F A Q E T

Montag, 3. Juni 2013

Vetëpohimi ontologjik e artistik

Prof. Abdyl KADOLLI

Adem Dema, “Libër për Vet Mohimin”, LSHK, Prishtinë, 2012

Adem Demaçin tashmë e njohim si shkrimtari Adem Dema. Me kompletin e veprës së tij letrare ai vjen me profilin e plotë letrar shumë origjinal në të gjitha gjinitë letrare. ... Romani “Libër për Vet Mohimin” është romani më kompleks i opusit të tij krijues, ku janë shtresuar shumë procedime të tij artistike. Është një sprovë e poetikës së romanit postmodern me dramën intelektuale të ideve filozofike, ndjeshmërisë metafizike e vizioneve fantastike . Tipologjikisht, ky është një roman me struktur të hapur, ku sikretizohen elemente të romanit të ideve, romanit me çelës dhe romanit shkencor-fantastik. Stilistikisht, është roman eseistik e diskursiv, me imazhe simbolike, alegorike e fantastike, që shpreh shqetësimet morale, politike e metafizike / T. Man, A. Zhid, Elison, Haksli, Ourel, Xhojs etj/. Strukturën e romanit e përbëjnë shtresimet semantike, stilistike dhe estetike.

Ligjërimi artistik

Rrëfimi në roman është i shtruar, i gjallë dhe shumë i natyrshëm, një gërshetim i reales me irrealen. Pikëvështrimi zhvillohet nga pozicioni i narratorit autor dhe i personazheve reale e fiktive, me asociacionet e tyre refleksive, emotive e intuitive. Ai zhvillohet në trajtën e përshkrimit, monologut, monologut të brendshëm, dialogut e trilogut të personazheve. Drama e personazheve zhvillohet me parimet, idetë e ndjenjat e tyre. Dialogu zbulon idetë e karakteret e personazheve dhe dinamizon veprimin. Dialogët janë filozofikë e eseistikë , madje mjaft dramatikë e platonikë. Haset edhe dialogu lirik me tone refleksive, ndërsa trilogu bëhet katalizator i bisedës. Monologu shprehet në inrospeksionin lirik refleksiv të autorit për muzën e dashurisë, si frymëzim e kredo krijuese në vetëpohimin artistik. Monologu i brendshëm i rrjedhës së vetëdijes shpreh asociacione të lira të ideve e ndjenjave të fshehura, duke kumbuar si një lojë fjalësh në ritmin asociativ: “Rrapa-tap! Tapa-rrap. S’e ka keq! S’e ka keq. Veç e veç! Veç e veç! S’e ka keq!

Prish e ndreq! ... Rrimë-flimë! Flimë-Rrimë! Hamë-pimë! ...Nis e sos-bukë e kos! Rrange-dang! Bukë e lang!...Hip e zhdrip- bukë e kripë!...”1

Personazhet artistike

Personazhet e romanit janë reale e fiktive. Ato karakterizohen me anagrame e nofka alegorike e ironike dhe portretizim të hollësishëm fizik, social e etnopsikologjik. Disa personazhe duken paradoksale në një rreth e kohë të çuditshme, duke u ndeshur me absurdin etik e ekologjik. Vet Mohimi është një alter ego e autorit, personazh idealist i flijimit për lirinë. Duke dalë nga burgu i tretë, ai harron thesin e burgut në një stacion të trenit, por në kupe ndesh burgun tjetër të urrejtjes. Ai kundron me vetëdije kritike realitetin e mbyllur të pushtimit, si një burg i madh, ku ndesh karaktere e fenomene të çuditshme. Ai që ka bërë mohimin e jetës së vet, tash gjakon të bëjë vetëpohimin artistike. Kolë Makanda është personazh i vetëdijes intelektuale, një individualist i natyrshëm që do më shumë vetveten se të tjerët. Rrezaton dinjitet me vetëdashuri, vetërespekt e vetëbesim. Nuk reagon fare ndaj sfidave, madje edhe kur përgjaket, vetëm për të ruajtur stabilitetin shpirtëror nga urrejtja e përbuzja etnike . Mirëpo, ai di të frenojë mekanizmin e trenit, kur kalohen të gjithë kufijtë e durimit. Dinjiteti i tij intelektual mund moralisht e shpirtërisht albanofobinë serbe. Ai shquhet me konceptimet për individin e shoqërinë dhe përmasën metafizike. Sasha është një provokator i tipit agjent, i dehur me albanofobinë serbe ndaj shqiptarëve. Përmendet nga agonia e urrejtjes vetëm kur frenon treni, madje pendohet duke kërkuar ndjesë. Ai vazhdon të testojë pulsimet shqiptare edhe në motelin “Në fund të pusit”. Ligjërimi i tij bëhet në gjuhën amtare. Regjisor Lala është një krijues origjinal, me shije, intuitë e imagjinatë individuale, por konsiderohet regjisor i dështuar. Shtëpia e tij në formë të piramidës së qelqtë, me kultin e kohës e ushqimit dhe filmi i tij fantastik është një vizion artistik i jetës së harmonishme në ujdhesën e blertë. Zell Çaushi është figurë e patriarkut që imiton sistemin totalitar në familje, duke diktuar regjimin e kohës e veprimit, ushqimit, higjienës e nevojës, andaj edhe parodizohet nga anëtarët e familjes. Ramë Heraku, një personazh i sprovave të djallëzive e mizorive serbe, veprimtar i NDSH-së, me kiblen nga Shqipëria.

Janë edhe disa personazhe episodike që përplotësojnë veprimet e romanit. Ahmet Burri, një veprimtar i devotshëm i atdheut, fjalëpak e punëshumë. Rexhep Uka me Golfin gjog, Elez Qerimi me dashurinë qershi, Fillim Çaushi me parodinë e tij, Driton Delia me piramidën e ujit të zi, nxënësi Liraku dhe mësusja Ezuta me dashurinë e tyre intuitive.

Koha e hapësira

Koha e romanit është kohë subjektive, e përjetuar nga personazhet në rrëfimet e veprimet e tyre. Njeriu në kohë dhe hapësirë është një mikrokozmos : “... çdo gjë në këtë Gjithësinë tonë është e lidhur përmes lidhjeve të padukshme.”2. Koha krijuese e vepruese krijon qenësinë e vlerave dhe emancipimin njerëzor: “ Ata që jetojnë, krijojnë. Vetëm ata që krijojnë, jetojnë.” 3 Koha ekstensive është e vdekur, si kohë e pritjes, ankthit e frikës nga vetvetja dhe bota. Në mjedisin e alienuar njeriu humb drejtpeshimin e jetës. Kohë e romanit është kapërcyelli i shekullit dhe i ndryshimeve historike , ku pritja e njerëzve është absurde. Hapësira e historia e Ballkanit shihet si një kazan që vlon nga paranojat skizofrenike: “Atje, si e dini, hilja është letër, goma është laps, tokës këndojnë e vallëzojnë topat e raketat, kurse qiellit hedhin valle shqipet që vjellin zjarr.... Përpiqen që të ndajnë të kaluarën, hanë të nesërmen, ndërsa të sotmen e kanë harruar fare.”4 Peizazhet hapësinore e kohore në roman janë simbolike e groteske.

Semantika filozofike

Semantika filozofike e romanit shtrihet në idetë, konceptet e nocionet e personazheve Vet Mohimi e Kolë Makanda. Ajo rrezaton për jetën, kohën e hapësirën, dijen e vetëdijen, individin e shoqërinë, politikën e pushtetin, për idealet e lirisë dhe vlerat etike e humane. Njeriu si qenie inteligjente, është mrekulli e natyrës, që ka mundësi të bëjë mrekulli. “...çdo individ për veprën e vet është qendra e gjithësisë...” 5 Vetënjohja është kthim në vetvete me vetëdashuri, vetërespekt e vetëbesim. Vetëm individi i integruar në vetvete mund të integrohet me të tjerët, duke krijuar harmoninë njerëzore. Interesat individuale janë promotor i zhvillimit shoqëror, ku çmohen dituria, kamja e fuqia në rivalitet me kundërshtarët.

Vetëm njeriu i ditur dhe i lirë mund të çlirohet nga frika, inferioriteti e tjetërsimi. Mësimi është i bardhë, gabimi i zi, ndërsa pësimi galan. “Padija është burim i etheve, kurse skamja është shtrati i etheve. Mjerimi është kulmi i etheve.”6 Janë sfiduese idetë për zhvillimin e historisë njerëzore, që nuk është shkruar ende, sepse njerëzimi është i ndarë e përçarë : “Sepse njerëzimi ende është i ndarë në raca, klasa, kasta, në shumë fe e në shumë atdhe, në shumë kombe e katakombe, në shumë shtresa e pengesa... Duke herrur, duke zgjedhur dhe duke tjerrë më tutje, ne krijojmë rrjetin e historisë njerëzore...” 7 Politika trajtohet si një teatër, ku pasojat e dështimeve i vuajnë të gjithë. Sipas Kolë Makandës, revolucioni duhet të ndodhë së pari në vetëdijen e njeriut. Totalitarizmi komunist kishte dështuar, duke shpallur ideologjinë e pushtetin të përjetshëm, luftën klasore me urrejtje e dyshime kombëtare, fetare e njerëzore. Imazhi i Ballkanit europian , si mozaik kulturor popujsh, racash e fesh, është një vizion i botës moderne, të çiruar nga frika e militarizmi, ku respektohen liritë dhe të drejtat e identiteteve të ndryshme.

Metafizika e shpirtit

Metafizikën e romanit e përbën psikanaliza e shpirtit, shtresat e të cilit janë një fushë energjetike, ndërsa thelbi magnetik: “Në pjesën pozitive ose të bardhë dhe në pjesën negative ose të zezë.”8 . Impulset pozitive e negative krijojnë baraspeshën e shpirtit, ndërsa gazi e vaj janë një katarzë e tij. Prishja e baraspeshës shpirtërore krijon komplekse dhe urrejtje të vetvetes e botës: “Ne s’dimë gjë tjetër,vetëm të fajësojmë të tjerët që jemi të ndarë në copa-copa e grimca-grimca.”9 Shpirti ruan në grimca energjetike gjithë fenomenologjinë e kohës. Shpirtrat e mirë inkarnohen e fisnikërohen me ndjenja e mendime të reja, ndërsa shpirtrat e këqij bëhen “gropa të zeza të gjithësisë”. E këtillë duket metamorfoza historike e gjenetike e shpirtit të lashtë kombëtar, të zvetënuar e asimiluar, që i përngjan qyqes : “Këndon-vajton, kur është vapë e madhe dhe-dhe-dhe – i vendos vezët në çerdhet e huaja!” 10 Disa kapituj të romanit janë monologë refleksiv të autorit, si moto e kredo krijuese, ku Vet Mohimi shndërrohet në vetëpohim artistik . Krijimtaria artistike sublimon shpirtin në ontologji estetike: “Eja, se s’ka krijimtari pa energji dhe s’ka energji pa dashuri.”11

Muza e dashurisë është melodi magjike, frymëzim, intuitë dhe energji krijuese. Triada dashuri-energji-krijimtari i jep kuptim jetës. Dashuria krijon vlera shpirtërore dhe lumturinë njerëzore: “Lumturia është harmonizimi i dashurisë së gjithpranishme me integritetin personal, etikën dhe fuqinë.” 12 Është kjo një dashuri platonike, hyjnore. Muzika vlerësohet arti më universal, që zgjon ndjenjat e fjetura të shpirtit, pastron nga dyshimi e urrejtja dhe fisnikëron me besim e dashuri gjithënjerëzore: “Muzika është numër i pafund nocionesh të kthyera në ndjenja...” 13

Meditimi transcendental

Në psikanalizën metafizike autori ka aplikuar edhe metodën e meditimit transcendental, e njohur nga Vedat e lashta hinduse, dhe e funksionalizuar sërishmi nga Maharishi Mahesh Joga dhe Dipak Çopra/ Deepak Chopra/ lidhur me fizikën e kuanteve dhe të tingujve hyjnorë. Dhoma magjike majë piramidës në shtratin si anije kozmike: “Fantazi dhe realitet.”14 . Fluturimi në tejdukshmëri , nën tingujt muzikorë, në trininë trup- mendje- shpirt hyjnor krijon ndjenjën e mrekullisë dhe të vetënjohjes. Teknika e meditimit jepet me formulat ‘Hyn-Hyn’, ‘KIKË’, ‘Del-Del’, ‘MIKË’ e ‘NGIKË’. “Ishte ky një makth i padurueshëm pamjesh e zërash. Nga zori i madh që e pushtoi, u kujtua dhe u ul mbi një pikë. Pasi normalizoi drejtpeshimin, për t’u siguruar edhe më mirë, në të dy anët, djathtas e majtas, nguli nga një pikëçuditje, pastaj në të dy veshët vari nga një pikëpyetje dhe, në fund, mori një pikëpyetje të madhe dhe e vuri para syve... Duhej vetëm të mendonte vendin, objektin, njeriun dhe të bashkoheshin pamja dhe zëri.”15 Në këtë komunikim telepatik me rrjedhat e intelektit nëpër pikat e globit, autori teston pozicionet politike ndaj gjendjes së shqiptarëve. Oborri i Dedës: Dan Slloba mes dy presjeve energjetike, kokë e bisht. Palla: Luftë për territore me dëbim e shfarosje. Kremlini: Serbët po bëjnë gjithë botën kundër vetes, andaj edhe neve. Akropoli: “Racë e papërpunueshme janë Arvanitët.”16 Çanak Kale: Brejtje e ndërgjegjes për mëkatet e vjetra. Maja e Dajtit vazhdon ison “Aman! Eeeee!” Boni sheh Ballkanin si fushë shahu me shqiptarët jashtë lojës : “... ne do t’i ndihmojmë për aq sa ata janë të aftë të marrin ndihmën tonë.” 17

Oborri Aki Hito: Dan Slloba është çartur, urren vetveten dhe botën. Formula e shpërthimit me turjela të rrethit energjetik vjen nga Vet Mohimi: “Ju nga andej do të goditni kokën e presjes me ngarkesë negative, kurse ne prej këndej do ta godasim kokën e presjes me ngarkesë pozitive.”18

Fantastika shkencore

Fantastikën shkencore të romani e përbëjnë njohuritë për teorinë e gjeneve dhe teorinë e kuanteve, shpikjet teknologjike e elektronike të sistemit Diamond të tretjes dhe sistemit të Drakerit për kohën . Filmi fantastik “Liraku dhe Zateu” i regjisor Lalës hapet me rrotullimin e globit dhe simfoninë për atdheun me visoret magjike, figurat historike dhe fenomenet natyrore. Zateu është arketip i sektit të “ Shtatarëve”, me krerët e “Dyzetarëve” dhe të “Mijatarëve”, që përgatitet për planetin Harmonia. Ai ka zbuluar emulsionin e përtëritjes së qelizave dhe largimin e gjenit të vdekjes. Mësuesja Ezuta mëson nxënësin inteligjent Liraku për dashurinë, besimin e respektin. Shatrapuli është një mrekulli teknike e intelektit , që njeh gjithë gjuhët e shkruara dhe ruan informacionet e krijimtarisë njerëzore, duke punuar me energji të fotoneve. Ai ruan edhe ujdhesën e blertë nga ndotja. Di gjithçka, por jo edhe për Xharavellat! Fantastikë onirike është edhe udhëtimi imagjinar në dritën e kulluar, si takim me urtinë kombëtare e universale: FU-HI, Aristoteli, Çerçili, Xhemail Obria, Ismail Kapiti, Tahir Berisha etj

Metaforika e simbolika

Romani “Libër për Vet Mohimin” shquhet me sintaksën e kulluar shqipe dhe shprehjen e dendur metaforike e simbolike. Stilemat e shkrimtarit janë të veçanta e origjinale. Metaforat kanë ngjyrime afektive e kuptimore: “Oda e pa dhe qeshi.”19 ;“Birat e gardhit u mbushën me sytë e botës.”20 Kënga e qyqes zgjon asociacione sugjestive për shqiptarët që shkëlqyen nëpër vende të huaja: “Të gjithë i lanë veprat e tyre në dhe të huaj, të gjithë jetuan në etje, të gjithë vajtën pa e shuar etjen! Pak ujë. Pak ujë! Pak dritë!”21 Simbolike janë edhe qershia e dashurisë, lulja e xhenetit, piramida e qelqtë etj. Parabolë alegorike janë edhe fiksioni e konfiksioni i vëllezërve: “Vëllai i madh tundte shkopin, vëllai i vogël mprehte gjuhën, ndërsa vëllai nga

Kavadari kriposte dhe biberoste plagët.”22 Parabolë e absurdit është edhe dyqani privat “Prej e qep tamam për trupi”, që pret mallra veresie nga jashtë. Punëtorët vetëm presin, marrin masat dhe regjistrojnë myshtërinj, ndërsa ata në krye mendojnë për të gjitha: “Kanë dhënë premtime të forta. Kanë thënë vetëm ju rrini urtë e mos na nxirrni telashe këtu në Kan të Ballit e ne do t’ua sjellim të gjitha.”23 / Grotesku i piramidës me vaska shpreh absurdin e aljenimit dhe tmerrin nga pushtuesi e uji i zi, që trullos njerëzit. / Bodler, Po, Kafka, Beket, Jonesko./ Shquhet parodizimi ironik e humoristik i Zell Çaushit. Ironizimi i komoditetit :” Pa atdhe, pa fe, pa kombësi, pa kufi, pa shtet! Kush ka nge ta mbajë e ta ruajë shtetin? Ha, pi, fli? Ku ka më mirë?!”24 Paradokset janë të reja dhe të çuditshme: ” Kur t’i nisni-ndaleni! Kur t’i ndalni-nisini!”25

Ritmika estetike

Ritmika e ligjërimit artistik përthyhet me vargje e këngë lirike. Përsëritjet e fjalëve dhe tingujve krijojnë impulse ritmike e melodike me efekte estetike: “E, pa kuptim, jeta është kotësi, kotësi, kotësi, otësi,otësi, otësi,tësi, tësi, tësi, si, si, si, iiiiii!”26 Pasthirrma habitore kumbon si befasi : “Ende pa u sjellë a-ja, o-ja dhe u-ja rreth e rrotull sallës...Një ë e përmbajtur gumëzhin sallës.”27 Shprehja habitore:”... Selami Musanëëëëë/ Burrë i shkurtë dhe çobanëëë!” 28 E këtillë është paronomazia eufonike me rimime në intonimet humoristike e ironike : “E zemrën gur, shpirtin- zgur!” 29 ;” Kolë Fesati na e çarti!” 30; ” Një herë gastaren, një herë cigaren.”31 ; ” Po shesim arka, fitojmë marka!”32 etj. Shkallëzimi sipëror i kuptimit të fjalës: “Doli nga burgu i burgut të burgut”33; ” Keq e më keq e zi e më zi.” Shprehja artistike është e pasur me epitete e krahasime të shumta. Epitetet : bardhosh, bardhec, hundëshkabë, hundërosak, kaçurrel, syfilxhan etj. Krahasimi mitik : ” Golfi dukej si ndonjë cjap i bardhë parahistorik që zdirgjej nga maja e Drenushës.” 34 Përshkrimi erotik i ambientit: “Aty ku mbështeten duart, gjendeshin të imituara kofshë lakuriqe vashash, kurse, aty ku mund të mbështetej koka e myshteriut, nga të dy anët gjendeshin dy kodrina

të imituara, në biçim të gjinjve të epur të vashave.”35 Përsëritjet e fjalëve, fjalive e frazave i japin fuqi shprehjes, ndërsa përsëritja e ideve e motive përforcon kuptimësinë e romanit. Shkrimtari ka funksionalizuar artistikisht në roman leksikun e frazeologjinë popullore dhe uresat e proverbat. Fjalët e rralla: ding, fintak, groplan, gverr, hajt-hujt, hjekakeq, majtap, mahjetë, ngrafit, palavala, pallzinë, përzjarr, shtunak, tollovajë, tullug, thellutë, valavamë etj. Frazeologjia e idiomat : për të prashitur ujë; për të përzier kaçamak;.sa shkonte fasulja; i erdhi në kuti; i ra pikës; pa dorëza; petulla në ujë; në fund të pusit; tirrte hollë etj. Uresat e mallkimet antonimike: “ ... ardhshi si vera!”/ 36; ” Sytë mos ju plaçin!...mendtë mos ju dalshin!” 37 Proverbat në roman shprehin përvojën e urtisë : “Vetëm ajo që s’ka fillim, ka edhe fund.”38 Xhemail Obria: “Pushteti është si deti- me fuqi e me tërpi!”39 Tahir Berisha: “Kur të hyni atje ku s’hyhet, do të dilni atje ku dilet!”40

Onomastika e romanit

Shkrimtari Adem Dema është krijues edhe në emërtimin e personazheve, të vendeve, firmave e fenomeneve, duke u dhënë kuptime figurative. Të këtilla janë emërvendet shqipe: Bardhishtë, Dardhani, Drenushë, Gojëbuall, Kodra e Dragoit, Kroni i Shkretit, Shtogajë, Murrizaj, Rreze, Trimajë, Thanaj, Ultinë, Vetanik etj. Ai aplikon me mjeshtëri anagramin e emrave: Ameri, Balli i Kanit, Bardh Kili, Bull Ati, Dani i Sllobës, Demir Syla, Gjukë Ani, Lasi Papu, Na Athi, Ndreu Papa, Ropë Eva, Rana Ti. Personazhe me nofka: Ahmet Burri, Daja Tal, Driton Delia, Gjel Frangu, Kolë Gjeri, Kolë Makanda, Kolë Fesati, Luan Briti, Ramë Heraku, Zell Çaushi. Emra të përbërë: Edopuna, Ezuta, Jemigati, Zateu. Emra metonimikë: Akropoli, Çanak Kale, Çinimaçini, Helena, Ivanushka, Kavadari, Morava, Muzeqeja, Oborri Aki Hito, Maja e Dajtit, Oborri i Dedës, Palla, Podi i Gorës, Trimaja, Zagoria etj. Shquhet antonomazia ironike në emërtimet alegorike: “Në fund të pusit”, “Prej e

qep tamam për trupi”, “Kap e lidh”, “Kap e lidh me marifet”etj. Absurde duken edhe firmat me bojëra kuqezi nën pushtim: “Kryq e tërthor”, “Për mal e për fushë”, “Fuh andej e fuh këndej”, “Sy më sy”, “Vesh më vesh”, “Lirë e mirë”, “Shpejt e shpejt” etj. Romani “Libër për Vet Mohimin” është botuar së pari më 1994. Deri tash ka pasur tri ribotime dhe është përkthyer italisht nga zonja Nermin Vlora-Falaski më 1995.

Simboli i lirisë

Adem Dema është sot vetëdija kritike intelektuale dhe vetëdija artistike. Vepra e tij letrare është shumë origjinale, diçka krejt e re në letërsinë shqipe. Ajo mahnit me erudicionin filozofik, intuitën artistike,imagjinatën krijuese dhe vizionet fantastike . Duke lexuar prozën e tij artistike, duket sikur takohesh me një përvojë letrare botërore. Flijimi idealist krijoi edhe rilindjen artistike. Adhurimi, nderimi e besimi në dritë krijuan edhe simbolin e lirisë Demaçi. Me kompletin e veprave të tij ai ka realizuar qenien e vet artistike e estetike, duke krijuar edhe portretin e shkrimtarit klasik në letërsinë shqipe. “Vepra e tij letrare dhe publicistike me vlerën e saj artistike, kulturore, historike dhe dokumentare i siguron Adem Demës vend të veçantë në rrethin e parë të krijuesve të historisë së letërsisë shqipe.”41 - ka vlerësuar akademik Rexhep Qosja. Sot duhet ripërtëritur kandidimi i Adem Demës për Nobelin e letërsisë. Nominimi i parë për paqe qe bërë më 1994 nga deputetë të Parlamentit të Norvegjisë.

______________________

1.Adem Dema, “Libër për Vet Mohimin”, LSHK, Prishtinë, 2012, f. 58-59. 2. Aty, f. 38; 3. f. 222; 4. f.119; 5. f. 210; 6. f. 59; 7. f. 113; 8. f. 138; 9. f. 141; 10. f. 8; 11. f. 220; 12. f. 203; 13. f. 226; 14. f. 217; 15. f. 267-268; 16. f. 278; 17. f. 282; 18. f. 300; 19. f. 135; 20. f. 12; 21. f. 10; 22. f. 12; 23. f. 188; 24. f. 9; 25. f. 303; 26. f. 235; 27. f. 133; 28. f. 66; 29. f. 164; 30. f. 144; 31. f. 16; 32. f. 167; 33. f. 11; 34. f. 184; 35. f. 127; 36. f. 66; 37. f.185; 38. f. 109; 39. f. 224; 40. f. 225; 41. Rexhep Qosja, “Adem Dema- shkrimtari për të gjitha kohët” në Adem Dema, “Tung vargu im”, LSHK, Prishtinë, 2012, f. 107.

Prishtinë, më 17 mars 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen