rilindje”, kurse nga viti 2003 gazetar në të përditshmen “Bota sot”, përkatësisht në “Iliria Post”.
Që nga viti 1986 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Republikës së Kosovës, është anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Jeton herë në Zym e herë në Prishtinë.
Me krijimtari letrare (për fëmijë e të rritur) e publicistikë u mor qysh herët. Botoi në të gjitha gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore dhe në Shqipëri, por edhe në SHBA, Zvicër e Gjermani.
Krijimtarina letrare, shkencore e publicistike e Frrok Kristajt herë pas here është përkthyer edhe në gjuhët sllave (serbe - “Stremlenje” e “Jedinstvo”, kroate - “Oko”), pastaj në gjuhën turke - “Tan”, si dhe në gjuhën gjermane, suedeze e angleze.
Deri më tash ka botuar 31 vepra letrare, publicistike, shkencore, pedagogjike, etnografike, etj.
Është themelues i Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi”, i Shoqatës së Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi”, e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që të gjitha në Zym e kështu me radhë.




Frrok KRISTAJ

NË BIBLIOTEKËN E BOGDANIT

Kërkoj emër në Bibliotekën e Bogdanit
edhe kur derën e shtëpisë
e mbajmë të hapur në drejtim të diellit
edhe kur dritarët t’i hapim
që të thahet myku në odat e moteve të errësisë

Kërkoj emër në Bibliotekën e Bogdanit
edhe kur me eshkë t’i ndezim shpresat
mbi pullazet e konakëve të kujtesës
edhe kur vjen pranvera me lulëbozhurre të Ulpianës
që na i sjell Konstandini, derë e parë e kësaj toke

Kërkoj emër në Bibliotekën e Bogdanit
sa herë u bëmë Gjergj Kastriota në prag e në plang
andej përtej detit me valë
- udhëve te golgotes
në logun ku rritej fjala dhe besa
aty kërkoj emrin në akustikën e Bibliotekës së Bogdanit

 
NË MALIN E SHENJTË TË TRUMSHIT

Kambanat prekun rrufetë
në majat e Pashtriku
kujtimi shuan etjen
në Kroin e Shumërizës
dhe në frymën e plasaritur të kujtesës

Ringjallja e përtypë
legjenden e udhës së besës
në përvijimin e Ditës Shtatë të shën Panit
në Kalanë e Shëngjergjit

Në Malin e Shenjtë të Trumshit
kujtimi ringjallet në stinën e luleve
me fjalën e bekuar të Nënës

PSALME BOGDANIANE

Në kopshtin e përgjumur
Engjëlli i Ulpianës
ekzekuton në telat e violinës
psalmet e Pjetër Bogdanit
dhe i përgjërohet Gjinanit

Shikimi i ndryshkur
rri varë fikall buzë malit

Në theqafjet e Ulpianës
mbledhim psalme
dhe eshtra të Bogdanit


KUJTESA

Kujtesa dergjet
matanë dhijareve shkëmbore
dhe kalldremeve arbërore
Gjethet e zverdhura të vjeshtës
derdhën medzhave buzë malit
të lagura me lotin e voktë

Nën hijen e Mollës së Kuqe
rri e shtruar sofra
kulaçi thyhet nga njelmësia e lotit

Te Molla e Kuqe
tjerrim motet e përgjumura
dhe përtypin kujtimet e grisura

Hijet zgërdhihen
plaga kullon dhembje

Molla e Kuqe bulon me gjethe të gjakosura
Te Mollë e Kuqe
kujtimi rri i zgjuar
në kalendarin e kalamendur



HIMNI I SHËN NIKETËS

Shiu ekzekuton Himnin e Shën Niketës
me notat e kalamendura
të një pentagrami të vjetër -
orkestra e ka humbur rrjedhën e notave

Matanë lumit të harlisur
këndej bregut të braktisur
shtërngon kujtimi
gjëmon shikimi

Këndej lumit vau
matanë bregut mëkati

Telat e ndryshkur të violinës
ndrydhin notat
në pentagramin e arnuar

Muret e kishave pëlcasin
me himnet e Shën Niketës
që ngrihen qiellit
e derdhën Drinit
dhe puqen në horizontin e kujtimit
Shën Niketa
mbledhë copat e pentagramit në Rimanishtë të Gallapit

hën Jeronimi përkund
djepin e thyer të pentagramit


ME IMAZHIN E TOKËS SË PREMTUAR

Nata e bekuar ringjallët
kur foshnja then lëvozhgën e vezës së kuqe
dhe derdhet në hirin e kemit

Me imazhin e Tokës së Premtuar
kthehen në sheshin e lumturisë
kurse vdekja e gjetheve tund lulet e mërdhira

Libri i shenjtë dëshmon djegien e dorëshkrimeve
të pikturave e të partiturave
në Qytetin e Bardhë të kambanave


RINGJALLJA

Po jetojmë në mot të lëmashkët
në kohë të shëmtuar
në kohë të shituar
në kohë të shkrumuar
në kohë të shartuar

Toja e moteve kaherë na është këputur
identiteti ynë na është derdhur shkretirave të Anadollit
e moqaleve të Shumadisë

Plisbardhët - Evropës i sollen shenjtëri
e tash kujtimi në në skenën e Evropës është bonjak
- Evropa ka nevojë t’i rrëfehet historisë

Edhe pse Dielli po rrezon
mëkati ynë është se e kemi humbur rrugën
që të dalim nga tuneli
i natës pesëshekullore
që t’i hapim portat e Qytetit të Shenjtë
që lidhet me shtaë qytete të tjera:
- Qytetin e Diellit
- Qytetin e Dritës
- Qytetin e Bardhë
- Qytetin e Arit
- Qytetin e Budimit
- Qytetin e Dërvenit
- Qytetin e Javudit

Të Dielën e Pashkëve
që moti vdekja e ka humb kuptimin
ringjallja po na shfaqet në horizont

Lambrez porositë:
“Historia e vërtetë e Evropës do të shkruhet
kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”



PAGJU(R)MËSIA


Djepi - testament i ninulave
përkund ëndërrat në Parajsë

Mesnata djerësitet në shtratin e ëndërrave
nata e bekuar e ngjallë kujtimin në Gur të Hasit
shpresa e përndezur po e kalon pragun e fjalës

Në Ulpianë këndellet Himni i Ringjalljes së Shpirtit
që ngroh lotet e mallit të derdhur në hirin e kemit (tamjanit)
në hijen e lotëve magjia e fjalës i trazon shpirtërat

Në historinë e biografisë së luftës
lufta është fakt
lufta është fat
- vetëm të vdekurit e shohin fundin e luftës
arkeologjia i njeh vetëm faktet

Pagju(r)mësia
na fton ta artikulojmë identitetin e ardhmërisë



SHPIRTI YNË KA ZJARRMI

Është koha e fundit
ta vjellim mëkatin e natës pesëshekullore
sepse pranvera po na fton t’i kthehemi vetvetës

Jemi midis natës e ditës
në asnatëasditë
të zhbëhemi apo të bëhemi
të përballemi me vetvetën

Jemi shpërfytyruar -
dyfytyrësia është pafytyrësia

Ku gjendemi tash
në robërinë e bardhë apo në lirinë e zezë?

NATO-ja na ndihmoi të çlirohemi nga të huajt
por nuk ka NATO që na çliron nga robëria jonë shpirtërore

Momentalisht as nuk po ikim nga vetvetja
e as nuk po i ofrohemi vetëvetës
shpirti ynë ende i dron Dritës
shpirti ynë ka zjarrmi

Është koha të zgjohemi për t’iu rrëfyer vetvetës


RRËFIMI PARA HISTORISË

Vendlindja është vendi ku kemi dëshirë të rritemi
duke dëshiruar që sa më parë të largohemi
dhe të vdesim duke dëshiruar të kthehemi sa më parë

Në Gadishullin e Ilirisë
të gjithë hapem varre
dhe të gjithë hedhem valle
liria përherë u mbjell nga copat e zemrave

U harbuam në terr
që të mos mbetemi në ferr
shprushëm historitë që biografitë t’i ritushojmë

Nëpër Evropë derdhëm shumë Kosova
lotet i ngjyrosem me rilindje

Të gjitha i provuam me ardhacakët në Dardani
përveç paqes

Tash Kosova e nusëruar qëndron e paluar
mbi krahët e shpiqeve të gurëzuara
nuset tona ende hyjnë në legjendat e murimit
pesha më nuk matet me cak
tash është koha të çlirohemi nga vetvetja

Ibrahim Rugova porositë:
“Popullit me mentalitet robërie
i nevojiten njerëzitë me mentalitet lirie”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen