F A Q E T

Sonntag, 2. Juni 2013

Miltiadh Davidhi

Miltiadh Davidhi ka lindur në Krutje të Lushnjës në 12 shtator 1955. Pasi mbaron shkollën fillore dhe të mesmen në vendlindje, Krutje, vazhdon studimet për mjekësi veterinare dhe diplomohet ne 1980-ën. Aktualisht jeton në Noçera Superiore të Salernos, Itali. Poezitë e para i botoi në gazetën lokale “Shkëndija”kur ishte vetëm 18 vjeç. Është autor i këtyre librave;
POEZI –“Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001,Dituria.
-“Ujëvara hëne”, 2008,Toena.(Parathënia e këtij libri është botuar, në gazetën Iliria në Amerikë).-“I njëjti zë njeriu”, 2011,Uegen.- “Globi mbi fije bari”,”Duke ecur në rrugica ajri”,Klonomani Shpirtin'',''Lirika Dashurie''. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” Roman,2010,Ada,-“ Në humnerën e pafund të një krimi.”, Tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, Novelë. Është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër” botuar nga Prof.Dr.Fatmir Terziu dhe Agim Mato,”Në historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese Ada. Për të janë të shumtë shkrimtarët e kritika e kohës që janë prononcuar duke shkruar si; Poeti Faslli Haliti,Prof.Dr. Klara Kodra,poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti,Prof. Dr. Fatmir Terziu,Shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë,tregimet,fabulat e fragmentet e romanit të tij,janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj,nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.



Miltiadh DAVIDHI

UNIVERS BRËNDA UNIVERSIT

Brënda një pafundësie të madhe
Krijova një pafundësi të vogël
Në formën e Universit
Të materies ku jetoj,
Dhe formës së trupit tim.

Një shpirt brënda shpirtit,
E buzëqesh për ta bërë më të bukur
Dhe trupin dhe shpirtin.
Eh,ëndrrën ia njoh,
Por vdekjen kurrë.

Jam grimcëz e vogël drite e jete
Brënda grimcëz më të madhe të saj
Ku mar dhe jap shikime,
Ndaj më shikoni dhe ju shikoj,
Por diellin kurrë se kam parë në sy
Se mbjell verbim,
Veç hënën e përkëdhel ç’do natë
Ashtu si të gjithë ju.

Jam kafkë mendimesh
Brënda një kafke të madhe,
Sy brënda syrit,
Trup brënda trupit,ndjenjë brënda
Ndjenjës,dashuri brënda dashurisë
Dhe frymë marrim që të dy
Me ajër e dritë.

Të komplikuar jemi, me grimcëza
Planetesh e yjesh të pafund
E jetën ngjizim që të dy,
Por vdekjen jo,
Vdekjet i marrim me vete
Si varre të vjetër,
Ku varrosim veç kufomat tona
Dhe krijojmë buzë agimesh
E buzë hëne,
Yje të veshur me dritë,tinguj e fjalë,
Jetë të reja,lule e planete të rinj.

E unë, nisa të shkruaj kur kuptova,që
Si unë, pafundësia e vogël, dhe ajo,
Pafundësia e madhe,
S’ishim gjë tjetër, veç forma balte e ëndrre,
(Natyrisht dhe diçka më tepër),
Që flisnim secili në mënyrën
E vet e të përbashkët për pavdekësi.



YJET E SHPIRTIT

Shikoji qiellit të bukurit, shikoji mirë!
A s’të duket e dashur,sikur yjet
Do na zenë me gurë
Nga çasti në çast?!
A s’të duket se janë të zemruar me ne?!
Eh,flakët e zjarreve të urrejtjes njerëzore,
Po ua djegin e verbojnë sytë.
Gjithçka të mirë e të bukur
Po ia shkatërrojmë, këtij Planeti.
Por ata, sërish na falin dritën
Që s’e meritojmë,
Të na ndriçojnë rrugët e natës.
Ndaj, duhet të dimë ta vlerësojmë
Sjelljen e yjeve dhe vdekjen e tyre
Para syve tanë.
Është mesazh për ne, të gjallët,
Jo për të vdekurit, e bukura ime.
Na falin dritë të bëjmë gjëra të mira,
Jo të skalisim fundin e një bote.



NDALE TROKUN E REVANSHIT TËND!

O zëmrim,që më nxit’ e më shtyn
Në urrejtje!
Më fal qetësin’ e arësyes,
Më shumë ajër për të thithur
E dritë për të parë
Sytë e të vërtetës,

Më shumë hapësirë mendimi!
Bëmë më të mënçur,më të dashur,
E rrugët e padukëshme
Prej syve të mbushura me natë zëmrimi,
M’i bë të dukëshme!

Ti po ecën mbi tokën time,mbi shpirtin tim,
Mbi rrugët e mia,
Copëton nervat,enët e gjakut
E mishin e trupit tim
Me nallçat e një kali
Shpëtuar nga litarët e tërbimit,
E shfryn me dhëmbë të jargavitura mosdurimi,
Duke shkelur mbi gjithçka
Që të del përpara,të mirë,apo të keqe!

Ndale revanshin tënd,trokun e nallçës që vret
E mbjell plagë, mbi rrugë jete!
Shikoje të vërtetën në sy dhe me zëmër,
Dhe lejo dritën e arësyes,llogjikës,
Të ndriçojë të sotmen e të nesërmen tonë!

Vetëm urtësia shëron plagët e tua,
Egërsinë e trokut në ecje marramëndëse,
Dhe lejon qafën e kokës tënde të bukur prej kali
Të zbukurohet, krahas lirisë
Së livadheve dhe lëndinave,
Dhe me një kapistër të bukur!

O zëmrim, kal i hazdisur ndjenjash,
E di, në thellësi të shpirtit tënd,ka dhe mirësi!


SONTE

Nëpër sytë e yjeve,
Në lulet e çelura dritës së tyre
Dalloj një tis
Të hollë gëzimi;
Ne të dy ecim
Të përqafuar...

Ndaj zemrën e kam
Shndrruar në kambanë,
Të zgjoj heshtjen e qiellit
Që s’flet
Dhe puthjen tënde.

Sonte prej fjalëve të tua
Rrjedh
Një verë e ëmbël që
Sikur kërkon të deh
Dhe vdekjen.

E unë për të çarë
Stuhitë e qiejve,
Kam kraharor
E krahë shqiponje
Dhe sytë e tu.

Të gjitha
Vrimave të zeza
Në tokë e në qiell,
Mund t’u dhuroj lule
Pa më të voglën
Frik’ e pendim.

Sonte jam me ty
E fluturojmë nëpër yje.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen