F A Q E T

Samstag, 13. Juli 2013

Cikël poetik nga Kujtim Luma


Kujtim Luma
 
SEREMBEN SE VRAU DASHURIA!

Thonë Seremben e vrau dashuria
Gënjeshtër e bukur, përrallë për kalamaj
Në këtë jetë shumë herë e vërteta
I vret padashje ithtarët e saj.

Thonë se u çmend dhe hodhi në det
Gjithë letrat e shkruara me poezi
Çmenduri e tjerëve e beri Seremben
Të endej vërdallë në jetën e tij.

Dhe sot jeton ende kjo gënjeshtër
Ashtu siç jetojnë poezitë e tija
Injorancë e tjerve dhe e vërteta
E vrau Seremben, e jo dashuria!

MË PRIT, SE DO VIJË

Sonte që me natë, do marr në sy udhët
Qetas pa u ndjerë, do i hy hënës në gji
Ngrykë do marr mallin, sqetullash do mbaj kujtimet
Diku në natën vonë, do të mbërrijë tek Ti...

Aty, do ndeshen afshet n'pëshpëritje fjalësh
Nata hënën e plotë do e mbaj qiri
Castet do pijnë ujë, kupave ndjenjash mbushur
Mbledhur në gjoksin tënd, dhe prap kam mall për Ty...

MBRËMË

Mbrëmë më erdhe ëndrrash, qeshjesh vënë mbi buzë
Shikimet plot zjarr thonin me mijëra fjalë
S'më le të të druhem, mallet the le të shuhen
T'thithim nektar ndjenjash, bashkë kohës t'i bëjmë ball

Vet prania yte, fshikulloj vetminë
U hapi flake mureve, grusht të rëndë trishtimit
Hapa portën e zemres, kurrë thashë s'të lë të ikësh
Gurrëndjenjash rrodhën shtateve, buzëve belbëzohej premtimi.

PRES TË MË VISH

Nisu, por me vete aty më ke mua
Kur në shpirt ndjen ftohtë, të mbështjellë me shpirtin tim
T'mos harrosh kem ëndrrën e ndjenjën të na ngrohë
Krahët e mi zbrazur, etur për përqafim

Nisu, por me vete aty ke lutjen time
Të të ndjekë pas hapash ditënetë pa një sy gjumë
T'mos harrosh kem fjalët e dhënë njëri tjetrit
Zjarrin që pret të shuhet, ndjenjat tek rrjedhin lum...

KUJT I THEM DASHURI...?

Dashuri, është dhimbja yte tek rrjedhë gjoksit tim
Drithërimë, emri yt tek përmendet
T'më hysh brenda ëndrrave, e t'mos lypësh kthim
Lotin tim puthur, mes krahësh përmledhur
Kujt, i them dashuri...
Ndjenjës tek vie e ndizet në takime shikimesh
Dorës shtrënguar, n'rrufe të trishtimit
Gureë e gurë bri urave, tek lidhin njëri tjetrin
Besë e mbajtur fjalë, dhënë castesh të premtimit...
Kësaj, i them dashuri...

JO NDËR TË MARRË!

Unë vetë e kam puthur heshtjen
E buza më digjej prush nga fjala e pathënë,
Thonë" heshtja flet më shumë se fjala"
Unë po them: Jo ndër të marrë!
Dikush këndoi një këngë në ditë zie
Pa u turpëruar e duartrokitën,
Një tjetër qante në një ditë gëzimi
Askush nuk e ngushëlloi.
Të urtët folën me heshtjen e tyre
Po kush nuk i përfilli,
E ngushëlluan veten me fjalën e pathënë
"Heshtja flet më shumë se fjala"
Unë sërish po them: Jo ndër të marrë!

AROMË DASHURIE

Shijo aromë dashurie...
Botës do ia njohësh
Hijeshin e çasteve të zjarrta
Derdh mallin të të shuhet
Shpëtoi përvëlimit.
Dashuritë ndjejnë
Dhe trohat e trishta të dhembjeve,
Ata kanë forcë të degëdisin
Ishujve të harrimit.
Shijo aromë dashurie...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen