F A Q E T

Samstag, 1. Juni 2013

Namik Selmani

Namik Selmani ka lindur më 18.11.1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ka punuar prej mbi 38 vite si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme “Kristo Isak” Berat. Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishem. Ajo përmban deri tani 23 libra, mes të cilëve 8 janë vëllime me poezi duke përfshirë edhe një Antologji të tijën vetjake, libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, përmban me qindra shkrime të karakterit studimor kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme. Është një autor që e ka gjetur dritën e botimit të shkrimeve të tij edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Angli, Itali, Rumani, Zvicër, etj
Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka patur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artitike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali Maqedoni, Kosovë, etj Është fitues i disa Çmimeve kombëtare në letërsi, në publicistikë. Është Anëtar i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” (ku është zëvëndëskryeredaktori i revistës “Krahu i shqiponjës” i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, i Klubit të Shkrimtarëve. Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Drita” me qendër në Athinë. Është anëtar i kryesisë së shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanit etj. Është zëvendëspresidenti i Shoqatës Kombëtare “Flamuri Kombëtar Gramoz Palushi”. Është anëtar i Kryesisë së Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare me qendër në Tiranë


Pasqyrë e veprimtarisë krijuese

Vepra origjinale:

•‘Vatra e mallit” – Poezi- 2000
•“Zërat e brigjeve të mia” – 2003- poezi
•“ Dallandyshet e Çamërisë” – 2004- proza
•“Trokitje në Dodonë’ 2004 Proza
•“Kroi i këngës çame” – 2005- poezi
•“Filizët e fjalës gjimnaziste” – Në ndihmë të mësuesve e nxënësve të shkollave të mesme –botim pedagogjik – 2006
•“Abaz Dojaka- Mjeshtër i Kulturës popullore”- 2006- Monografi ISBN_99943-33-82-8
•“Fari çam”- 2006- poezi
•“Kërkoj monumentet” – 2007- proza-ISBN978-99956-621-0-3
•“Shpirti çam” – 2007- Antologji personale me poezi ISBN-978-99943-967-8-8
•“Dritaret e besimit”—poezi fetare për rininë islame-2007 (Ka marrë Çmimin “Libri më i mirë për vitin 2007”) ISBN: 978-99956-652-3-4
•“ Rruga e një shkolle”- botim monografi për përvojën e shkollës së mesme profesionale“ “Stiliano Bandilli” Berat- 2007-ISBN-9789994396795
•“Arkivi i fjalës”- 2008- Botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme –ISBN: 799993-248582
•“Djepi i këngës” poezi
•“ Portat e bashkimit” Proza
•“Ujëvara e tingujve“ -Botim folklorik 2009
•“Rilindje”-Proza – 2010
•Jam shqiptar –Proza -2010
•Gjurmë më gjurmë -2010 Proza
•“Pesha e qiellit të vendlindjes” Poezi 2010
•“Rrënjët” proza -2011
•“Dyert e hapur të vetvetes”-proza 2011
· Gjuhëshqipja të zonjërojë 2012
· Një jetë me ëndrrën dhe lirinë. 2013 botim monografik
- Botimi poetik “Bëj të zë po të merr era”

Namik Selmani është përfshirë në dhjetra antologji e veprimtari kombëtare dhe ka fituar shumë çmime letrare. Poashtu, ka redaktuar edhe shumë libra të autorëve tjerë.


Namik SELMANI

Qepallat e Jonit

Udhëve të Çamërisë përkunden e përkunden djepa
Këngët vrapojnë të puthin rreze diellore
Varkëtarët i pret agimi, i presin oqeane e dete
Kënga e gjyshit kërkon rizgjimin e ditëve hyjnore..

Do ta pi kafenë e gjyshes në ca jele dallgësh
Si pulëbardhat do ta hedh vallen mbi shpatet e Kalamasë.
Anija e Kthimit më dërgon ca epitafe varresh
Për të deshifruar të nesërmen që gëlon mes së ardhmes.



Hesht, se fjala s’vlen më!

Në radhët njerëzore drejt Diellit
Ti qënke Greminë ku vdekja rrëzohet
Thyen këmbët,
Kërcet dhëmbët.

Po ti, Çamëri,qënke kështjellë
Ku shkërmoqen gurët nga Prushi i Kujtesës.

Po ti qënke vetë heshtja kur fjala s’vlen më
Para foshnjës së shqyer në barkun e nënës
Para Murtajës ,
Me pamjen makabre të Antijetës.

Po ti qënke përrallë
Ku Kuçedrat hanë ullinj të lashtë
Pijnë dete me dallgë ta larta,
Qiejve hedhin çarçafë me mjegulla
Brejnë kocka varresh me baltë,
E çative ua paskan shkrirë trarë e tjegulla.

HEEEEESHT sërish,se fjala s’vlen më!

Kur me fuçitë e verës së vjetër
Ngren dollinë e Natës vdekja.


E gjatë rruga për tek ti……

E gjatë rruga për tek ti, Çamëri.
E gjatë. Fort e gjatë.
Metër për të s’ka e syri nuk e mat.
Vetëm zëra ehosh malli
Përpëliten në dërrasa kraharorësh të thatë,
Me to deshifroj saktësinë vënë ndershmërisht në kandar.

Të lodhka rruga për tek ti, Çamëri.
Të lodhka. Fort të lodhka.
A ka mbetur nën gërmadha
Një pikë vaj nga ullinjtë e lashtë, more miq ?
Trupin e foshnjës së posalindur
Do ta ngjyej me të sapo të arrij.
Nga Anija e Fjalës jehonë malesh do të sjell e iso pa mbarim

E bukur rruga për tek ti, Çamëri.
E bukur. Fort e bukur.
Do të marr me vete nga stiva
Një jorgan të ngrohtë për supet e zbuluar.
Do jetë djegur jorgani i gjyshes diku në varre strukur.
E duart e saj,
Si duar Rozafe s’mund të më përkundin në gjumin e trazuar.

E ëmbël rruga për tek ti , Çamëri.
E ëmbël si mjalti i parë i hojeve
Të marrin për të vesh zjarret e….kongjinjtë kuqohen.
Të marrin vesh krojet e ….sërish të zgjohen.
Të marrin vesh lulet e …brigjet të lulohen
Të marrin vesh udhët e…. të zmadhohen.
Mjegullat të marrin vesh e…të largohen.
Minaret të dëgjojnë e…të lartësohen.

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një poezi në buzët shkrumb të djalit -poet.
Sa një stinë në kapërcyell të Ndërrimit.
Sa një dallgë që lind e shuhet në det.
Sa një këngë në pragun e Zgjimit.
Sa një agim në pragun e zbardhimit,
Sa një baladë në prag të jetërsimit.

E gjatë rruga për tek ti, Çamëri !
E tri herë
Duhet ndërruar tagjia e kalit të shalës .
E pesë herë
Duhen ndërruar patkonjtë e ngrënë mes gurit e baltës.
E miq të rinj
Duhen gjetur për shtigjet, miq besnikë
Për të ndërruar bukën në burimin e udhës së largët.

Në trastën e rrugës do ta marr me vete një patericë.
Kaçakët modernë me zëra celularësh
Brinjët e njoma mund të m’i thyejnë si qelqe.
Po rruga DUHET BËRË
Se Çamëria pret diku në Volë, Prevezë a Gumenicë
Me ilaçin e limonave të stërgjyshit
Më ka bërë melhemin e Rilindjes në jetë të jetëve.

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një krisëm dielli
Që hap kanat më kanat portat e ëndrrave.
Sa një hap kënge
Që i bie si këmbanë sirenave të zemrave.
Sa një fjalë fëmije
Me burrërinë e një gjyshi fjalëmençur.
Sa një heshtje pendartë
Në Ditën e Pjalmimit filiz të çelur.

E çka do të gdhend për ty në Monumentin e Nisjes
Ku fjala
Përuron para kohe Mbërritjen e lumtur pa kthim?
A të vë ca lule të thara që sytë i vrasin pa i parë?
A të vë një kurorë dafine me nderim?
Çka? Çka?
Mërmërij e sokëllij….
Ndërsa prapë……… rrugëtoj
Nga agimi në muzg e nga muzgu në agim.



 Lavërtar të parë të fjalës të duam, Baca Din!

Kushtuar poetit kosovar Din Mehmeti

 1.
Hej Baca Din,
Ma flatro atë mandile Juniku thinjur ndër ortekë!
Ma thuaj njat kangë të pathënë
Ta kall Mandatën që tinëzisht më vjen kah mote.
Kur drita derdhet,
Qiriri i fjalës tande bahet mal apo çetinë bjeshke
Bahet piskamë e pëllumb
Në këto gryka e në këtë qiell të lirë Kosove.

 2.
Mos hesht bre, Baca Din,
Mos ia baj askurrë qejfin Ujkut të Heshtjes vrastare
Mbahu pas Parmendës së Fjalës
Se lavërtar të parë të duam tash sa shekuj shqiptarie.
Trimërohu ndër oda
Se fjala na mrrolet nga Myku i Ngrehosjes vdekatare
Bajrakrohu
Në rudinat e poezisë ku mbijnë filizë pavdekësie.

 3.
Bahu fluger shpirtërash Baca Din,
Mos të të shuhet kurrë ai zjarrm i lisnajtë i votrës.
Tymtarët
Të mos prajnë së nxjerrë pa fund shtëllunga jete.
E pelenat e bardha
Një dekik mos mbetshin pa të qarat e foshnjës.
E lavdia
Të mos mbesë jetime pa fjalët e poetëve.


 4.
Mos hesht, o Bard i Gjuhës së Zogjve
Që fort bukur po i ditke gjuhën e luleve të globit.
Me kreni
Na gurro tinguj e gurra të reja që solli liria!
Na shkundullo në ujëvarat e Junikut
Që gëlojnë gazmueshëm mes gjoksit
Për të na thënë
Se kurrë s’po u thakan këngët si flakaresha fisnike.

5.
Fjala mos të shoftë, baca Din



Këtu, në NEWBORN….

Etyd për pavarësinë e Kosovës

1.
Historia paska ndalur këtu:
Të dëgjojë bacalokët fisnikë më të thinjur se të gjithë malet e borëruar
Të përcjellë nuset e reja e të puthë ca plagë të ngrohta nën bajrak
Të takojë Adem Jasharin e të riçelë lulëkuqe në Drenicën kullëplaguar
Të dëgjojë heshtimin e lotit të vrarë mes dhimbjes bukur të gjatë.

 2.
Dita paska ndalur këtu:
Të prekë këmbë të ardhur nga viset, nga klonet e humnerta ndjellakeqe
Të dëgjojë ca zëra çiftelish e lahutash, si hapa këmbëzbathurish mes flakëve
Të rizgjojë ca rremba krojesh të kaltëruara si maja bjeshke në majin me rreze
Të heqë tabelat e udhëkryqeve me kahjen e pagabuar të bajrakëve

 3.

Nata paska ndalur këtu:
Të marrë hijet e fundit në theqafjen drejt honesh, drejt ca strofkash kuçedre
Të fshehë gjer në shtatë palcë dheu ca llumërina fjalësh besëvrarësh.
Të riveshë mantelin e yjeve që bien, e bien, e bien nga male e treten
Të humbojë mallkimet e thëna e të pathëna si sëpata druvarësh.

 4.

Kali i Gjergjit këtu paska ndalur trokun:
T’i thotë motrës lotpatharë të ngrihet vrik nga varri nën bli.
T’i thotë Doruntinës se Kostandin emërmadhi është gjallë, gjallë.
T’u thotë bregdrinasve se këtej e tutje do të kenë ndër brigje edhe ca ullinj
Bash si me kenë një Urë e re kënge që lidh shekujt me fjalët- balsam

 5.
Mençuria ndalka frymën këtu:
Si të ishte një bard me urti të re odash e kuvendesh pajtimi
Si të ish një lahutë legjende që prek të tanë qiellin e shpirtit
Si të ishte det që e mundka dhe pikën e fundit të lotit të Mordit
Si një pemë që fort po i ban hije dasmës e lindjes së filizit.

 6.
E shekujt paskan ndalur këtu:
Si dorëzanë për borxhin e mbetur ka herë në pergamenin e kohës
Si firmë firmëtarësh me sy rilindur klithshëm nga verbimi
Si fidanë që presin ugarin me djersë të derdhur në plisat e ngrohtë
Si lehona që presin urimin me fëmijët mbështetur te gjiri.

 7.
E agu po ndalka këtu:
T’u vërë lodërtarëve ndër supe të rëna, nga një rreth tupani prej Sharri
T’u japë carrokëve ca libra dhe bukë të grunjtë në trastën gjalmëgrisur
T’u japë këmbëve të burrave fuqi divi e shkambinjsh mali.
T’u japë mjeshtërve gurët e latuar për murin e ri që duhet ujdisur.

 8.
Po ia prek pejzat NEWBORNIT
Bash si me prekë një rudinë ku ligjërojnë këngë të reja LIRIE
Ku ringjallen amanete, fjalë, varre dhehumbur pa shenja mbi kokë
Po lërmë ta puth atë plis bardhosh, lum Bacë mustakderdhur me hije
Ma lër të ta heq qoftë edhe një rrudhë e një thinjë, moj Loke

 9.
Këtu, në NEWBORN…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen